Si erdhi në ekzistencë universi dhe jeta?
Si erdhi në ekzistencë universi dhe jeta?
«Shkenca pa fenë është e gjymtë, feja pa shkencën është e verbër.»—Albert Ajnshtajn.
NË KOHËT që jetojmë po ndodhin gjëra të mahnitshme në një shkallë të paparë ndonjëherë. Zbulimet e reja në hapësirë po i bëjnë astronomët t’i rishohin pikëpamjet e tyre për origjinën e universit tonë. Shumë njerëz mahniten me kozmosin dhe po bëjnë të njëjtat pyetje të hershme, të cilat lindin nga fakti që jemi në të: si erdhi në ekzistencë universi e jeta dhe përse?
Edhe sikur të mos vëzhgojmë hapësirën, por të shqyrtojmë veten tonë, përcaktimi që i bëhet sot renditjes së informacionit në kodin gjenetik bën që të lindin pyetjet: si u krijuan format e shumta të jetës? Dhe nëse i krijoi dikush, kush ishte ky? Kompleksiteti i qartë i projektit tonë gjenetik e nxiti një president të Shteteve të Bashkuara që të thoshte se «ne po mësojmë gjuhën me anë të së cilës Perëndia krijoi jetën». Një nga shkencëtarët drejtues në një institut kërkimesh, që merret me deshifrimin e gjenomit të njeriut (tërësia e materialit gjenetik), me përulësi vërejti: «Ne kemi zbuluar një pjesë fare të vogël nga libri ynë udhëzues, i njohur më parë vetëm nga Perëndia.» Por mbeten ende pyetjet si dhe përse erdhën në ekzistencë format e jetës.
«Dy dritare»
Disa shkencëtarë pohojnë se e gjithë mënyra se si funksionon universi mund të shpjegohet me anë të analizave racionale, duke mos lënë vend për mençurinë hyjnore. Por shumë njerëz, duke përfshirë edhe shkencëtarë, nuk binden plotësisht nga kjo pikëpamje. Ata përpiqen ta kuptojnë realitetin duke shqyrtuar si shkencën, ashtu edhe fenë. Mendojnë se shkenca trajton mënyrën se si erdhën në ekzistencë jeta dhe universi rreth nesh, kurse feja shpjegon kryesisht qëllimin e ekzistencës së tyre.
Duke shpjeguar këtë paraqitje dyshe, fizikani Frimen Dison tha: «Shkenca dhe feja janë dy dritare përmes të cilave shohin njerëzit teksa përpiqen të shpjegojnë universin e madh jashtë tyre.»
«Shkenca merret me atë që mund të matet, kurse feja me atë që nuk mund të matet»,—sugjeroi autori Uilliam Rës-Mog. Ai tha: «Shkenca nuk mund as ta provojë e as ta hedhë poshtë ekzistencën e Perëndisë, pikërisht ashtu si nuk mund të provojë ose të hedhë poshtë ndonjë mendim të veçantë për atë që është e moralshme ose estetike. Nuk ka asnjë arsye shkencore për ta dashur të afërmin ose për ta respektuar jetën njerëzore. . . . Të argumentosh se asgjë që nuk mund të provohet shkencërisht nuk ekziston, është një nga gabimet më të rënda që do të zhdukte pothuajse çdo gjë që vlerësojmë në jetë, jo vetëm Perëndinë ose botën e brendshme të një personi, por edhe dashurinë, poezinë e muzikën.»
«Feja» e shkencës
Shpesh, teoritë shkencore duket se mbështeten në premisa që kërkojnë llojin e tyre të besimit. Për shembull, kur është fjala për origjinën e jetës, shumica e evolucionistëve u përmbahen ideve që kërkojnë të besosh te disa «doktrina». Faktet përzihen me teoritë. Kur shkencëtarët përdorin forcën e autoritetit të tyre për të imponuar besimin e verbër te evolucioni, në të vërtetë është sikur po thonë: ‘Ju nuk jeni përgjegjës për sjelljen tuaj morale, sepse jeni thjesht produkt i biologjisë, kimisë dhe i fizikës.’ Biologu Riçard Dokins thotë se në univers ‘nuk ka as projekt, as qëllim, as të keqe e as të mirë, asgjë përveç indiferencës së pakuptimtë’.
Për t’iu përmbajtur këtyre bindjeve, disa shkencëtarë zgjedhin të shpërfillin kërkimet e shumta të shkencëtarëve të tjerë, të cilat bien ndesh me bazat e pavërtetuara të teorive të tyre për origjinën e jetës. Edhe nëse presim të kalojnë miliona vjet kohë, formimi i rastësishëm i molekulave komplekse që kërkohet për të formuar një qelizë të gjallë vepruese ka dalë se është diçka e pamundur nga ana matematikore. * Kështu, teoritë dogmatike për origjinën e jetës që shfaqen në shumë libra duhet të konsiderohen të pavlefshme.
