Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sfida e mjekimit

Sfida e mjekimit

Sfida e mjekimit

«Nuk ka diabet që të mos jetë i keq. Çdo lloj diabeti është i rëndë.»​—Ana Deli, nga Shoqata Amerikane e Diabetit.

«NGA analizat e gjakut kanë dalë disa çrregullime serioze. Ke nevojë për kujdes mjekësor të menjëhershëm.» Fjalët e mjekes i ranë si çekan në kokë Deborës. «Atë natë s’pushoja së menduari se duhej të kishin bërë ndonjë gabim në laborator,​—thotë ajo.—​I mbushja mendjen vetes se s’mund të isha e sëmurë.»

Si shumë të tjerë, Debora mendonte se kishte shëndet mjaft të mirë, prandaj nuk u kishte dhënë rëndësi simptomave shqetësuese që kishte vazhdimisht. Për etjen e vazhdueshme që kishte ia vinte fajin barnave antihistaminike që po merrte. Urinimin e shpeshtë e mendonte si pasojë të ujit të tepërt që pinte. Sa për lodhjen, eh, cila nënë që punon nuk sfilitet?

Por analizat e gjakut më vonë vërtetuan se shkaku i të gjitha këtyre ishte diabeti. Debora e kishte të vështirë ta pranonte këtë diagnozë. «S’i tregova njeriu për sëmundjen time,​—thotë ajo.—​Natën, kur e gjithë familja flinte, rrija zgjuar në errësirë dhe qaja.» Kur marrin vesh se janë me diabet, disa njerëzve, ashtu si Debora, u vërshojnë ndjenja nga më të ndryshmet, përfshirë depresionin e madje edhe zemërimin. «Kalova një periudhë që vetëm qaja dhe nuk doja ta pranoja këtë sëmundje»,​—thotë Kareni.

Këto janë reagime normale ndaj kësaj goditjeje të menjëhershme që duket e padrejtë. Megjithatë, nëse ndihmohen, ata që janë me diabet mund të mësojnë të përshtaten. «Infermierja ime më ndihmoi që të pranoja gjendjen në të cilën isha,​—thotë Kareni.—​Ajo më qetësoi duke më thënë se ishte normale të qaja. Kjo mënyrë për të shprehur ndjenjat më ndihmoi që të përshtatesha me rrethanën.»

Pse është e rëndë si sëmundje?

Diabeti është quajtur «një çrregullim i motorit të jetës», dhe kjo me arsye të vlefshme. Kur trupi nuk e metabolizon dot glukozën, mund të ndërpriten disa procese jetësore, e kjo nganjëherë mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. «Njerëzit nuk vdesin drejtpërdrejt nga diabeti,​—thotë dr. Harvej Katzefi,—​por vdesin nga ndërlikimet që sjell ai. Ne jemi shumë të kualifikuar për të parandaluar ndërlikimet, por jo aq të aftë për t’i trajtuar [ato] kur ndodhin.» *

A ka shpresë për ata që vuajnë nga diabeti? Po, ka, nëse e kuptojnë seriozitetin e sëmundjes dhe i nënshtrohen një programi mjekimi. *

Dieta dhe ushtrimet fizike

Edhe pse diabeti i tipit 1 nuk mund të parandalohet, shkencëtarët po studiojnë cilët janë faktorët gjenetikë që paraqesin rrezik dhe po përpiqen të gjejnë mënyra për të penguar sulmin që bën sistemi imunitar. (Shih kutinë «Roli i glukozës» në faqen 8.) «Për diabetin e tipit 2, gjendja është shumë më shpresëdhënëse,​—thuhet në librin Diabetes​—Caring for Your Emotions as Well as Your Health (Diabeti: të kujdesesh edhe për ndjenjat, jo vetëm për shëndetin).—​Te shumë njerëz që mund të jenë të prirur gjenetikisht nuk shfaqen shenja të sëmundjes, sepse ata kanë një dietë të ekuilibruar në të ngrënë dhe bëjnë ushtrime rregullisht, pra, arrijnë të qëndrojnë të shëndetshëm fizikisht dhe e mbajnë peshën brenda kufijve normalë.» *

