Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbështetje dhe dhembshuri nga shumë anë

Mbështetje dhe dhembshuri nga shumë anë

Mbështetje dhe dhembshuri nga shumë anë

VULLNETARËT erdhën nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, si edhe nga shtete të tjera. Një nga këta vullnetarë ishte Tomi, (i paraqitur lart) 29 vjeç, zjarrfikës nga Otava, Kanada. Ai tha për Zgjohuni!: «Pashë ngjarjet në televizor dhe doja t’i jepja mbështetje morale kolegëve të mi zjarrfikës në Nju-Jork. U nisa me makinë të premten dhe arrita në Ground Zero (epiqendrën e katastrofës) të shtunën, për të ofruar ndihmë. Më caktuan në skuadrën e quajtur skuadra e kovave, për të hequr rrënojat me kova.

Gjithashtu, gërrmonim me kujdes me lopatë mes rrënojave për të kërkuar sende që mund të ishin me vlerë për identifikimin e zjarrfikësve të rënë. Unë gjeta një vegël të tipit Halligan, që përdoret për të hapur dyer të mbyllura, si edhe disa xhunto bashkuese. Të gërrmoje ishte e mundimshme. Me rreth 50 vullnetarë, u deshën dy orë për të mbushur një kamion vetëshkarkues.

Të hënën, më 17 shtator, nxorëm trupat e disa zjarrfikësve, të cilët, të martën e kaluar, ishin turrur me vrull brenda ndërtesës. Nuk do ta harroj kurrë atë skenë: të gjithë punëtorët e ndihmës së shpejtë ndaluan punën, hoqën kaskat dhe helmetat e qëndruan në këmbë, për të respektuar kolegët që kishin vdekur.

Teksa qëndroja në këmbë duke parë skenën në Ground Zero, më bëri përshtypje fakti se sa e brishtë është jeta sot. Më bëri të meditoja për jetën, punën dhe familjen. Me gjithë rreziqet, puna është shumë shpërblyese pasi kam mundësi të ndihmoj njerëz e madje të shpëtoj jetë.»

Dëshmitarët japin ndihmë praktike

Gjatë dy ditëve të para të katastrofës, rreth 70 veta kërkuan strehë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Disave që nuk i kishin më dhomat e hotelit dhe bagazhet, iu sigurua një vend ku të qëndronin dhe rroba. Iu dha ushqim. Dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, iu dha mbështetje emocionale nga pleq të krishterë me përvojë.

Dëshmitarët e Jehovait dërguan edhe pajisje dhe furnizime të nevojshme në raste urgjence, për skuadrat e kërkim-shpëtimit, të cilat punonin në atë që u quajt Ground Zero. Gjithashtu, për departamentin e zjarrfikësve u vu në dispozicion transporti, për t’i çuar zjarrfikësit në zonën e shpëtimit. Rikardoja, (djathtas, sipër) një Dëshmitar 39-vjeçar dhe punonjës i pastrimit, mori pjesë bashkë me qindra të tjerë në heqjen çdo ditë të disa tonë copash të ndryshme rrënojash. Për Zgjohuni! ai tha: «Pamjet ishin shumë stresuese, sidomos për zjarrfikësit, të cilët kërkonin shokët e tyre të humbur. I pashë kur nxorën jashtë një zjarrfikës që ishte gjallë. Një zjarrfikës tjetër ishte vrarë se i kishte rënë përsipër trupi i një personi tjetër. Shumë zjarrfikës qanin. Nuk u përmbajta dot dhe shpërtheva në lot. Atë ditë, asnjeri nuk tregoi më shumë guxim sesa ata.»

«Koha dhe ngjarja e paparashikuar»

Mijëra njerëz vdiqën në këtë katastrofë. Mes tyre janë të paktën 14 Dëshmitarë, të cilët u ndodhën në vendin e tragjedisë ose pranë saj. Xhois Kumingsi, 65 vjeçe, nga Trinidadi, kishte takim me dentistin, afër Qendrës Tregtare Botërore. Mjerisht, e kishte gjatë kohës së katastrofës. Me sa duket, u mbyt nga tymi dhe e çuan me nxitim në një spital aty afër. Nuk mundën ta shpëtonin. Rasti i saj ishte një nga rastet e shumta të njerëzve që përjetuan pasojat e ‘kohës dhe ngjarjes së paparashikuar’. (Predikuesi 9:11, BR) Ajo njihej si një lajmëtare shumë e zellshme.

