Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Policia: Cila do të jetë e ardhmja e saj?

Policia: Cila do të jetë e ardhmja e saj?

Policia: Cila do të jetë e ardhmja e saj?

PA POLICI ndoshta do të kishte anarki. Por edhe me polici, a është e sigurt bota? Sot në shumë qytete, si edhe në shumë zona fshatare, shumë e ndiejnë se siguria është në krizë. A mund të presim që të na ruajë policia nga krimi i organizuar dhe nga kriminelët e zakonshëm? A mund të presim që policia t’i bëjë rrugët tona të sigurta? A do ta fitojë ajo luftën kundër krimit?

Dejvid Bejli jep një mendim në librin e tij Police for the Future (Policia për të ardhmen): «Policia nuk e parandalon krimin,​—thotë ai.​—Në të vërtetë policia është vetëm një leukoplast mbi një kancer. . . . Nuk mund të mbështetemi te policia, as edhe kur ajo i kushtohet parandalimit të krimeve, me qëllim që ta ruajë shoqërinë nga ato.» Studimet kanë treguar se nuk i parandalojnë krimet as tri veprimtaritë kryesore të policisë: patrullimi i rrugëve, përgjigjja ndaj thirrjeve urgjente dhe hetimi i krimeve. Përse?

Do të ishte diçka jashtëzakonisht e kushtueshme që të përpiqesh të parandalosh krimet duke e rritur ndjeshëm praninë e forcave të rendit. Duket sikur kriminelët nuk e vënë re ose nuk duan t’ia dinë për shtimin e patrullave, kur ky është i mundshëm. Gjithashtu, reagimi i shpejtë nga ana e policisë nuk i pengon shumë krimet. Policët kanë raportuar se, nëse ata nuk mund të arrijnë në vendin e krimit brenda një minute, ka të ngjarë të mos i kapin fajtorët. Kriminelët duket se e dinë që një shpejtësi e tillë është e rrallë. Nuk ndihmon as hetimi i krimeve. Edhe kur hetuesit ia dalin me sukses t’i dënojnë dhe t’i burgosin kriminelët, me sa duket, kjo gjë nuk i parandalon krimet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës futin në burgje më shumë kriminelë se çdo komb tjetër, megjithatë kanë ende një përqindje shumë të lartë krimesh, kurse Japonia, me më pak të burgosur, ka një ndër përqindjet më të ulëta. Edhe projektet, si për shembull rojat e lagjeve, kanë treguar se nuk kanë një ndikim të qëndrueshëm, veçanërisht në zonat me shumë kriminalitet. Masat e fuqishme ndaj krimeve të veçanta, si për shembull, ndaj trafikut të drogës dhe grabitjeve, kanë një ndikim të madh për ca kohë, por, sidoqoftë, këto ndikime vështirë se janë të qëndrueshme.

«Njerëzve të arsyeshëm nuk u duket shumë e çuditshme, fakti se policia nuk është në gjendje të parandalojë krimet,​—thuhet në librin Police for the Future.​—Është e kuptueshme për të gjithë se kushtet shoqërore jashtë kontrollit të policisë, si dhe jashtë kontrollit të sistemit penal të drejtësisë, përcaktojnë nivelin e krimeve në bashkësitë e njerëzve.»

Çfarë do të ndodhte po të mos kishte polici?

Si veproni kur nuk ka policë që ju vëzhgojnë? A përfitoni nga mungesa e tyre që ta shkelni ligjin? Është e habitshme se sa shumë njerëz të ashtuquajtur të respektuar nga shtresat e mesme dhe të larta do të vinin në rrezik emrin dhe të ardhmen e tyre për të nxjerrë dobi të pasigurta nga krimet e nëpunësve. Gazeta The New York Times raportonte kohët e fundit për ‘112 të akuzuar për mashtrim, të cilët thuhet se ishin përfshirë në një plan për të mashtruar shoqëritë e sigurimit të automjeteve. Midis të akuzuarve kishte avokatë, doktorë, mjekë kiroterapistë, një fizioterapist, një specialiste akupunkture dhe një zëvendësadministratore e Departamentit të Policisë’.