Duke theksuar vlerën që kanë ushtrimet fizike, një revistë, Journal of the American Medical Association, raportonte për një studim në shkallë të gjerë që kishte të bënte me gratë. Gjatë studimit u zbulua se «edhe vetëm një periudhë e shkurtër me veprimtari fizike e rrit për më shumë se 24 orë aftësinë e thithjes [nga qelizat e trupit] së glukozës që qarkullon me ndihmën e insulinës». Prandaj, në raport nxirrej përfundimi se «ecja dhe veprimtaritë që kërkojnë energji lidhen me pakësimin domethënës të rrezikut të diabetit të tipit 2 te gratë». Kërkuesit sugjeronin të paktën 30 minuta veprimtari fizike mesatare në shumicën e ditëve ose edhe çdo ditë të javës. Kjo mund të përfshijë edhe diçka të thjeshtë si ecja, e cila, sipas American Diabetes Association Complete Guide to Diabetes, «ndoshta është ushtrimi fizik më i mirë, më i sigurt dhe që do më pak shpenzime».

Megjithatë, ushtrimet fizike që bëjnë të sëmurët me diabet duhen mbikëqyrur nga ndonjë mjek. Një arsye është se diabeti mund të dëmtojë enët e gjakut dhe nervat, duke ndikuar kështu në qarkullimin e gjakut dhe në shqisën e të prekurit. Prandaj, një e çarë e vogël në këmbë mund të kalohet pa u vënë re, të infektohet dhe të kthehet në ulcerë. Kjo është e rrezikshme, sepse mund të çojë në prerjen e këmbës, po të mos mjekohet menjëherë. *

Gjithsesi, një regjim ushtrimesh fizike mund ta ndihmojë një njeri që ta kontrollojë diabetin. «Sa më shumë që i studiojnë kërkuesit dobitë e ushtrimeve të rregullta fizike, aq më shumë dobi gjejnë»,—thotë ADA Complete Guide.

Mjekimi me insulinë

Shumë të sëmurë me diabet duhet t’i shtojnë dietës dhe ushtrimeve fizike edhe provat e përditshme të nivelit të glukozës, si edhe injeksionet e shpeshta të insulinës. Disa të sëmurë me diabet të tipit 2, ngaqë u përmirësohet shëndeti me anë të dietës dhe të një programi të mirë ushtrimesh, kanë pasur mundësi, të paktën për ca kohë, ta ndërpresin mjekimin me insulinë. * Kareni, e cila ka diabetin e tipit 1, vuri re se ushtrimet fizike e rritin efektshmërinë e insulinës që merr ajo me anë të injeksioneve. Për pasojë, ka pasur mundësi ta pakësojë me 20 për qind sasinë e insulinës që duhet të marrë çdo ditë.

Gjithsesi, edhe po qe se i duhet të marrë insulinë, i sëmuri s’ka pse të ndihet i shkurajuar. «Të fillosh të marrësh insulinë nuk do të thotë që e ke humbur betejën,​—thotë Meri-Eni, infermiere e kualifikuar që kujdeset për disa pacientë me diabet.—​Çfarëdo tipi diabeti të kesh, po ta mbash me kujdes nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, do t’i zvogëlosh problemet e tjera shëndetësore më vonë.» Pikërisht, një studim i bërë kohët e fundit zbuloi se të sëmurët me diabet të tipit 1 që e mbanin rreptësisht nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, «kishin ulje të ndjeshme të shfaqjes së sëmundjeve të lidhura me diabetin, si sëmundjeve të syve, të veshkave dhe të nervave». Rreziku i sëmundjeve të syve (retinopatia), për shembull, u ul me 76 për qind. Të sëmurët me diabet të tipit 2 që e mbajnë nën kontroll të rreptë nivelin e sheqerit në gjak kanë dobi të ngjashme.

Për ta bërë më të lehtë e sa më pak të bezdisshëm mjekimin me insulinë, shiringat dhe stilolapsat e insulinës (mjetet më të zakonshme që përdoren) kanë age të holla fare që shkaktojnë shumë pak bezdi. «Normalisht më i keqi është injeksioni i parë,​—thotë Meri-Eni.—​Pas tij, shumica e pacientëve thonë se nuk ndiejnë pothuajse asgjë.» Metoda të tjera injektimi janë injektuesit automatikë që e ngulin agen në lëkurë pa dhembje; injektuesit me presion, që drejtpërdrejt e injektojnë insulinën nën lëkurë me anë të një currili të hollë që hidhet me presion, si edhe infuzorët, ku përdoret një kateter që qëndron në vend për dy-tri ditë. Pompa e insulinës, që ka pothuajse përmasat e një biperi, ka hyrë shumë në përdorim vitet e fundit. Ky aparat i programueshëm e injekton insulinën nëpërmjet një kateteri me ritëm të vazhdueshëm, në bazë të nevojave të përditshme të trupit, duke e bërë injektimin e insulinës më të saktë e më të rehatshëm.

