Peripecitë e luftës më përgatitën për jetën
Peripecitë e luftës më përgatitën për jetën
TREGUAR NGA ERNST KROMERI
«Ja edhe dhoma juaj.» Me këto fjalë na mikpritën në Gabon, në Afrikën Perëndimore, mua dhe shokun tim të shërbimit. Në dhomë kishte vend vetëm për një dyshek. Jetuam atje për gjashtë muaj.
JETA në fermë gjatë Luftës II Botërore më përgatiti që të jetoja në kushte të vështira. Kur shpërtheu lufta në vitin 1939, Gjermania naziste pushtoi menjëherë Poloninë. Në atë kohë isha katër vjeç. Në familje kisha prindërit, dy motra të mëdha dhe një vëlla e një motër më të vegjël se unë. Babai na tha se po ta humbte Gjermania luftën, duhet të ishim të përgatitur të kalonim kohë të vështira.
Jetonim në Lovenshtejn, një fshat i vogël gjerman në Silezinë e Poshtme, që tani është pjesë e Polonisë. Në fermën prej 25 hektarësh që kishim, kultivonim grurë dhe rritnim gjedhë. Babai punonte edhe si administrator i fermerëve të asaj krahine. Kur vendin e pushtuan nazistët, babanë e morën që të organizonte fermerët për të mbështetur luftën.
Babai gjatë Luftës I Botërore kishte qenë në regjimentin e kalorësisë, por ngaqë tani kishte këtë punë shtetërore me nazistët, nuk e morën prapë në ushtri. Prej shumë kohësh prindërit e mi ishin larguar nga kisha, sepse ishin të zhgënjyer me mënyrën se si kishte vepruar kleri gjatë Luftës I Botërore. Prandaj unë u rrita pa ndonjë interes për fenë.
E fillova shkollën në vitin 1941, por e mora inat që në fillim, sepse mendoja që kishte gjëra më interesante për të bërë sesa t’ia ngulje sytë dërrasës së zezë. Aty nga fundi i vitit 1944, vetëm gjashtë muaj para përfundimit të luftës, kryeqyteti i Silezisë së Poshtme, Breslav (tani Vroclav), u sulmua nga rusët. Një të shtunë në mbrëmje pamë qytetin që ishte rreth 50 kilometra larg, të ndriçohej i tëri nga zjarri i mortajave dhe nga shpërthimet e bombave që hidhnin aeroplanët. S’kaloi shumë dhe na u desh t’ia mbathnim nëpër male. Kur mbaroi lufta, u kthyem në shtëpi, në Lovenshtejn.
Paslufta
Pas luftës ndodhën gjëra të tmerrshme. Përdhunoheshin gra dhe çdo ditë grabiteshin shtëpi. Neve na vodhën pjesën më të madhe të gjedhëve.
Babanë e arrestuan në korrik të vitit 1945. Pasi e morën në pyetje dhe e torturuan mizorisht për shtatë net, e liruan. Por tre muaj më
vonë e arrestuan prapë dhe e morën me vete. Ishte hera e fundit që e pamë. Dy burra polakë erdhën e u vendosën në fermën tonë dhe thoshin se ishin ata pronarët. Në prill të vitit 1946 të gjithë atyre që ishin me kombësi gjermane u thanë të iknin nga fshati dhe të merrnin me vete vetëm pak gjëra.Mamaja tashmë ishte e përgatitur për këtë, prandaj asnjë s’u alarmua. Kishte përgatitur një shportë të madhe me rrota, ku kishte vënë shtresa për të fjetur, dhe secili prej nesh kishte një çantë të madhe shpine me gjërat që na nevojiteshin. Ushtarët polakë na rrasën nëpër vagonë që transportonin gjedhë, nga 30 veta për vagon. Rreth dy javë më vonë, mbërritëm në Gjermaninë Veriperëndimore, jo larg Holandës.
Qeveria e caktoi familjen tonë plus të gjithë kushërinjtë, gjithsej 19 veta, në dy dhoma, në një fermë rreth 8 kilometra larg Kuakenbrukut. Me kalimin e kohës disa kushërinj u rregulluan te fermerë të tjerë, kështu që s’ishim më aq ngucur.
