Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Zbulohen lloje të reja zogjsh
The Independent e Londrës thotë: «Që nga viti 1998 revistat shkencore kanë përshkruar gjithsej 28 lloje të reja [zogjsh] dhe vazhdimi i kërkimeve mund ta shtojë edhe më shumë numrin e përgjithshëm të llojeve që ekzistojnë në botë, i cili është rreth 9.700.» Sipas Stiv Gantletit, botues i revistës Birding World, «shumë nga këto zbulime janë bërë sepse tani është shumë më e lehtë të arrish në vende të ndryshme. Ornitologët mund të shkojnë në vende të largëta, ku disa dhjetëvjeçarë më parë ishte pothuajse e pamundur të arrije». Ai thotë që zbulimet «tregojnë gjithashtu se përvoja për të identifikuar llojet sipas këngëve të tyre është shtuar. Këngët shpesh janë e vetmja mënyrë për t’i zbuluar llojet e zogjve në pyjet e dendura tropikale të shiut». Shkencëtarët besojnë se ka edhe shumë më tepër lloje të tjera për t’u zbuluar. Megjithatë, The Indipendent shpjegon se shkatërrimi i habitatit mund t’i vërë në rrezik shumë prej llojeve të reja që janë zbuluar, «sepse popullatat e tyre janë të pakta në numër dhe janë të kufizuara në zona të vogla».
Peshq të zhurmshëm
Gazeta The West Australian njofton se studiuesit në Institutin Australian të Shkencave Detare (AIMS) kanë zbuluar që peshqit, «përfshirë këtu peshqit zonjushë, peshqit ushtarë dhe peshqit kardinalë . . . komunikonin me anë të një sërë tingujsh që ngjanin si hungërima, cijatje dhe fishkëllima». Ky zbulim shpjegon se si të vegjlit e peshqve e gjejnë përsëri rrugën për në shtëpi kur valët i largojnë nga shkëmbinjtë nënujorë. Studiuesit e AIMS-it regjistruan zhurma që vinin nga shkëmbinjtë nënujorë dhe e transmetuan regjistrimin te grackat për peshqit. Mark Mikani, doktor i shkencave detare, tha për gazetën se «në grackat për peshq ku u transmetuan regjistrimet ranë më shumë peshq të vegjël se në grackat ku nuk u transmetuan këto zhurma, dhe kjo tregon [se] peshqit tërhiqeshin nga tinguj të veçantë». Studiuesit kanë zbuluar se disa tinguj të peshqve të rritur mund të diktohen deri në 15 kilometra larg. «Në muzg dhe në agim kori i tingujve të peshqve arrin kulmin, duke qenë i barabartë me britmat e mijëra njerëzve në një stadium futbolli»,—tha Mikani. Megjithatë, veshi i njeriut nuk arrin ta kapë këtë «kor».
Humbasin kilogramë apo para?
«Gati 231 milionë njerëz në Bashkimin Evropian provuan të mbanin dietë në vitin 2002»,—thuhet në gazetën International Herald Tribune të Parisit. Sipas një raporti të Datamonitorit, një grup që ndjek zhvillimet e industrisë, vitin e kaluar në Evropë ata që mbanin dietë harxhuan 80 miliardë euro për të blerë produkte për rënien në peshë, shumë «e barabartë me prodhimin ekonomik të Marokut». Megjithatë, gazeta thotë që «më pak se 4 milionë njerëz që janë me dietë do të arrijnë ta mbajnë peshën e arritur për më shumë se një vit» dhe «më pak se 2 për qind e njerëzve me dietë në Evropë arrin rezultate të qëndrueshme në rënien në peshë». Gjermania ishte në krye të listës për sa i përket shpenzimit të parave në këto produkte. Atje, njerëzit që mbanin dietë shpenzuan afërsisht 18 miliardë euro për të blerë produkte për rënien në peshë, kurse britanikët harxhuan gati 14 miliardë euro. Në Itali dhe në Francë, konsumatorët shpenzuan përkatësisht mbi 13 miliardë dhe 12 miliardë euro. Gazeta Tribune thotë se sipas Datamonitorit «mesazhi për ata me dietë është se vetëm dieta nuk mjafton për të zgjidhur një herë e mirë problemin e mbipeshës».