Vazhdoni të mësoni

Pas gjithë këtyre që kemi shqyrtuar, është e qartë se për diabetin nuk ka një mjekim që të përfshijë të gjitha rastet. Kur bëhet fjalë për mjekimin, secili individ duhet të marrë parasysh disa faktorë e të marrë një vendim personal. «Edhe pse mund të jesh nën kujdesin e një ekipi mjekësor,​—thotë Meri-Eni,—​je ti në vendin e shoferit.» Prandaj, revista Diabetes Care thotë: «Pa arsimimin e vazhdueshëm se si të kujdesen për veten të sëmurët, mjekimi i diabetit nga specialistët mund të quhet mjekim pa cilësi e që bie ndesh me etikën profesionale.»

Sa më shumë që të mësojnë të sëmurët me diabet për sëmundjen, aq më të pajisur do të jenë që të mbajnë nën kontroll shëndetin e tyre dhe të rritin mundësitë për të pasur një jetë më të gjatë e më të shëndetshme. Mirëpo, arsimimi i efektshëm kërkon durim. Libri Diabeti: të kujdesesh edhe për ndjenjat, jo vetëm për shëndetin, shpjegon: «Po të përpiqesh t’i mësosh të gjitha njëherësh, ka mundësi të ngatërrohesh dhe të mos e përdorësh mirë informacionin. Veç kësaj, një pjesë e mirë e informacioneve më me vlerë që duhet të mësosh nuk gjenden nëpër libra ose broshura. Ai ka të bëjë me . . . ndryshimin e nivelit të sheqerit në gjakun tënd sipas ndryshimit të rutinës. Këtë mund ta mësosh vetëm me kalimin e kohës, duke bërë eksperimentime.»

Për shembull, duke vëzhguar me kujdes do të mësosh se si reagon trupi yt ndaj stresit, reagim që mund ta shtojë menjëherë nivelin e sheqerit në gjak. «Kam 50 vjet që jetoj me këtë trup të sëmurë me diabet,​—thotë Keni,—​dhe e di çfarë më thotë.» Kenit i ka bërë mirë ta ‘dëgjojë’ trupin e tij, sepse ende punon në kohë të plotë, ndonëse i ka kaluar të 70-at!

Mbështetja e familjes është e rëndësishme

Një gjë që nuk duhet anashkaluar në mjekimin e diabetit është mbështetja e familjes. Madje, një vepër referimi thotë se «cilësia e jetesës në familje është mbase faktori i vetëm më i rëndësishëm» në kontrollimin e diabetit te fëmijët dhe te të rriturit në moshë të re.

Është e dobishme që familjarët të mësojnë për diabetin, edhe duke e shoqëruar me radhë të sëmurin te mjeku. Njohuria do t’i ndihmojë familjarët që ta mbështetin të sëmurin, të kuptojnë simptomat e rëndësishme dhe të dinë si të reagojnë. Tedi, gruaja e të cilit ka pasur diabetin e tipit 1 që në moshën katërvjeçare, thotë: «Arrij ta kuptoj kur Barbarës i ulet tepër niveli i sheqerit. Ajo është duke biseduar dhe papritur bëhet e heshtur. Djersit shumë dhe zemërohet pa shkak. Kurse reflekset i ngadalësohen.»

Po ashtu, kur Katerina, e shoqja e Kenit, vëren se ai zbehet, e mbulojnë djersë të ftohta dhe sheh se i ndryshon humori, i thotë një problem të thjeshtë aritmetike. Përgjigjja e ngatërruar e Kenit i tregon Katerinës se është koha që ajo të marrë përsipër përgjegjësinë për të marrë vendime dhe të veprojë shpejt për ta rregulluar gjendjen. Keni dhe Barbara, që të dy, e vlerësojnë thellësisht që bashkëshortët e tyre janë të informuar, dhe i duan e u besojnë plotësisht atyre. *

Familjarët e dashur duhet të përpiqen të jenë mbështetës, mirëdashës dhe të duruar, pasi këto janë cilësi që mund ta ndihmojnë një të sëmurë t’i përballojë sfidat e jetës dhe madje mund të ndikojnë për mirë në sëmundjen e tyre. I shoqi i Karenit e siguroi atë për dashurinë e tij, dhe kjo ishte shumë e dobishme. Kareni tregon: «Nigeli më tha: ‘Njerëzit kanë nevojë të marrin ushqim dhe ujë që të jetojnë, po ashtu siç ke ti nevojë për ushqim e për ujë, dhe për një dozë të vogël insuline.’ Këto fjalë të përzemërta, por praktike, ishin tamam ato që më duheshin.»

