Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Konflikti i Galileos me kishën

Konflikti i Galileos me kishën

Konflikti i Galileos me kishën

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

ËSHTË 22 qershori i vitit 1633. Një burrë i moshuar që mezi mbahet në këmbë qëndron i gjunjëzuar para gjyqit të inkuizicionit romak. Është njeri i shkencës, njëri nga më të mirënjohurit e kohës së tij. Bindjet e tij shkencore bazohen në vite të tëra kërkimesh dhe studimesh. Por tani, nëse do të shpëtojë jetën, duhet të mohojë gjërat që ai e di se janë të vërteta.

Emri i tij ishte Galileo Galilei. Çështja Galileo, siç e quajnë shumë, ka ngjallur shumë dyshime, pyetje dhe polemika, jehona e të cilave ndihet edhe sot, rreth 370 vjet më vonë. Kjo çështje ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e fesë dhe të shkencës. Pse e gjithë kjo trazirë? Përse çështja Galileo ka zgjuar interesin e medias në kohët tona moderne? A simbolizon ajo vërtet një «të çarë midis shkencës dhe fesë», siç e quajti një shkrimtar?

Shumë njerëz e kanë quajtur Galileon «babai i shkencës moderne». Ai ishte matematikan, astronom dhe fizikan. Ishte nga të parët fare që studioi qiellin me anë të teleskopit. Gjërat që pa i shpjegoi për të mbështetur një mendim, i cili vazhdonte të ndizte debate të zjarrta në kohën e tij: toka rrotullohet rreth diellit dhe prandaj planeti ynë nuk është qendra e universit. S’është për t’u habitur që ndonjëherë Galileoja është quajtur edhe themeluesi i metodës moderne eksperimentale.

Cilat ishin disa nga zbulimet dhe shpikjet e Galileos? Si astronom, ndër të tjera, ai zbuloi se Jupiteri ka hëna, se Udha e Qumështit formohet nga yje, se hëna ka male dhe se Afërdita ka faza të ngjashme me hënën. Si fizikan, studioi ligjet që drejtojnë lëkundjen e lavjerrësit dhe rënien e lirë të trupave. Ai shpiku mjete të tilla si kompasin gjeometrik, një lloj vizoreje logaritmike. Duke përdorur të dhëna nga Holanda, ai shpiku teleskopin. Ky mjet bëri që para tij të hapej universi.

Por një konflikt i gjatë midis tij dhe hierarkisë kishtare e ktheu karrierën e këtij shkencëtari të shquar në një dramë​—në çështjen Galileo. Si dhe përse filloi ajo?

Konflikti me Romën

Që nga fundi i shekullit të 16-të, Galileoja përqafoi teorinë e Kopernikut, sipas së cilës është toka ajo që rrotullohet rreth diellit dhe jo anasjelltas. Ky quhet edhe sistemi heliocentrik (me qendër diellin). Më 1610, pasi përdori teleskopin e tij për të zbuluar trupa qiellorë, të cilët nuk i kishin vëzhguar kurrë më parë, Galileoja u bind se ato që kishte parë vërtetonin tezën e sistemit heliocentrik.

Sipas Grande Dizionario Enciclopedico UTET, Galileoja dëshironte të bënte më shumë sesa thjesht të zbulonte. Ai donte të bindte «personalitetet më të larta të kohës (princër dhe kardinalë)» që teoria e Kopernikut ishte e vërtetë. Ai shpresonte që me ndihmën e miqve me influencë të kapërcente kundërshtimet e kishës dhe madje të fitonte mbështetjen e saj.

Më 1611 Galileoja udhëtoi për në Romë ku takoi klerikë të rangut të lartë. E përdori teleskopin që kishte shpikur vetë për t’u treguar atyre zbulimet e tij në astronomi. Por gjërat nuk shkuan siç shpresonte ai. Rreth vitit 1616, Galileoja ishte nën vëzhgimin e rreptë të qeverisë.

