Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Terrorizmi Jam 15 vjeçe dhe ju falënderoj për serinë e artikujve në numrin e Nëntorit 2002 «Lutjet për paqe: A mund ta ndalin terrorizmin?» Kam një ndjenjë ankthi që nga 11 shtatori i 2001-it, kur sulmuan Qendrën Tregtare Botërore. Duket si një ëndërr e keqe. Mezi pres ditën kur Jezui, Princi i Paqes, të na mbrojë të gjithëve. Kjo gjë është burim ngushëllimi.
A. M., Shtetet e Bashkuara
Zepelinët Artikulli «Zepelinët: Gjigantët e jashtëzakonshëm të qiellit», në numrin e Nëntorit 2002, vërtet më la mbresa, sepse më solli ndër mend fëmijërinë. Vitet e shkollës i kalova në bregdetin lindor të Anglisë. Një ditë, kur isha dhjetë vjeç, hodha sytë nga dritarja dhe pashë një nga këta aerostatë të mëdhenj që ngadalë po kalonte sipër. E gjithë klasa vrapoi jashtë në oborrin e shkollës për të parë këtë pamje që të linte pa fjalë. Ishte një ngjarje që nuk e kam harruar kurrë dhe artikulli juaj ma kujtoi sërish.
R. U., Angli
Babai im ishte pilot në një nga aerostatët jo të ngurtë, një nga më të mëdhenjtë që është ndërtuar ndonjëherë. Edhe unë kam fluturuar dy herë me një aerostat të tillë dhe gjithmonë më ka interesuar historia e dirizhabëlve. U kënaqa kur pashë se i kishit përkufizuar saktë fjalët «aerostat jo i ngurtë», «zepelin» dhe «dirizhabël», sepse këto fjalë ngatërrohen shpesh.
R. P., Shtetet e Bashkuara
Pinguinët Burri nuk i lejoi djemtë tanë që të studionin Biblën. Si pasojë, ata nuk interesohen për Biblën. Por falë artikujve tuaj që kanë informacione të dobishme, unë mund të bëj ende diçka për t’i mësuar nga ana frymore. Zgjedh artikuj që nuk e përmendin në mënyrë specifike Biblën ose Perëndinë, por që mund të jenë interesantë për djemtë e mi. Për shembull, fotokopjova artikullin «Ja tek po vijnë pinguinët e vegjël në paradë!» (Nëntor 2002) dhe e vura në një dosje të vogël që kam bërë për ta dhe që ka titullin «Mrekullitë e natyrës». Lutem që Jehovai t’i shpërblejë përpjekjet e mia për t’i fituar njerëzit e mi të dashur.
Zh. G., Francë
Telefonat celularë Artikulli «Të rinjtë pyesin . . . A më nevojitet një telefon celular?» (Nëntor 2002) më ndihmoi shumë. Para se ta lexoja, nuk flija dot pa iu përgjigjur mesazheve. Por ju më ndihmuat që të kuptoja anët e mira dhe të këqija të këtij mjeti.
K. A., Filipine
Shumica e fëmijëve në shkollën time kanë celularë, kështu që mendoja se edhe unë duhet ta kisha. Tani që kam lexuar artikullin do ta llogaris patjetër se sa harxhon dhe do të shoh nëse vërtet mund ta përdor me mençuri. Mendoj se Jehovai bëri të dilte ky artikull për mua.
M. F., Japoni
E përdorja telefonin për të shkëmbyer mesazhe në postën elektronike me një djalë. Flitnim për gjëra personale, dhe isha e lumtur që kisha dikë të cilit t’i hapesha. Pas njëfarë kohe, ai nuk më dërgoi më mesazhe dhe kjo më acaroi. Por artikulli më ndihmoi të kuptoja se shkëmbimi i mesazheve nëpërmjet postës elektronike mund të jetë një formë shoqërimi me dikë të seksit tjetër. Dhe ma merr mendja se edhe ai e kuptoi këtë. Tani adresën time në postën elektronike ua jap vetëm atyre njerëzve që vërtet duhet ta dinë.
Y. M., Japoni
Adoleshentë me depresion Jam 17 vjeç dhe revistat tuaja më pëlqejnë vërtet shumë. Një herë, kur isha në spital, pashë një tufë revistash Zgjohuni! në një tavolinë të vogël në korridor. Mësova se Perëndia i Plotfuqishëm ka një emër, Jehova. Më pëlqyen sidomos artikujt «Ndihmë për adoleshentët me depresion». (Shtator 2001) Më vlejtën shumë dhe më ndihmuan të kaloja problemet, pasi në atë kohë vuaja nga depresioni. Faleminderit për këto revista fantastike dhe informative. Jam i kënaqur që ka njerëz si ju.
Xh. Z., Rusi