«Kriza e çerekut të jetës»
Normalisht të njëzetat, «mosha e artë» duhet të jenë «koha ideale për një jetë të lumtur e të qetë. Puberteti ka kaluar dhe kriza e moshës mesatare është ende larg»,—thotë gazeta gjermane Gießener Allgemeine. Por, në vend që të ndihen të lumtur e të qetë, një numër gjithnjë në rritje i atyre që janë në të njëzetat po ndeshen me atë që specialistët e quajnë kriza e çerekut të jetës. Gazeta thotë se termi «nënkupton krizën e identitetit që përjetojnë të rinjtë kur janë duke mbaruar shkollimin dhe u duhet të vendosin çfarë të bëjnë me jetën që kanë përpara». Kristiana Papastefanu, një psikologe nga Manheimi, shpjegon se zhvillimet sociale të këtyre viteve të fundit e shtojnë ankthin për të ardhmen. Përveç kësaj, duke qenë se sot ekzistojnë shumë mundësi për të zgjedhur një punë dhe një mënyrë jetese si të të pëlqejë, disa të rinj kanë frikë se mos bëjnë zgjedhjen e gabuar. Megjithatë, Papastefanu, fjalët e së cilës citohen në gazetën gjermane, beson se vendimet që një njeri merr në jetë nuk janë të pakthyeshme dhe se nuk është e gabuar që «gjatë jetës, [të bësh] disa kthesa».
Teknologjia e re zbulon mungesat pa arsye
«Falë teknologjisë së re, tani mësuesit u dërgojnë prindërve mesazhe të shkruara kur nxënësit mungojnë pa arsye»,—thotë botimi anglez i gazetës spanjolle El País. Në 200 shkolla të Spanjës është instaluar një sistem kompjuterik i veçantë, me të cilin mësuesit njoftojnë rezultatet e provimeve, regjistrojnë mungesat dhe tregojnë masat ndëshkuese që janë marrë ndaj nxënësve. Çdo mëngjes mësuesit bëjnë apelin me një aparat dore sa një makinë llogaritëse xhepi. Pastaj me anë të një prize e lidhin aparatin me kompjuterin qendror, i cili përpunon të dhënat. Gazeta thotë: «Në disa raste prindërve u dërgohen mesazhe automatike në telefonat celularë.» Mungesat pa arsye, të cilat më parë kalonin pa u vënë re, tani regjistrohen, me anë të kësaj teknologjie. Sipas botimit spanjoll të El Pais edhe 400 shkolla të tjera janë të interesuara që t’u instalohet sistemi kompjuterik.
Ndryshimet në shtëpi mund të dëmtojnë shëndetin e foshnjës
Buletini Medi-Netz i Gjermanisë komenton: «Nëse njerëzit vendosin të bëjnë ndryshime në shtëpi gjatë kohës kur një grua është shtatzënë ose pak kohë pas lindjes së fëmijës, gjatë muajve të parë të jetës foshnja mund të vuajë nga acarimet në rrugët e frymëmarrjes ose edhe nga ndonjë sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes. Tani është zbuluar se këto ndryshime ndikojnë edhe në sistemin imunitar të fëmijës, madje edhe kur ai është ende në barkun e nënës, duke e bërë më të prekshëm nga sëmundjet infektive dhe alergjitë.» Studiuesit në disa klinika e institute të Gjermanisë zbuluan se substancat kimike që e shkaktojnë këtë problem përfshijnë ato që lëshojnë lëndët ngjitëse, moketi, boja e freskët dhe mobiliet e reja. Medi-Netz thotë: «Lëndët kimike të avullueshme dëmtojnë pikërisht ato qeliza të sistemit tonë imunitar që na mbrojnë nga reaksionet alergjike.» Një raport i ngjashëm në revistën GEO i këshillon prindërit që ndryshimet në shtëpi t’i shtyjnë për më vonë, «derisa foshnja të bëhet dy vjeçe», pasi atëherë sistemi i saj imunitar është më i fortë.
