Honet Gëlqerore—Mrekulli natyrore të gadishullit të Jukatanit
Honet Gëlqerore—Mrekulli natyrore të gadishullit të Jukatanit
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË
GADISHULLI i Jukatanit ka një nga mrekullitë më të bukura natyrore të Meksikës dhe të botës—cenote, honet e thella gëlqerore. Çfarë janë honet gëlqerore?
Emri i tyre vjen nga një fjalë në gjuhën maja, conot, që do të thotë «shpellë me rezervuar uji» dhe përdoret nga gjeologët për të përshkruar një pus natyror gëlqeror ose një zgavër nëntokësore. Gadishulli i Jukatanit përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë, të cilët, shumë kohë më parë, janë bërë porozë nga ujërat e shiut që depërtonin nën tokë. Më vonë, aty ku ishin krijuar zgavra, pjesa e sipërme e shkëmbit gëlqeror shembej, duke lënë zbuluar ujin me ngjyrë të gjelbër dhe blu të puseve të thella natyrore. Sot, shumë prej këtyre puseve rrethohen nga bimësia e harlisur. Në disa hone, uji arrin pothuajse deri në sipërfaqen e tokës, kurse në hone të tjera niveli i tij është shumë më poshtë se sipërfaqja. Speleologë (studiuesit e shpellave) dhe zhytës janë përpjekur t’i eksplorojnë honet gëlqerore, por në shumë raste nuk kanë mundur të arrijnë deri në fund të tyre për shkak të thellësisë së madhe që kanë.
Meqenëse këto hone gëlqerore ishin burime të rëndësishme uji dhe mbaheshin si shtëpia e perëndisë së shiut, Çakut, përreth tyre u ngritën qytete dhe qendra fetare të majave. Disa nga këto hone janë zbuluar pranë rrënojave të famshme të Çiçen Itsës. Njëra njihet si Honi i Shenjtë ose Honi i Flijimeve. Arkeologët kanë nxjerrë nga ajo skelete njerëzish (sidomos fëmijësh), si edhe sende të çmuara prej nefriti, ari dhe bakri. Këto vërtetojnë legjendën, sipas së cilës flijimet në njerëz dhe blatime të tjera hidheshin në hon kur i luteshin perëndisë së shiut.
Afër Çetumalit, në Kuintana Ro, ndodhet Honi Asul (Honi Blu), që është nga më të vizituarit, me ujin ngjyrë blu të thellë dhe e rrethuar nga bimësi e dendur. Ky hon, me faqe të pjerrëta dhe me një gjatësi 200 deri në 300 metra, nga fillimi në fund, është rreth 90 metra i thellë dhe nëpërmjet kanaleve nëntokësore lidhet me lagunën shumëngjyrëshe të Bakalarit. Të notosh në këto ujëra të kthjellëta të honeve gëlqerore është një përvojë e paharrueshme.
Përveç në Meksikë, puse të tilla janë gjetur në Australi, Kubë, Turqi dhe në disa pjesë të Evropës. Veçse në gadishullin e Jukatanit janë zbuluar me qindra të tilla, kurse jashtë këtij rajoni ato janë një dukuri e rrallë. Jeni të ftuar të vizitoni një hon gëlqeror që ta shijoni vetë këtë mrekulli të natyrës.
[Harta në faqen 22]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
GADISHULLI I JUKATANIT
[Figura në faqen 23]
Honi X-Keken, Jukatan
[Figura në faqen 23]
Honi i Kristaltë, Kuintana Ro
[Figura në faqen 23]
Laguna e Bakalarit dhe Honi Asul (poshtë)
[Burimi]
© Michael Friedel-Woodfin Camp and Associates