Teologët e inkuizicionit romak e quajtën tezën e sistemit heliocentrik «një marrëzi dhe absurditet nga pikëpamja filozofike si edhe herezi nga ana zyrtare, meqë në shumë gjëra ajo bie në kundërshtim të hapur me deklaratat e Shkrimeve të Shenjta, sipas kuptimit të tyre fjalë për fjalë, me interpretimin e përhapur të tyre, si edhe me kuptueshmërinë e etërve të shenjtë dhe doktorëve të teologjisë».

Galileoja u takua me kardinalin Roberto Belarmino. Ky kardinal, që mbahej si teologu më i shquar katolik i asaj kohe, e quajti Galileon si «më kokëfortin e heretikëve». Kardinali Belarmino e paralajmëroi zyrtarisht Galileon që të mos i përhapte më tej idetë e tij rreth sistemit me qendër diellin.

Përballë gjyqit të inkuizicionit

Galileoja u përpoq të vepronte me kujdes, por nuk hoqi dorë nga mbështetja e tezës së Kopernikut. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1633, Galileoja doli para gjyqit të inkuizicionit. Kardinali Belarmino kishte vdekur, por tani kundërshtari më i madh i Galileos ishte papa Urbano VIII, i cili në të kaluarën e kishte përkrahur. Shkrimtarët e kanë quajtur këtë gjyq një nga më të famshmit dhe më të padrejtët e lashtësisë, madje e kanë vënë në të njëjtin rang me gjyqin e Sokratit dhe gjyqin e Jezuit.

Ç’gjë çoi në këtë gjyq? Galileoja shkroi një libër të quajtur Dialog mbi dy sistemet kryesore të botës. Në fakt, ai mbronte tezën heliocentrike. Shkrimtarit i thanë të paraqitej para gjykatës më 1632, por ai nuk u paraqit dot në kohë, sepse ishte i sëmurë dhe pothuajse 70 vjeç. Ai udhëtoi për në Romë vitin pasues, pasi e kishin kërcënuar se do ta çonin me forcë dhe të lidhur me pranga. Me urdhër të papës, atë e morën në pyetje, madje e kërcënuan se do ta torturonin.

Nëse e torturuan apo jo këtë burrë të moshuar e të sëmurë, kjo është një çështje e debatuar. Siç shkruhet në vendimin e dënimit të tij, Galileoja do t’i nënshtrohej «shqyrtimit të rreptë». Sipas Italo Mereut, një historiani të ligjit italian, kjo frazë ishte një shprehje e posaçme që përdorej në atë kohë për të përshkruar torturën. Një sërë studiuesish pajtohen me këtë shpjegim.

Sido që të jetë, Galileoja u dënua më 22 qershor 1633, në një sallë të zymtë para anëtarëve të gjyqit të inkuizicionit. U shpall fajtor sepse «kishte mbështetur dhe kishte besuar doktrinën e rreme që ishte në kundërshtim me Shkrimet Hyjnore e të Shenjta, sipas së cilës Dielli . . . nuk lëviz nga lindja në perëndim dhe se Toka lëviz dhe nuk është qendra e botës».

Galileoja nuk donte të bëhej martir, kështu që u detyrua të tërhiqej. Pasi u lexua vendimi, shkencëtari i moshuar, i ulur në gjunjë dhe i veshur si i penduar, tha solemnisht: «Mohoj, mallkoj dhe përbuz gabimet dhe herezitë që u përmendën [teoria e Kopernikut], e në përgjithësi të gjitha, dhe çdo gabim tjetër, herezi ose sekt në kundërshtim me Kishën e Shenjtë.»