Klubet sportive dhe substancat që shkaktojnë varësi
Në lajmet e saj në Internet, Korporata Finlandeze për Radiopërhapjen thotë: «Të rinjtë që bëjnë pjesë në klube sportive përdorin më shumë pije alkoolike dhe dehen më shpesh se të tjerët.» Sipas gazetës Helsingin Sanomat të Helsinkit, zbulimet e botuara nga Qendra Kërkimore për Përkrahjen e Shëndetit në Universitetin e Jyvaskylës, treguan se «shpesh reklamat dhe sponsorizimi e lidhin së tepërmi sportin me pijet alkoolike, birrën dhe cigaret. Të rinjtë ndjekin shembullin e sportistëve më të vjetër që i admirojnë dhe i imitojnë. Shampanja që derdhet lumë dhe duhani që pihet nëpër festimet e kampionatit nuk mbeten pa u vënë re nga të rinjtë». Një problem tjetër ishte thithja e burnotit, duhan i bërë pluhur. Gazeta thotë: «U zbulua se më pak se 4 për qind e djemve 15-vjeçarë që nuk bëjnë pjesë në klubet sportive kishin thithur burnot çdo javë, kurse në klubet sportive ishin pothuajse 10 për qind.»
Sa të hapësh e të mbyllësh sytë
Gazeta El País e Spanjës shpjegon: «Për të vënë në lëvizje qepallat tona nevojiten me mijëra neurone, të cilat u përkasin 30 grupeve të ndryshme.» Këto grupe neuronesh, të cilat lidhin «qepallën me koren e trurit», i ka identifikuar më saktësisht se kurrë më parë një skuadër e drejtuar nga shkencëtarë spanjollë të fushës së neurologjisë, të cilët e bënë studimin e tyre te kafshët. Përse kanë nevojë qepallat për një grup kaq të ndërlikuar dhe të madh neuronesh? Sepse ato nuk mbyllen gjithmonë në të njëjtën mënyrë ose për të njëjtën arsye. Funksionet e qepallës përfshijnë hapjen dhe mbylljen automatike, e cila ndodh 15 herë në minutë, me qëllim që ta mbajë kornenë të lagësht; hapjen e mbylljen për refleks, që ndodh kur diçka vjen me shpejtësi drejt syrit, si edhe hapjen e mbylljen e vullnetshme ose të vetëdijshme të syve. Gjithashtu, qepallat mund të mbyllen pjesërisht, ndoshta si pasojë e disa emocioneve, ose plotësisht për periudha të ndryshme kohe.
Kompjuterat dhe dëmi që i shkaktojnë mjedisit
«Me imazhin e tyre të pastër e magjepsës, kompjuterat modernë të gënjejnë, sepse nuk pasqyrojnë ndikimin e vërtetë që kanë në mjedisin tonë»,—thotë revista New Scientist. Revista shpjegon se vetëm për të bërë një qark të thjeshtë memorieje dhe për ta përdorur te një kompjuter i zakonshëm që rron katër vjet, «pesha e lëndëve djegëse të harxhuara është 800 herë më e madhe se pesha e vetë qarkut». Analistë nga Japonia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara llogaritin se për të prodhuar dhe për të përdorur një qark me memorie 32 megabait, i cili peshon dy gramë, duhen të paktën 1,6 kilogramë lëndë djegëse, plus edhe të paktën 32 kilogramë ujë dhe 72 gramë lëndë kimike helmuese si amoniaku dhe acidi klorhidrik. Ata nxjerrin këtë përfundim: «Dëmi që i shkakton mjedisit një qark i thjeshtë memorieje është shumë herë më i madh se përmasat e tij të vogla.»