Një rast tjetër mashtrimi në shkallë të madhe tronditi kohët e fundit përkrahësit e pasur të botës së artit kur ish-kryeadministratorët e qendrave të ankandeve Sotheby’s në Nju-Jork dhe Christie’s në Londër u dënuan sepse i kishin vendosur çmimet paraprakisht. Ata dhe qendrat e ankandeve duhet të paguajnë qindra milionë dollarë gjoba dhe dëmshpërblime. Pra, lakmia e pangopur për para depërton në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Ajo që ndodhi në Recife të Brazilit në vitin 1997, kur policia u hodh në grevë, tregon se shumë njerëz i kthehen me gatishmëri krimit kur nuk ka pengesa. Çfarëdo bindjeje fetare që mund të kenë, ajo nuk ndikon në sjelljen e tyre. Ata me lehtësi mund t’i zbutin ose t’i braktisin normat dhe parimet morale. Nuk është për t’u çuditur shumë që në mjaft vende policët po bëjnë një betejë të humbur në një botë të prirur ndaj paligjshmërisë në shkallë të vogël ose të madhe.

Nga ana tjetër, disa njerëz u binden ligjeve, sepse e respektojnë autoritetin. Apostulli Pavël u tha të krishterëve në Romë se ata duhej t’u nënshtroheshin autoriteteve që Perëndia i lejon të ekzistojnë, meqë këta mbajnë të paktën një farë rregulli në shoqëri. Ai shkroi në lidhje me këto autoritete: «Sepse është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës për të shprehur zemërim mbi atë që praktikon të keqen. Prandaj, keni arsye detyruese për të qenë të nënshtruar, jo vetëm për shkak të atij zemërimi, por edhe për shkak të ndërgjegjes suaj.»​—Romakëve 13:4, 5.

Ndryshimi i kushteve shoqërore

Sigurisht që puna e policisë ka vërtet një farë ndikimi në përmirësimin e kushteve shoqërore. Kur rrugët janë të pastruara dukshëm nga droga dhe dhuna, njerëzit priren të jetojnë në lartësinë e emrit të përmirësuar të bashkësisë. Por, në të vërtetë, reformimi i shoqërisë është përtej mundësive të çdo force policie.

A mund të përfytyroni një shoqëri në të cilën njerëzit kanë aq shumë respekt për ligjin, saqë nuk ka nevojë për polici? A mund të përfytyroni një botë në të cilën njerëzit interesohen aq shumë për njëri-tjetrin, saqë janë gjithmonë të gatshëm për ndihmë dhe askush nuk ka nevojë që të thërrasë policinë për ndihmë? Ndoshta kjo duket si fantazi. Por gjejnë zbatim këto fjalë të Jezuit, ndonëse të thëna në një kontekst tjetër. Ai tha: «Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë gjithçka është e mundur.»​—Mateu 19:26.

Në Bibël përshkruhet një kohë e ardhme kur të gjithë njerëzit do të jenë nënshtetas të një qeverie të vendosur nga Perëndia Jehova. «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri . . . kjo . . . do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri.» (Danieli 2:44) Duke i mësuar të gjithë njerëzit e çiltër në udhën hyjnore të dashurisë, kjo qeveri e re do të ndryshojë kushtet shoqërore që prodhojnë krime. «Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:9) Mbreti i Jehovait, Jezu Krishti, do të mund të parandalojë krimet. Ai «nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen, por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit».​—Isaia 11:3, 4.

Nuk do të ketë më as kriminelë dhe as krime. Nuk do të ketë nevojë për polici. «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më.» (Mikea 4:4) Nëse dëshironi të bëni pjesë në ‘tokën e re’ të përshkruar në Bibël, tani është koha për të shqyrtuar se çfarë ka premtuar Perëndia në fjalën e tij.​—2 Pjetrit 3:13.

[Diçitura në faqen 12]

A mund të përfytyroni një shoqëri në të cilën njerëzit kanë aq shumë respekt për ligjin, saqë nuk ka nevojë për polici?

[Diçitura në faqen 12]

Nuk do të ketë më as kriminelë dhe as krime

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Policia kundër terroristëve

Ashtu siç treguan ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington D.C., rrëmbyesit e avionëve, rrëmbyesit e pengjeve dhe terroristët e kanë vënë policinë përballë disa prej sfidave më të vështira lidhur me mbrojtjen e njerëzve. Në shumë vende të botës janë përgatitur skuadra speciale për të marrë me sulm aeroplanë të rrëmbyer. Po ashtu, ata kanë mësuar teknika se si të hyjnë papritur brenda ndërtesave​—të zbresin me litarë nga çatitë, të hidhen nga dritaret dhe të hedhin granata trullosëse dhe kuti me gaz lotsjellës. Këta policë të stërvitur shpesh kanë pasur sukses në zënien në befasi dhe mposhtjen e terroristëve duke i rrezikuar sa më pak pengjet.

[Burimi]

James R. Tourtellotte/ Shërbimi Doganor i SHBA-së

[Figura në faqen 12]

Gjëra për të cilat nuk do të ketë më nevojë në botën e re të Perëndisë