Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pritje e paharrueshme

Një pritje e paharrueshme

Një pritje e paharrueshme

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

MË 15 MARS 2003, delegatë nga më shumë se 40 vende u mblodhën në të dalë të qytetit të Meksikos për kushtimin e ndërtesave të sapopërfunduara që tregohen më poshtë. Këto godina banimi dhe ndërtesa për shtypshkronjë janë pjesë e zgjerimit të bërë kohët e fundit në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë.

Më 1974, kur në këtë vend u kushtuan ndërtesat e para të degës, në Meksikë kishte rreth 65.000 Dëshmitarë. Meqë numri i Dëshmitarëve në Meksikë po rritej mjaft, ndërtesa të tjera u kushtuan më 1985 dhe përsëri më 1989. Shtesa e fundit, që ka më shumë se dymbëdhjetë ndërtesa të reja, përfshin një shtypshkronjë shumë të madhe, si edhe godina banimi ku do të banojnë afro 1.300 pjesëtarë të personelit të degës.

Dy javë pas kushtimit, u organizua një pritje për njerëzit që banonin pranë degës. Në mes të atyre të cilëve iu dërguan ftesa ishin edhe autoritete vendëse, si edhe studentë e pedagogë të universitetit të sapohapur në anën tjetër të rrugës. Shumë veta nga dega pyetnin veten se sa prej të ftuarve do të vinin.

Një përgjigje shpërblyese

Ftesën e pranuan 272 veta gjithsej. Këtu përfshiheshin studentë, zyrtarë dhe autoritete të bashkisë. Vizitorët bënë komente për bukurinë e pastërtinë e ndërtesave dhe shprehën vlerësimin e tyre për mikpritjen e treguar. Ja se ç’shkroi një grua në librin e përshtypjeve: «Është hera e parë që po vizitoj ndërtesat tuaja. Janë të këndshme. Ju kam admiruar dhe respektuar edhe më parë, por sot më shumë se kurrë.»

Një vizitor tjetër tha: «Kishim një përshtypje të gabuar për atë që po bëhej këtu. Për ju ishin hapur thashetheme. . . . Por ajo që po shoh tani më ngjall besim. Do t’ju prisja me kënaqësi në shtëpinë time, sepse mendoj se ia vlen ajo që po bëni.»

Një nga pedagoget e universitetit, nëna e së cilës është Dëshmitare, solli për vizitë dy klasa të tëra me studentë. Ajo tha: «Doja që të rinjtë të dinin se ç’bëjnë Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës. Ata kanë se ç’të mësojnë nga kjo vizitë.» Çfarë ndikimi pati te studentët kjo vizitë?

Një vajzë shkroi: «Faleminderit për mikpritjen. Ishte një ditë e paharrueshme për mua dhe shokët e mi.» Një tjetër tha se njerëzit që nuk i dëgjojnë Dëshmitarët kur i vizitojnë nuk e kanë fare idenë si janë ata. «Duhet të jemi tolerantë dhe me mendje të hapur ndaj gjërave të reja»,—nxori si përfundim ajo. Një djalë i ri tha: «Kisha një përshtypje krejt tjetër për ju, por tani e shoh se ju e mbështetni njëri-tjetrin. Dukeni si ato milingonat e vockla, kaq të zënë jeni.»

Mes vizitorëve ishin edhe katër punonjës të policisë vendëse. Një prej tyre, një grua, tha: «Të bën përshtypje. Këtu nuk ka diskriminim. Ai që pastron, ai që merret me kopshtari, që të gjithë janë të barabartë. . . . Është e mrekullueshme.»

Dy djem të vegjël, nëntë dhe dhjetë vjeç, që banonin aty afër, thanë: «Ua, sa e madhee!» «Më shumë nga të gjitha më pëlqyen makineritë. Janë shumë të shpejta. Sidomos më pëlqyen ato që pritnin letrën.»

Për vizitë erdhën edhe një mjek traumatolog, gruaja e tij dhe vajza e tyre studente në universitet. Gjatë vizitës, gruaja e mjekut bëri shumë pyetje nga Bibla. Ajo tha se i ishte ngjallur interesi kur Dëshmitarët vizitonin babanë e saj, pjesëtar i një feje evangjeliste. Ai nevrikosej, kurse Dëshmitarët ruanin qetësinë. «Tani e kuptoj pse»,—tha ajo.

Mjeku dhe familja e tij thanë se vizita i bëri të ndryshonin mendimin për Dëshmitarët. Kur pa interesin e tyre, Hozeja, ciceroni, i ftoi ata në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit dhe i ofroi një studim biblik. Ata e pranuan ftesën dhe thanë se ishte një kënaqësi të vinin në degë për studimin.

Ata erdhën javën pasuese. Hozeja dhe e shoqja, Beatriza, ishin shumë të lumtur t’i pritnin në dhomën e tyre. Ata kishin kaq shumë pyetje, saqë studimi i parë zgjati tri orë e gjysmë. Familja mori pjesë në Përkujtim, që u mbajt më 16 prill. Bashkë me ta erdhi edhe babai i gruas, po, pikërisht ai që nevrikosej kur e vizitonin Dëshmitarët.

Një arsye e veçantë për gëzim ishte njoftimi për sasinë e literaturës biblike që vizitorët morën me vete—500 copë, pjesa më e madhe Bibla. Disa prej tyre thanë se kurrë më parë nuk kishin pasur një Bibël.

Një grua që jetonte aty afër i tha Armandos, i cili po kujdesej për tavolinën me literaturë biblike: «Tani e tutje do të vij edhe unë me ju Dëshmitarët në mbledhjet tuaja, sepse e di që kjo është e vërteta.» Pak javë më vonë, Armandoja u gëzua jashtë mase kur e pa këtë grua në Sallën e Mbretërisë. Ai tha: «Ajo mbante librin që kishte marrë gjatë pritjes për publikun. Kur e përshëndeta, më tha: ‘E sheh e mbajta fjalën.’»

Tri ditët e pritjes për publikun kaluan pa u ndier. Megjithatë ishin shumë inkurajuese. Teksa i shihnin ndërtesat e degës me syrin e vizitorëve që vinin për herë të parë, kjo i ndihmoi pjesëtarët e degës ta çmonin edhe më shumë privilegjin që kanë për të shërbyer në njërën nga degët e Dëshmitarëve të Jehovait.

[Figurat në faqet 24, 25]

1. Ndërtesë për rregullimin e automjeteve, 2. ndërtesë për shërbime të ndryshme, 3. ndërtesë me reparte riparimesh, 4. godina banimi, 5. shtypshkronjë, 6. sallë, 7. ndërtesë për mysafirë

[Figurat në faqen 25]

Qindra veta e pranuan ftesën për të ardhur në pritjen për publikun. Midis tyre kishte studentë e punonjës të policisë vendëse