Mamaja bënte shumë sakrifica për ne fëmijët. Shpesh nuk hante, që të hanim ne. Dimrin e parë që kaluam, s’kishim dru për zjarr. Muret dhe tavani u mbuluan me një shtresë të trashë akulli dhe dhomat dukeshin si shpella akulli. Po ngaqë kishim shumë shtresa në krevat, ishim ngrohtë, prandaj mbijetuam.
Takojmë Dëshmitarët
Aty nga viti 1949 nusja e dajës i dha mamasë një kopje të Kullës së Rojës. Kur lexoi një artikull që ishte atje, mamasë iu kujtua se gjatë luftës kishte dëgjuar në radio Hitlerin që dënonte ‘një grup njerëzish’ të cilët parashikonin rënien e Gjermanisë. Ajo kishte pyetur veten: ‘Cilët të jenë vallë?’ Kur lexoi në Kullën e Rojës se ishin Dëshmitarët e Jehovait, i lindi interesi dhe vendosi të studionte Biblën me ta.
Një ditë, në prill të vitit 1954, takova çiftin e Dëshmitarëve që studionin me mamanë. Pas studimit, pranova broshurën A mund të jetoni përgjithmonë të lumtur në tokë?, si edhe një pajtim në Kullën e Rojës. Pasi e lexova broshurën, u binda se kisha gjetur të vërtetën, prandaj ia dhashë punëdhënëses sime që ta lexonte. Kur e pyeta ç’mendonte, më tha: «Janë mendime shumë të mira, por duket e pamundur. S’e besoj dot.»
«Epo unë jam i bindur që është e vërteta,—i thashë,—prandaj, do ta ndjek.» Ajo tundi kokën dhe më tha: «Ky mesazh është për njerëz të butë. Kaq i egër sa je ti, zor se do të bëhesh Dëshmitar.» Por unë fillova të bëja ndryshime në jetë.
Edhe pse në atë zonë s’kishte Dëshmitarë, studioja vetë dhe çdo javë bëja rreth 10 kilometra me biçikletë për të ndjekur mbledhjet. Më vonë, shkova në një asamble qarkore, ku ishin mbledhur për adhurim disa kongregacione të Dëshmitarëve. Kur isha atje, dola për herë të parë në predikim e më pas fillova të dilja rregullisht në shërbim. Së bashku me mamanë u pagëzuam më 14 korrik 1954. Më vonë, në moshën 80-vjeçare, edhe gjyshja ime nga mamaja u bë Dëshmitare.
Puna në fermë më hante shumë kohë, prandaj e lashë dhe gjeta punë në një rezervat pyjor. Pas kësaj, u shpërngulëm si familje në Rutlingen, një qytezë e vogël pranë Shtutgartit. Ndërsa ishim atje, motra e vogël, Ingridi, u bë Dëshmitare. Nga gjithë motrat e vëllezërit, vetëm ajo është bërë Dëshmitare.
Predikoj në kohë të plotë
Në vitin 1957 mamaja arriti më në fund të merrte një deklaratë ligjore të vdekjes së babait. Pas kësaj filloi të merrte një pension, kështu që mund të jetonte pa ndihmën time financiare. Meqë s’kisha më të tilla detyrime familjare, gjeta një punë me orar të shkurtuar, dhe në prill të vitit 1957 fillova të predikoja në kohë të plotë si pionier. Pastaj mora një ftesë për të shërbyer si pionier special. Kur një Dëshmitar tjetër mori vesh për këtë, më thirri në zyrë e më tha: «Jam i sigurt se do të të hyjnë në punë ca para», dhe më dha 500 marka gjermane. Me këto para bleva gjithë rrobat që më duheshin dhe më mbetën 200 marka.