Është më e vështirë të besosh që jeta erdhi nga rastësia e verbër sesa të besosh në krijim. Astronomi David Blok vërejti: «Ai që nuk beson te një Krijues duhet të ketë më shumë besim se ai që beson në ekzistencën e tij. Duke thënë se Perëndia nuk ekziston, një person bën një pohim të përgjithshëm të pathemeltë—një postulat të bazuar te besimi.»
Zbulimet shkencore mund të nxitin një qëndrim përnderues te disa shkencëtarë. Albert Ajnshtajni pranoi: «Mes shkencëtarëve me gjykim ose kuptueshmëri më të thellë, vështirë të gjesh ndonjë që nuk ka një ndjenjë fetare. . . . Ndjenja fetare shprehet me mahnitjen tejet të madhe nga harmonia e ligjeve të natyrës, e cila zbulon një inteligjencë me një epërsi të tillë, saqë në krahasim i gjithë procesi sistematik i të menduarit e i të vepruarit të qenieve njerëzore është një imitim krejtësisht i parëndësishëm.» Megjithatë, ky qëndrim përnderues nuk i bën medoemos shkencëtarët që të besojnë te një Krijues ose te Perëndia si person.
Kufijtë e shkencës
Është me vend të kemi respektin e duhur për njohurinë dhe arritjet shkencore. Megjithatë, shumë veta do ta pranonin se, ndonëse shkenca përfshin mënyrën për ta njohur diçka, ajo nuk është burimi i vetëm i njohurisë. Qëllimi i shkencës është të përshkruajë fenomenet në botën natyrore dhe të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje pyetjes se si ndodhin këto fenomene.
Shkenca na jep kuptueshmëri më të thellë për universin fizik, domethënë për çdo gjë që mund të vëzhgohet. Por, pavarësisht se deri ku arrin hulumtimi shkencor, ai nuk mund t’i japë kurrë përgjigje pyetjes që ka të bëjë me qëllimin, pra, së pari, pse ekziston universi.
«Ka disa pyetje, të cilave shkencëtarët nuk mund t’u përgjigjen kurrë»,—vërejti autori Tomi Utlei. «Ndoshta shpërthimi Big-Beng ndodhi vërtet 12 miliardë vjet më parë. Por, pse ndodhi? . . . Së pari, si erdhën në ekzistencë molekulat? Çfarë kishte atje më përpara?» Utlei nxjerr përfundimin: «Duket . . . më qartë se kurrë që shkencëtarët nuk do ta shuajnë ndonjëherë urinë e njeriut për përgjigjet e këtyre pyetjeve.»
Njohuria shkencore e fituar nëpërmjet këtyre vëzhgimeve, nuk ka arritur aspak të provojë që nuk ka nevojë për një Perëndi. Ajo ka shërbyer vetëm për të përforcuar faktin se jetojmë në një botë jashtëzakonisht komplekse, të ndërlikuar dhe që të ngjall nderim të thellë. Shumë njerëzve të arsyeshëm u duket me vend të nxjerrin përfundimin se ligjet fizike, reaksionet kimike, ADN-ja dhe shumëllojshmëria e mahnitshme e formave të jetës, tregojnë të gjitha ekzistencën e një Krijuesi. Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë të kundërtën.
‘Besimi ka në vetvete realitetin’
Nëse pas këtij universi qëndron një Krijues, nuk mund të presim ta kuptojmë atë ose qëllimet e tij duke përdorur teleskopë, mikroskopë ose instrumente të tjera shkencore. Le të mendojmë për një poçar dhe për një vazo që ai ka bërë. Sado që ta shqyrtojmë vazon, ajo nuk mund të na japë dot ndonjë përgjigje se pse është bërë. Për këtë duhet të pyesim vetë poçarin.
Frensis Kolinsi që merret me biologjinë molekulare shpjegon se si besimi dhe gjendja frymore mund të ndihmojnë për të mbushur boshllëkun që lë shkenca: «Nuk do të pritja që feja të ishte mjeti i duhur për përcaktimin e renditjes në gjenomin njerëzor, dhe njëkohësisht, as do të pritja që shkenca të ishte mjeti për të njohur atë që është e mbinatyrshme. Por shoh se pyetjeve vërtet interesante dhe më domethënëse, si ‘Përse jemi këtu?’ ose ‘Përse dëshirojnë një gjendje frymore qeniet njerëzore?’, shkenca nuk mund t’u japë përgjigje.» Shumë besëtytni janë krijuar dhe më pas dalëngadalë janë zhdukur, kurse besimi jo, gjë që tregon se ai ka në vetvete realitetin.