Sipas një legjende​—të pakonfirmuar nga ndonjë dëshmi e sigurt​—thuhet se pasi i mohoi bindjet e veta, ai përplasi këmbën në shenjë proteste dhe tha me zë të lartë: «E megjithatë ajo rrotullohet!» Komentuesit thonë se poshtërimi që ndiente, sepse kishte mohuar zbulimet e tij, e torturoi shkencëtarin derisa vdiq. Atë e dënuan me burgim, por ia ndryshuan dënimin me një arrest shtëpie të përjetshëm. Jetoi pothuajse në izolim të plotë, ndërkohë që gradualisht humbi shikimin.

Një konflikt midis fesë dhe shkencës?

Shumë kanë nxjerrë si përfundim se shembulli i Galileos provon se shkenca dhe feja janë kokë e këmbë të papajtueshme. Në të vërtetë, gjatë shekujve çështja Galileo i ka larguar njerëzit nga feja. Kjo çështje ka bindur shumë njerëz se feja, për shkak të vetë natyrës së saj, përbën një rrezik për progresin shkencor. A është vërtet kështu?

Papa Urbano VIII dhe teologët e inkuizicionit romak e dënuan teorinë e Kopernikut, duke thënë se ajo ishte në kundërshtim me Biblën. Kundërshtarët e Galileos iu referuan thënies së Josiut: «O diell, qëndro palëvizur!», e cila sipas tyre duhej kuptuar fjalë për fjalë. (Jozueu 10:12, King James Version) Por, a e kundërshton vërtet Bibla teorinë e Kopernikut? Aspak.

Kontradikta qëndron midis shkencës dhe një interpretimi të Shkrimeve, i cili duket sheshit se është i gabuar. Edhe sipas Galileos pikërisht këtu qëndronte problemi. Ai i shkroi një nxënësi: «Megjithëse Shkrimet nuk mund të gabojnë, interpretuesit dhe komentuesit e saj mund të gabojnë në forma të ndryshme. Njëra prej tyre, shumë e rëndë dhe shumë e shpeshtë, ndodh kur ata duan të kapen gjithmonë pas një interpretimi krejtësisht fjalë për fjalë.» Çdo student i zellshëm i Biblës do të ishte në një mendje me të. *

Galileoja shkoi më tej. Ai tha se dy librat, Bibla dhe libri i natyrës, u shkruan nga i njëjti Autor dhe prandaj nuk mund të kundërshtonin njëri-tjetrin. Megjithatë shtoi se një njeri nuk mund ‘të thoshte me siguri që të gjithë interpretuesit flasin nën frymëzimin hyjnor’. Kjo kritikë e nënkuptuar për interpretimin zyrtar të kishës ka mundësi të jetë parë si një provokim dhe bëri që inkuizicioni romak ta dënonte shkencëtarin. Në fund të fundit, si guxonte një laik i thjeshtë të ndërhynte në kompetencat e kishës?

Duke iu referuar çështjes Galileo, disa studiues kanë shprehur dyshime për pagabueshmërinë si të kishës, ashtu edhe të papës. Teologu katolik Hans Kyng shkruan se gabime «të shumta dhe të padiskutueshme» të «mësimeve zyrtare të kishës», duke futur këtu edhe «dënimin e Galileos», kanë bërë që dogma e pagabueshmërisë të vihen në dyshim.

A është vënë figura e Galileos në vendin që i takon?

Në nëntor 1979, një vit pas zgjedhjes së tij, Gjon Pali II dëshironte të bëhej një rishqyrtim të vendit që zë figura e Galileos, të cilit «iu desh të vuante shumë . . . në duart e njerëzve dhe të organizmave të kishës», pranoi papa. Trembëdhjetë vjet më vonë, më 1992, një komision i caktuar nga i njëjti papë pranoi: «Disa teologë, bashkëkohës të Galileos, . . . nuk arritën të kapnin domethënien e thellë, dhe kuptimin jo të mirëfilltë të Shkrimeve kur këto përshkruajnë strukturën fizike të universit të krijuar.»

