Ku mund t’i gjeni normat morale?
Ku mund t’i gjeni normat morale?
JETOJMË në një botë ku normat morale po ndryshojnë. Praktikat e pandershme që dikur dënoheshin, sot njerëzve nuk u bëjnë më përshtypje. Shpesh media i paraqet hajdutët dhe mashtruesit si njerëz tërheqës dhe si heronj. Si pasojë, shumë njerëzve u përshtatet përshkrimi që bëhet në Bibël: «Sa herë që shihje një hajdut kënaqeshe.»—Psalmi 50:18, BR.
Megjithatë, mashtruesit nuk janë aspak për t’u admiruar. Një shkrimtar tha: «Një karakteristikë e veçantë e mashtruesve është aftësia e lindur për t’i manipuluar njerëzit që kanë përreth, dhe shpesh kjo aftësi zbulohet që në moshë shumë të re.
Veç kësaj është fakti se ata nuk provojnë asnjë ndjenjë faji ose keqardhjeje kur manipulojnë të tjerët. Përkundrazi, ndiejnë një kënaqësi të madhe, një lumturi të veçantë që i nxit të vazhdojnë t’i manipulojnë njerëzit për të marrë çdo gjë që duan, pavarësisht se sa u kushton kjo viktimave.»Sigurisht, në përgjithësi publikut i vjen keq kur një të veje i vjedhin me mashtrim të gjitha kursimet e saj, por s’para ndodh që njerëzit të derdhin lot kur dikush vjedh një shoqëri të madhe biznesi ose mashtron një shoqëri sigurimesh. Shumë njerëz e justifikojnë këtë duke thënë se prapëseprapë këto shoqëri janë të pasura. Por një mashtrim i tillë nuk është problem vetëm për shoqëritë e biznesit; humbjet e tyre bien në kurriz të konsumatorëve. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, një familje e zakonshme paguan si shtesë për siguracionet më shumë se 1.000 dollarë për të mbuluar koston e mashtrimeve.
Gjithashtu, shumë njerëz përfitojnë nga mundësitë për të blerë me çmim të ulët artikujt që imitojnë produktet e markave tregtare. Artikuj të tillë mund të jenë veshje, orë, parfume, gjëra kozmetike dhe çanta. Ndoshta blerësit e kuptojnë se këta artikuj fallso u kushtojnë qindra miliardë dollarë çdo vit kompanive që nxjerrin artikujt origjinalë, por mendojnë se kjo nuk u prish punë atyre personalisht. Megjithatë, si përfundim, konsumatorët duhet të paguajnë më shumë për shërbimet dhe artikujt e ligjshëm. Veç kësaj, blerja e artikujve fallso u mbush xhepat kriminelëve.
Një njeri, puna e të cilit përqendrohet te lufta kundër mashtrimit, shkroi: «Jam i bindur se arsyeja kryesore që sot bëhen kaq shumë mashtrime është se jetojmë në një shoqëri që nuk do t’ia dijë fare për normat morale. Rënia mjaft e theksuar e normave morale ka frymëzuar një qëndrim prej mashtruesi. . . . Jetojmë në një shoqëri që në shtëpi nuk mëson normat morale. Jetojmë në një shoqëri që në shkollë nuk mëson normat morale, sepse përndryshe mësuesit do t’i akuzonin se bëjnë moral.»
Ndryshe nga kjo prirje, Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë të tjerëve normat morale të Fjalës së Perëndisë dhe përpiqen të jetojnë edhe vetë sipas tyre. Ata drejtohen nga parime të tilla, siç janë këto në vijim:
● «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten.»—Mateu 22:39.
● «Mos ha hakun.»—Marku 10:19.
● «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur, duke bërë me duart e tij atë që është punë e mirë, që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari.»—Efesianëve 4:28.
● «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të vetëkënaqur dhe nuk e mbajnë veten si tepër të drejtë, ata besojnë se nëse çdokush do të zbatonte këto parime, bota do të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. Gjithashtu ata besojnë në premtimin e Perëndisë që një ditë ajo do të bëhet e tillë.—2 Pjetrit 3:13.
[Diçitura në faqen 21]
Nëse çdokush do të jetonte sipas normave morale të Fjalës së Perëndisë, bota do të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar
[Figura në faqen 10]
Të krishterët e vërtetë ndjekin parimet biblike, siç është: «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten»