Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse sot ka kaq shumë krime të dhunshme?

Pse sot ka kaq shumë krime të dhunshme?

Pse sot ka kaq shumë krime të dhunshme?

TË GJITHA krimet janë të liga, por ato që kryhen pa ndonjë arsye ose qëllim janë edhe më të vështira për t’u kuptuar. Këto krime pa ndonjë motiv të qartë i hutojnë edhe hetuesit. Me anë të mediave, të cilat vitet e fundit po bëhen gjithnjë e më të efektshme, brenda disa orëve, lajmi për krime kaq të neveritshme u shkon miliona, madje miliarda njerëzve. Një raport i botuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se «dhuna prek çdo kontinent, çdo vend dhe shumicën e zonave».

Edhe në ato vende që vitet e kaluara mbaheshin si pak a shumë të qeta, kohët e fundit ka pasur më shumë akte dhune të pakuptimta. Për shembull, për një kohë të gjatë, numri i krimeve të dhunshme në Japoni ka qenë i vogël. Megjithatë, në Ikeda, në qershor të vitit 2001, një burrë që mbante në dorë një thikë kasapi hyri në një shkollë dhe filloi të qëllonte e të priste. Brenda 15 minutave vrau 8 fëmijë dhe plagosi 15 të tjerë. Kur kësaj ngjarjeje i bashkohen edhe raporte të tjera nga Japonia, siç janë ato që njoftojnë për të rinj, të cilët thjesht për të provuar emocione të forta vrasin njerëz që nuk i njohin fare, bëhesh krejt i vetëdijshëm se gjërat kanë ndryshuar.

Edhe në vendet ku kriminaliteti ka qenë mjaft i përhapur, disa akte kriminale të pakuptimta kanë ngjallur neveri në publik. Pikërisht kështu ndodhi pas 11 Shtatorit 2001, kur sulmuan Qendrën Tregtare Botërore në Nju-Jork. Psikologu Zherard Beils bëri këtë koment: «Ky sulm e ka kthyer botën në një vend krejtësisht të panjohur dhe të rrezikshëm ku nuk mund ta parashikojmë dot se ç’do të ndodhë.»

Përse veprojnë kështu?

Nuk ka një faktor të vetëm që t’i shpjegojë të gjitha aktet e gjithfarëllojshme e të pakuptimta të dhunës. Ajo që i bën disa krime më të vështira për t’u kuptuar është se këto krime janë jashtë çdo logjike. Për shembull, është e vështirë të kuptosh se përse një njeri do t’u afrohej njerëzve krejtësisht të panjohur dhe do t’u ngulte thikën duke i lënë të vdekur ose përse dikush do të kalonte me makinë pranë një shtëpie dhe të qëllonte kuturu me armë.

Disa thonë se dhuna është diçka e trashëguar te njerëzit. Të tjerë kundërshtojnë, duke thënë se krimet e pakuptimta nuk mund të merren si pjesë e pandarë e natyrës njerëzore.​—Shih kutinë «Të paracaktuar për dhunë?»

Shumë specialistë mendojnë se ka një mori faktorësh dhe rrethanash që janë si katalizatorë, të cilët i bëjnë njerëzit të prirur për të kryer akte të pakuptimta dhune. Një raport i botuar nga Akademia e FBI-së (Byroja Federale e Hetimeve) në Shtetet e Bashkuara arrin deri atje sa thotë: «Vrasja nuk kryhet nga një individ normal dhe me mendje të kthjellët.» Disa autoritete nuk do të pajtoheshin me fjalët që janë zgjedhur për këtë deklaratë. Gjithsesi, shumë janë në një mendje me atë që nënkuptojnë këto fjalë. Për ndonjë arsye, të menduarit e atyre që kryejnë krime të pakuptimta nuk është normal. Diçka ka ndikuar kaq shumë te gjykimi i tyre saqë ata arrijnë të bëjnë gjëra që as t’i merr mendja. Cilët janë faktorët që i nxitin njerëzit të bëjnë gjëra të tilla? Le të shohim disa nga faktorët e mundshëm që përmendin specialistët.