Në vitin 1960 dola vullnetar që të shërbeja në Austri, ku predikova me kënaqësi në fshatin e vogël të Shejpsit, e për pak kohë në qytetin e Lincit. Por pak më vonë atë vit bëra një aksident të rëndë me motor dhe theva këmbën
e djathtë. Pasi më bënë disa operacione vazhdova prapë në caktimin tim. Mirëpo, në vitin 1962 m’u desh të kthehesha në Rutlingen, për shkak të problemeve të imigracionit. Ndërkohë që qëndroja në atë qytet bëra një operacion tjetër për të hequr një shufër metalike që më kishin vënë në këmbë. Për gjashtë muaj e lashë shërbimin si pionier, që të punoja për të paguar paratë e operacionit.Kur kongregacionin tim e vizitoi një mbikëqyrës udhëtues, më sugjeroi të bëja kërkesën për të shërbyer në zyrën e degës së Dëshmitarëve, që atëherë ndodhej në Visbaden të Gjermanisë. E bëra kërkesën dhe dy javë më vonë mora një telegram ku më thuhej të shkoja sa më shpejt. Një javë më pas, në maj të vitit 1963, isha në Bethelin e Gjermanisë dhe po punoja në një shtypshkronjë duke shtypur revista.
Mësoj me zell
Betheli ishte vendi më i mirë ku kisha jetuar ndonjëherë dhe u mësova shpejt me ngarkesën e punës. Në vitin 1965 bëra një vizitë në Spanjë për të çuar fshehurazi literaturë biblike, meqë në atë kohë vepra e predikimit atje ishte e ndaluar. Nga kjo vizitë më lindi dëshira të mësoja një gjuhë të huaj. Zgjodha anglishten dhe përdorja çdo mundësi për të studiuar. Rreth kësaj kohe në Gjermani u formua grupi i parë anglishtfolës dhe unë shkova atje. Herën e parë që studiova një artikull studimi të Kullës së Rojës në anglisht, m’u deshën shtatë orë. Herën e dytë, pasi m’u deshën ‘vetëm’ pesë orë, e kuptova se po bëja përparim me gjuhën.
Në vitin 1966 mora ftesën për të ndjekur klasën e 43-të të Galaadit, një shkollë që gjendet në Shtetet e Bashkuara dhe që stërvit Dëshmitarë të Jehovait për veprën misionare. Pastaj, pas diplomimit, së bashku me Gynter Reshken na caktuan në Gabon, në Afrikën Perëndimore, në prill të vitit 1967. Kur mbërritëm në Librëvil, në kryeqytetin e Gabonit, qëndruam në dhomën e vogël për të cilën fola në fillim, kurse rrobat i varëm në dhomën e ngrënies. Gjashtë muaj më vonë kaluam në një shtëpi tjetër misionare.
Në Gabon, vështirësia ime më e madhe ishte të mësoja frëngjishten. Më në fund, pas shumë përpjekjeve, arrita ta zotëroja sadopak. Pastaj, në vitin 1970 papritur vepra e predikimit në Gabon u ndalua, kështu që ne misionarëve na dhanë dy javë kohë për të ikur nga vendi.
Vazhdojmë në Republikën e Afrikës Qendrore
Mua dhe disa misionarë të tjerë na caktuan në Republikën e Afrikës Qendrore. Gjuha zyrtare e vendit ishte frëngjishtja, por gjithsesi na duhej të mësonim gjuhën sango që t’u predikonim shumicës së njerëzve. Na dërguan që të hapnim një shtëpi misionare në qytetin e Bambarit, afro 300 kilometra larg Banguit, që ishte kryeqyteti. S’kishte as drita, as ujë nëpër shtëpi, por dy kongregacionet e Bambarit kishin nevojë për ndihmën tonë. Ajo që kisha kaluar gjatë periudhës së luftës në Evropë ma bëri shumë më të lehtë të përballoja kushtet e jetesës në Bambari, si edhe në vendet e tjera më pas.
Pasi shërbeva dy vjet në Bambari, më caktuan të vizitoja kongregacionet si mbikëqyrës udhëtues. Në vend kishte rreth 40 kongregacione, kështu që kaloja një javë me çdo kongregacion ku isha caktuar. Kisha një makinë të vogël, por kur rrugët e pashtruara keqësoheshin shumë, përdorja mjetet e transportit publik.