Kalvin Dausoni (shih kutinë) punonte në një kompani aksionere në katin e 84 të kullës jugore. Ai ishte në zyrë, ku mund të shihte qartë kullën veriore menjëherë pasi ajo u godit nga një avion. Punëdhënësi i tij, i cili ishte larg nga zyra, e mori në telefon për të marrë vesh se ç’kishte ndodhur. Ai tha: «Kalvini përpiqej të më tregonte atë që shihte. Më tha: ‘Po bien njerëz!’ I thashë të dilte prej andej dhe të ndihmonte edhe të tjerët të largoheshin nga zyra.» Kalvini nuk ia doli mbanë. Punëdhënësi vazhdoi: «Kalvini ishte një njeri i mrekullueshëm dhe vlerësohej nga të gjithë ne, edhe nga ata që nuk janë fetarë. E admironim devocionin dhe humanizmin e tij.»

Një viktimë tjetër Dëshmitar ishte Xhejms Amatoja, (poshtë djathtas në faqen përbri) babai i katër fëmijëve dhe kapiten në departamentin e zjarrfikësve në Nju-Jork. Ata që e njihnin thoshin se ishte kaq i guximshëm, sa «ishte gati të ngjitej në një ndërtesë që digjej, ndonëse njerëzit largoheshin me vrap prej saj». Xhejmsi u gradua në mungesë si komandant i batalionit.

Një Dëshmitar tjetër që ishte zjarrfikës, me një përvojë shtatëvjeçare, ishte Xhorxh Di Paskuale. Ishte i martuar me Melisën dhe kishin një vajzë 2 vjeçe, Xhorxhia Rouz. Ai ishte plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Staten-Island dhe ndodhej në katin e dhjetë të kullës jugore, kur ajo u shemb. Edhe ai e pagoi me jetë tek përpiqej të shpëtonte të tjerët.

Këta janë vetëm dy nga qindra zjarrfikës, policë dhe punëtorë të ndërhyrjes së shpejtë që humbën jetën, teksa përpiqeshin me trimëri të shpëtonin njerëz. Nuk është kurrë e tepërt të theksohet guximi i këtyre shpëtimtarëve. Më vonë, kryetari i bashkisë së qytetit të Nju-Jorkut, Rudolf Xhuliani, i tha një grupi zjarrfikësish të graduar: «Gatishmëria juaj për të shkuar përpara të patrembur edhe në situatat më të vështira është një burim frymëzimi për të gjithë ne. . . . Dhe nuk ka . . . shembull më të mirë guximi sesa departamenti i zjarrfikësve të qytetit të Nju-Jorkut.»

Një shërbim ngushëllimi

Gjatë atyre ditëve, pas tragjedisë, rreth 900.000 Dëshmitarë të Jehovait në Shtetet e Bashkuara u përpoqën me vendosmëri në mbarë kombin për t’u dhënë ngushëllim atyre që ishin të hidhëruar. Dashuria për të afërmin i nxiti të ngushëllonin ata që vajtonin. (Mateu 22:39) Gjatë shërbimit të tyre, gjithashtu u përpoqën të theksonin shpresën e vetme të vërtetë për njerëzimin që vuan.​—2 Pjetrit 3:13.

Kur u drejtoheshin njerëzve, Dëshmitarët tregonin dhembshuri. Qëllimi i tyre ishte të jepnin ngushëllim me anë të Shkrimeve dhe të imitonin shembullin freskues të Krishtit, i cili tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28-30.