Prishja e jetës familjare

Një shkrimtar i Zgjohuni! pyeti Marjanito Panganibanin, zëdhënës të Byrosë Kombëtare të Hetimeve në Filipine, për formimin dhe prejardhjen shoqërore të atyre që kryejnë krime të tmerrshme. Ai tha: «Ata vijnë nga familje të prishura. U mungon kujdesi dhe dashuria. Forca morale e njerëzve po dobësohet, sepse ata nuk kanë asnjë drejtim dhe si pasojë marrin rrugë të shtrembër.» Shumë kërkues thonë se marrëdhëniet e dobëta familjare dhe dhuna në familje kanë qenë të zakonshme gjatë fëmijërisë së kriminelëve agresivë.

Qendra Kombëtare e Shteteve të Bashkuara për Analizën e Krimeve të Dhunshme botoi një raport. Ai përmbante një listë faktorësh, me anë të të cilëve mund të përcaktoheshin të rinjtë që kishte të ngjarë të kryenin akte të dhunshme vdekjeprurëse në shkollë. Në listë përfshiheshin edhe faktorët e mëposhtëm që lidhen me familjen: një marrëdhënie e trazuar prind-fëmijë, paaftësia e prindërve për të dalluar problemet e fëmijëve, mungesa e afrimitetit, fëmijë që lihen të bëjnë ç’të duan ose që u vihen fare pak kufij, si edhe prirja e disa fëmijëve për të qenë tepër të mbyllur në vetvete ndërkohë që bëjnë një jetë të dyfishtë dhe ua fshehin prindërve një pjesë të jetës së tyre.

Sot shumë fëmijë janë viktima të prishjes së familjes. Të tjerë kanë prindër që u kushtojnë pak kohë. Mijëra të rinj janë rritur pa udhëheqjen e duhur morale ose familjare. Disa specialistë mendojnë se si pasojë e rritjes në një mjedis të tillë, ka mundësi që fëmijët të mos e fitojnë dot aftësinë për t’u lidhur emocionalisht me të tjerët. Kjo e bën më të lehtë që ata të kryejnë krime kundër njerëzve që i rrethojnë, shpesh pa i brejtur fare ndërgjegjja.

Grupet dhe kultet që nxitin urrejtje

Dëshmitë tregojnë se disa grupe dhe kulte që nxitin urrejtje kanë pasur një ndikim të madh në kryerjen e disa krimeve. Në Indiana, SHBA, një zezak 19-vjeçar po kthehej në shtëpi pasi doli nga supermarketi. Disa çaste më vonë, gjendej i shtrirë buzë rrugës me një plumb në kokë. Ishte qëlluar me armë nga një i ri që e kishte zgjedhur rastësisht viktimën. Pse? Me sa duket, vrasësi donte të bëhej anëtar i një organizate, që mbështeste superioritetin e racës së bardhë, dhe të fitonte të drejtën për t’iu bërë tatuazhi me rrjetë merimange që i jepej atij që vriste një zezak.

Sulmi me gaz nervparalizues më 1995 në një metro të Tokios; vetëvrasjet masive në Xhonstaun, Guajana; dhe vdekja e 69 anëtarëve të Urdhrit të Tempullit Diellor në Zvicër, Kanada dhe në Francë, u frymëzuan të gjitha nga kultet. Këta shembuj ilustrojnë se sa i fuqishëm ka qenë ndikimi i grupeve të caktuara në arsyetimin e disa njerëzve. Udhëheqës që i bëjnë për vete njerëzit i kanë bindur ata të bëjnë gjëra «që s’t’i merr mendja», duke i joshur me disa të ashtuquajtura përfitime.