Në gjithë vendin, i vetmi vend ku rregullonin makinat ishte Bangui. Meqë për shkak të shërbimit duhej të udhëtoja shumë, bleva ca libra për mekanikë, gjeta ca vegla dhe i bëja vetë të gjitha riparimet e makinës. Një herë m’u thye këllëfi i kushinetës kryesore në boshtin drejtues, dhe makina s’lëvizte nga vendi. Isha në mes të rrugës dhe shtëpia më e afërt gjendej rreth 60 kilometra larg, kështu që preva një copë druri të fortë nga një pemë dhe e modelova si këllëf për kushinetën. E leva me shumë graso dhe e sigurova me tel te boshti drejtues, kështu që arrita ta vazhdoja udhëtimin.
Shërbimi në këto zona të savanës me popullsi të rrallë ishte veçanërisht i vështirë ngaqë shumë pak veta dinin të shkruanin ose të lexonin. Në një kongregacion kishte vetëm një që dinte të lexonte, dhe ky kishte një problem me të folurit. Studimi i Kullës së Rojës ishte tepër i vështirë, por të forcohej vërtet besimi kur shihje kongregacionin që përpiqej shumë të kuptonte ato që po shqyrtoheshin.
Pas studimit, e pyeta grupin si nxirrnin dobi nga studimi, meqë nuk e kuptonin plotësisht. Ishte shumë e bukur përgjigjja që më dhanë: «Marrim inkurajim nga njëri-tjetri.»—Hebrenjve 10:23-25.
Edhe pse shumë nga vëllezërit e mi të krishterë ishin analfabetë, më mësuan shumë për jetën dhe për mënyrën si duhet jetuar. Fillova ta kuptoja mirë vlerën e këshillës biblike për ‘t’i menduar të tjerët si më të lartë se veten’. (Filipianëve 2:3) Vëllezërit afrikanë më mësuan shumë për dashurinë, mirëdashjen dhe mikpritjen, si edhe më mësuan të mbijetoja kur isha vetëm në savanë. Fjalët që na tha vëlla Nejthën Nori, atëherë president i Shkollës së Galaadit, ditën kur u diplomova, morën shumë më tepër kuptim. Ai na kishte thënë: «Të jemi gjithnjë të përulur, duke mos menduar kurrë se dimë çdo gjë, sepse në fakt nuk dimë çdo gjë. Kemi shumë për të mësuar.»
Jeta në savanën afrikane
Kur shkoja nga një kongregacion në tjetrin, qëndroja me vëllezërit vendës. Për gjithë kongregacionin java e vizitës normalisht ishte si një lloj feste, po sidomos për fëmijët. Kjo sepse kongregacioni që vizitoja shkonte për peshkim ose për gjueti dhe bënte përpjekje që të kishte shumë ushqim për të gjithë.
Ngaqë jetoja me vëllezërit në kasollet e tyre më rastiste të haja që nga milingonat e deri te mishi i elefantit. Mishi i majmunit ishte vazhdimisht në menu. Tepër i shijshëm ishte mishi i derrit të egër dhe i një brejtësi që quhet ferrëgjatë. Sigurisht, jo çdo ditë ishte gosti. M’u desh pak kohë që të mësohesha me këto ushqime, por më pas stomaku im pranonte pothuajse çdo gjë që më vinin përpara. Mësova se një gjë që të bën mirë për stomakun është ta hash frytin e papajës me gjithë fara.
Në savanë mund të të ndodhin tërë ato gjëra të papritura. Në një rast më ngatërruan dhe më morën për mammy-water, domethënë fantazma e një njeriu të bardhë të vdekur që jeton
në ujë, siç mendojnë disa. Njerëzit besojnë se kjo fantazmë mund ta tërheqë dikë e ta mbytë në ujë. Prandaj, një herë, kur po dilja nga lumi pasi isha larë, një vajzë që kishte ardhur për të mbushur ujë më pa dhe ia mbathi me të katra duke bërtitur. Kur një Dëshmitar u përpoq të shpjegonte se unë isha predikues dhe po vizitoja fshatin e tyre, pra s’isha fantazmë, njerëzit s’e besonin. I thoshin: «Një i bardhë s’do të kishte ardhur kurrë deri këtu.»Shpesh flija përjashta, sepse ajri ishte i freskët. Mbaja gjithnjë me vete një rrjetë mushkonjash, që më shërbente si mbrojtje edhe nga gjarpërinjtë, akrepat, minjtë dhe gjëra të tjera. Disa herë më ndodhi që më sulmuan milingonat ushtare dhe pikërisht kjo rrjetë mbrojtëse më shpëtoi. Një natë e drejtova elektrikun e dorës te rrjeta dhe pashë se ishte plot e përplot me këto milingona. Ua dhashë këmbëve, sepse këto milingona, edhe pse janë të vogla, arrijnë të vrasin edhe luanë.
