Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Sëmundjet që përhapen nga insektet Punoj si pedagoge në një universitet dhe kam qenë drejtoreshë e laboratorëve të mikrobiologjisë, parazitologjisë, dhe biokimisë për 24 vjetët e kaluar. Kam vënë re se jeni të aftë t’i paraqitni thjesht çështjet shkencore. U mahnita nga seria e artikujve «Kur insektet përhapin sëmundje». (22 maj 2003) Ndonjëherë në librat shkencorë ka disa gjëra që nuk i kuptoj. Por kur i trajtoni ju, i kuptoj menjëherë. Ju falënderoj për përpjekjet që bëni.
M. R., Meksikë
Kopjimi Faleminderit për artikullin «Të rinjtë pyesin. . . Ç’të keqe ka të kopjosh?» (22 janar 2003) Shokët e klasës më kanë ofruar shuma të mëdha parash që t’u jap kopje në provime. Kur nuk kam pranuar t’u jap kopje e kanë keqkuptuar këtë, sepse u është dukur e paarsyeshme. Artikulli më kujtoi se duhet të mbaj normat e Perëndisë e kurrë të mos bëj kompromis.
F.A.K., Nigeri
Detyrat e shtëpisë nuk i bëja kurrë vetë, por i kopjoja nga shoqet e klasës. Ky artikull më ndihmoi të kuptoja që të kopjosh është njëlloj si të vjedhësh. Megjithëse shoqeve të mia nuk u pëlqen ta pranojnë këtë pikëpamje, unë kam vendosur të mos kopjoj më.
Y. D., Rusi
Trolejbusi Jetoj e punoj në Itali dhe e falënderoj nga zemra Dëshmitaren e Jehovait që më sjell revistat në rusisht. E lexova artikullin «Një udhëtim me linjën më të gjatë të trolejbusit». (22 mars 2003) Fliste për vendin ku jetoja unë, për bregdetin e Krimesë në Ukrainë. Ju falënderoj për këtë vizitë të shkurtër, por mallëngjyese, në vendin tim.
Z. B., Itali
Diabeti Kur lexova serinë e artikujve «Të jetosh me diabetin» (8 maj 2003) dhe mësova që urinimi i shpeshtë është një simptomë e tij, e kuptova që edhe unë mund të isha me diabet. Kështu që shkova në spital dhe zbulova se jam me diabet. Ka kaluar më shumë se një muaj që kur u vizitova dhe po përpiqem të ul nivelin e sheqerit në gjak me anë të mjekimeve, dietës dhe ushtrimeve. Po të mos kisha lexuar revistën, ndoshta s’do ta kisha zbuluar që kam këtë sëmundje.
Y. N., Japoni
Nuk jam Dëshmitare e Jehovait, por i marr revistat tuaja nga një fqinjë shumë e sjellshme. Më pëlqyen shumë artikujt për diabetin. Meqë po bëj një kurs për infermiere në fushën që merret me sëmundjet e moshës së shkuar, më duhej të bëja një ese për diabetin. Po ta kisha marrë revistën pak ditë më parë, s’do të më ishte dashur të bëja kërkime në gjithë ata libra. Artikujt tuaj janë vërtet me vlerë.
A. SH., Gjermani
Krimbat Më bëri shumë përshtypje artikulli «Bota mbresëlënëse e krimbave». (8 maj 2003) Po dëgjoja një emision në një radio lokale ku diskutohej për krimbat e tokës. Mora menjëherë revistën Zgjohuni! dhe e hapa te artikulli. Për çudi, folësi në radio po citonte pikërisht nga ky artikull. Kjo më lë të kuptoj që Zgjohuni! është e dobishme në të gjithë botën.
F. B., Nigeri
U mahnita kur lexova që ka më shumë se 1.800 lloje krimbash toke. Besoj se, po të mos ishte për punën e këtyre fermerëve të vegjël, s’do bënim gjë tjetër veçse të punonim tokën e ngurtë nga mëngjesi deri në darkë. Nuk them se artikulli më bëri t’i pëlqej krimbat, por tani e kuptoj vërtet sa të vlefshëm janë.
Y. N., Japoni