Mediat dhe dhuna

Disa nxjerrin në pah se mjete të ndryshme të komunikimit modern mund të nxitin sjelljen agresive. Thuhet se ekspozimi i shpeshtë ndaj dhunës që shfaqet në televizor, filma, videolojëra dhe në Internet e bën të pandjeshme ndërgjegjen dhe nxit kryerjen e krimeve të dhunshme. Dr. Daniel Borenshtajni, president i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, tha: «Në kohët tona, ka më se 1.000 studime të bazuara në më shumë se 30 vjet kërkime, të cilat tregojnë qartë se dhuna që shfaqet në media është një nga shkaqet e sjelljes agresive të disa fëmijëve.» Para një komiteti të Senatit të SHBA-së, dr. Borenshtajni tha: «Jemi të bindur se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zbavitjes së dhunshme, në cilëndo formë qoftë ajo, ka pasoja domethënëse në shëndetin publik.»​—Shih kutinë «Dhuna në lojërat me kompjuter: Pikëpamja e një mjeku.»

Për të treguar se kjo është e vërtetë, shpesh përmenden raste konkrete. Në rastin e vrasësit, i cili me gjakftohtësi vrau çiftin që po sodiste lindjen e diellit në plazh, siç u përmend në artikullin e mëparshëm, prokurorët paraqitën prova se vrasja për të provuar emocione të forta u frymëzua nga shikimi i shpeshtë i një filmi me dhunë. Edhe për rastin e një sulmi me armë në shkollë, ku u vranë 15 veta, thuhej se dy nxënësit që kryen krimin kishin kaluar orë të tëra çdo ditë duke luajtur me videolojëra me dhunë. Përveç kësaj, ata shihnin vazhdimisht filma që lartësonin dhunën dhe vrasjen.

Droga

Në Shtetet e Bashkuara, numri i vrasjeve të kryera nga adoleshentët u trefishua gjatë një periudhe tetëvjeçare. Cili është njëri prej faktorëve që përmendin autoritetet? Bandat, sidomos ato që merren me kokainën krak. Për më shumë se 500 vrasjet e kryera kohët e fundit në Los Anxhelos, Kaliforni, «policia tha se 75 për qind kishin lidhje me bandat».

Një raport i botuar nga Akademia e FBI-së bën këtë pohim: «Droga ka lidhje me një numër jashtëzakonisht të madh vrasjesh.» Disa njerëz, arsyeja e të cilëve është shtrembëruar nga përdorimi i drogës, vrasin kur janë nën efektin e saj. Të tjerë e mbrojnë trafikun e drogës duke përdorur dhunën. Duket qartë se droga është një faktor i rëndësishëm që i nxit njerëzit të kryejnë akte të llahtarshme.

Lehtësia për të gjetur armë shkatërrimtare

Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, një burrë i armatosur në Tasmani, Australi, i vetëm vrau 35 veta dhe plagosi 19 të tjerë. Ai kishte armë ushtarake gjysmëautomatike. Kjo bëri që shumë të nxirrnin përfundimin se lehtësia për të gjetur armë të tilla është një faktor tjetër për shtimin e krimeve të dhunshme.

Një raport tregon se në vitin 1995, në Japoni u kryen vetëm 32 vrasje me armë. Në shumicën e rasteve ishin vrasje mes gangsterësh. Kurse në Shtetet e Bashkuara ishin kryer më shumë se 15.000 vrasje me armë. Pse ky ndryshim? Disa kanë thënë se njëra prej arsyeve është se ligjet japoneze për armëmbajtjen janë shumë të rrepta.

Paaftësia për t’i bërë ballë jetës

Kur dëgjojnë për akte të tilla të urryera, disa mund të thonë: ‘Ky njeri duhet të jetë i çmendur!’ Por jo të gjithë individët që kryejnë krime të tilla janë të sëmurë mendërisht. Megjithatë shumë prej tyre e kanë të vështirë t’i bëjnë ballë jetës. Specialistët e drejtojnë vëmendjen te disa të meta të personalitetit, të cilat mund të çojnë në akte barbare. Ndër këto të meta janë edhe: vështirësitë për të mësuar dhe vështirësitë në marrëdhëniet shoqërore; pasojat negative të abuzimit fizik ose seksual; tiparet antishoqërore; urrejtja për një grup njerëzish, si për shembull për gratë; mungesa e brejtjes së ndërgjegjes kur gabojnë; dhe dëshira për t’i manipuluar të tjerët.

