Diçka më e mirë se reforma
Diçka më e mirë se reforma
NËSE një pemë prodhon fryte pa vlerë, problemi nuk zgjidhet duke krasitur disa degë. Pema duhet prerë e gjitha dhe rrënjët duhen shkulur nga toka. Pastaj duhet mbjellë një pemë tjetër, një pemë që bën fryte të mira.—Mateu 7:16-20.
Kështu është edhe me reformatorët që nisen me qëllimet më fisnike. Ata përpiqen të shërojnë vetëm shenjat e asaj që është e gabuar në shoqërinë njerëzore, siç janë: korrupsioni, padrejtësitë, mungesa e mjeteve të jetesës dhe vjedhja. Por rrënjët e problemeve janë shumë më të thella. Duhet ndryshuar i gjithë sistemi. Kjo është ajo që premton Bibla.
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që do të bëjë më tepër, madje shumë më tepër sesa vetëm të riorganizojë, të rimodelojë ose të reformojë shoqërinë njerëzore. Kjo qeveri do të sjellë një mënyrë krejt të re drejtimi të çështjeve njerëzore, duke i bashkuar të gjithë njerëzit nën sundimin e saj. Kjo qeveri do të kujdeset për çështje të tilla, siç janë: arsimimi, puna, strehimi, ushqimi, shëndeti dhe mjedisi.
Psalmi 72:12-14 përshkruan në mënyrë profetike atë që do të bëjë Mbreti Mesianik për njerëzimin: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna.»
Por që shoqëria të mos ketë më fare korrupsion, padrejtësi dhe mungesë të mjeteve të jetesës, sigurisht që nuk duhet ndryshuar vetëm qeveria, por duhet të ndryshojnë edhe njerëzit. Prandaj, Mbretëria do t’i japë udhëzime çdo individi se si të bëjë një jetë të gëzuar, me qëllim dhe shpërblyese. Bibla premton se Mbretëria e Perëndisë do t’i ndihmojë nënshtetasit e saj në tokë që të ndryshojnë vetveten. Si?
Mbretëria do t’u mësojë nënshtetasve të saj udhët e Perëndisë Jehova dhe kështu do t’i ndihmojë të ndërtojnë besimin dhe dashurinë. (Isaia 11:9) Dashuria për Perëndinë e nxit zemrën të veprojë. Për shembull, në shekullin e parë, Jezui takoi Zakeun, një nga krerët e taksambledhësve, i cili i mbushte xhepat duke u marrë me mashtrim njerëzve më shumë nga ç’duhet të paguanin. Jezui nuk i bëri presion këtij zyrtari të korruptuar e ta detyronte që të ndryshonte veprimet e tij. Përkundrazi, Jezui e ndihmoi Zakeun të kuptonte gabimin e tij dhe të pendohej. Zakeun e prekën njohuria e saktë e parimeve hyjnore dhe dashuria për Perëndinë. Ai bëri ndryshime të mëdha.—Luka 19:1-10.
A nuk është kjo një zgjidhje më e mirë për problemet e shoqërisë? Pra, një qeveri e përsosur dhe e drejtë që kujdeset për nevojat e njerëzimit dhe njerëz të motivuar personalisht për të ndryshuar rrugët e tyre. A do të kemi më nevojë në atë kohë për ndonjë reformë? Jo, pasi Perëndia do t’i ketë bërë të gjitha gjërat të reja. Gjërat e mëparshme do të kenë kaluar.—Zbulesa 21:4, 5.
[Figurat në faqen 10]
Mbretëria e Perëndisë nuk do të bëjë një reformë, por do të sjellë një ndryshim rrënjësor
[Figura në faqen 11]
Kur ishte në tokë, Jezui i ndihmoi njerëzit që të bënin ndryshime në jetën e tyre