Sapuni—«Një vaksinë që mund ta bësh vetë»
Sapuni—«Një vaksinë që mund ta bësh vetë»
«VRASËSI i dytë më i madh i fëmijëve në botë nuk është as malarja, as tuberkulozi, as SIDA, por . . . diarreja»,—thotë revista The Economist. E megjithatë shumica e atyre fëmijëve do të ishin gjallë sot, po qe se ata dhe familjet e tyre do t’i kishin larë rregullisht duart me sapun.
Kërkuesit në Institutin e Higjienës dhe të Mjekësisë Tropikale në Londër zbuluan se «larja e duarve siç duhet mund t’i pakësojë me 43 për qind sëmundjet diarreike»,—sipas The Economist. «Efekti mund të jetë po kaq i madh në infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, të cilat përbëjnë vrasësin numër një të fëmijëve. Një studim masiv, i bërë në ushtrinë amerikane, zbuloi se rrufa dhe kolla u pakësuan me 45 për qind, kur ushtarët i lanin duart pesë herë në ditë.» Edhe në vendet në zhvillim shumica e familjeve i kanë mundësitë për të blerë sapun. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme sapuni përshkruhet si «një vaksinë që mund ta bësh vetë». E për më tepër është një vaksinë që s’të dhemb!
Edhe Bibla inkurajon pastërtinë. «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës»,—thuhet te 2 Korintasve 7:1. Ndonëse Perëndia kryesisht interesohet për pastërtinë tonë frymore, e konsideron të rëndësishme edhe higjienën fizike. (Levitiku, kapitujt 12-15) Sigurisht ai nuk na kërkon që të shkojmë në ekstreme. Megjithatë, duhet ta bëjmë zakon që t’i lajmë duart pasi kemi qenë në banjë, pasi kemi larë a ndërruar një foshnjë, para se të përgatitim ushqimin ose para se të ulemi për të ngrënë, si edhe në çdo rast tjetër kur ka rrezik që mund t’u kalojmë mikrobe ose viruse të tjerëve. Duke i larë duart rregullisht, tregojmë dashuri të krishterë për familjen dhe për të gjithë ata me të cilët na lidh puna.—Marku 12:31.