Familjarët dhe miqtë duhet të kuptojnë edhe se me ndryshimin e nivelit të sheqerit në gjak, diabeti mund të ndikojë në humorin e një personi. «Kur kam ndjenja dëshpërimi si pasojë e ndryshimit të nivelit të sheqerit,​—thotë një grua,—​bëhem shumë e heshtur, e zymtë, mërzitem shpejt dhe acarohem. Pastaj ndihem shumë keq që sillem në mënyrë kaq fëmijërore. Por është një ndihmë kur e di se të tjerët e kuptojnë cila është arsyeja për këto ndjenja, të cilat përpiqem t’i kontrolloj.»

Diabeti mund të përballohet me sukses, sidomos nëse i sëmuri ka edhe bashkëpunimin e miqve dhe të familjarëve. Por edhe parimet biblike mund të ndihmojnë. Në ç’mënyrë?

[Shënimet]

^ par. 8 Ndërlikimet përfshijnë: sëmundjet e zemrës, apopleksinë, funksionimin e keq të veshkave, sëmundje të arterieve periferike dhe dëmtime të nervave. Furnizimi i pamjaftueshëm me gjak i këmbëve mund të çojë në ulcera, të cilat në raste të rënda kërkojnë prerjen e gjymtyrës së prekur. Diabeti është gjithashtu shkaku më i shpeshtë i verbimit ndër të rriturit.

^ par. 9 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë terapi të veçantë. Ata që dyshojnë se janë me diabet duhet të konsultohen me një mjek që ka përvojë në parandalimin dhe kurimin e sëmundjes.

^ par. 11 Dhjami i tepërt në mesin e trupit (trupi në formë molle) duket se përbën më shumë rrezik se dhjami i vendosur në ije (trupi në formë dardhe).

^ par. 13 Ata që pinë duhan rrezikojnë edhe më shumë, sepse ky ves ua dëmton zemrën dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, si dhe ua ngushton enët e gjakut. Sipas një libri, 95 për qind e rasteve kur për shkak të diabetit duhet prerë këmba ndodhin te njerëz që pinë duhan.

^ par. 16 Disa nga këta njerëz i ka ndihmuar mjekimi nga goja. Ky mjekim përfshin ilaçe që nxitin pankreasin të çlirojë më shumë insulinë; ilaçe të tjera që ngadalësojnë rritjen e sheqerit në gjak; ose të tjera ilaçe që ulin rezistencën ndaj insulinës. (Mjekimi nga goja nuk u rekomandohet në përgjithësi të sëmurëve me diabet të tipit 1.) Sot për sot, insulina nuk mund të merret nga goja, sepse gjatë tretjes kjo proteinë shpërbëhet para se të futet në qarkullimin e gjakut. As terapia me insulinë, as mjekimi nga goja nuk e heqin nevojën për të bërë ushtrime fizike dhe për të pasur një dietë të ekuilibruar në të ngrënë.

^ par. 26 Autoritetet mjekësore sugjerojnë që të sëmurët me diabet të kenë gjithnjë me vete një kartë identifikimi dhe të mbajnë një zinxhir ose byzylyk identifikues. Në situata kritike, këto mund t’u shpëtojnë jetën. Për shembull, një reagim që vjen si pasojë e nivelit të ulët të sheqerit mund të keqintepretohet si ndonjë sëmundje tjetër ose edhe si një problem me alkoolin.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

A shfaqet edhe te të rinjtë?

Diabeti «po bëhet një sëmundje e të rinjve»,—thotë dr. Artur Rubinstajni, shef i endokrinologjisë dhe dekan në Shkollën e Mjekësisë Mount Sinai të Nju-Jorkut. Dhe vërtet mosha mesatare e shfaqjes së diabetit po ulet. «Dhjetë vjet më parë u mësonim studentëve të mjekësisë se kjo sëmundje nuk shfaqet te njerëzit para moshës 40-vjeçare,​—thotë specialistja e diabetit dr. Robin S. Golandi, duke folur për diabetin e tipit 2.—​Tani po e shohim të shfaqet te njerëzit nën moshën 10-vjeçare.»

