Gjashtë mënyra për të mbrojtur shëndetin
Gjashtë mënyra për të mbrojtur shëndetin
Një problem në vendet në zhvillim
SHUMË njerëz sot duhet të luftojnë që të mbajnë pastërtinë, veçanërisht në vendet ku uji i pastër dhe higjiena e përshtatshme janë të rralla. Megjithatë ia vlen barra qiranë të mbash pastërti. Është llogaritur që më shumë se gjysmën e të gjitha sëmundjeve dhe vdekjeve ndër fëmijët e vegjël i shkaktojnë mikrobe që u futen në gojë nga duart e pista dhe nga ushqimi ose nga uji i ndotur. Mjaft sëmundje, sidomos diarreja, mund të parandalohen duke zbatuar sugjerimet e mëposhtme që paraqiten në Facts for Life, një botim i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.
1 Zhdukini jashtëqitjet që të mos paraqesin rreziqe
Shumë mikrobe ndodhen te jashtëqitjet. Kur mikrobet patogjene kalojnë në ujë e në ushqime ose në duar, enë kuzhine a nëpër vende ku përgatitet e shërbehet ushqimi, mund të futen në gojë dhe të gëlltiten, e kështu merret ndonjë sëmundje. Mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e këtyre mikrobeve është të zhduken të gjitha jashtëqitjet. Jashtëqitjet e njerëzve duhet të përfundojnë në banjë ose në gropën e wc-së. Sigurohuni që të mos ketë jashtëqitje kafshësh afër shtëpisë, rrugicave ose vendeve ku luajnë fëmijët.
Nëse nuk keni banja ose gropa wc-je, groposini jashtëqitjet menjëherë. Kujtoni që të gjitha jashtëqitjet mbartin mikrobe që shkaktojnë sëmundje, madje edhe jashtëqitjet e foshnjave. Edhe jashtëqitjet e fëmijëve duhen hedhur në banjë ose duhen groposur.
Pastrojini shpesh gropat e wc-ve dhe banjat. Mbajini gropat të mbuluara dhe banjat shpëlajini me ujë të bollshëm.
2 Lani duart
Duhet t’i lani duart shpesh. Kur i lani duart me ujë dhe sapun ose me ujë e me hi, eliminohen mikrobet. Nuk mjafton vetëm t’i shpëlani me ujë, të dyja duart duhen fërkuar me sapun ose me hi.
Është thelbësore t’i lani duart pasi keni kryer nevojat personale dhe pasi keni pastruar të ndenjurat e një foshnje ose të një fëmije që sapo ka dalë
jashtë. Gjithashtu, lajini duart pasi keni prekur kafshët, para se të prekni ushqimin dhe para se të ushqeni fëmijët.Larja e duarve ndihmon për t’i mbrojtur njerëzit nga krimbat që shkaktojnë sëmundje. Këta krimba janë tepër të vegjël e nuk shihen dot pa mikroskop. Ata jetojnë në jashtëqitje dhe në urinë, në sipërfaqen e ujit e të tokës, si dhe në mishin e gjallë ose që nuk është gatuar mirë. Një mënyrë kryesore për t’i penguar krimbat të futen në trup është duke larë duart. Përveç kësaj, po të mbani këpucë kur jeni afër një grope wc-je, do t’i pengoni krimbat që mund të jenë atje të futen në trupin tuaj nëpërmjet lëkurës së këmbëve.
Fëmijët i futin shpesh duart në gojë, prandaj ua lani duart shpesh, sidomos pasi kanë shkuar në banjë dhe para se të hanë. Mësojuni t’i lajnë duart vetë dhe të mos luajnë afër gropave të wc-ve, afër banjave ose zonave ku ka jashtëqitje.
3 Lani fytyrën çdo ditë
Që të parandaloni infeksionet në sy, lajeni çdo ditë fytyrën me ujë e sapun. Duhet larë edhe fytyra e fëmijëve. Një fytyrë e ndotur tërheq mizat, të cilat mbartin mikrobe. Këto mikrobe mund të shkaktojnë infeksione në sy, e madje verbim.
Kontrollojini vazhdimisht sytë e fëmijëve tuaj. Sytë e shëndetshëm janë të njomë e me shkëlqim. Kur sytë janë të thatë, të skuqur, të irrituar ose të ënjtur a kur kanë sklepa, fëmijën duhet ta vizitojë një punonjës i kujdesit shëndetësor ose një mjek.
