A duhet të shoh videoklipe?
Të rinjtë pyesin . . .
A duhet të shoh videoklipe?
«Videoklipet janë fantastike. Disa prej tyre janë si filma të shkurtër. Në to tregohet një histori dhe e admiroj koreografinë e tyre.»—Kesi.
«Është një mënyrë e mirë për të dëgjuar kompozime të reja. Nëpërmjet tyre njihesh me më shumë kompozime, përveç 40 kompozimeve më të pëlqyera që transmetohen rregullisht. Gjithashtu, videoklipet mund të jenë tema interesante për t’u diskutuar.»—Xhashi.
«Hollësirat që shfaqen në videoklipe janë të rëndësishme për mua: kush po këndon, çfarë ka veshur, si sillet. Të gjitha këto gjëra kombinohen për të shpjeguar kuptimin e tekstit të këngës.»—Kimberli.
«Më pëlqen të shoh se çfarë do të bëjë kësaj radhe grupi im i preferuar. Efektet speciale më tërheqin jashtë mase. Përveç kësaj, në disa videoklipe ka humor. Por duhet të jesh i kujdesshëm.»—Semi.
NDOSHTA edhe ty të pëlqen të shikosh videoklipe. Kur u shfaqën për herë të parë në botën e televizionit, për to financohej pothuajse pak. Por, kur u kuptua se videoklipet nuk ishin një modë kalimtare dhe se kishin një ndikim të jashtëzakonshëm në shitjen e regjistrimeve muzikore, shumë shpejt u bënë gjithnjë e më të arrira nga ana artistike dhe nga ana teknike. Sot, ato janë një element i rëndësishëm në botën e muzikës dhe pëlqehen tepër nga shumë të rinj. Në disa vende ka stacione televizive të cilat transmetojnë vetëm videoklipe.
Po pse disa të rinj, si Semi që përmendet këtu, thonë se është e nevojshme të jemi të kujdesshëm? Mos vallë disa videoklipe mund të kenë ndikim negativ te ty, ndoshta duke korruptuar mendimet dhe vlerat e tua morale, madje, duke dëmtuar marrëdhënien tënde me Krijuesin? Një pyetje e tillë mund të duket pak e tepruar. Por mendo: nëse do të shkoje për të notuar në liqen ose në det dhe do të shihje tabela që tregojnë se është e rrezikshme të notosh atje, a do të ishte e mençur t’i shpërfillje këto paralajmërime? Patjetër që jo. Pra do të ishte një veprim i mençur nga ana jote po të shqyrtoje disa paralajmërime për videoklipet.
Zona të rrezikshme
Është e nevojshme të pranosh se gjërat që shikon dhe që dëgjon mund të ndikojnë te ty! Bibla na tregon se mbreti i parë i Izraelit, Sauli, e përdori muzikën në mënyrë të dobishme, për të qetësuar ndjenjat. (1 Samuelit 16:14-23) A është e mundur që muzika të ndikojë edhe për keq? Libri Rock and Roll—Its History and Stylistic Development (Rok end Rolli: Historia dhe zhvillimi i stilit të tij) bën këtë argumentim: «Dikush nuk mund të thotë edhe ashtu, edhe kështu. Nëse pranojmë se muzika rok ka pasur ndikime pozitive (siç edhe ka), gjithashtu duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se ka pasur edhe ndikime negative (siç edhe ka). Ai që deklaron me mburrje: ‘Unë dëgjoj muzikë, por ajo nuk ndikon tek unë’ ose është fare naiv, ose tejet i keqinformuar.»
Vazhdimisht Bibla na tregon se ajo që shohim ndikon në ndjenjat dhe në mendimet tona. (Fjalët e urta 27:20; 1 Gjonit 2:16) Kështu, duke i shtuar muzikës elemente pamore të fuqishme, prodhuesit e videoklipeve e shtojnë shumë ndikimin që muzika ka te dëgjuesit. Çfarë lloj elementesh pamore përdoren zakonisht?
Sipas një studimi, rreth 57 për qind e videoklipeve me muzikë rok përmbajnë vepra të dhunshme. Gati 76 për qind paraqesin skena seksuale. Një analizë tjetër e kohëve të fundit zbuloi se 75 për qind e concept videove (videoklipe që tregojnë një histori) përmbajnë fantazi seksuale dhe më shumë se gjysma përmbajnë skena dhune, zakonisht kundër grave. Duke marrë parasysh këto fakte, a mund t’ju dëmtojë vërtet shikimi i videoklipeve të tilla? Një revistë tregon se «nga studimet eksperimentale është zbuluar se shikimi i videoklipeve mund të ndikojë me të vërtetë në qëndrimin e adoleshentëve në lidhje me aktivitetin seksual në moshë të herët ose në një aktivitet seksual të rrezikshëm». Dhe nuk mund të mohojmë se, ndërkohë që muzikantët përpiqen që kompozimet e tyre të jenë më skandaloze se ato të pararendësve ose të konkurrentëve të tyre, në përgjithësi, videoklipet po bëhen gjithnjë e më të gjalla dhe më të hollësishme.
Një specialist në fushën e arsimimit tha: «Shumë thonë se ajo që dëgjojnë dhe shikojnë në videoklipe nuk ndryshon nga rrymat muzikore të brezave të kaluar . . . Por duket se shumica e artistëve të sotëm me moskokëçarje përdorin blasfeminë dhe fyerjen si mjete të pranueshme për të rritur numrin e shitjeve të regjistrimeve muzikore.» Gjithashtu, revista Chicago thotë për ata që ndjekin një kanal të caktuar që shfaq videoklipe: «Përfitojnë vetëm një bombardim të pareshtur me pornografi të rëndë, të pahijshme e të dhunshme.»