Megjithatë mbetet përsëri fakti se teoria heliocentrike nuk e kritikuan vetëm teologë. Papa Urbano VIII, i cili luajti një rol të rëndësishëm në këtë çështje, këmbënguli me forcë që Galileoja të mos e minonte mësimin qindra vjeçar të kishës, sipas të cilit toka është qendra e universit. Në të vërtetë ai mësim nuk erdhi nga Bibla, por filozofi grek Aristoteli.

Pasi komisioni i ngritur në ditët tona bëri një punë të lodhshme duke rishikuar çështjen Galileo, papa e quajti dënimin e Galileos ‘një vendim të nxituar dhe me pasoja të mjerueshme’. A u vu në vendin që i takon figura e shkencëtarit? «Është absurde të flasësh për një vënie në vend të figurës së Galileos, siç bëjnë disa,​—thotë një shkrimtar,​—sepse historia nuk dënon Galileon, por gjykatën kishtare.» Historiani Luixhi Firpo tha: «Nuk u takon përndjekësve të vënë në vend figurën e viktimave të tyre.»

Bibla është ‘një llambë që ndriçon në një vend të errët’. (2 Pjetrit 1:19) Galileoja e mbrojti atë nga interpretimi i gabuar. Por kisha, duke mbrojtur në kurriz të Biblës një dogmë të krijuar nga njerëzit, bëri të kundërtën.

[Shënimi]

^ par. 24 Një lexues i ndershëm do ta pranonte me gatishmëri se një pohim i tillë për diellin, që ai të rrinte palëvizur në qiell, nuk ka si qëllim të bëjë një analizë shkencore, por të tregojë thjesht se si dukeshin këto gjëra për syrin njerëzor. Edhe vetë astronomët shpesh flasin për lindjen ose perëndimin e diellit, të hënës, planeteve dhe yjeve. Ata nuk duan të thonë se këta trupa qiellorë rrotullohen vërtet përreth tokës, por se ata duket sikur lëvizin nëpër qiell.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

Jeta e Galileos

Lindi në Pizë më 1564. Babai i tij ishte nga Firencja. Galileo studioi për mjekësi në universitetin e qytetit të lindjes. Meqë nuk kishte shumë interes për këtë degë, ai e la dhe vazhdoi studimet për fizikë dhe matematikë. Më 1585 u kthye në shtëpi pa ndonjë kualifikim akademik. Megjithatë, fitoi respektin e matematikanëve më të shquar të kohës së tij dhe zuri punë si pedagog matematike në Universitetin e Pizës. Pas vdekjes së babait, vështirësitë ekonomike e detyruan të transferohej në Padova. Në universitetin e Padovës e caktuan në një pozitë më fitimprurëse, në katedrën e matematikës.

Gjatë 18 viteve të qëndrimit të tij në Padova, atij i lindën tre fëmijë nga një e re veneciane me të cilën bashkëjetonte. Më 1610 u kthye në Firence, ku meqenëse ishte në gjendje më të mirë ekonomike kishte mundësi t’u kushtonte më shumë kohë kërkimeve. Por e keqja ishte se nuk kishte më atë liri që gëzonte dikur në territorin e Republikës së Venecias. Duka i madh i Toskanës e emëroi atë «matematikan dhe filozof të parë». Galileo vdiq në Firence më 1642 ndërkohë që ishte në arrest shtëpie si pasojë e dënimit të dhënë nga inkuizicioni.

[Burimi]

Nga libri The Library of Original Sources, vëllimi VI, 1915

[Figura në faqen 12]

Teleskopi i Galileos, i cili e ndihmoi të vërtetonte se toka nuk është qendra e universit

[Burimi]

Scala/Art Resource, NY

[Figurat në faqen 12]

Sistemi gjeocentrik (me qendër tokën)

Sistemi heliocentrik (me qendër diellin)

[Burimi]

Sfondi: © 1998 Visual Language

[Burimi i figurës në faqen 11]

Piktura: Nga libri The Historian’s History of the World