Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i miraton Perëndia luftërat?

A i miraton Perëndia luftërat?

Pikëpamja e Biblës

A i miraton Perëndia luftërat?

KUSHEDI se sa herë sundimtarët, gjeneralët, madje edhe kleri kanë shpallur ose kanë përkrahur luftëra në emër të Perëndisë! Në vitin1095, me bekimin e papës Urbani II, nisi Kryqëzata e Parë për ta vënë Jerusalemin, «Qytetin e Shenjtë» nën zotërimin e të ashtuquajturit krishterim. Por përpara se t’ia arrinin qëllimit të tyre, një grup kryqtarësh u asgjësua nga turqit, zelli i të cilëve për Allahun ishte po aq i madh sa besimi i kryqtarëve në trinitetin.

Në gusht të 1914-s, një i ri gjerman shkroi nga kampi i fushimit në Luftën e Parë Botërore: «Në qoftë se në histori ka drejtësi dhe udhëheqje nga Perëndia, gjë për të cilën unë jam plotësisht i sigurt, atëherë fitorja duhet të jetë e jona.» Pikërisht atë muaj, cari Nikolla II lëshoi ushtritë e Rusisë kundër Gjermanisë, duke deklaruar: «U dërgoj përshëndetjen time të përzemërt trupave të mia guximtare dhe aleatëve të mi fisnikë. Perëndia është me ne!»

Duke marrë guxim në një mënyrë të ngjashme, miliona ushtarë kanë shkuar në front, me besim të plotë se Perëndia ishte në anën e tyre. Shumë njerëz mendojnë se Perëndia i lejon këto beteja si një çmim për të fituar lirinë dhe për ta mbështetur këtë, ata u referohen luftërave në Shkrimet Hebreje (e quajtur zakonisht Dhiata e Vjetër). A është i drejtë ky interpretim që i bëjnë Fjalës së Perëndisë?

Luftërat e Izraelit të lashtë

Perëndia Jehova urdhëroi që Izraeli të luftonte për ta pastruar Tokën e Premtuar nga populli i degjeneruar i Kanaanit. (Levitiku 18:1, 24-28; Ligji i përtërirë 20:16-18) Ashtu siç kishte ndëshkuar keqbërësit me anë të një përmbytjeje në ditët e Noesë dhe me anë të zjarrit në rastin e Sodomës dhe të Gomorrës, po kështu, Perëndia përdori kombin e Izraelit si shpatën e tij të ekzekutimit.​—Zanafilla 6:12, 17; 19:13, 24, 25.

Sipas Biblës, Izraeli bëri beteja të tjera nën drejtimin e Perëndisë, zakonisht për të zmbrapsur kërcënimet pa shkak të armikut. Kur kombi i bindej Jehovait, luftërat përfundonin në favor të tij. (Eksodi 34:24; 2 Samuelit 5:17-25) Por, kur Izraeli guxonte të bënte beteja kundër këshillës së Perëndisë, zakonisht pësonte një katastrofë. Shqyrtoni rastin e mbretit Jeroboam. Duke shpërfillur një paralajmërim të drejtpërdrejtë profetik, ai e dërgoi ushtrinë e tij të stërmadhe në një luftë civile kundër Judës. Kur më në fund kasaphana përfundoi, kishin vdekur 500.000 ushtarë të Jeroboamit. (2 Kronikave 13:12-18) Edhe mbreti besimplotë Josia njëherë u përfshi në një betejë që nuk i përkiste. Vendimi i nxituar i kushtoi atij jetën.​—2 Kronikave 35:20-24.

