Mungesa e gjumit—Një problem në rritje?
Mungesa e gjumit—Një problem në rritje?
SOT miliona njerëz kanë hyrë në një «borxh» të madh. Ky «borxh» mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të aksidenteve automobilistike, të problemeve në karrierën e tyre e madje edhe të prishjes së martesës. Ai mund të ndikojë për keq te shëndeti dhe te jetëgjatësia e tyre. Është një «deficit» që ndikon në ndrydhjen e sistemit imunitar, duke e bërë njeriun më të prekshëm ndaj infeksioneve të ndryshme. Ai ka lidhje me probleme shëndetësore nga më të ndryshmet, siç janë diabeti, sëmundjet e zemrës dhe dhjamosja e tepërt, si edhe me probleme të tjera. Por, shumica viktimave as që e dinë fare se kanë hyrë në borxh.
Fajin për problemet e mësipërme e ka «borxhi» që njerëzit i kanë gjumit. Ai krijohet kur njeriu nuk bën një gjumë të mirë e të mjaftueshëm që është i nevojshëm për një shëndet të mirë. Kjo mungesë e gjumit mund të vijë si pasojë e mënyrës së jetesës, pra kur dikush, vullnetarisht, nuk fle sa duhet, ose si pasojë e ndonjë sëmundjeje, pra në mënyrë të pavullnetshme.
Studiuesit në fushën e mjekësisë thonë se sot, popullsia e botës fle çdo natë mesatarisht një orë më pak nga ç’është e nevojshme. Ndonëse kjo mund të duket diçka e parëndësishme, «borxhi» prej gjashtë miliardë orësh gjumë çdo natë është bërë objekti kryesor i studimeve si për llojet e ndryshme të çrregullimeve të gjumit, ashtu edhe për pasojat e tyre në cilësinë e jetës.
Dikur në fushën mjekësore, paaftësia kronike për të fjetur shihej si një çrregullim i vetëm, që zakonisht quhej pagjumësi. Megjithatë, një komision i ngritur nga Kongresi i SHBA-së radhiti 17 çrregullime të ndryshme të gjumit. Gjithsesi, pagjumësia ka kaq shumë shkaqe, saqë shpesh shihet si shenjë e problemeve të tjera, ashtu si temperatura mund të jetë shenjë e ndonjë infeksioni.
Edhe mungesat e herëpashershme të gjumit mund të jenë shkatërrimtare. Le të marrim rastin e Tomit. Ndonëse ishte shofer me përvojë, kamioni i tij përfundoi në një trase dhe si pasojë mbi një autostradë kryesore u derdhën 400 litra acid sulfurik. Tomi pohon: «Më zuri gjumi.» Studimet e bëra në dy autostrada në SHBA treguan se shoferët e përgjumur shkaktonin rreth 50 për qind të përplasjeve vdekjeprurëse.
Vëreni edhe rreziqet kur punon pranë një shoku pune të përgjumur. Ana Uilliamsoni, një studiuese australiane, thotë: «Disa teste treguan se pasi kishin kaluar 17 deri në 19 orë pa gjumë, aftësia për punë ose për të reaguar [e pjesëmarrësve] ishte njësoj ose edhe më e dobët sesa po ta kishin [përqendrimin e alkoolit në gjak] 0,05%.» Me fjalë *
të tjera, reflekset e atyre njerëzve ishin sikur në gjakun e tyre sasia e alkoolit të kishte arritur ose të kishte kaluar kufirin që i lejohet shoferit sipas ligjit në disa vende. Kur marrim parasysh qindra mijë aksidentet e përvitshme në rrugë dhe në vendin e punës, aksidente që lidhen me gjumin, del se në shkallë botërore, mungesa e gjumit i ka kushtuar tepër shtrenjtë rendimentit të punës dhe jetës familjare.Cilët faktorë mund të ndikojnë te mungesa e gjumit? Njëri nga faktorët është dukuria shoqërore që shpesh quhet 24/7 që nënkupton të punosh 24 orë në ditë për shtatë ditë në javë. Gazeta USA Today e përshkruan këtë dukuri si «një tërmet kulturor që po na ndryshon mënyrën e jetesës» dhe thotë se «një valë e re dyqanesh e qendrash shërbimi që rrinë hapur 24 orë po përfitojnë duke ‘vënë në lojë’ kohën». Në shumë vende njerëzit e kalojnë gjithë natën para televizorit ose në Internet, në një kohë që duhet të flinin. Një faktor tjetër që e shton «borxhin» ndaj gjumit është edhe «haraçi» i rëndë që paguajnë njerëzit për çrregullimet emocionale, të cilat shpesh përfshijnë ankthe ose shqetësime që shtohen nga stresi dhe ritmi i jetës. Së fundi ka edhe një sërë sëmundjesh fizike që mund të sjellin si pasojë mungesën e gjumit.
Shumë mjekë thonë se është shumë e vështirë për t’i bindur pacientët që ta marrin seriozisht mungesën e gjumit. Një mjek tha me keqardhje se disa kanë arritur deri aty sa rraskapitjen kronike ta quajnë «një simbol prestigji». Dhe meqë gjendja e tyre shpesh keqësohet ngadalë, viktimat e mungesës së gjumit mund të mos e kuptojnë se vuajnë nga ndonjë çrregullim i rëndë i gjumit. Shumë arsyetojnë kështu: ‘Thjesht, po plakem’ ose ‘S’i bëj dot ballë kësaj jete, prandaj nuk kam më energji’, ose ‘Ndihem i lodhur gjithë kohën, sepse kurrë nuk mund të pushoj aq sa kam nevojë.’
Shlyerja e këtij «borxhi» është një punë e vështirë. Por po të kuptojë se si zhvillohet cikli normal i gjumit dhe po të mësojë të dallojë shenjat e mungesës së gjumit, një njeri mund të nxitet për të bërë ndryshimet e nevojshme. Njohja e simptomave të çrregullimeve të rënda të gjumit mund të shpëtojë jetë.
[Shënimi]
^ par. 7 Mendohet se rraskapitja ka qenë një ndër faktorët e shumë prej katastrofave më të rënda të shekullit të 20-të. Shih Zgjohuni! të 8 shkurtit 2001, faqe 6, anglisht.
[Figura në faqen 4]
Edhe mungesat e herëpashershme të gjumit mund të shkaktojnë aksidente të rënda