Shpjegimi i pyetjes përse
Kur jep përgjigjen e pyetjes përse dhe kur trajton çështjen e qëllimit të jetës, feja e vërtetë ofron edhe standardet e vlerave, normave morale, etikës, si edhe udhëheqje në jetë. Shkencëtari Alan Sendixh në lidhje me këtë u shpreh: «Unë nuk i drejtohem një libri biologjie për të mësuar si të jetoj.»
Miliona njerëz përreth globit mendojnë se e kanë gjetur ku të drejtohen për të mësuar se si të jetojnë. Veç kësaj, mendojnë se kanë gjetur përgjigje vërtet të kënaqshme për pyetjet: ‘Përse jemi këtu?’ ‘Cila do të jetë e ardhmja jonë?’ Përgjigjet ekzistojnë. Por, ku? Në Bibël, në librin e shenjtë më të vjetër e më të shpërndarë.
Bibla na tregon se Perëndia e përgatiti tokën duke pasur veçanërisht njerëzit në mendje. Isaia 45:18 në lidhje me tokën, thotë: «Perëndia . . . nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej.» Ai e pajisi tokën me gjithçka që do t’u nevojitej njerëzve, jo thjesht për të jetuar, por për të gëzuar plotësisht jetën.
Njeriu u caktua kujdestar mbi tokën, «që ta punonte dhe ta ruante». (Zanafilla 2:15) Gjithashtu, Bibla shpjegon se njohuria dhe mençuria janë dhurata nga Perëndia dhe se ne duhet të sillemi me dashuri e drejtësi me njëri-tjetrin. (Jobi 28:20, 25, 27; Danieli 2:20-23) Pra, njerëzit mund të gjejnë një qëllim dhe një domethënie në jetë, vetëm nëse zbulojnë dhe pranojnë qëllimin që ka Perëndia për ta. *
Si mund ta kapërcejë sot një person i arsyeshëm hendekun e dukshëm ndërmjet arsyetimit shkencor dhe besimit fetar? Cilat parime drejtuese mund ta ndihmojnë që ta arrijë këtë?
[Shënimet]
^ par. 11 Shih A ka një Krijues që interesohet për ju?, kapitulli 3, «Cila është origjina e jetës?», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 26 Për një trajtim më të hollësishëm, shih broshurën Cili është qëllimi i jetës? Si mund ta gjesh?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
Çfarë thonë disa shkencëtarë?
Disa njerëz mendojnë se shumica e shkencëtarëve i shmangin çështjet që kanë të bëjnë me gjendjen frymore dhe teologjinë, sepse nuk janë fetarë ose sepse nuk duan të përfshihen në debatin ndërmjet shkencës dhe fesë. Mund të jetë kështu për disa shkencëtarë, por jo medoemos për të gjithë. Vëreni se çfarë thonë disa prej tyre:
«Universi e kishte një fillim, por ajo që shkencëtarët nuk mund të shpjegojnë është shkaku i tij. Përgjigjja është, Perëndia.» «Për mua Bibla është një libër i së vërtetës dhe i frymëzuar nga Perëndia. Duhet të jetë inteligjenca prapa kompleksitetit të jetës.»—Ken Tanaka, studiues në fushën e gjeologjisë planetare, pranë Institutit të Studimeve Gjeologjike në SHBA.
«Hendeku ndërmjet llojeve të ndryshme të njohurisë (shkencore dhe fetare) është shkaktuar nga vetë njeriu. . . . Njohuria në lidhje me Krijuesin dhe njohuria në lidhje me krijimin lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.»—Enriko Hernandes, studiues dhe profesor në Departamentin e Fizikës e të Kimisë Teorike, në Universitetin e Pavarur Kombëtar të Meksikës.
«Ndërsa grumbullojmë gjithnjë e më shumë informacion [rreth gjenomit njerëzor], zbulojmë kompleksitetin dhe ndërvarësinë e tërë këtij materiali gjenetik. Kjo tregon se ai ka ardhur në ekzistencë si pasojë e një krijuesi të mençur, e një personi të mençur.»—Duan T. Gish, biokimist.
«S’ka asnjë papajtueshmëri ndërmjet shkencës dhe fesë. Që të dyja po kërkojnë të njëjtën të vërtetë. Shkenca tregon se Perëndia ekziston.»—D.H.R. Barton, profesor i kimisë, Teksas.
[Burimet]
NASA/Instituti i Studimeve Gjeologjike në SHBA
Foto: www.comstock.com
NASA and The Hubble Heritage Team (STScI/AURA)
[Figurat në faqen 5]
A mund ti përgjigjet hulumtimi shkencor pyetjes ‘Përse jemi këtu’?
[Burimi]
Me mirësjellje nga Arecibo Observatory/Devid Parker/Biblioteka e fotografive shkencore
[Burimi i figurave në faqen 6]
Yjet në faqet 2, 3, 5 dhe në fillim të faqes 7 nga National Optical Astronomy Observatories