A duhet të bëj tatuazh?
Të rinjtë pyesin . . .
A duhet të bëj tatuazh?
«Disa tatuazhe janë të lezetshme. Janë shumë artistike.»—Xhejlina. *
«Kam ëndërruar dy vjet për tatuazhin e parë.»—Mishela.
TATUAZHET ia sheh thuajse çdokujt, ose të paktën kështu duket. Yjet e muzikës rok, figurat e sportit, fotomodelet dhe aktorë të famshëm krekosen me tatuazhet e tyre. Shumë adoleshentë i kanë kopjuar, e tani me krenari mbajnë tatuazhe në shpatull, në dorë, në bel dhe në kyçet e këmbëve. Endrju thotë: «Tatuazhet janë klas fare. Është puna jote a do të bësh apo jo një tatuazh.»
World Book Encyclopedia thotë: «Tatuazhi është bërja e vizatimeve të qëndrueshme në trup. Kjo bëhet duke shpuar vrima të vogla në lëkurë me një shkop a kockë të mprehur ose me një gjilpërë, e cila është zhytur në lëndë me ngjyra natyrore.»
Ndonëse është e vështirë të jepen statistika të sakta, një burim përllogarit se në Shtetet e Bashkuara 25 për qind e të gjithë të rinjve 15 deri në 25-vjeçarë kanë tatuazh. Sendi thotë: «Të gjithë bëjnë tatuazhe, është në modë.» Pse tatuazhet i tërheqin kaq shumë disa të rinj?
Pse janë kaq në modë?
Për disa veta, tatuazhi është një mënyrë për t’u treguar romantikë me anë të një gjesti që bën përshtypje. Mishela tregon: «Në kyçin e këmbës, vëllai im ka emrin e një vajze me të cilën dilte.» Cili është problemi? «Ai s’del më me të.» Sipas revistës Teen, «mjekët përllogaritin që më shumë se 30 për qind e gjithë fshirjeve të tatuazheve bëhen te vajzat adoleshente që duan t’u hiqet emri i ish-të dashurit».
Për disa të rinj tatuazhet janë vepra artistike. Të tjerë i shohin si simbol të pavarësisë. «E kam vetë në dorë jetën time»,—u shpreh Xhozi. Dhe shtoi se bërja e tatuazhit ishte ‘i vetmi vendim i rëndësishëm që kishte marrë’. Tatuazhi u jep mundësi disa të rinjve të provojnë diçka të re, të ndiejnë se janë zotër të pamjes së tyre të jashtme.
Tatuazhet mund të jenë edhe simbol i rebelimit ose i një stili jetese alternativ. Kështu, disa tatuazhe kanë vizatime dhe fjalë të ndyra ose thënie provokuese.Mirëpo shumica e të rinjve thjesht janë bërë pre e një trilli të modës. Gjithsesi, vetëm sepse duket sikur gjithë të tjerët po bëjnë tatuazhe, a do të thotë kjo se edhe ti duhet të kesh të tillë?
Arti i lashtë i tatuazheve
Tatuazhet nuk janë aspak diçka moderne. Në Egjipt e në Libi janë gjetur mumje me tatuazhe, e këto mumje kishin qindra vjet para kohës së Krishtit. Mumje me tatuazhe janë gjetur edhe në Amerikën e Jugut. Shumë figura të punuara në tatuazhe kishin lidhje të drejtpërdrejtë me adhurimin e perëndive pagane. Sipas kërkuesit Stiv Gilbert, «tatuazhi më i vjetër i njohur, që është një figurë reale e jo ndonjë shenjë abstrakte, paraqet perëndinë Bes. Në mitologjinë egjiptiane, Besi është perëndia i shthurur i ahengjeve të shfrenuara».
Diçka domethënëse është se Ligji i Moisiut e ndalonte popullin e Perëndisë që të bënte tatuazhe. Te Levitiku 19:28 thuhet: «Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.» Adhuruesit paganë, siç ishin egjiptianët, bënin në kraharor ose në krah tatuazhe me emrat ose me simbolet e hyjnive të tyre. Duke zbatuar urdhrin e Jehovait që ndalonte bërjen e tatuazheve, izraelitët do të dalloheshin nga kombet e tjera.—Ligji i përtërirë 14:1, 2.
Edhe pse të krishterët sot nuk janë nën Ligjin e Moisiut, fakti që ky ligj e ndalonte bërjen e tatuazheve të fut në mendime. (Efesianëve 2:15; Kolosianëve 2:14, 15) Nëse je i krishterë, patjetër që nuk do të doje të bëje në trupin tënd shenja, qoftë edhe të përkohshme, që mbajnë gjurmët e paganizmit ose të adhurimit të rremë.—2 Korintasve 6:15-18.
