Ngushëllim për ata që vajtojnë
Ngushëllim për ata që vajtojnë
SULMET terroriste që u bënë më 11 shtator 2001, në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington D.C., i tmerruan njerëzit në mbarë botën. Vetëm në një ditë vdiqën mijëra veta, duke përfshirë edhe qindra zjarrfikës, policë dhe punonjës të ndihmës së shpejtë të guximshëm.
Që kur ka ndodhur kjo ngjarje, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë një përpjekje të përbashkët për të ngushëlluar ata që kanë humbur njerëzit e dashur në këtë tragjedi. Ata e kanë bërë këtë me qëllim që ‘të lidhin plagët e zemërthyerve’ dhe ‘të ngushëllojnë të gjithë ata që vajtojnë’.—Isaia 61:1, 2, BR.
Gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se personat, të cilëve u kanë vdekur njerëzit e dashur, shpesh ngrenë pyetjet e mëposhtme. Bibla i ka përgjigjet për këto pyetje. Përse të mos i kërkoni në kopjen tuaj të Biblës referimet e mëposhtme biblike?
A është e paracaktuar vdekja e një personi?
Te Predikuesi 9:11 (BR) Bibla pohon se «koha dhe ngjarja e paparashikuar» [«rastësia», Dio] u ndodhin të gjithë njerëzve. Nëse vdekja është e paracaktuar, atëherë përse Bibla na nxit të marrim masa parandaluese për sigurinë?—Shih, për shembull, Ligjin e përtërirë 22:8.
Përse vdesim?
Çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, u vendosën në një parajsë tokësore. Nëse ata do të kishin mbetur të bindur, nuk do të kishin vdekur. Vdekja do të vinte si pasojë vetëm nëse njerëzit nuk do t’i bindeshin Perëndisë. (Zanafilla 1:28; 2:15-17) Mjerisht, Adami dhe Eva nuk iu bindën Krijuesit të tyre. Si rrjedhim, ata paguan dënimin, pra vdekjen. Meqë të gjithë njerëzit kanë ardhur nga Adami dhe Eva, të gjithë kanë trashëguar mëkatin dhe vdekjen. Bibla shpjegon: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.»—Romakëve 5:12.
Cila është gjendja e të vdekurve?
Pas rebelimit të Adamit, Perëndia tha: «[Do] të rikthehesh në dhé sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Pra, vdekja është një gjendje pavetëdijeje të plotë, në të vërtetë, gjendje mosekzistence. Bibla pohon: «Sepse të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin; por sa për të vdekurit, ata s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, BR) Bibla thotë gjithashtu se kur një njeriu vdes, «ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken».—Psalmi 146:3, 4.
A nuk kemi një shpirt që jeton pas vdekjes?
Bibla mëson në mënyrë të qartë se shpirti je vetë ti, jo ndonjë qenie abstrakte që do të jetojë pas vdekjes sate. (Zanafilla 2:7; Fjalët e urta 2:10; Jeremia 2:34) Meqë është kështu, mund të themi se kur vdes një njeri, vdes shpirti. Bibla pohon qartë: «Shpirti [domethënë, personi] që mëkaton ka për të vdekur.»—Ezekieli 18:4.
Çfarë shprese ka për ata që kanë vdekur?
Bibla tregon se është qëllimi i Perëndisë që me anë të ringjalljes t’i kthejë të vdekurit në jetë në një tokë parajsore, ku nuk do të ketë më sëmundje dhe vdekje. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:1-4.
Kur po fliste për mikun e tij që sapo kishte vdekur, Lazarin, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. (Gjoni 11:11-13) Për më tepër, pasi Jezui e ringjalli Lazarin, ky nuk tha asgjë se kishte qenë në ndonjë vend mundimesh ose në ndonjë vend parajsor gjatë periudhës së shkurtër të vdekjes. (Gjoni 11:37-44) Kjo është e kuptueshme, sepse të vdekurit janë të pavetëdijshëm. Ata nuk janë duke vuajtur, por presin ‘orën’ në të cilën do të ngrihen. Sidoqoftë, me ringjalljen e Lazarit Jezui tregoi se të vdekurit mund të jetojnë përsëri. Në të vërtetë, me këtë mrekulli Jezui tregoi në një masë të vogël atë që do të bëhet në tokë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.—Veprat 24:15. Sa ngushëlluese është kjo për njerëzit të cilëve u kanë vdekur të dashurit e tyre në këto kohë të trazuara!