Një fytyrë e re për Majlinën
Një fytyrë e re për Majlinën
TREGUAR NGA MAMAJA E MAJLINËS
Pse t’i duhej një fytyrë e re Majlinës, vajzës sime të dashur 11-vjeçare? Po jua shpjegoj.
Majlina është vajza ime e dytë, e cila lindi më 5 gusht 1992 në Olgin, Kubë. Të gjithë ishim shumë të lumtur kur lindi, unë, im shoq dhe motra e saj. Por shumë shpejt kjo lumturi na u prish. Disa ditë pasi linda Majlinën, më zuri lia e dhenve. Një muaj më vonë e zuri edhe atë.
Në fillim gjendja e Majlinës nuk dukej e rëndë, por pastaj u keqësua, kështu që e shtruam në spital. Mjekët e kuruan mirë, por sistemi imunitar i ishte dobësuar kaq shumë, saqë mori një infeksion. Vura re që në njërën anë të hundës së saj të vockël kishte një skuqje të çuditshme. Mjekët zbuluan se shkaktari ishte një lloj bakteri i rrallë e shumë agresiv.
Edhe pse antibiotikët ia filluan menjëherë, bakteri, brenda pak ditësh, nisi t’ia prishte fytyrën vajzës. Kur më në fund mjekët arritën ta ndalnin infeksionin, Majlinës i ishte zhdukur pothuajse plotësisht hunda, buzët, si edhe një pjesë e mishit të dhëmbëve dhe të mjekrës. Kishte edhe gropëza në anë të njërit sy.
Kur e pamë, unë dhe im shoq nuk i mbajtëm dot lotët. Si i kishte ndodhur kjo gjë vajzës sonë të vogël? Majlina qëndroi në repartin e reanimacionit për disa ditë, madje mjekët mendonin se nuk do të jetonte. Im shoq vazhdimisht më thoshte: «Duhet të përgatitesh për më të keqen.» Megjithatë, kur e vija dorën brenda në inkubator për t’i kapur dorën e vogël Majlinës, ajo ma shtrëngonte dorën kaq fort, saqë e ndieja se do të jetonte. Prandaj, i thosha tim shoqi: «Vajza jonë nuk ka për të vdekur. Por, çfarë jete do të bëjë, në gjendjen që është katandisur?» Çdo mëngjes kur zgjoheshim, shpresonim që e gjithë kjo të ishte një ëndërr e keqe.
Kur ishim në spital, vajza jonë e madhe, Majdelisi, e cila atëherë ishte gjashtë vjeçe, qëndroi te prindërit e mi. Ajo mezi po e priste motrën e saj të vogël të kthehej në shtëpi. Majdelisi e mbante mend motrën si një «kukull» të bukur me sy të mëdhenj e të kaltër, siç ishte ditën kur e çuam në spital. Por, kur e pa përsëri, Majlina e vogël kishte një pamje të tmerrshme.
‘Pse vogëlushja ime duhet të vuajë kaq shumë?’
Pasi e mbajtën një muaj e gjysmë, mjekët e nxorën Majlinën nga spitali. Nuk u kthyem në shtëpinë tonë në qytet, sepse nuk donim që ta shihte njeri. U veçuam në një shtëpi të vogël në fshat, afër fermës së prindërve të mi.
Në fillim arrija t’i jepja Majlinës qumësht gjiri në sasi të vogla, nëpërmjet të çarës ku më parë kishte qenë goja. Ajo nuk arrinte ta thithte vetë gjirin. Mirëpo, kur plagët filluan t’i shëroheshin, kjo e çarë pothuajse u mbyll. Arrija t’i jepja vetëm ushqime të lëngshme me biberon. Kur u bë një vjeçe, u kthyem në Olgin, ku mjekët i bënë katër operacione për t’i zgjeruar të çarën.
Pyesja veten: ‘Pse vogëlushja ime duhet të vuajë kaq shumë?’ Iu drejtova për përgjigje qendrave spiritiste dhe u lutesha shëmbëlltyrave fetare që kisha. Por asgjë nuk më ngushëllonte. Madje fjalët lënduese të disa të afërmve dhe miqve më ngatërruan edhe më shumë. Disa thoshin: «Perëndia e di pse i lejon këto gjëra.» Të tjerë më thoshin: «Me siguri që ky është një ndëshkim nga Perëndia.» Isha shumë në merak edhe se ç’do t’i thosha Majlinës kur të rritej. Një herë, kur ishte shumë e vogël, Majlina pyeti të atin: «Pse s’kam edhe unë hundë si gjithë të tjerët?» Ai s’u përgjigj dot, dhe doli jashtë duke qarë. Atëherë u përpoqa t’ia shpjegoja unë çfarë i kishte ndodhur. Majlina e mban mend akoma që i thosha se një insekt i vogël i kishte ngrënë hundën dhe gojën.
Një bazë për të shpresuar
Pikërisht atëherë kur po ndihesha shumë e dëshpëruar, u kujtova që një fqinja ime ishte Dëshmitare e Jehovait. I kërkova të më tregonte nga Bibla pse Perëndia lejoi që ime bijë të vuante kaq shumë. Gjithashtu e pyeta: «Nëse kjo sëmundje është vërtet ndëshkim nga Perëndia për ndonjë gjë që kam bërë unë, pse duhet ta paguajë Majlina këtë?»
