Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gdhendja e alabastrit: Mjeshtëria e lashtë e Volterës

Gdhendja e alabastrit: Mjeshtëria e lashtë e Volterës

Gdhendja e alabastrit: Mjeshtëria e lashtë e Volterës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

Imagjinoni një material që gjendet në natyrë, i cili mund të punohet fare lehtë dhe të marrë forma delikate e të lëmuara. Prania e ngjyrave të larmishme, bukuria, gjysmëtejdukshmëria dhe damarët e bëjnë atë të përshtatshëm për gdhendjen e zbukurimeve të imëta e të ndërlikuara dhe të objekteve artistike. A e dini për çfarë po flasim?

PO FLASIM për alabastrin. Dinim pak rreth këtij materiali para se të vizitonim qendrën tradicionale të punimeve të tij, qytetin e Volterës në Toskana të Italisë.

Gdhendja në alabastër ka një histori të gjatë në Volterë, duke nisur që në kohën e etruskëve, banorëve të lashtë të këtij rajoni. Midis shumë punimeve që admiruam në muzeun etrusk të këtij qyteti ishin edhe qindra urna alabastri, kuti drejtkëndëshe në të cilat futej hiri i të vdekurve pas djegies së kufomës, që datonin në periudhën midis shekullit të katërt e të parë p.e.s. Këto kuti prej guri janë plot me zbukurime të gdhendura në reliev. Shpesh, këto gdhendje përmbajnë skena të udhëtimit imagjinar të personit të vdekur për në botën tjetër.

Sigurisht, etruskët nuk ishin të vetmit në kohët e lashta që e përdorën alabastrin. Egjiptianët e përdornin shumë atë. Megjithatë ka një ndryshim në përbërjen kimike midis alabastrit oriental, i cili përmendet edhe në Bibël, dhe alabastrit gëlqeror shumë më të butë të Volterës.

Gjithashtu, mermeri përdorej gjerësisht në artin e lashtë romak dhe grek, por në krahasim me materiale të tilla «fisnike», alabastri gëlqeror konsiderohej si një i afërm i varfër i tyre. Ai është një gur më i butë, më i brishtë, mund të gërvishet me lehtësi dhe prandaj roli i tij në arkitekturë e në art ka qenë gjithnjë dytësor në krahasim me mermerin. Skulpturat prej alabastri nuk mund t’i rezistojnë ekspozimit ndaj faktorëve atmosferikë. Në arkitekturë, alabastri përdoret kryesisht në punimet e brendshme. Nga ana tjetër, fakti që është i përpunueshëm e bën alabastrin veçanërisht të përshtatshëm për gdhendje shumë të vogla e të imëta.

Zhvillimi i një industrie

Pas kohës së etruskëve dhe romakëve, në Volterë nuk ekzistojnë më dëshmi të punimeve në alabastër për shekuj të tërë. Megjithatë, në dokumente historike gjenden referime për këtë mjeshtëri në mesin e shekullit të 16-të. Në atë kohë, Françesko de Mediçi, duka i madh i Toskanës, mori një vazo të punuar në torno, të bukur e të rrallë, nga një zejtar nga Voltera dhe ia dhuroi dukës së Bavarisë. Në shekullin e 17-të, zejtarët vendës ishin të përqendruar në punimin e objekteve artistike dhe të punimeve të vogla dekorative. Gjatë shekullit të 18-të, për shkak të përdorimit të alabastrit në kopjet cilësore të skulpturave klasike, kjo mjeshtëri pati një përhapje të rëndësishme. Në këtë kohë, fama e alabastrit të Volterës ishte përhapur në mbarë Evropën e më tej.

Gjatë kësaj kohe, Marçelo Ingirami Fei, një fisnik vendës që njihej për talentin e tij në art dhe mendjemprehtësi në tregti i dha shtytje tregtisë së alabastrit. Ai filloi të shfrytëzonte depozitat e nëndheshme të mineralit që ishin zbuluar nga pak kohë. Më 1791, ai themeloi një shkollë ku më shumë se 100 çirakë mund ta mësonin këtë art nën drejtimin e mjeshtrave të mëdhenj, të cilët ishin ftuar nga rajone të ndryshme të Italisë dhe nga vende të tjera. Industria lulëzoi.

Rreth vitit 1830, nga tetë ose nëntë punishte të alabastrit që ekzistonin në vitin 1786, u bënë 60. Gjatë atyre viteve, rreth 50 tregtarë të guximshëm volteranë u ranë përqark tregjeve të botës nga Evropa në Amerikë, Indi dhe në Lindjen e Largët për të shitur punime prej alabastri që ishin të një cilësie të lartë. Disa grumbulluan pasuri të mëdha. Ky bum vazhdoi deri më 1870, por që prej asaj kohe ka pasur periudha lulëzimi e periudha krizash. Gjithsesi, prodhimi i punimeve prej alabastri mbetet një nga shtyllat e ekonomisë vendëse.

Një shëtitje gjatë pasdites në Volterë

Me rrugët e qeta, të ngushta e me kalldrëm, ndërtesat prej guri, qoshet piktoreske dhe sheshet me diell, e rrethuar e gjitha nga peizazhi tërheqës toskan, Voltera ka një pamje krejt origjinale. Duket sikur jemi kthyer prapa në periudhën e mesjetës. Gjatë shëtitjes me miqtë në një pasdite vere, bëjmë çmos të vizitojmë Porta all’Arco, një portë madhështore etruske me hark, që daton në shekullin e katërt p.e.s., e cila është pjesë e mureve të qytetit mesjetar.

