Barcelona: Një muze në natyrë plot ngjyra dhe stil
Barcelona: Një muze në natyrë plot ngjyra dhe stil
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
PËRFYTYRONI për një çast sikur po ecni në sallën e madhe të një galerie artesh. Aty janë ekspozuar vepra arti të panumërta që të bëjnë për vete dhe të nxitin imagjinatën. Ngado që të hedhësh vështrimin, sytë të mbeten në një shumëllojshmëri të pafund modelesh, formash dhe ngjyrash fantastike që të lënë gojëhapur. Por ky koleksion mahnitës me vepra arti nuk gjendet brenda një ndërtese ose pallati. Ky muze në natyrë me përmasa tejet të mëdha është pikërisht qyteti i Barcelonës, dhe në veçanti Kuadhrat d’Or * (Sheshi i Artë). Veprat e artit nuk janë piktura ose statuja por janë vetë ndërtesat. Ato shpalosin para vizitorit një larmi të jashtëzakonshme stilesh dhe zbukurimesh.
Barcelona ndodhet në verilindje të bregdetit spanjoll që laget nga ujërat e Mesdheut dhe vetëm njëqind e gjashtëdhjetë kilometra në jug të kufirit francez. Ka shumë të ngjarë që ndër të gjitha qytetet spanjolle ajo të ketë më shumë gjëra të përbashkëta me qytetet e Evropës Qendrore. Gjatë njëqind vjetëve të kaluar, ajo është bërë sinonim i risisë arkitekturore dhe i stilit artistik.
Pavarësisht nga pushtimet e herëpashershme të romakëve, visigotëve, maurëve dhe frankëve, Barcelona u bë një qendër tregtare. Në shekullin e 14-të ajo ishte bërë qyteti industrial dhe porti mesdhetar më i rëndësishëm i Spanjës. Ndërtesat dhe katedralja e stilit gotik, të cilat sot zënë një pozicion të spikatur, pikërisht në zemër të qytetit, datojnë që prej këtij shekulli. Madhështia e arkitekturës gotike (1), e cila përdorte teknika ndërtimi të përparuara dhe të ndërlikuara, është dëshmi e pasurisë dhe e begatisë së Barcelonës së atëhershme.
Në shekullin e 16-të Spanja e ktheu vëmendjen drejt Perëndimit, meqë tregtia me kolonitë ishte më fitimprurëse. Por me fillimin e revolucionit industrial të shekullit të 19-të, Barcelona u bë kryeqyteti i industrisë tekstile në Spanjë dhe kështu qyteti nisi të begatohej sërish.
Vjen në jetë një qytet i ri
Përveç pasurisë, zgjerimi i shpejtë i kufijve në shekullin e 19-të i solli qytetit edhe probleme. Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, popullsia e Barcelonës pati një rritje të vrullshme. Por, plani urbanistik i qytetit kishte mbetur po ai. Diçka duhej bërë për të zgjidhur problemin e mbipopullimit. Detyra për hartimin e planit të urbanizimit të zonës përreth dhe të zgjerimit të qytetit iu caktua inxhinierit Ildafons Sarda.
Plani i përgatitur nga Sarda në vitin 1859, quhej L’ajshampla ose zgjerimi, dhe ky është emri që mban sot kjo zonë në qendër të qytetit. Sipas planit të Sardës, rrugët me tri korsi dhe blloqet në formë katrori me ndërtesa, të sistemuara në simetri gati të përsosur, do të formonin një si rrjetë. Po lindte një Barcelonë e re, madhështore dhe më e pastër.
Shumë shpejt qyteti nisi të zgjerohej sipas planit të Sardës. Çdo bllok ndërtesash ishte projektuar në një mënyrë karakteristike, duke i dhënë mundësi vizitorit të ditëve tona të soditë ndërtime arkitekturore plot hijeshi, të shumëllojshme e të bukura. Pjesë të planit ishin edhe shëtitoret dhe bulevardet e ndërtuara me një stil tërheqës. Robert Hjuzi, në librin e tij Barcelona, e konsideron L’ajshamplanë ‘një nga zonat urbane më interesante në Evropë për shkak të arkitekturës së saj’.
Mirëqenia në rritje e Barcelonës bëri që ajo të ishte qyteti mikpritës për Ekspozitën Ndërkombëtare të vitit 1888. Ark de Triomf (2) (Harku i Triumfit) që ndodhet pranë qendrës së qytetit, u ndërtua në përkujtim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Por ky monument i veçantë dëshmon edhe për fillimin e një lëvizjeje artistike që e ka bërë Barcelonën një qytet të pashoq midis gjithë qyteteve të botës.
Një art i ri për t’i dhënë më shumë ngjyra qytetit
Në fillim të shekullit të 20-të, Art Nuvo, një stil i artit dekorativ i frymëzuar nga format që gjenden në natyrë, filloi të lulëzonte anembanë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. * Barcelona kishte para për të investuar, një plan urbanistik, i cili po priste që ndërtesat të zbukuronin qytetin, dhe arkitektë novatorë që mezi pritnin të provonin një përvojë të re. Në këtë mënyrë, Art Nuvo i dha qytetit pamjen e tij të pashoqe. Antoni Gaudi (1852-1926) ishte figura më e spikatur e këtij stili të ri arti dhe vepra e tij ka lënë gjurmë të thella në pamjen e qytetit të Barcelonës.
