Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lyejmë me bojë

Të lyejmë me bojë

Të lyejmë me bojë

PROVON gjithnjë shumë kënaqësi kur sapo e ke lyer shtëpinë. Në një dhomë të pistë ose të çngjyrosur, një e lyer me bojë mund të ndryshojë gjithçka. A do të dëshironi t’u jepni më shumë dritë një ose dy dhomave të shtëpisë suaj? Nëse më parë nuk keni provuar kurrë që të lyeni vetë, mund të shihni se është më e lehtë se ç’mendoni!

Le të shkojmë të punojmë bashkë me Fernandon, gruan e tij, Dilmën dhe vajzën e tyre tetë vjeçe, Vanesën, ndërsa po lyejnë një pjesë të shtëpisë. Pas kësaj ndoshta mund të jemi më të aftë për të lyer vetë ndonjëherë. Megjithatë, përpara se të veshim rrobat e punës, le të mësojmë diçka rreth zgjedhjes së ngjyrave.

Të zgjedhim ngjyrat

Është e rëndësishme që ngjyrat e bojërave të zgjidhen me kujdes. Ngjyra jo vetëm që i shton bukuri shtëpisë suaj, por madje mund të ndikojë në humorin tuaj. Ngjyrat e ndezura dhe me shkëlqim janë më gjallëruese, kurse ngjyrat e zbehta e pa shkëlqim ka më shumë të ngjarë që të jenë qetësuese. Një ngjyrë e caktuar mund të duket e errët kur me të lyhet muri brenda një ndërtese, por e njëjta ngjyrë jashtë mund të duket më e çelur. Fernandoja dhe Dilma për shtëpinë e tyre kanë zgjedhur bojëra me ngjyrë mimoze dhe me ngjyrë kremi. Më vonë do të shohim se ku do t’i përdorin ato.

Vëreni rrethin lart me ngjyra. Ngjyrat në rreth, të cilat ndodhen drejtpërdrejt përballë njëra-tjetrës quhen ngjyra plotësuese. Kur vendosen pranë njëra-tjetrës duket sikur ato bëhen më të forta. Për të pasur një skemë ngjyrash të cilat janë më shumë tradicionale sesa të shpikura, zgjidhni nuanca të ndryshme të së njëjtës ngjyrë. Kjo quhet skemë bojërash njëngjyrëshe.

Para se të fillojnë punën, miqtë tanë kanë disa pyetje. Fernandoja dëshiron të dijë se çfarë lloj boje u nevojitet dhe Vanesa është kureshtare të dijë se si bëhen bojërat. Prandaj duket ide e mirë të shkojmë të vizitojmë një fabrikë vendëse bojërash, për të parë se çfarë mund të mësojmë lidhur me këto.

Si bëhet boja?

Gerardi, pronari i fabrikës, ka pranuar të na shoqërojë. Një nga gjërat e para që shohim kur hyjmë në fabrikën e bojërave është një përzierës shumë i madh, i cili po përzien brumin veshtullor që ndodhet në një kazan prej 800 litrash. Gerardi thotë me zë të lartë për shkak të zhurmës së madhe: «Të bësh bojën është njësoj sikur të bësh një kek​—të gjithë elementët përbërës peshohen dhe pastaj përzihen.»

«Por cila është receta për të bërë bojërat e sotme?»​—pyesim ne.

Gerardi përgjigjet: «Ka katër lëndë kryesore. Pigmentet, lëndët lidhëse, lëngjet dhe lëndët shtesë të veçanta. Kjo masë që po shihni të përzihet ka si lëndë bazë dyoksidin e titanit. Ky pigment i bardhë nxirret nga toka dhe tani përdoret në bojërat e sotme në vend të plumbit.» Kjo përzierje duket si mielli që përdoret për të bërë bukën.

Gerardi vazhdon: «Përzierja thërrmohet ose bluhet bashkë me një sasi të vogël lënde lidhëse​—në këtë rast, rrëshirë akrilike, aq sa të bëhet si brumë pa kokrriza. Kur ai që bën bojën është i kënaqur me trashësinë, shton pjesën e mbetur të rrëshirës, pastaj lëngje, si për shembull: ujë ose benzinë të rëndë, dhe së fundi lëndë shtesë të veçanta.»

Duam të dimë se çfarë lloj boje nevojitet për të mirëmbajtur një shtëpi. Shoqëruesi na shpjegon: «Ka dy lloje kryesore bojërash për shtëpinë. Në bojërat e vajit si lëndë lidhëse përdoren vajra të tilla, si: vaji i lirit ose një vaj soje i modifikuar, ndërsa në bojërat që hollohen me ujë si lëndë lidhëse përdoret rrëshirë vinili ose rrëshirë akrilike. Bojërat e vajit thahen mirë, prandaj ato janë të përshtatshme për sipërfaqet që preken shpesh, si për shembull dyert dhe kasat prej druri. Megjithatë, me kalimin e kohës bojërat e vajit zbehen dhe plasariten. Përkundrazi, bojërat akrilike dhe të vinilit, që janë të një cilësie të mirë, e ruajnë ngjyrën për një kohë më të gjatë dhe kanë erë më pak të rëndë. Gjithashtu, bojërat 100 për qind akrilike që përdoren jashtë objekteve, e durojnë më shumë të nxehtët e verës australiane ose të ftohtët e dimrit kanadez.»

