Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Fjalime fetare në shitje
«Më në fund u plotësuan lutjet e famullitarëve të stërmunduar që rraskapiten duke përgatitur fjalimet e tyre: një orator i Kishës së Anglisë ka nxjerrë në një faqe të re të Internetit fjalime fetare për çdo rast»,—njofton The Daily Telegraph e Londrës. Autori i kësaj faqeje, Bob Ostin thotë: «Predikuesit po bëhen gjithnjë e më të zënë dhe fjalimet zakonisht janë të fundit në listë.» Ostin thotë se «fjalimet fetare të arsyeshme dhe të gatshme» që ofron janë «frymëzuese, edukuese dhe nxitin të menduarit». Gazeta shpjegon se kjo faqe e Internetit tani për tani ka një listë me «më shumë se 50 fjalime ‘të aprovuara nga katedra e kishës’ që trajtojnë një sërë shkrimesh dhe temash biblike», por që shmangin pikëpamje të ekzagjeruara dhe të diskutueshme nga ana doktrinale. Ato cilësohen si «fjalime të lehta 10 deri në 12 minutëshe» dhe kushtojnë 13 dollarë secila.
«Mbret dhe zot i qytetit»
Gazeta Reforma në qytetin e Meksikos njofton: «Automjeti është bërë mbret dhe zot i qytetit.» Në vitin 1970, në zonat metropolitane kishte një makinë për çdo 12.423 njerëz. Në vitin 2003 ky raport arriti një makinë në çdo gjashtë njerëz. Rrugët e qytetit të Meksikos po mbushen kaq shumë me makina, saqë në vitin 2002, nga 18 milionë banorë që ka Meksiko, numri i makinave të regjistruara ishte më i madh se numri i lindjeve të regjistruara. E keqja është se makinat janë përgjegjëse për 80 për qind të ndotjes së ajrit në Meksiko. Për më tepër, atyre që u duhet të udhëtojnë për të shkuar në punë, u duhen gati tri orë për të shkuar e ardhur nga puna dhe kjo ndodh kryesisht për shkak të bllokimit të autostradave nga makinat. Është llogaritur se aty nga viti 2010 numri i automjeteve në Meksiko do të shtohet edhe një milion.
Britania po zhytet në borxhe
«Borxhet në Britani kërcënojnë rënien e ekonomisë dhe bëjnë që një në katër veta të ketë probleme të pakapërcyeshme financiare»,—raporton gazeta The Daily Telegraph e Londrës. Pastaj ajo shton: «Vendi, i njohur si një ‘komb i kredive’, mban mbi supe një borxh prej 1,49 trilionë dollarësh që konsumatorët i kanë marrë hua me kredi.» Pa marrë parasysh pagesat e hipotekës, një britanik me të ardhura mesatare ka një borxh prej 5,737 dollarësh të marra në formën e kartave të kreditit, në formën e huave personale dhe tërheqje bankare më tepër se shuma që zotëron. Kështu një numër marramendës të rriturish po bëjnë çmos të paguajnë detyrimet pasi kanë frikë se do të vijë një kohë kur nuk do t’i shlyejnë dot, sidomos nëse përqindja e interesit dhe papunësia rritet. Fransis Uokeri e Shërbimit të Këshillimit për Kreditë e Konsumatorëve këshillon: «Nëse kësti mujor që paguan, pa përfshirë këtu hipotekën, shkon më shumë se 20 për qind e të ardhurave mujore atëherë po harxhon përtej mundësive.» Por, me gjithë paralajmërimet, gjatë vitit 2003 pritej që pushuesit britanikë ta rritnin edhe 5 miliardë dollarë borxhin e tyre.
Lopët vlejkan më shumë se njerëzit?!
Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve vazhdon të thellohet. Gjatë 20 viteve të fundit, pjesëmarrja në tregtinë botërore e vendeve më pak të zhvilluara (me 700 milionë banorë) ka rënë nga 1 në 0,6 për qind. «Sot, pjesa dërrmuese e popullsisë afrikane është më e varfër se brezin e kaluar»,—shkruan ekonomisti francez Filip Jurgensen në revistën Challenges. Për shembull në Etiopi, 67 milionë njerëz jetojnë me një shumë që është sa një e treta e pasurisë së 400.000 banorëve të Luksemburgut. Jurgenseni thotë se blegtorët evropianë, për çdo lopë, marrin nga shteti një ndihmë prej 3 dollarësh në ditë. Ndërsa rreth 2,5 miliardë njerëz jetojnë çdo ditë me më pak se 3 dollarë për person. Kështu, në shumë vende të botës, «një i varfër vlen më pak se një lopë», siç thotë Jurgenseni.