Pavarësisht nga problemi që kanë, disa mposhten prej tij deri në atë pikë, saqë të menduarit e tyre ndryshon, dhe kjo mund t‘i bëjë të kryejnë akte të çuditshme. Një shembull është ai i një infermiereje e cila dëshironte tmerrësisht të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve. Ajo u injektonte fëmijëve të vegjël një substancë që lëshon muskujt, i cili u ndalonte frymëmarrjen. Pastaj shijonte kënaqësinë e të qenët në qendër të vëmendjes kur «shpëtonte» fëmijët. Mjerisht nuk ishte në gjendje që t’ua rikthente frymëmarrjen të gjithëve. Atë e dënuan për vrasje.

Nga sa thamë më sipër duket qartë se ka një kombinim faktorësh që i bëjnë njerëzit të prirur për të kryer krime të dhunshme. Megjithatë lista jonë do të ishte e paplotë, nëse nuk do të shqyrtonim një faktor tjetër shumë të rëndësishëm.

Përgjigjja e Biblës

Bibla na ndihmon të kuptojmë atë që po ndodh sot dhe përse njerëzit arrijnë të kryejnë gjëra që janë jashtë çdo logjike. Ajo përshkruan me saktësi qëndrimet që vërejmë kaq shpesh. Për shembull, lista që gjejmë te 2 Timoteut 3:3, 4 thotë se njerëzit nuk do të kishin «përzemërsi të natyrshme» dhe se do të ishin «pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë» dhe «kokëkrisur». Në një libër tjetër biblik, tregohet se Jezui tha: «Dashuria e shumicës do të ftohet.»​—Mateu 24:12.

Bibla thotë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» (2 Timoteut 3:1) Po, ajo që shohim dëshmon se po jetojmë në fund të këtij sistemi. Kushtet si dhe qëndrimet e njerëzve kanë marrë teposhtën. A mund të presim një zgjidhje të menjëhershme? Bibla përgjigjet: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq.»​—2 Timoteut 3:13.

A do të thotë kjo se është e paracaktuar që njerëzimi të jetojë në një cikël të pafund dhune të egër dhe krimesh që shtohen gjithnjë e më shumë? Këtë pyetje le ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Kutia në faqen 6]

TË PARACAKTUAR PËR DHUNË?

Disa thonë se prirja për të qenë të dhunshëm ose për të vrarë ka qenë gjithmonë një veçori e trashëguar e natyrës njerëzore. Ata që mbështetin evolucionin pohojnë se ne vijmë nga kafshët e egra dhe thjesht kemi trashëguar tiparet e tyre të dhunshme. Sipas këtyre teorive, është e paracaktuar që ne të përsëritim pambarimisht një cikël dhune, nga i cili s’kemi shpresë të dalim.

Megjithatë ka shumë dëshmi që tregojnë të kundërtën. Teoritë që përmendëm më sipër nuk shpjegojnë dot se përse në kultura të ndryshme aktet e dhunshme ndryshojnë shumë, si për sa i përket numrit, ashtu edhe llojit të tyre. Ato nuk tregojnë se përse në disa kultura, me sa duket, është e zakonshme të përgjigjesh duke përdorur dhunën, ndërkohë që në kultura të tjera raportohen shumë pak akte dhune dhe pothuajse asnjë vrasje. Psikoanalisti Erik From tregoi të çarat e teorisë, sipas së cilës ne e trashëgojmë sjelljen agresive nga primatët. Ai nxori në pah se ndonëse disa nga primatët janë të dhunshëm për shkak të nevojave fizike ose për vetëmbrojtje, vetëm te njerëzit është parë t’i vrasin të tjerët thjesht për të provuar emocione të forta.