Fqinja filloi një studim biblik me mua, duke përdorur librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. * Pak nga pak, fillova të kuptoja se nuk e ka fajin Perëndia për atë që i ndodhi Majlinës dhe se ai interesohet vërtet për ne. (Jakovi 1:13; 1 Pjetrit 5:7) Fillova të ushqeja në zemër shpresën e mrekullueshme se nën sundimin e Mbretërisë qiellore me mbret Jezu Krishtin, nuk do të ketë më vuajtje. (Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:3, 4) Kjo njohuri më dha forcë dhe më shtyu të ndiqja mbledhjet e krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait. Në fillim tim shoqi nuk i pëlqeu ky interes frymor që po tregoja. Megjithatë nuk më pengoi që të studioja Biblën, për sa kohë që kjo më ndihmonte të përballoja tragjedinë që na kishte rënë.
Ndihmë nga jashtë shtetit
Kur Majlina ishte dy vjeçe, një kirurgu të shquar të kirurgjisë plastike në Meksikë i ra në vesh rasti ynë dhe na propozoi ta kuronte falas vajzën. Operacionet e para u bënë në vitin 1994. Unë dhe Majlina qëndruam pothuajse një vit në Meksikë. Fillimisht nuk arritëm të takonim Dëshmitarët
e Jehovait, kështu që nuk i ndiqnim dot mbledhjet e krishtere. Kjo më dobësoi frymësisht. Por pastaj, një nga Dëshmitarët e atjeshëm na takoi dhe filluam të shoqëroheshim përsëri me bashkëbesimtarët sa më shpesh që mundeshim. Kur u kthyem në Kubë, rifillova studimin e Biblës dhe e mora veten frymësisht.Në atë kohë, tim shoqi ende nuk i interesonte Bibla. Për t’i nxitur interesin, fillova t’i kërkoja që të më lexonte disa pjesë nga botimet biblike, që t’i kuptoja më mirë. Së fundi edhe ai pranoi një studim biblik, sepse kishte merak se mos udhëtimet e zgjatura e të vazhdueshme në Meksikë na e dëmtonin lidhjen familjare. Mendonte se po të kishim interesa të përbashkëta si familje për gjërat frymore mund t’i përballonim më mirë këto periudha ndarjeje. Dhe kështu ndodhi vërtet. Im shoq, vajza jonë e madhe dhe unë u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1997.
Herët e para që shkuam në Meksikë, Majlina thoshte se po të mos ia kishte ngrënë fytyrën ai insekti i vogël, s’kishim pse të largoheshim nga babi dhe nga motra. Na copëtohej zemra kur familja jonë duhej të ndahej për periudha kaq të gjata. Megjithatë, mbaj mend një vizitë të veçantë që bëmë në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, e cila quhet Bethel. Kjo vizitë na inkurajoi shumë. Majlina kishte ca ditë që po thoshte se s’donte më të operohej (ishte operacioni i pestë gjatë asaj vizite), sepse pas operacioneve kishte shumë dhembje. Por disa Dëshmitarë që shërbenin në zyrën e degës i thanë se po të bëhej trime dhe t’i linte mjekët që ta operonin, do t’i bënin një festë kur të dilte nga spitali. Kështu, ajo pranoi të operohej.
Ja si i përshkruan vetë Majlina ndjenjat e saj: «U kënaqa shumë që do të më bënin një festë në Bethel. Prandaj u bëra shumë trime gjatë operacionit. Festa ishte fantastike, kishte tërë ata vëllezër e motra. Më dhanë plot kartolina, që i kam ruajtur. Më inkurajuan kaq shumë, saqë kisha forcë të duroja edhe operacionet e tjera.»
Përparimi dhe ndihma për të duruar
Majlina, që tani është 11 vjeçe, ka bërë 20 operacione për të rindërtuar fytyrën. Ndonëse këto e kanë ndihmuar shumë, prapë s’arrin ta hapë plotësisht gojën. Megjithatë, gjithnjë ka pasur një qëndrim të guximshëm dhe optimist. Ka treguar edhe shumë çmueshmëri për gjërat frymore. Që kur ishte gjashtë vjeçe, u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik në kongregacionin tonë dhe u pagëzua më 27 prill 2003. Për një periudhë kishte tri studime biblike. Një herë, kur ishim në Meksikë, foli me një zotëri i cili pranoi që ajo t’i bënte studim biblik. Majlina e ftoi në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit dhe në mbledhjet e tjera të kongregacionit, të cilat ai i ndoqi me shumë interes.
Kur predikon shtëpi më shtëpi, disa njerëz i vështrojnë fytyrën Majlinës dhe e pyesin mos është djegur. Ajo përfiton nga ky rast për t’u folur për shpresën që ka mësuar në Bibël, se Jehovai do t’i japë një fytyrë të re në Parajsën që po vjen.—Luka 23:43.
Dhembjet që ka pasur Majlina nga operacionet, si edhe nga talljet e fëmijëve të tjerë, s’përshkruhen dot me fjalë. Çfarë e ka ndihmuar të durojë? Majlina përgjigjet e sigurt: «Për mua Jehovai është shumë real. Ai më jep forcën dhe guximin për të duruar. Tani s’dua të bëj më operacione, sepse e di që mjekët s’mund të bëjnë më edhe aq shumë. Nuk do të arrijnë kurrë të më bëjnë siç isha kur linda. Por e di se Jehovai do të më japë një fytyrë tjetër në botën e re dhe se do të jem përsëri e bukur.»
[Shënimi]
^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 26]
«Jehovai do të më japë një fytyrë tjetër në botën e re»
[Diçitura në faqen 27]
Pak nga pak, fillova të kuptoja se nuk e ka fajin Perëndia