Çfarë tregojnë këto ngjarje? Tregojnë që në Izraelin e lashtë, vendimi për të bërë luftë i përkiste Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:35, 43) Ai e urdhëronte popullin e tij që të luftonte për qëllime të veçanta. Megjithatë, këto qëllime janë përmbushur para shumë kohësh. Për më tepër, Jehovai paratha se ata që do t’i shërbenin atij «në ditët e fundit», ‘do t’i farkëtonin shpatat e tyre duke i kthyer në plugje’ dhe ‘nuk do të mësonin më luftën’. (Isaia 2:2-4) Qartë, luftërat biblike nuk i justifikojnë konfliktet e ditëve të sotme, pasi asnjëri prej tyre nuk drejtohet ose nuk urdhërohet nga Perëndia.

Ndikimi i mësimeve të Krishtit

Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se si ta zëvendësojmë urrejtjen me dashurinë altruiste, duke urdhëruar: «Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» (Gjoni 15:12) Ai tha gjithashtu: «Lum paqebërësit.» (Mateu 5:9) Këtu, fjala greke e përkthyer «paqebërës» do të thotë më shumë se të gëzosh një gjendje qetësie. Në të vërtetë ajo përfshin që të kultivosh paqen, të punosh në mënyrë aktive për të nxitur vullnetin e mirë.

Kur Jezuin po e arrestonin, apostulli Pjetër u përpoq që ta mbronte atë me një armë vdekjeprurëse. Por Biri i Perëndisë e qortoi, duke thënë: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» (Mateu 26:52) Si i zbatuan këto fjalë të krishterët e shekullit të parë? Vëreni citimet e mëposhtme.

«Një shqyrtim i kujdesshëm i të gjitha informacioneve të disponueshme [tregon] se deri në kohën e Mark Aurelit [121-180 të e.s.], asnjë i krishterë nuk bëhej ushtar dhe asnjë ushtar, pasi bëhej i krishterë, nuk qëndronte në shërbimin ushtarak.»​—The Rise of Christianity (Lindja e krishterimit).

«Sjellja e të krishterëve [të hershëm] ishte shumë e ndryshme nga ajo e romakëve. . . . Duke qenë se Krishti kishte predikuar paqen, ata refuzonin që të bëheshin ushtarë.»​—Our World Through the Ages (Bota jonë gjatë shekujve).

Romakët vranë shumë dishepuj të Krishtit, sepse ata nuk pranonin të shërbenin në legjionet e perandorit. Përse të krishterët mbajtën një qëndrim të tillë të papëlqyer nga të tjerët? Sepse Jezui i mësoi që të ishin paqebërës.

Luftërat e ditëve të sotme

Imagjinoni situatën e tmerrshme sikur ithtarët e Krishtit të luftonin në ushtri kundërshtare, duke u përpjekur që të vritnin njëri-tjetrin. Një skenë e tillë do të ishte kundër parimeve të krishtere. Me të vërtetë, ata që i binden Perëndisë së Biblës nuk i bëjnë dëm askujt, madje as edhe armiqve të tyre. *​—Mateu 5:43-45.

Është e qartë, Perëndia nuk i bekon luftërat e sotme midis njerëzve. Duke qenë paqebërës, të krishterët e vërtetë mbështetin paqen e cila do të vendoset në mbarë botën nën Mbretërinë e Perëndisë.

[Shënimi]

^ par. 17 Bibla përmend «Harmagedonin» të quajtur ndryshe «lufta e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm». Këtu nuk bëhet fjalë për luftërat njerëzore, por për shkatërrimin përzgjedhës të keqbërësve nga Perëndia. Pra, Harmagedoni nuk mund të përdoret për të justifikuar konfliktet e sotme njerëzore dhe as për të pretenduar që Perëndia është duke i bekuar ato.​—Zbulesa 16:14, 16; 21:8.

[Figura në faqen 20]

Gjenerali spanjoll Francisko Franko, duke pozuar me disa klerikë katolikë

[Burimi]

Foto e Arkivit Kombëtar të SHBA-së

[Figura në faqen 21]

Ushtarë që po marrin bekimin nga priftërinj ortodoksë grekë përpara se të nisen për në Kosovë, 11 qershor 1999

[Burimi]

Foto e AP/Giorgos Nissiotis