Shpresojmë të kujtojmë atë që na mësoi Gerardi. Por ai ka edhe diçka tjetër për të thënë: «Për sipërfaqet e lyera me të dy llojet e bojërave ka katër nivele kryesore shkëlqimi: lustër, mëndafsh, shkëlqim i dobët dhe pa shkëlqim. Lustra është më praktike kur nevojitet një sipërfaqe që nuk konsumohet shpejt. Mëndafshi është i mirë për banjat dhe korridoret. Boja me shkëlqim të dobët ose pa ndriçim përshtatet mirë në dhomat e ndenjes dhe boja pa ndriçim është më praktike për tavanet.» Ne falënderojmë Gerardin për vizitën sqaruese dhe kthehemi në shtëpi për të filluar pjesën më të vështirë të punës​—përgatitjen e sipërfaqeve që do të lyhen.

Përgatitja e plotë është thelbësore

Suksesi i një lyerjeje të bukur dhe të qëndrueshme varet në një masë të madhe nga fakti se sa e plotë ka qenë përgatitja para lyerjes. Kështu, tani është koha të përveshim mëngët dhe të bëhemi gati për pak punë të rëndë. Ndoshta gjatë punës do të marrim më shumë këshilla të dobishme. Fernandoja ka në mendje dy punë​—të lyejë dhomën e ngrënies dhe gardhin me ristela përpara shtëpisë. Le t’ia nisim së pari me punën brenda.

Pasi heqim mobiliet e dhomës, vendosim mbi dysheme disa mbulesa të vjetra krevatesh. Së pari, duhet të kruajmë bojën e vjetër të plasaritur nga skeleti i dritares, nga kasa prej druri e derës dhe nga tavani. Këtë punë do ta bëjë Fernandoja. Vëreni se ai i vendos shkallët mbi një vend të sheshtë në dysheme. Veç kësaj, ka kujdes që të mos qëndrojë kurrë në majë të shkallës, pasi do të kishte shumë mundësi të rrëzohej. Suvaja e mureve është në gjendje shumë të mirë, por para se muret të lyhen duhen larë mirë me ujë dhe ilaç larës.

Pastaj përdorim një shpatull për të hequr masën e fryrë nga ndonjë plasë, e cila më pas duhet mbushur. Përdorim stuko akrilike në plasat rreth dritares dhe në rrëzë të saj, sepse kjo lëndë mbushëse është elastike dhe mund t’i rezistojë lëvizjeve midis drurit dhe suvasë. Më vonë, ndërsa Vanesa lan veglat e stukimit, ne gërryejmë fort sipërfaqet e drunjta dhe të mureve, duke përdorur letër smeril me numër mesatar. Kjo heq çdo kokrrizë dhe e ashpërson sipërfaqen në mënyrë që shtresat vijuese të bojës të ngjiten fort.

‘Përse mbani këto maska qesharake’, mund të pyesni. Ato janë si një masë sigurie që të mos na acarohet fyti nga pluhuri i bojës dhe i suvasë. Edhe syzet mbrojtëse mund të mos duken shumë tërheqëse, por kur punojmë në pjesët e sipërme na mbrojnë sytë nga ciflat që bien. Duhet të kemi kujdes të veçantë kur gërryejmë bojërat me bazë plumbi. (Shihni kutinë «Rreziku i plumbit» në faqen 27.)

Në fund, me një fshesë të butë fshijmë pluhurat në të gjithë sipërfaqet. Drurit të palyer, si dhe vrimave të mbushura në suvanë e mureve tani u duhet dhënë një dorë para se të fillojë lyerja e vërtetë. Kjo bën që dora e fundit e bojës të thahet duke pasur shkëlqim të njëtrajtshëm në vend që të duket ndonjë njollë në dru e shkaktuar nga gërryerja me letër smerili ose nga lyerja e mëparshme. Pasi kjo është bërë, dhoma është e përgatitur dhe gati që të fillojë lyerja e vërtetë.

Vërejmë se ristelat e gardhit janë të palyera. Pasi e pastrojmë mirë gardhin, duhet t’i lyejmë të gjitha kokët e gozhdëve të mëdha me bojë kundër ndryshkut. Kjo nuk do të lejojë të përhapen njollat e ndryshkut. Meqenëse gardhi do të jetë nën ndikimin e elementëve atmosferikë, do ta lyejmë dy ose tri herë me bojë akrilike për gardhet.

E pra, mjafton kaq për një ditë. Meqë kemi përfunduar të gjitha përgatitjet, nesër do të fillojmë lyerjen.