Muzika dhe dhuna
Studiuesit nga Universiteti i Shtetit të Ajouas dhe nga Departamenti i Shërbimeve Sociale të Teksasit (SHBA), për të përcaktuar ndikimin e këngëve me tekste që nxitin dhunën, bënë 5 eksperimente, njëri pas tjetrit, me 500 nxënës kolegji. Pasi dëgjuan një numër këngësh të të njëjtit këngëtar që nxitnin ose jo dhunën, nxënësit iu nënshtruan disa testeve të programuara për të përcaktuar nivelin e ndjenjave që provokojnë dhunën. Studimi i botuar nga Journal of Personality and Social Psychology nxori si përfundim se këngët me tekste që nxitin dhunën mund të shtojnë ndjenjat dhe mendimet armiqësore pa u provokuar fare. «Një përfundim i rëndësishëm që doli nga ky dhe nga studime të tjera për argëtimet e dhunshme në media ishte se teksti i këngës ka një ndikim të madh,—tha Krejg Andersoni, drejtues i studimit.—Ky përfundim është i rëndësishëm për të gjithë dëgjuesit dhe në mënyrë të veçantë për prindërit që kanë fëmijë në moshë të vogël dhe në moshën e adoleshencës.»
Fëmijë të dehur
Gazeta e Londrës The Daily Telegraph raporton se në Britani, një sondazh, i bërë në 50 spitale për rastet e aksidenteve dhe të urgjencës, ka zbuluar se «fëmijë të moshës gjashtë vjeçare po shtrohen në spital pasi bëhen tapë». Doktorët dhe infermierët e një spitali njoftuan se gjatë pushimeve verore, brenda një jave numri i fëmijëve të dehur që shtroheshin arrinte deri në 100. Gazeta thotë: «Më shumë se 70 për qind e personelit të spitalit mendonin se mosha e fëmijëve që shtroheshin në spital për dehje sa vinte e bëhej më e vogël.» Gjithashtu, një raport qeveritar i kohëve të fundit tregon se në Britani, vdekjet që vijnë si rezultat i alkoolit janë trefishuar brenda 20 vjetësh.
Droga dhe adoleshentët italianë
Sipas një sondazhi të bërë nga Instituti San-Rafaele në Milano, nga të gjithë 14 deri 19-vjeçarët italianë që u morën në pyetje, 42 për qind e tyre pranuan se merrnin drogë. Megjithatë Marijolina Mojoli, drejtoreshë e përgjithshme e Ministrisë Italiane të Arsimit, mendon se në të vërtetë shifrat janë më të larta. Drogat më të përdorura ndërmjet atyre që u morën në pyetje ishin marihuana dhe hashashi. Po nga këta, 34 për qind rrëfyen që e merrnin drogën kur ishin në shkollë, 27 për qind në disko dhe 17 për qind në shtëpi. Sondazhi tregoi gjithashtu se 82 për qind e nxënësve pinin pije alkoolike.
Një përbindësh deti «supergjigant»
«Afër brigjeve të Antarktidës peshkatarët kanë zënë një kallamar të rrallë vdekjeprurës me sy të mëdhenj sa një pjatë gjelle dhe gremça të panumërt brisk të mprehta që i përdor për të kapur prenë e tij»,—thotë gazeta The Daily Telegraph e Australisë. Stiv O Sheji, biolog detar nga Zelanda e Re, tha: «Kam parë kallamarë gjigantë, por ky është supergjigant.» Kjo specie prej 150 kilogramësh që quhet kallamari supergjigant (Mesonychoteuthis hamiltoni) doli se ishte ende i vogël në moshë. «Është një kafshë shumë e dhunshme,—tha Kat Bolstadi, biolog detar nga Amerika.—Po të bini në ujë afër tij, ju piu e zeza.» Sipas agjencisë Rojter, «kallamari supergjigant gjen ushqim në ujërat e thella e të errëta, duke ndriçuar prenë me sytë e tij të stërmëdhenj; më të mëdhenj se sytë e çdo kafshe tjetër. . . . Tetë këmbët dhe dy tentakulat kanë deri në 25 gremça si dhëmbë të ngulur thellë në muskul që mund të rrotullohen 360 gradë. Gjithashtu, te këmbët dhe te tentakulat gjenden ventuzat e zakonshme për të mbajtur fort peshkun që ka kapur».