Djalli—Një realitet i lig?
Djalli—Një realitet i lig?
NË SHUMË qarqe fetare, Djalli shihet kryesisht si një mbeturinë besëtytnore—një shpikje e njerëzve. Kështu Dionixhi Tetamanzi, kryepeshkop i Gjenovës, një nga kardinalët kryesorë të Italisë, gati shkaktoi një trazirë me letrën e tij baritore 40 faqëshe, rreth mënyrave se si të luftohet Djalli. Aty renditeshin «10 urdhërime».
I pari: «Mos harroni se Djalli ekziston», sepse «mashtrimi i tij i parë» është «të na bëjë të besojmë se ai nuk ekziston».
I dyti: «Mos harroni se Djalli është një tundues. . . . Mos e shihni veten as si të imunizuar, as si të paprekshëm.»
I treti: «Mos harroni se Djalli është shumë inteligjent dhe finok. Ai vazhdon të jetë dinak, duke joshur siç bëri me njeriun e parë.»
I katërti: «Jini vigjilentë me sy dhe me zemër. Dhe jini të fortë në frymë dhe të virtytshëm.»
I pesti: «Besoni patundshmërisht në fitoren e Krishtit mbi tunduesin» sepse kjo «do t’ju bëjë të sigurt dhe të qetë, madje edhe para sulmeve më të egra që mund t’ju bëhen».
I gjashti: «Kujtoni që Krishti ju bën pjesëmarrës në fitoren e tij.»
I shtati: «Vazhdoni të dëgjoni Fjalën e Perëndisë.»
I teti: «Jini të përulur dhe duajeni përvuajtjen.»
I nënti: «Lutuni gjithmonë, pa u lodhur», me qëllim që ta mposhtni tundimin.
I dhjeti: «Nderoni Zotin, Perëndinë tuaj dhe adhuroni vetëm atë.»
Çfarë ndikimi pati kjo letër baritore? Këshillat e saj nuk u pritën mirë nga Qendra e Studimeve Teologjike të Milanos. Qendra mbronte mendimin se ky «përpunim teologjik ngjante si mesjetar». Sipas një zëdhënësi, «t’ia vësh fajin kryesor djallit mund të bëjë që njerëzit të humbasin ndjenjën e përgjegjësisë».
Megjithëse Bibla nuk i shkarkon njerëzit nga përgjegjësia e veprimeve të tyre, ajo e identifikon qartë Satana Djallin si ‘perëndinë e këtij sistemi’, si ai që tundoi Jezuin. Gjithashtu, ajo zbulon fuqinë e Satanait dhe synimin e tij për t’ua «verbuar mendjen jobesimtarëve».—2 Korintasve 4:4; Mateu 4:1-11.
Në të vërtetë, siç shkroi apostulli Pjetër, Satanai është «si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë». (1 Pjetrit 5:8) S’është çudi që apostulli Gjon u kujtoi besimtarëve: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Është e mençur që të mos i shpërfillim këto paralajmërime biblike.