Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Moisiu—Objekt debatesh

Moisiu—Objekt debatesh

JUDENJTË, të krishterët dhe myslimanët shpesh nuk kanë qenë të një mendimi për shumë gjëra. Megjithatë, pavarësisht nga ndryshimet midis tyre, këto besime fetare kanë të paktën një gjë të përbashkët: respekt të thellë për njeriun që njihet me emrin Moisi. Judenjtë e pranojnë atë si «më të madhin e të gjithë mësuesve judenj»​—themeluesin e kombit jude. Të krishterët e konsiderojnë si pararendës të Jezu Krishtit. Për myslimanët, Moisiu është ndër profetët e parë dhe më të mëdhenj.

Pra, Moisiu është një ndër njerëzit me më shumë peshë në historinë e njerëzimit. Sidoqoftë, për më se një shekull, Moisiu ka qenë objekt debatesh si mes studiuesve, ashtu edhe mes klerikëve. Shumë veta vënë në dyshim jo vetëm idenë se Moisiu kreu mrekulli dhe i udhëhoqi izraelitët për të dalë nga Egjipti, por edhe vetë ekzistencën e tij. Libri Moisiu: Një biografi, (anglisht), shkruar nga Xhonatan Kirsh, nxjerr si përfundim: «Gjithçka që mund të themi për burrin e njohur në histori si Moisiu, është se në të kaluarën e largët, në një kohë dhe në një vend që nuk dihet, mund të ketë jetuar dikush si njeriu për të cilin flitet në Bibël. Sa për bëmat e tij, ato mund të kenë qenë si ajo kokrrizë rëre rreth së cilës grumbullohen shtresat e sedefit derisa bëhet një perlë. Këto bëma u zmadhuan dalëngadalë gjatë shekujve nga legjendat dhe tradita, derisa ai u bë figura mbresëlënëse dhe aq e diskutuar që gjejmë në faqet e Biblës.»

Në pamje të parë mund të duket se një dyshim i tillë e ka një bazë. Për shembull, kritikët thonë se për të provuar ekzistencën e personazheve të Biblës, siç është mbreti izraelit Jehu, janë gjetur dëshmi arkeologjike. Por nuk është gjetur asnjë dëshmi arkeologjike që provon ekzistencën e Moisiut. Gjithsesi, kjo nuk përbën aspak një provë se Moisiu është një mit. Edhe për njerëz të tjerë të përmendur në Bibël, siç janë mbreti babilonas Belshazari dhe mbreti asirian Sargoni, dikur skeptikët thoshin se ishin mite, derisa më vonë arkeologjia provoi vërtetësinë e tyre historike.

Shkrimtari Xhonatan Kirsh na kujton: «Rrënojat dhe gjurmët arkeologjike të Izraelit të kohëve biblike janë kaq të rralla, saqë fakti që për Moisiun nuk flet asnjë burim, përveçse vetë Bibla, nuk është as për t’u habitur dhe as nuk është fjala e fundit.» Prandaj sipas Kirshit, disa argumentojnë se nuk ka mundësi që Moisiu të jetë thjesht pjellë e imagjinatës së dikujt, sepse «një jetëshkrim, kaq i pasur me hollësi e dialogë dhe kaq kompleks . . . , nuk mund të jetë i trilluar».

Jeni apo jo besimtarë ka të ngjarë që të dini qoftë edhe përciptas diçka rreth ngjarjeve më të rëndësishme të jetës së Moisiut: bisedën e tij me Perëndinë në një kaçubë që po digjej, çlirimin e izraelitëve nga skllavëria në Egjipt dhe ndarjen e Detit të Kuq. Por, a ka ndonjë arsye të besojmë se këto ngjarje kanë ndodhur vërtet? Apo mos vallë Moisiu është thjesht një figurë mitologjike? Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve interesante.