Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Rilevimi Më pëlqeu shumë artikulli «Rilevimi: Çfarë është?» (Qershor 2002). Unë dhe im shoq jemi inspektorë shtetërorë për ndërtimin e rrugëve. Rilevimi është një detyrë e përditshme në punën tonë. U kënaqa shumë kur mësova për historinë e tij dhe citimi i Fjalëve të urta 22:28 e bënte këtë gjë shumë të veçantë. Ndonëse e di që figurat janë thjesht për ilustrim do të doja që të theksoja se këmbëngulim me forcë që të gjithë rilevuesit të mbajnë jelek dhe pajisje mbrojtëse. Kjo i bën shumë të dallueshëm, meqenëse punojnë shpesh anash rrugëve me kurriz nga trafiku. Faleminderit për këtë artikull shumë informativ.
K. S., Shtetet e Bashkuara
Luftërat Pasi mbarova së lexuari artikullin: «Pikëpamja e Biblës: A i miraton Perëndia luftërat?» (Maj 2002) pata një ndjenjë të mrekullueshme. Pikërisht kjo çështje më interesonte shumë, pasi jam Dëshmitare e Jehovait dhe njerëzit që takoj në shërbim më kanë pyetur se përse kombi i lashtë i Izraelit ka bërë shumë luftëra. Jam munduar t’ua shpjegoj, por nuk kam pasur informacion të mjaftueshëm. Ky artikull ishte shumë i thjeshtë dhe bindës. I kam shkruar të gjitha pikat kryesore, kështu që të jem në gjendje t’i përdor në çdo kohë. Kemi vërtet nevojë për artikuj të tillë.
V. Sh., Rusi
Në Luftën II Botërore isha në vijën e parë si tankist. Mëngjesin tjetër, pas ditës që kishim marrë në kontroll një vend kodrinor strategjik, në fushë u ndërtua një altar. Kujtoj tri skuadra me tankistë që i përkuleshin altarit dhe që bekoheshin nga kapelani. Pak pas kësaj na kundërsulmuan dhe të tri skuadrat me tankistë u vranë. Unë dhe gruaja u bëmë Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1957 dhe që nga ajo kohë e dimë se Perëndia nuk ishte në asnjërën anë të atij konflikti. Që nga ajo kohë kemi bërë një luftë frymore dhe e kemi shumë të qartë se në cilën anë është Perëndia.
F. S., Zelanda e Re
Të jesh nënë Faleminderit për serinë e artikujve me titull: «Të jesh nënë: A kërkon aftësi mbinjerëzore?» (Prill 2002) Jam veçse 13 vjeç, por këta artikuj më treguan se çfarë po kalon mami dhe se çfarë do të kalojë pas pak muajsh pasi është shtatzënë pesëmuajshe e gjysmë. Tani që e kam lexuar këtë revistë, po përpiqem fort të tregoj nderim dhe më shumë respekt për të.
N. B., Shtetet e Bashkuara
Tensioni i lartë i gjakut Faleminderit për artikullin e shkëlqyer: «Tensioni i lartë i gjakut: Parandalimi dhe mbajtja nën kontroll.» (Prill 2002) M’u desh të shtrohesha në spital për shkak të disa problemeve të zemrës. Pas kësaj lexova këtë artikull dhe ky tregonte me hollësi si të përballohet tensioni i lartë i gjakut. Natyrisht që mora shumë udhëzime nga mjeku dhe specialisti në fushën e të ushqyerit. Megjithatë ky artikull është shkruar në një mënyrë që është e lehtë për t’u kuptuar. Që sot e tutje dëshiroj të tregoj kujdes të madh për jetën që më ka dhënë Jehovai.
N. I., Japoni
E kam të lartë tensionin e gjakut dhe jam këshilluar nga specialistët e shëndetit për të kufizuar marrjen e kripës në rreth dy gramë në ditë. Në faqen 22, shifra gjashtë gramë çdo ditë, e dhënë nga Konsensusi i Tretë Brazilian për Hipertensionin Arterial, duket e lartë. Mos është ndoshta ndonjë gabim shtypi?
F. S., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Burimi për këtë pohim rekomandon jo më shumë se 5,58 gramë kripë çdo ditë. Ndoshta për ta përfytyruar më e lehtë, një lugë çaji ka 5,18 gramë. Sidoqoftë, siç tregohej dhe në shënimin poshtë, një person me tension të lartë ose me ndonjë sëmundje të ngjashme duhet të konsultohet me një mjek. Një person i tillë mund të nxjerrë dobi duke e zvogëluar edhe më shumë sasinë e kripës që merr.