Shpëtuan nga përmbytja!
Shpëtuan nga përmbytja!
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Zvicër
NË TETOR të vitit 2000, nga pjesë të ndryshme të botës erdhën lajme për përmbytjet që kishin ndodhur. Në shpatet e maleve kishin rënë kaq shumë shira, saqë kishin shkaktuar rrëshqitje toke, duke marrë me vete gjithfarëlloj mbeturinash, madje edhe pemë të tëra.
Edhe në kantonin ose shtetin e Valesë në jug të Zvicrës ndodhi një katastrofë e tillë. Kjo zonë ndahet për së gjati nga lumi Ronë, i cili buron nga akullnaja e Ronës në Alpet Qendrore dhe rrjedh në drejtim të perëndimit për në liqenin e Gjenevës, pra një largësi rreth 170 kilometra. Rrëketë e shumta me madhësi të ndryshme, të cilat rrjedhin nga vargmalet në të dyja anët e lumit, derdhen në lumë. Zakonisht ky sistem natyror drenazhimi funksionon mirë. Por kur reshjet bien me tepri dhe mbulojnë gjithë zonën, shpesh ndodhin katastrofa.
Pikërisht kjo ndodhi në Gondo, në kufi me Italinë. Ky fshat malor me 150 banorë u godit nga një ortek balte dhe gurësh që shkatërruan një pjesë të madhe të fshatit. Shpejt, edhe pjesë të tjera të Valesë u përmbytën nga shirat e rrëmbyeshëm. U bllokuan rrugë dhe hekurudha, kurse shtëpitë filluan të mbusheshin me baltë dhe gurë. Në disa vende pirgjet me llucë arritën lartësinë 4 metra. Një grua e pa me sytë e vet se si një ortek balte, më shumë se 30 metra i lartë, mori me vete shkëmbinj të mëdhenj, shkuli pemë dhe i solli drejt fshatit të saj.
Markusi dhe Tabita, burrë e grua, jetonin në Mërel në kohën e katastrofës. «Pak pas orës 6.00 të mëngjesit u zgjuam nga zhurma e mbytur e një goditjeje dhe nga një tronditje,—kujton Markusi.—Mora një elektrik dore dhe dola të shihja se ç’kishte ndodhur, por shtanga nga ajo që pashë. Grumbuj gurësh kishin shkatërruar shtëpi dhe ura, kurse një makinë ishte përplasur me derën e një fqinji. Pak më poshtë një fqinj dhe gruaja e tij ishin bllokuar në shtëpinë e tyre. I ndihmova të dilnin nga dritarja. Kur u ktheva në shtëpi, unë dhe Tabita kishim kohë vetëm sa për të marrë ca gjëra.»
Markusi dhe Tabita janë Dëshmitarë të Jehovait. Ata u strehuan jashtë zonës së rrezikut, te disa të bashkëkrishterë. «Ndonëse shpëtuam,—thotë Markusi,—për ditë me radhë, Tabita mbeti e tronditur nga ajo ngjarje.» Çfarë e ndihmoi ta kalonte këtë përvojë traumatike? «Shoqëria dhe mbështetja e vëllezërve dhe motrave tona në besim,—thotë Tabita.—Po kështu edhe interesimi që treguan shumë nga fqinjët tanë.»
Markusit dhe Tabitës u erdhën ndër mend Fjalët e urta 18:24, ku thuhet se ka «një mik që është më i lidhur se një vëlla». Dhe sa të çmuar janë këta miq në kohë katastrofash!
[Harta në faqen 20]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Zona e prekur nga katastrofa
Gondo
[Figura në faqen 20]
Markusi dhe Tabita
[Burimi i figurës në faqen 20]
Mise à disposition par www.crealp.ch