Në librin e tyre The Will to Kill​—Making Sense of Senseless Murder (Dëshira për të vrarë: Të kuptojmë vrasjen e pakuptimtë), profesorët Xhejms Alan Foksi dhe Xhek Levini thonë: «Ndonëse disa njerëz janë më të prirur sesa të tjerët për të qenë të dhunshëm, përsëri ata kanë mundësi të zgjedhin. Megjithëse te dëshira për të vrarë ndikojnë shumë nxitje të brendshme dhe të jashtme, ajo përfshin zgjedhjen dhe vendimin e individit, dhe si pasojë edhe përgjegjësinë dhe fajësinë.»

[Kutia dhe figura në faqen 7]

DHUNA NË LOJËRAT ME KOMPJUTER​—PIKËPAMJA E NJË MJEKU

Dr. Riçard F. Korlini, ish-president i Shoqatës së Mjekëve Amerikanë, mbajti një fjalim para një grupi studentësh që po diplomoheshin për mjekësi në Filadelfia, Pensilvani, SHBA. Në fjalim ai foli për ato lojëra me kompjuter, të cilat nxitin dhunën. Në disa prej këtyre lojërave, kur shkakton një plagosje të lehtë fiton pikë, kur e qëllon objektivin në trup fiton më shumë pikë dhe po e qëllove në kokë edhe më shumë. Në ekran shfaqen currila gjaku që shpërthejnë dhe copa truri që shpërndahen gjithandej.

Dr. Korlini tha se nuk lejohet që fëmijët të ngasin makinën, të pinë pije alkoolike dhe të pinë duhan kur janë shumë të vegjël. Më tej tha: «Por ama, ne i lejojmë ata të mësojnë të qëllojnë me armë në një moshë kur ende nuk dinë t’i kontrollojnë impulset e tyre dhe nuk kanë as pjekurinë dhe as vetëkontrollin për t’i përdorur armët me të cilat luajnë pa rrezikuar. . . . Është e nevojshme t’u mësojmë që në fillim fëmijëve tanë se dhuna [ka] gjithmonë pasoja, madje pasoja të rënda.»

Mjerisht, në vend që fëmijëve t’u mësohet se krimi ka pasoja, shpesh ata e provojnë në kurrizin e tyre këtë gjë, duke u bërë viktima të pafajshme të krimeve të dhunshme. Statistikat tregojnë se në Shtetet e Bashkuara nga të shtënat me armë vriten dhjetë fëmijë në ditë. Dr. Korlini thotë: «Shtetet e Bashkuara zënë vendin e parë në botë për sa i përket numrit të fëmijëve që vdesin nga të shtënat me armë.» Çfarë përfundimi nxori ai? «Dhuna me armë përbën një kërcënim për shëndetin e njerëzve në vendin tonë. Ky është fakt.»

[Kutia në faqen 9]

FAKTORË QË NXITIN KRIMET E DHUNSHME

Shumë specialistë mendojnë se faktorët e mëposhtëm mund të ndikojnë në kryerjen e krimeve të pakuptimta:

Prishja e familjes

Grupet që nxitin urrejtje, ekstremistët

Kultet e rrezikshme

Dhuna që shfaqet në format e zbavitjes

Ekspozimi ndaj dhunës në jetën e përditshme

Abuzimi me drogën

Paaftësia për t’u bërë ballë problemeve

Lehtësia për të gjetur armë shkatërruese

Disa sëmundje mendore

[Figura në faqen 8]

Një nga pesë shpërthimet e bombave që la të paktën 12 të vrarë dhe më shumë se 80 të plagosur në Keson-Siti të Filipineve

[Burimi]

AP Photo/Aaron Favila 30 dhjetor 2000

[Figura në faqen 8]

Dy nxënës në shkollën e mesme «Kolumbin» të Kolorados, SHBA, vrasin një mësues, 12 nxënës dhe në fund edhe veten

[Burimi]

AP Photo/Jefferson County Sheriff’s Department 20 prill 1999

[Figura në faqet 8, 9]

Një autobombë vret të paktën 182 veta dhe plagos 132 të tjerë në një klub nate në Bali, Indonezi

[Burimi]

Maldonado Roberto/GAMMA 12 tetor 2002