Në Barcelonë gjenden shumica e veprave më të arrira të Gaudit, disa prej të cilave janë pjesë e Trashëgimisë Botërore. Një shembull tipik është Kaza Mila (3) ose La Pedhrera që ndodhet në Paseç-da-Grasia afër qendrës së qytetit. Brenda këtij ndërtimi nuk mund të gjesh asnjë mur të drejtë. Fasada e valëzuar duket
sikur është gdhendur në shkëmbinj ranorë. Nga jashtë, ndërtesën e zbukurojnë parmakët me hekur të farkëtuar që i ngjajnë tufave me gjethe dhe driza. Nga brenda, tavanet e harkuara dhe kolonat marrin çdo formë të përfytyrueshme.Një shembull tjetër i shkëlqyer i gjenialitetit të Gaudit është Kaza Batljo (4); edhe kjo ndodhet në Paseç-da-Grasia. Nga viti 1904 e deri më 1906, Gaudi rimodeloi një ndërtesë që i përkiste Juzep-Batljo i-Kazanovas, një industrialisti të pasur. Arkitekti krijoi një shtëpi që duket si një botë çudirash. Çatia me valë ngjan me shpinën e një dinosauri dhe tjegullat janë si luspat e peshkut. Duhet ta shohësh pa të besosh që një ndërtesë e tillë s’është vetëm fantazi.
Kryevepra e papërfunduar e Gaudit, kisha Sagradha Familja (5), ndoshta është shembulli më i mirë që flet për origjinalitetin e tij. Majat e katër kullave në fasadën veriore duken si valëzime parafine që ka rrjedhur e ka ngrirë anash katër shandanëve viganë. Duke bërë që ndërtesat përreth të duken si xhuxhë, këto kulla që shpojnë qiellin janë bërë simbol ndërkombëtar i Barcelonës.
Po kaq mbresëlënës është edhe Parku Uel (6), një park që është vepër e Gaudit. Ai ndodhet në një kodër në perëndim të qytetit. Skulptura dhe kolona me formë të përdredhur, mozaikë shumëngjyrësh dhe ndërtesa e oxhakë të jashtëzakonshëm bëjnë kontrast me kopshtet e bukura përreth. Një kombinim i këndshëm ku shkrihen format dhe ngjyrat është edhe Palau de la Muzika Katalana (7) (Pallati i Muzikës) i projektuar nga bashkëkohësi i Gaudit, Dumenak i-Muntane.
Midis maleve dhe detit
Vendndodhja e Barcelonës, si edhe trashëgimia e saj arkitekturore i japin qytetit një atmosferë të veçantë. Malet Koielserola e rrethojnë qytetin në perëndim, kurse deti Mesdhe është kufiri
lindor i tij. Pikërisht deti është ai që ka ndikuar shumë që Barcelona të begatohej, meqë ishte porti tregtar kryesor i Spanjës. Nuk është për t’u habitur që pranë portit gjendet një statujë e Kristofor Kolombit (8) e cila tregon për nga deti.Gjithashtu mbrojtja që sigurojnë deti dhe malet bën që klima e qytetit të jetë e butë, dhe kjo favorizon aktivitetet në natyrë. Gjatë gjithë vitit, që herët në mëngjes e deri natën vonë, rrugët e qytetit janë plot njerëz. Pothuajse në çdo cep rruge gjenden kafene dhe restorante. Këto vende i tundojnë kalimtarët me aromën e kafesë së sapobluar ose me kuzhinën tradicionale. Në tregjet e ushqimeve, siç është Bokeria e famshme, që ndodhet në shëtitoren La Rambla, me pemë anash, shiten thuajse çdo lloj frutash, perimesh ose peshqish që mund të të shkojnë nëpër mend.
Gjithsesi, vizita në Barcelonë s’mund të quhet kurrë e përfunduar nëse nuk shkon në Monxhuik, një kodër e pjerrët pranë detit. Ajo u ofron vizitorëve muze, galeri artesh dhe pamje përrallore nga qyteti dhe deti Mesdhe. Në Monxhuik ndodhen edhe ndërtesat kryesore që u përdorën për Lojërat Olimpike të vitit 1992. Dëshmitarët e Jehovait po përgatiten të vijnë në Barcelonë për një kongres ndërkombëtar që do të mbahet nga 31 korriku deri më 3 gusht. Për të siguruar vende për të gjithë delegatët e këtij kongresi do të duhet stadiumi tejet i madh i futbollit Kamp Nou.
Ndonëse Barcelona ka problemet e saj, ashtu si shumica e qyteteve të mëdha, zakonisht vizitorët kënaqen me atmosferën e saj mesdhetare. Me tezgat me lule dhe kafenetë e La Ramblës, me rrugët e ngushta dhe madhështinë e lashtë të Lagjes Gotike ose me arkitekturën mahnitëse të qytetit, Barcelona krijon në natyrë një muze ngjyrash dhe stilesh që zor se të shlyhet nga kujtesa.
[Shënimet]
^ par. 3 Ky emër vjen nga katalanishtja, gjuha zyrtare e Barcelonës dhe e Katalonjës, rajonit përreth. Është gjuhë me prejardhje latine dhe ngjason me spanjishten dhe frëngjishten. Shumica e njerëzve në këtë qytet flasin edhe spanjisht edhe katalanisht.
^ par. 13 Ky stil arti në Spanjë njihet si Modhernismo.
[Harta në faqen 14]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Barcelona
Madridi
Sevilja
[Figura në faqen 16]
Ventilatorët dhe oxhaqet e Kaza Milasë
[Burimi]
Godo-Foto
[Burimi i figurës në faqen 15]
Fotografitë sipër: Godo-Foto
[Burimet e figurave në faqen 17]
Sandra Baker/Index Stock Photography
Godo-Foto