Fillojmë të përdorim furçat

Sot do të fillojmë të korrim shpërblimet e punës së vështirë përgatitore të ditës së djeshme. Gjëja e parë fare, para se të fillojmë të lyejmë duhet të sigurohemi se boja është përzier mirë. Tashmë e kemi holluar bojën akrilike të mureve vetëm me pak ujë, rreth 5 për qind të vëllimit. Kjo do të bëjë që boja të shpërndahet më lehtë me furçë. Por duhet të kemi kujdes që të mos hedhim tepër ujë. Përndryshe, boja do të jetë tepër e hollë dhe pasi të ketë përfunduar lyerja do të duket boja e vjetër. Për këndet e mureve dhe të tavanit, përdorim një furçë të gjerë për lyerje. Pastaj, për të lyer sipërfaqet e mëdha përdorim rulet. Kjo gjë e shpejton punën. *

Duhet të mos harrojmë që ta fshijmë bojën e tepërt nga furça vetëm nga njëra anë e kutisë së bojës dhe ta mbështetim dorezën e furçës nga ana e pastër e kutisë, në mënyrë që doreza dhe duart tona të mos bëhen me bojë. Së fundi, duhet të lyejmë sipas rregullit «nga lart poshtë». Kjo do të thotë që para se të fillojmë me muret duhet të mbarojmë tavanin. Pastaj gjithçka që duhet të bëjmë është të fshijmë me një leckë të njomë ndonjë njollë boje nga kasat e drunjta dhe t’i lyejmë kasat me bojën e vajit me shkëlqim lustre që kemi zgjedhur. U lumtë të gjithëve! Muret me ngjyrë të verdhë të ëmbël dhe kasat e drunjta me ngjyrë të bardhë në të verdhë duken të bukura.

Tani e ka radhën gardhi përpara shtëpisë. Për këtë kemi ndër mend të përdorim një furçë të madhe për të lyer ristelat e gardhit me bojë që hollohen me ujë. Tri duar bojë do të mjaftojnë. Pas secilës dorë duhet rreth një orë që të thahet mirë boja, si rrjedhim do të kemi mbaruar pak përpara se të erret. Le të fillojmë.

Së pari, njomim mirë qimet e furçës dhe shkundim ujin e tepërt. Kjo bën që furça ta thithë më mirë bojën dhe nuk lejon që të thahet boja te furça. E njomim furçën me shumë bojë dhe lyejmë me lëvizje të kujdesshme e të gjata. Në vend që t’i kalojmë lehtë ristelat, duhet të përqendrohemi që «ta ngjeshim» mirë bojën në sipërfaqen e ashpër të drurit.

Pa shikoni! Dora e tretë e bojës mbaroi pikërisht në perëndim të diellit. Gardhi duket i ri fare. Vështrojmë punën tonë. Këto dy ditë pune të mundimshme ia vlenin. Çfarë ndryshimi! Sigurisht që ndihesh mirë kur e zbukuron shtëpinë duke e lyer me bojë.

[Shënimi]

^ par. 24 Shumë veta përdorin shirita ngjitës për të bërë vija të drejta kur lyejnë pjesët rreth dyerve e dritareve dhe bordura e qoshe të tjera.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Këshilla për të kapërcyer disa probleme të zakonshme

MYKU: Lajeni zonën që do të lyhet me një tretësirë prej një pjesë klor dhe katër pjesë ujë. Vishni doreza dhe syze mbrojtëse. Lyejeni me bojë akrilike të mirë, pasi myku rritet më lehtë mbi bojërat e vajit. Nëse keni, përdorni një lëndë shtesë fungicide kundër mykut.

NJOLLAT E LAGËSHTIRËS DHE NJOLLA TË TJERA: Riparoni vrimat ku pikon uji ose zhdukni shkakun e njollës. Lajeni zonën që do të lyhet me ilaç larës dhe ujë. Lyejeni me bojë kundër njollave ose me llak, pastaj jepini një dorë bojë.

SIPËRFAQET ME PLUHUR: Fshijeni mirë pluhurin. Lyejeni sipërfaqen me astar që thahet ngadalë. Astarët për bojërat e vajit thithen më mirë dhe ngjiten më mirë sesa astarët për bojërat e holluara me ujë.

[Kutia në faqen 27]

Rreziku i plumbit

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Australi, në broshurën Lead Alert​—Painting Your Home? (Rreziku i plumbit: A duhet të lyeni me të shtëpinë tuaj?), thotë sa vijon:

▪ Edhe përqindjet relativisht të ulëta të plumbit në gjak mund të ndikojnë në mënyrë të dëmshme në zhvillimin intelektual dhe në sjelljen e fëmijëve të vegjël.

▪ Rreziku për fëmijët nën pesë vjeç është veçanërisht i madh, sepse sistemi i tyre nervor është ende në fazën e zhvillimit. Fëmijët e vegjël asimilojnë deri në 50 për qind të plumbit që hyn në trup, ndërsa të rriturit asimilojnë rreth 10 për qind.

▪ Nëse një fëmijë ha një petë boje me bazë plumbi me madhësi sa thoi i gishtit, përqindja e plumbit në gjakun e tij do të mbesë jashtëzakonisht e lartë për disa javë.

[Figura në faqen 25]

Rrethi i ngjyrave

[Figura në faqen 25]

«Kuzhina» e prodhuesit të bojës

[Figura në faqen 26]

Mbani pajisje mbrojtëse për siguri