Kur isha në pjesën jugore të Republikës së Afrikës Qendrore, pranë lumit Kongo, u predikova pigmenjve, të cilët e gjejnë ushqimin në natyrë. Ata janë gjahtarë të zotë dhe e dinë çfarë hahet e çfarë nuk hahet. Disa prej tyre flasin gjuhën sango, e më dëgjuan me kënaqësi. Pranuan t’i vizitoja përsëri, por kur u ktheva kishin ikur për në një vend tjetër. Në atë kohë asnjëri prej tyre nuk u bë Dëshmitar, por më vonë mora vesh se disa pigmenj u bënë Dëshmitarë kur ishin në Republikën e Kongos.
Shërbeva pesë vjet si mbikëqyrës qarkor në Republikën e Afrikës Qendrore. I rashë vendit kryq e tërthor, duke vizituar kryesisht kongregacionet që ishin në zonat e savanës.
Shërbej në degën e Nigerisë
Në maj të vitit 1977 më ftuan të shërbeja në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Lagos, Nigeri. Ky vend shumë i populluar i Afrikës atëherë kishte afro 100.000 Dëshmitarë. Në degë shërbenin rreth 80 veta. Më caktuan të punoja në ofiçinë, ku përfshihej edhe të riparoja e të mirëmbaja makinat.
Në vitin 1979 iu riktheva prapë bujqësisë, punës që kisha bërë në Evropë kur isha i ri. Ferma, ku kultivoheshin prodhime si ushqim për ata që jetonin në degë, ishte në Ilaro, rreth 80 kilometra larg Lagosit. Atje mësova se bujqësia në një pyll tropikal shiu është shumë ndryshe nga bujqësia në Evropë. Pasi punova atje për tre vjet e gjysmë, u ktheva prapë në Lagos dhe vazhdova punën në ofiçinë.
Në vitin 1986 u transferova në Igiedumë, rreth 360 kilometra larg Lagosit, pasi atje po ndërtohej një degë e re dhe e madhe. Kjo degë u kushtua në janar të vitit 1990. Ka një shtypshkronjë, një fermë të vogël dhe ndërtesa banimi ku banojnë më shumë se 500 veta. Këto përfshihen në 60 hektarë tokë, të rrethuara me një mur 2 metra të lartë. Tani jam mbikëqyrës i fermës dhe i mirëmbajtjes së oborrit të degës, me një personel prej 35 vetash.
U bënë 27 vjet që jetoj në Nigeri dhe jam kënaqur vërtet me caktimet e ndryshme që kam pasur në zyrën e degës. Jam i lumtur që mamaja ime i ka qëndruar besnike Jehovait dhe që motra e vogël, Ingridi, e cila shërbeu si pioniere speciale për 14 vjet, po i shërben ende Jehovait bashkë me të shoqin.
Me gjithë vështirësitë që kam hasur, jam kënaqur vërtet duke i shërbyer Jehovait dhe vëllezërve të mi frymorë në Afrikën Perëndimore. Jam mirënjohës që deri tani kam shëndet të mirë dhe lutem që të vazhdoj ta kem këtë shëndet, që t’i shërbej ende me gjallëri Perëndisë tonë madhështor, Jehovait.
[Harta në faqen 21]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Nigeri
Republika e Afrikës Qendrore
Gabon
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figura në faqen 18]
Me mamanë, Gertrudën, dhe motrën, Ingridin, në vitin 1939
[Figura në faqen 20]
Shërbej si misionar në Gabon
[Figura në faqen 20]
Kur isha në Republikën e Afrikës Qendrore, qëndroja në fshatra si ky këtu