Pse kjo rritje e shfaqjes së diabetit te të rinjtë? Nganjëherë ka të bëjë prirja gjenetike. Por edhe pesha ose mjedisi mund të luajnë rol. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit numri i fëmijëve të dhjamosur është dyfishuar. Cili është shkaku i kësaj? «Gjatë 20 vjetëve të fundit ka pasur disa ndryshime në zakonet e të ngrënit dhe në prirjet e njerëzve për sa u përket veprimtarive fizike,​—thotë dr. Uilliam Ditzi, nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.—​Këtu përfshihet shpeshtësia e të ngrënit jashtë shtëpisë; shtimi i rasteve kur kalohet pa u ngrënë mëngjesi; shtimi i pirjes së pijeve të gazuara dhe i ngrënies së ushqimeve në fast-food; pakësimi i [orëve të fizkulturës] në shkolla dhe heqja e pushimit të madh në shkollë.»

Diabeti është i pakthyeshëm. Prandaj, është mirë të ndiqet këshilla e një të sëmuri adoleshent, i cili thotë: «Qëndrojuni larg ushqimeve të thata pa vlera ushqimore dhe ruani shëndetin.»

[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]

Roli i glukozës

Glukoza u jep energji miliarda qelizave të trupit. Mirëpo, për të hyrë në qelizë ajo ka nevojë për një «çelës», për insulinën, një substancë që e prodhon pankreasi. Te diabeti i tipit 1 insulina nuk gjendet në trup. Te diabeti i tipit 2 trupi prodhon insulinë, por zakonisht jo aq sa duhet. * Gjithashtu, qelizat nuk janë të prirura ta pranojnë brenda tyre insulinën, gjendje kjo që quhet rezistencë ndaj insulinës. Në të dyja tipet e diabetit, përfundimi është i njëjtë: qeliza të uritura për glukozë dhe nivele të rrezikshme të sheqerit në gjak.

Në diabetin e tipit 1, sistemi imunitar i personit sulmon qelizat beta që janë prodhuese të insulinës e që gjenden në pankreas. Prandaj, diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune dhe disa herë quhet diabet i nxitur nga sistemi imunitar. Faktorët që mund të shkaktojnë një përgjigje imune përfshijnë viruset, lëndët kimike toksike dhe disa ilaçe. Edhe përbërja gjenetike mund të jetë e përfshirë, sepse diabeti i tipit 1 shpesh shfaqet brenda familjeve dhe është më i zakonshëm ndër popujt e racës së bardhë.

Në rastin e diabetit të tipit 2, faktori gjenetik është edhe më i fuqishëm, por ndodh më shpesh ndër popujt që s’janë të racës së bardhë. Ata që preken më shumë nga ky lloj diabeti janë aborigjenët australianë dhe amerikanët vendës, madje këta të fundit kanë shkallën më të lartë të diabetit të tipit 2 në botë. Kërkuesit po studiojnë lidhjen ndërmjet faktorit gjenetik dhe mbipeshës, si edhe mënyrën se si dhjami i tepërt duket se nxit rezistencën ndaj insulinës te njerëzit që janë gjenetikisht të prirur për këtë sëmundje. * Ndryshe nga diabeti i tipit 1, diabeti i tipit 2 zhvillohet kryesisht te njerëzit që i kanë kaluar të dyzetat.

[Shënimet]

^ par. 44 Rreth 90 për qind e të sëmurëve me diabet kanë diabetin e tipit 2. Më parë ky quhej diabet «joinsulinovartës» ose «që shfaqet te të rriturit». Gjithsesi, këta terma nuk janë plotësisht të saktë, sepse afro 40 për qind e të sëmurëve me diabet të tipit 2 kanë nevojë të marrin insulinë. Për më tepër, është alarmuese që një numër i madh të rinjsh, disa madje që s’janë ende adoleshentë, po diagnostikohen me diabet të tipit 2.

^ par. 46 Dhjamosja në përgjithësi konsiderohet si gjendja e trupit të një njeriu, kur pesha është 20 për qind ose më e madhe se pesha e tij ose e saj ideale e trupit.