4 Përdorni vetëm ujë të pastër
Familjet kanë më pak sëmundje kur përdorin ujë të pastër dhe e ruajnë atë nga mikrobet. Ndoshta uji që përdorni është i pastër, në qoftë se vjen nga një ujësjellës i ndërtuar dhe i mbajtur siç duhet ose nga një pus a burim i pandotur. Uji që vjen nga liqenet e vogla, lumenjtë, si dhe nga rezervuaret ose puset e pambuluara ka më pak të ngjarë që të jetë i pastër. Por po të zihet, mund të bëhet më i pastër.
Puset duhen mbuluar. Kovat, litarët dhe shtambat që përdoren për të mbushur e për të mbajtur ujin duhen larë vazhdimisht dhe duhen mbajtur në një vend të pastër, jo përtokë. Kafshët duhen mbajtur larg burimeve me ujë të
pijshëm dhe shtëpisë. Mos përdorni pesticide ose kimikate afër një burimi uji.Në shtëpi uji duhet mbajtur në një enë të pastër e të mbuluar. Është më mirë që ena e ujit të ketë një lëfyt. Në rast se nuk ka lëfyt, uji duhet marrë nga ena me një garuzhdë ose një filxhan të pastër. Uji i pijshëm kurrë nuk duhet prekur me duar të papastra.
5 Mbroni ushqimin nga mikrobet
Nëse ushqimi gatuhet mirë e mirë, atëherë mund të ngordhin mikrobet. Ushqimi, sidomos mishi i kafshëve dhe i shpendëve, duhet gatuar mirë. Mikrobet shumohen shpejt në ushqimin e ngrohtë. Prandaj, pasi gatuhet, ushqimi duhet të hahet sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse ju duhet ta ruani ushqimin për më tepër se dy orë, sigurohuni që e ruani në një vend që është ose i nxehtë, ose i ftohtë. Gjithashtu, mbulojeni ushqimin e gatuar, në qoftë se ju duhet ta ruani për një vakt tjetër. Kjo e mbron nga mizat dhe insektet. Para se ta hani ushqimin, ngrojeni përsëri.
Qumështi i gjirit është më i miri dhe më i sigurti për foshnjat dhe për fëmijët e vegjël. Qumështi i kafshëve që sapo është zier ose pasterizuar është më i sigurt se qumështi i pazier. Mos përdorni shishe me biberon, po të mos i keni pastruar ato me ujë të zier para çdo përdorimi. Shishet me biberon shpesh mbartin mikrobe që shkaktojnë diarrenë. Është më mirë t’u jepet gji fëmijëve ose t’u jepet ushqim nga një enë e pastër pa biberon.
Lajini frutat dhe perimet me ujë të pastër. Kjo është e rëndësishme veçanërisht kur ato u jepen të pagatuara foshnjave dhe fëmijëve të vegjël.
6 Asgjësoni të gjitha mbeturinat e shtëpisë
Mizat, furrtaret e zeza, minjtë e arave dhe minjtë e shtëpisë, që të gjithë mbartin mikrobe. Këto krijesa shtohen shumë në plehra. Në qoftë se nuk ka një pikë të grumbullimit të plehrave aty ku banoni, hidhini mbeturinat e shtëpisë në një gropë plehrash ku mund të mbulohen me dhè ose mund të digjen çdo ditë. Mbajeni pastër shtëpinë, pa plehra e pa ujë të përdorur.
Po t’i zbatoni rregullisht këto sugjerime, së shpejti do të shihni se ato do të bëhen pjesë e rutinës suaj të përditshme. Nuk janë të vështira dhe nuk kërkojnë shumë para për t’u ndjekur, por ato do të mbrojnë shëndetin tuaj dhe të familjes suaj.
[Figura në faqen 11]
Nëse nuk keni banja ose gropa wc-je, groposini jashtëqitjet menjëherë
[Figura në faqen 11]
Lajini duart shpesh
[Figura në faqet 12, 13]
Lajeni fytyrën çdo ditë me ujë dhe sapun
[Figurat në faqen 12]
Familjet kanë më pak sëmundje kur përdorin ujë të pastër dhe e ruajnë nga mikrobet
[Figura në faqen 13]
Mbulojeni ushqimin e gatuar, nëse ju duhet ta ruani për një vakt tjetër
[Figura në faqen 13]
Mbeturinat e shtëpisë duhen groposur ose djegur çdo ditë