Ecim ngadalë duke parë vitrinat e dyqaneve e duke ia ngulur sytë me admirim grupeve të zogjve në fluturim, kuajve plot energji e të ngritur mbi dy këmbët e prapme dhe figurave të hijshme njerëzore. Të gjitha këto janë të punuara në alabastër dhe ndritin si qelqi i gdhendur e gjysmë i tejdukshëm. Në sallat me tavanë të harkuar janë paraqitur urna të zbukuruara me vile rrushi në hardhi dhe kopje të statujave klasike. Gjithashtu, aty gjenden edhe vazo të punuara në mënyrë të ndërlikuar me gdhendje dhe vrima, shandanë, kuti e gurë shahu, kuti bizhuterish dhe një mori zbukurimesh të tjera.

Duke vënë re interesin tonë, miqtë tanë janë të lumtur të na çojnë në punishtet plot pluhur në mënyrë që të shohim me sytë tanë, se si artizanët e kthejnë lëndën e parë në këto punime të këndshme. Mësojmë se gurë në formë veze, të cilët peshojnë nga 2 deri në 1.000 kilogramë ndodhen në mënyrë jo të njëtrajtshme kudo në shtresat gjeologjike gëlqerore nën rajonin e Volterës. Gurët nxirren në gurore ose nga tunele të thella deri në 280 metra. Ngjyrat e alabastrit ndryshojnë nga një e bardhë gjysmë e tejdukshme deri tek ngjyra e fildishit dhe e verdha, nga e kuqërremta deri tek kafja e errët dhe nga e gjelbra e përhimtë deri tek e zeza. Shumë kanë damarë të ndryshëm dhe shkallë të ndryshme tejdukshmërie.

Në disa punishte që vizitojmë, vëmë re teknika të ndryshme punimi. Takojmë Glorian që po punon për gdhendjen e zbukurimeve të hijshme mbi një pjatë dhe Frankon, i cili në një torno është i zënë me rrumbullakosjen e sendeve zbukuruese. Shumë objekte të rrumbullakosura prodhohen në këtë mënyrë, nga pjatat dhe poçet e deri tek abazhurët e llambat, për të cilat alabastri gjysmë i tejdukshëm është veçanërisht i përshtatshëm. Bie në sy rrëmuja në të cilën janë lënë veglat dhe punimet e kësaj zejtarie: lima të ndryshme, çekiçë druri dhe dalta, freza me ajër të ngjeshur, letër smerile dhe buste gjysmë të përfunduara. Na thuhet se format që ndodhen rrëmujë në rafte, e që paraqesin njerëz dhe kafshë, shërbejnë si modele për të punuar pjesë të ngjashme me to.

Një shtresë e trashë pudre të bardhë prej alabastri mbulon çdo sipërfaqe. Por, edhe ky pluhur gjen përdorimet e tij. Duke derdhur një përzierje të pudrës së alabastrit dhe të rrëshirës prej poliesteri në kallëpe, prodhohen në seri statujëza. Por, siç vënë në dukje shumë artizanë, ajo që prodhohet nga kjo nuk duhet ngatërruar me artikujt origjinalë të bërë me dorë.

Një debat i zjarrtë

Thuhet se volteranët kanë në gjak pluhur alabastri, dhe kjo shpejt duket qartë kur flasim me mjeshtrat miqësorë midis të cilëve zhvillohet një debat i zjarrtë lidhur me mjeshtërinë e tyre të vjetër. Disa këmbëngulin se objektet me çmim të ulët, që kanë pak ose aspak vlerë artistike, po e prishin emrin e mirë të punimeve që tradicionalisht kanë pasur një cilësi të lartë. Të tjerë argumentojnë se në treg ka vend për një shumëllojshmëri punimesh, nga veprat unike të artit e deri te zbukurimet e prodhuara në seri. Ky debat nuk është diçka e re dhe as që duket se do të përfundojë. Në fund të fundit, konkurrenca e egër dhe problemet e tregtisë bëjnë që të mbeten në hije shumë arritje njerëzore dhe ka të ngjarë që këto të vazhdojnë të ushtrojnë ndikim.

Megjithatë, një gjë është e sigurt. Aftësitë artistike me të cilat Krijuesi ynë e pajisi njeriun do të vazhdojnë përgjithmonë. Ajo që pamë gjatë vizitës sonë në Volterë është vetëm një shembull i dhuntive të mrekullueshme që të gjithë ata, të cilët do të jetojnë, do të jenë në gjendje të zhvillojnë deri në përsosmëri kur të jenë dëshmitarë të përmbushjes së fjalëve profetike të Perëndisë Jehova: «Të zgjedhurit e mi do të përfitojnë plotësisht nga puna e duarve të tyre.»​—Isaia 65:22, BR.

[Figurat në faqen 26]

1. Gurët e alabastrit nxirren nga tunele që janë deri në 280 metra thellë. 2. Një artizan duke punuar një vazo në torno. 3. Një urnë alabastri e zbukuruar. 4. Skulpturë moderne prej alabastri