Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Policia Doja t’ju falënderoja për serinë e artikujve: «Policia: Përse kemi nevojë për të?» (Korrik 2002) Babai im u vra tre vjet më parë në një aksident automobilistik. Dy policë i sollën lajmin familjes sonë dhe na dhanë ndihmë e ngushëllim. Madje njëri e përqafoi mamanë ndërsa ajo qante. Jam e sigurt se për këta policë nuk është kurrë e lehtë të kryejnë këto detyra, por, si do t’ia bënim pa ta?
D. E., Shtetet e Bashkuara
Seria e artikujve për policinë më nxiti t’ju bëj një pyetje. A do të ishte e përshtatshme që një Dëshmitar i Jehovait të zgjidhte këtë profesion? Mendoj se nëse ndodh një përleshje mund të duhet të nxjerrësh armën, ta përdorësh dhe ndoshta të vrasësh dikë.
XH. S., Australi
«Zgjohuni!» përgjigjet: Seria jonë e artikujve thjesht pranonte disa prej punëve të dobishme që kryen policia për të mbajtur rendin dhe për të siguruar shërbime të tjera të nevojshme. Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait i shmangin punët ku kërkohet të mbajnë armë, sepse nuk duan që të mbajnë faj gjaku, duke i marrë jetën dikujt. (Eksodi 20:13; Mateu 26:51, 52) Megjithatë vlen të përmendet se ka shumë njerëz të punësuar në organet e rendit, të cilëve nuk u duhet të mbajnë asnjë lloj arme dhe, në disa vende, shumica e policëve nuk mbajnë armë.
Sapo mbarova së lexuari artikujt që tregonin përse kemi nevojë për policinë. Ishin shkruar shumë mirë dhe e çmonin punën e vështirë të policëve, të cilët përpiqen të mbajnë njëfarë rregulli në këtë botë të pështjelluar. Në vitet 70, unë dhe gruaja shërbyem si shërbëtorë udhëtues dhe, ndërkohë që shërbenim në një kongregacion në një lagje të varfër dhe me nam të keq të qytetit, qëndruam në një apartament në bodrumin e Sallës së vjetër të Mbretërisë. Bënte vapë, prandaj hapëm pak dritaren për t’u ajrosur. Në dy të mëngjesit, gruaja më zgjoi, sepse jashtë dritares ishin dy burra. I dëgjova teksa flitnin. Njëri tha se dritarja zakonisht ishte e mbyllur. Tjetri tha se ndoshta dikush ishte brenda, sepse në vendin e parkimit ndodhej një makinë. Ata ishin policë dhe, me sa duket, kontrollonin rregullisht që Salla e Mbretërisë të ishte e sigurt. Pas kësaj fjetëm më të qetë.
P. S., Shtetet e Bashkuara
Artikujt për policinë janë të kohës, sidomos pas sulmeve terroriste në Qendrën Tregtare Botërore dhe në Pentagon, në Shtetet e Bashkuara. Uroj të kemi rritur vlerësimin për policët, zjarrfikësit dhe punonjësit e tjerë të shërbimit publik, të cilët kanë përgjegjësinë t’i mbrojnë shtetasit dhe pronat jo vetëm nga terrorizmi, por edhe nga aktet kriminale në përgjithësi.
H. B., Shtetet e Bashkuara
Shokë dhome Kisha shumë kohë që shpresoja të dilte një artikull për shokët e dhomës. Kur lexova artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si mund të gjej një shok dhome të mirë?» (22 maj 2002, anglisht) u çudita kur mësova që ka njerëz, të cilët nuk duan medoemos të bëhen shokë të ngushtë me shokun e dhomës ose të shkojnë kudo me të dhe që kjo gjë është normale. Ndërkohë ai është një ndihmë e madhe, si për të ndarë shpenzimet, ashtu edhe në punët e shtëpisë. Faleminderit që më mësuat një pikëpamje të ekuilibruar.
S. M., Japoni
Pas dy javësh do të filloj të jetoj në të njëjtin apartament me një Dëshmitare në Drezden. Dua të them se këshillat e mira të dhëna në këta artikuj për shokët e dhomës, në numrat e 22 prillit, 22 majit dhe 22 qershorit të vitit 2002 (anglisht) janë të shkëlqyera dhe erdhën në kohën e duhur. Vazhdoni kështu!
R. P., Gjermani