Rreziqe për shëndetin
Duhet të mbash parasysh edhe rreziqet që sjell kjo për shëndetin. Dr. Robert Tomsiku, asistent profesor dermatologjie, komenton: «Me pak fjalë ti po shpon lëkurën dhe po fut në të lëndë me ngjyrë. Edhe pse gjilpëra hyn pak në lëkurë, sa herë që shpon lëkurën rrezikon të marrësh infeksion bakterial ose viral. Mendoj se [të bësh tatuazh] në përgjithësi është punë me rrezik.» Dr. Tomsiku vazhdon: «Kur lënda ngjyruese është brenda në lëkurë, edhe po të mos marrësh infeksion, ekziston gjithnjë mundësia që të të zhvillohet ndonjë alergji, dermatit dhe reaksion që mund ta bëjë lëkurën të skuqet, të ënjtet, të zërë kore e të kruhet.»
Ndonëse në përgjithësi ata që i bëjnë tatuazhet duan t’i kenë gjithnjë, janë provuar disa metoda për t’i fshirë. Këto metoda përfshijnë: fshirjen me rreze lazer (ta djegësh tatuazhin), fshirjen me operacion (të heqësh lëkurën ku është tatuazhi), dermabrazionin (ta fërkosh lëkurën me një furçë prej telash për të hequr epidermën dhe dermën), salabrazionin (të përdorësh një solucion kripor për të depërtuar në lëkurën ku është bërë tatuazhi) dhe gërvishtjen (ta fshish tatuazhin me një solucion acidi që krijon një shenjë në vend të tij). Këto janë metoda të kushtueshme dhe mund të shkaktojnë shumë dhembje. «Të dhemb më shumë ta fshish një tatuazh me rreze lazer, sesa ta bësh tatuazhin»,—thotë revista Teen.
Çfarë do të mendojnë të tjerët?
Duhet të mendohesh mirë edhe se si do të ndihen të tjerët, po të kesh një tatuazh, pasi shumë veta nuk e shohin me sy të mirë këtë gjë. (1 Korintasve 10:29-33) Nga një tekë, një grua në Tajvan me emrin Li bëri një tatuazh në moshën 16-vjeçare. Tani është 21 vjeçe dhe punon në një zyrë. «Jam në siklet nga mënyra se si ia ngulin sytë kolegët tatuazhit që kam»,—pranon ajo. Theodor Dalrimpëli, punonjës britanik i shëndetit mendor, thotë se për shumë njerëz, tatuazhet «shpesh janë shenjë e dukshme se ai njeri . . . i përket ndonjë grupi të dhunshëm, mizor, antishoqëror ose kriminal».
Edhe në një artikull në revistën American Demographics thuhej: «Është e qartë se për shumicën e amerikanëve është e rrezikshme të kesh në trup shenja të dukshme zbukurimi. Tetëdhjetë e pesë për qind [e të rinjve] e pranojnë pohimin: ‘Njerëzit që kanë tatuazhe të dukshme. . . duhet të kuptojnë se kjo formë që kanë zgjedhur për t’u shprehur mund t’u krijojë pengesa në karrierë dhe në marrëdhëniet personale.’»
Shqyrto edhe nëse vendimi për të bërë tatuazh do të ndikonte për mirë apo për keq në pohimin tënd se je i krishterë. A mund të jetë ai «shkak për pengesë» për të tjerët? (2 Korintasve 6:3) Vërtet që disa të rinj i kanë bërë tatuazhet në vende të trupit që nuk shihen. Ndoshta as prindërit e tyre nuk dinë gjë për këto tatuazhe të fshehta. Por, kujdes! Mjafton një vizitë urgjente te mjeku ose edhe kur je duke bërë dush në shkollë, për ta nxjerrë në shesh të fshehtën tënde. Është më mirë «të sillemi në ndershmëri në çdo gjë», duke shmangur mashtrimin e pamend.—Hebrenjve 13:18.
Ashtu si për gjithë trillet e modës, me kalimin e kohës edhe interesi për tatuazhet mund të bjerë. Se, ta mendosh mirë, a ka ndonjë veshje, si për shembull një palë xhinse, një bluzë, një fustan ose një palë këpucë, që të pëlqen aq shumë sa do të ishe gati ta vishje gjithë jetën? Sigurisht që jo! Stilet, modelet dhe ngjyrat ndryshojnë. Mirëpo, ndryshe nga rrobat, tatuazhet mezi hiqen. Veç kësaj, ajo që të duket «klas» kur je 16 vjeç, ndoshta s’do të të tërheqë shumë kur të jesh 30.
Shumë veta më vonë janë penduar që kanë bërë ndryshime të përhershme në pamjen e tyre të jashtme. «E bëra tatuazhin para se të mësoja për Jehovain,—thotë Emi.—Tani përpiqem ta mbaj të mbuluar. Ndihem shumë në siklet kur të tjerët në kongregacion e vënë re rastësisht.» Mesazhi? Bën mirë të mendohesh, para se të pikturohesh. Mos merr një vendim, për të cilin mund të pendohesh më vonë.
[Shënimi]
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 26]
Tatuazhet shpesh lidhen me një mënyrë jetese rebele
[Figura në faqen 26]
Më vonë, shumë veta pendohen që kanë bërë tatuazh
[Figura në faqen 27]
Bën mirë të mendohesh, para se të pikturohesh