[Figura]

Molekulë glukoze

[Burimi]

Me mirësjellje: Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor

[Kutia në faqen 9]

Roli i pankreasit

Pankreasi, me përmasa pak a shumë sa të bananes, gjendet prapa stomakut. Sipas librit The Unofficial Guide to Living With Diabetes, «pankreasi i shëndetshëm kryen një veprim të vazhdueshëm mjeshtëror baraspeshimi, duke mbajtur nivele të njëjta e të qëndrueshme të sheqerit në gjak. Këtë e bën duke çliruar pikërisht sasinë e duhur të insulinës, në varësi të rritjes ose të pakësimit të nivelit të glukozës gjatë ditës». Burimi i hormonit insulinë në pankreas janë qelizat beta.

Kur qelizat beta nuk arrijnë të prodhojnë mjaftueshëm insulinë, glukoza grumbullohet në gjak, duke shkaktuar hiperglicemi. Gjendja e kundërt, pra niveli i ulët i sheqerit në gjak, quhet hipoglicemi. Në bashkëpunim me pankreasin, mëlçia ndihmon në baraspeshimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke e ruajtur glukozën e tepërt në një formë të quajtur glikogjen. Kur sinjalizohet nga pankreasi, mëlçia e kthen përsëri glikogjenin në glukozë, që të përdoret nga trupi.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Roli i sheqerit

Një ide e gabuar shumë e përhapur është që diabeti shkaktohet kur ha shumë sheqer. Dëshmitë mjekësore tregojnë se dhjamosja, pavarësisht se sa sheqer ha një njeri, e shton rrezikun te njerëzit që janë gjenetikisht të prirur. Gjithsesi, të hash shumë sheqer nuk është e shëndetshme, sepse ai nuk ka shumë vlera ushqyese dhe ndikon në dhjamosje.

Një ide tjetër e gabuar është që njerëzit me diabet kanë një dëshirë të tepruar për sheqer. E vërteta është se ata kanë të njëjtën dëshirë si shumë të tjerë për ëmbëlsira. Kur nuk mbahet në kontroll, diabeti mund të shkaktojë uri, por jo medoemos për sheqer. Njerëzit me diabet mund të hanë ëmbëlsira, por, kur të përcaktojnë dietën e tyre të përgjithshme duhet të mbajnë parasysh sasinë e sheqerit që futin në trup.

Studimet e fundit kanë treguar se një dietë e pasur me fruktozë, që është një lloj sheqeri që vjen nga frutat dhe perimet, mund të jetë një ndër shkaktarët e rezistencës ndaj insulinës e madje edhe të diabetit te kafshët, pavarësisht nga pesha e tyre.

[Diagrami dhe figurat në faqet 8, 9]

Diabeti i shpjeguar thjesht

PANKREASI

Një njeri i shëndetshëm

Pas ngrënies, pankreasi reagon ndaj rritjes së sasisë së glukozës në gjak, duke çliruar sasinë e duhur të insulinës

Molekulat e insulinës lidhen me disa receptorë që gjenden në qelizat e muskujve dhe në qeliza të tjera. Kjo gjë bën që të aktivizohen portat që lejojnë molekulat e glukozës të hyjnë brenda

Glukoza thithet dhe konsumohet nga qelizat e muskujve. Në këtë mënyrë, niveli i glukozës në gjak normalizohet përsëri

Diabeti i tipit 1

Qelizat beta të pankreasit të cilat prodhojnë insulinën sulmohen nga sistemi imunitar. Për pasojë nuk prodhohet insulinë

Pa ndihmën e insulinës, molekulat e glukozës nuk hyjnë dot në qeliza

Diabeti i tipit 2

Në shumicën e rasteve, pankreasi prodhon një sasi të kufizuar insuline

Nëse receptorët nuk reagojnë mjaftueshëm ndaj insulinës, nuk aktivizohen portat që nevojiten për të thithur glukozën nga gjaku

Glukoza grumbullohet në gjak, duke vënë në rrezik disa procese jetësore dhe duke dëmtuar muret e enëve të gjakut

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Qelizë

Receptor

Portë

Insulinë

Bërthamë

Glukozë

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ENË GJAKU

Rruaza të kuqe

Glukozë

[Burimi]

Njeriu: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

[Figura në faqen 7]

Dieta e duhur është thelbësore për të sëmurët me diabet

[Figurat në faqen 10]

Të sëmurët me diabet mund të bëjnë veprimtari normale si gjithë të tjerët