Një vizitë në Jerusalemin e Kuebekut
Një vizitë në Jerusalemin e Kuebekut
VIZITORËT e Jerusalemit të ditëve tona ndoshta përpiqen të imagjinojnë si ka qenë Jerusalemi në kohët biblike. Megjithatë, një pamje e pashoqe e këtij qyteti të lashtë mund të shihet rreth 8.500 kilometra në perëndim të Jerusalemit, në një qytet të vogël, të strukur buzë lumit Sent-Laurenc të Kanadasë. Atje, para vizitorëve shpaloset një pamje panoramike e Jerusalemit dhe e rrethinave të tij. Si është e mundur kjo? Po jua shpjegojmë më poshtë.
Në një ndërtesë rrethore të qytetit Sant-An dë Bopre, Kuebek, ndodhet një nga pikturat më të mëdha panoramike të botës, e quajtur Panorama e rrumbullakët e Jerusalemit. Kjo vepër kolosale është 14 metra e lartë dhe ka një perimetër 110 metra. Megjithëse jo të gjitha detajet e pikturës janë të sakta, ajo përsëri u ngjall kureshtje studentëve të Biblës. Kjo, sepse paraqet një tablo mjaft të gjallë të jetës në Jerusalemin e kohëve biblike.
Vizitorët soditin fushat përreth Jerusalemit të shekullit të parë, duke e vështruar pikturën nga një platformë në qendër të ndërtesës. Ndërsa ndjekin me sy panoramën 360-gradëshe, papritur shfaqet qyteti aq i njohur, me muret e tij të famshme, tempullin madhështor dhe pallatet luksoze. Më tej, shfaqet edhe një tjetër skenë e gjallë, e cila paraqet çastet e fundit të jetës së Jezuit në tokë. Kjo vepër monumentale të lë mbresa kaq të fuqishme saqë vizitorët ndihen sikur janë atje, duke ecur bashkë me turmat nëpër rrugët e Jerusalemit.
Çuditërisht, kjo pikturë emocionuese me efekte tridimensionale nuk është një arritje e kohëve të fundit. Në të vërtetë, atë e bëri Pol Filipoto, një artist i famshëm nga Parisi, të cilit iu desh të punonte nga viti 1878 deri në vitin 1882. Për të pikturuar kryeveprën e tij, e ndihmuan pesë piktorë të tjerë: dy nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Franca dhe një nga Anglia. Por, meritën për idenë origjinale të kësaj pikture e ka piktori gjerman Bruno Piglhajni. Ai ishte i vendosur të bënte diçka që njerëzit të mos ishin në padije se si ishte jeta e përditshme në kohët biblike. Pasi u përfundua në Mynih të Gjermanisë, vepra u ekspozua në kryeqytetet e mëdha të Evropës. Që nga viti 1895, vizitorët mund ta shohin vetëm në Kanada.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Të gjitha fotografitë: Cyclorama de Jérusalem inc.