Merrni informacion të saktë
Merrni informacion të saktë
Është e vështirë të marrësh informacion të saktë për çështje të ndryshme. Qeveritë dhe kompanitë tregojnë gjëra që janë gjysmë të vërteta. Shpesh, mediat premtojnë se informacioni që japin është i paanshëm, por megjithatë nuk e mbajnë këtë premtim. Mjekët nuk i shpjegojnë gjithmonë të gjitha efektet anësore të ilaçeve që na japin. A ka ndonjë mënyrë për të marrë informacione, të cilat mund t’i besojmë?
Shumë veta e brohoritën futjen e Internetit, duke e parë si një mjet për të siguruar burime të besueshme informacionesh nga e gjithë bota. Natyrisht, kjo është e mundur, vetëm nëse dini se ku të klikoni me maus. «Ana më pozitive e Internetit është se mund t’u japë njohuri më shumë njerëzve më shpejt se çdo mjet tjetër informacioni. Dhe ana e tij më negative është se mund t’i mpijë njerëzit nga ana mendore më shpejt se çdo mjet tjetër informacioni»,—tha një kryeartikull i gazetës The New York Times.
Kryeartikulli vazhdonte: «Meqenëse Internetin e rrethon madhështia vezulluese e teknologjisë, njerëzit e painformuar i besojnë edhe më shumë informacionit që vjen prej tij. Ata nuk e kuptojnë që nga ana e tij më negative, Interneti është pikërisht si një kanal i hapur ujërash të zeza: një kanal elektronik për informacionet e paverifikuara dhe të pafiltruara.» Mjerisht, siç tregon edhe shkrimtari i kryeartikullit, nuk ka asnjë program kompjuterik (software) për të fshirë informacionet e pabazuara.
Kushdo mund të futë çdo informacion në Internet, në një revistë ose në një libër. Pra kemi nevojë të përdorim aftësi dalluese dhe të mësohemi që të mos tregohemi naivë dhe t’i besojmë çdo gjëje që lexojmë. Kushdo prej nesh që dëshiron të marrë informacione të sakta duhet të përcaktojë një burim të besueshëm. Kjo gjë mund të dojë kohë. Por, kur veprojmë kështu dhe marrim një informacion më të saktë, mendimet tona mund të jenë të shëndosha, mund të gjykojmë drejt dhe të jemi të sigurt kur marrim vendime të rëndësishme.