Përveç kësaj, revista Chicago përshkruan një videoklip, në të cilën «një i ri i ulur në banakun e një vagoni-restorant e përkul kokën prapa pak si tepër. Një plagë e madhe e gjakosur shfaqet në qafë dhe koka i këputet». Thuhet se në një video tjetër tregohet një burrë i përgjakur, i cili ndërkohë që zhvishet para publikut shkul nga trupi edhe mishin e muskujt. Përveç kësaj, u shfaqën edhe gjëra të tjera tepër tronditëse për t’u treguar.
Vërtet, disa mund të mos u kushtojnë vëmendje këtyre fakteve, duke thënë se videot që përshkruam janë të tepruara dhe se shumica e videove nuk janë kaq të këqija. Madje, disa mund të thonë se videoklipet, në përgjithësi, atyre nuk u duken tronditëse ose fyese. Por, a mos do të thotë kjo se thjesht shikimi i vazhdueshëm i videoklipeve të tilla i ka bërë të pandjeshëm këta njerëz? Kesi, i riu që përmendëm në fillim pranon: «Po të mos u vësh kufij gjërave që shikon, ajo që në fillim ishte fyese, në fund bëhet e zakonshme. Pa e kuptuar, dëshiron të shohësh gjëra që janë edhe më të rënda dhe në mënyrë pasive e pranon atë që më parë të dukej tronditëse.»
Cili mund të jetë rezultati? Aftësia për të marrë vendime të shëndosha nga ana morale mund të dëmtohet keq. Meqenëse mendja jonë mund të ndikohet fare lehtë për keq, Bibla na paralajmëron të ‘ruajmë mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar’. (Fjalët e urta 3:21; 5:2, BR) Një pasojë tjetër negative mund të jetë dëmtimi i miqësisë tënde me Perëndinë Jehova. A nuk është ajo gjëja më e çmuar që ke? Prandaj është e nevojshme ta ruash këtë miqësi, duke marrë masa për të shmangur çdo lloj zbavitjeje të papërshtatshme. Si mund ta bësh këtë?
Mbroje veten
Së pari, të lutemi të pranosh që është krejtësisht e gabuar të shohësh skena, të cilat me mburrje shfaqin atë që Bibla e dënon qartë. (Psalmi 11:5; Galatasve 5:19-21; Zbulesa 21:8) Kur një videoklip lartëson gjërat që nuk ‘u kanë hije të shenjtëve’, duhet të jesh i vendosur që të mos vazhdosh ta shohësh. (Efesianëve 5:3, 4) Pa dyshim të ndryshosh stacion ose të shuash televizorin mund të mos jetë e lehtë, ndërkohë që aty po shfaqet një videoklip që të bën për vete. Kështu që mund të jetë e nevojshme të lutesh, siç shkroi edhe psalmisti: «Largoji sytë e mi nga gjërat e kota.»—Psalmi 119:37.
Mundet që vetvetiu të të neveriten dhe të mos i shohësh videoklipet që janë aq tronditëse si ato që përshkruam më lart. Megjithatë, metoda që përdoret në disa video duket se është më tinëzare. Skenat seksuale mund të jenë të shkurtra. Edhe pa thënë ose pa shfaqur fare ndonjë gjë, në mënyrë të qartë teksti dhe pamjet mund të jenë kombinuar me mjeshtëri për të nxitur një pikëpamje të paperëndishme. Megjithatë, nëse ndihesh ndopak fajtor, sepse ke parë një videoklip, ka të ngjarë që ai të ketë qenë në njëfarë mënyre jo i shëndetshëm ose jo i përshtatshëm për të krishterët. Atëherë, si mund të vendosësh se çfarë të shohësh dhe çfarë të shmangësh, në ato raste kur është e dyshimtë nëse videoklipi është e përshtatshme për t’u parë apo jo?
Sigurisht të shikosh ose jo videoklipe është një vendim që të takon plotësisht ty dhe prindërve të tu, të cilët kanë përgjegjësinë për të vendosur se çfarë mund të shikosh e çfarë nuk mund të shikosh. (Efesianëve 6:1, 2) Por, nëse prindërit të lejojnë të shikosh videoklipe, është e nevojshme që të mos udhëhiqesh thjesht nga ajo që ti e quan të drejtë. Hebrenjve 5:14 na inkurajon të ‘stërvitim aftësitë perceptuese’ për të «shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». Aftësitë tona perceptuese stërviten duke studiuar parimet biblike, të cilat na japin një bazë për të vendosur ç’është e mirë dhe ç’është e keqe nga pikëpamja e Jehovait. Duke medituar për këto parime biblike, do të jesh në gjendje të dallosh atë që është e rrezikshme për shëndetin tënd frymor, edhe kur nuk ekziston ndonjë rregull i veçantë biblik për të të drejtuar.
Atëherë në veçanti, cilat parime biblike mund të të drejtojnë për shikimin e videoklipeve? Kjo do të trajtohet në një artikull të ardhshëm.
[Diçitura në faqen 20]
«Ai që deklaron me mburrje: ‘Unë dëgjoj muzikë, por nuk ndikohem prej saj’ ose është fare naiv, ose tejet i keqinformuar»
[Figurat në faqen 21]
A është vërtet e mundur që të shohësh diçka jo të shëndetshme dhe të mos ndikohesh prej saj?