Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tambili​—«Mbreti» i arrave të kokosit

Tambili​—«Mbreti» i arrave të kokosit

Tambili​—«Mbreti» i arrave të kokosit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SRI-LANKË

TAMBILI, që shpesh në gjuhën angleze e quajnë edhe mbreti i arrës së kokosit, është emri i frytit të palmës së kokosit aurantiaca në gjuhën sinhaleze. Aurantiaca është një palmë shumë tërheqëse, e cila pas gjashtë deri tetë vjetësh prodhon gjatë gjithë vitit arra të mëdha me ngjyrë portokalli të ndezur, të vendosura në vile. Arra tambili është rreth 30 centimetra e gjatë dhe peshon rreth 1,5 kilogramë. Gjendet me bollëk përgjatë gjithë ishullit tropikal të Sri-Lankës. Në fakt, në gjuhën sinhaleze, fjala tambili i referohet jo vetëm arrës, por edhe ngjyrës së saj karakteristike portokalli të ndezur.

Por, si mund të nxirret pije nga arra tambili? Tambili mblidhet kur fryti është ende i njomë. Pastaj i hiqet pjesa e sipërme e lëvozhgës dhe arra shpohet. Nga pjesa e brendshme e arrës mund të nxirret deri në një litër ujë tambili pothuajse i tejdukshëm. Është një lëng i shijshëm, i ëmbël dhe ushqyes. Mikpritja në Sri-Lankë shpesh përfshin t’i shërbesh ujë tambili një vizitori të lodhur e të etur.

Kur udhëtoni në ishullin e Sri-Lankës, do të gjeni kudo përgjatë rrugës tezga ku njerëzit shesin tambili, dhe çmimi është goxha i ulët. Shitësi e pret me mjeshtëri pjesën e sipërme të arrës, fut brenda saj një pipëz dhe, ja ku ke një pije higjienike, freskuese dhe që të bën mirë. Po të jeni vizitorë guximtarë, mund të provoni ta pini ujin e tambilit siç bëjnë vendësit, duke e anuar prapa kokën dhe duke e hedhur ujin në gojë drejtpërdrejt nga arra. Por nëse nuk ke përvojë, ndoshta më shumë do ta çosh dëm ujin.

Dobitë shëndetësore të tambilit i njohin mirë të gjithë banorët e Sri-Lankës. Thuhet se uji i tambilit heq nxehtësinë nga trupi dhe qetëson sistemin tretës. Uji përmban mjaft minerale, karbohidrate, yndyrna, kalcium, vitaminë C, fosfor, hekur dhe pak proteina. Ekuilibri elektrolitik që ka kjo përzierje e bën ideale këtë pije hidratuese për ata që vuajnë nga sfilitja për shkak të vapës, nga probleme gastrike ose nga kolera. Ndërkohë që s’është gjithnjë e sigurt se burimet e ujit janë të pastra, tambili është një burim natyror, i mbyllur hermetikisht, me një pije të pastër që të bën edhe mirë.

Po të vini të vizitoni brigjet e harlisura të Sri-Lankës tropikale, jemi të sigurt se do t’ju pëlqejnë ngjyrat e gjalla të palmës tambili, që hijeshojnë shumë kopshte tropikale ose brigje të arta, e do të kënaqeni edhe me pijen e saj freskuese.