Grupe me pleq nga kongregacione lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Manhatan, u lejuan të futeshin në zonën Ground Zero që të flitnin me punëtorët e ndërhyrjes së shpejtë që ishin atje dhe t’i ngushëllonin. Reagimi ishte shumë pozitiv. Këta shërbëtorë thanë: «Ata burra kishin lot në sy kur lexonim bashkë me ta shkrime.» Punëtorët e ndërhyrjes së shpejtë po merrnin veten në një anije që ndodhej në një mol. «Punëtorët dukeshin shumë të dërrmuar, me kokat varur, të paaftë të përballonin atë që kishin parë. U ulëm bashkë me ta dhe lexuam shkrime nga Bibla. Ata na falënderuan shumë për vizitën, duke na thënë se kishin me të vërtetë nevojë për atë ngushëllim.»

Njerëzit që u kontaktuan pas tragjedisë, shpesh donin diçka për të lexuar, prandaj atyre iu dhanë pa kursim mijëra broshura. Disa prej tyre ishin: Kur të vdes një njeri i dashur, A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë? dhe A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe serive të artikujve të dy numrave të revistës Zgjohuni!: «Pamja e re e terrorizmit» (qershor 2001) dhe «Të përballojmë stresin pas-traumatik» (22 gusht 2001, anglisht). Në shumë raste, Dëshimtarët shpjeguan shpresën që jep Bibla për një ringjallje. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Ka të ngjarë që miliona njerëz ta kenë marrë këtë mesazh ngushëllues.

Duhet të na bëjë të mendojmë

Tragjedi si ajo në qytetin e Nju-Jorkut duhet të na bëjnë të gjithëve të mendojmë për atë se çfarë po bëjmë me jetën tonë. A po jetojmë vetëm duke pasur synime egoiste apo po ndihmojmë të tjerët që të gjejnë lumturinë? Profeti Mikea pyeti: «Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8) Përulësia duhet të na shtyjë t’i drejtohemi Fjalës së Perëndisë për të gjetur shpresën e vërtetë për të vdekurit dhe për të zbuluar çfarë do të bëjë së shpejti Perëndia për të rivendosur kushtet parajsore në tokë. Nëse dëshironi të dini më shumë rreth premtimeve të Biblës, ju nxitim të lidheni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.​—Isaia 65:17, 21-25; Zbulesa 21:1-4.

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

LUTJA E TATJANËS

E veja e Kalvin Dausonit, Lena, i tregoi revistës Zgjohuni! për lutjen që bëri vajza e saj shtatëvjeçare disa ditë pasi mori vesh që babai i saj nuk do të kthehej më në shtëpi. Lena kishte bërë një lutje dhe Tatjana e pyeti: «A mund të bëj një lutje mami?» Mamaja pranoi. Tatjana u lut: «Jehova, Ati ynë qiellor, duam të të falenderojmë për këtë ushqim dhe për ditën e jetës. Duam të të kërkojmë që fryma jote të jetë me ne, mua dhe mamin, që të jemi të forta. Dhe duam të të kërkojmë që fryma jote të jetë me babin, që të jetë i fortë kur të kthehet. Dhe që kur të kthehet të jetë i bukur, i fortë, i lumtur e i shëndetshëm dhe ta shohim përsëri. Në emër të Jezuit, . . . oh, dhe mos harro ta forcosh mamin! Amin.»

Jo shumë e sigurt nëse Tatjana e kishte kuptuar, Lena tha: «Tjana, bëre një lutje të bukur. Por, zemër, a nuk e di që babi nuk do të kthehet?» Menjëherë, një pamje tronditëse pushtoi fytyrën e Tatjanës. «Nuk do të kthehet?»​—pyeti ajo. «Jo,​—i tha mamaja.​—Mendoja se ta kisha thënë. Mendoja se e kishe kuptuar që babi nuk do të kthehet.» Tatjana tha: «Por, ti gjithmonë më ke thënë se ai do të kthehet në botën e re!» Së fundi, duke e kuptuar se ç’kishte ndër mend vajza e saj, Lena tha: «Më fal, Tatjana. Të keqkuptova. Mendoja se doje të thoshe se babi do të kthehet nesër.» Lena vërejti: «U ndjeva mirë kur kuptova se bota e re është kaq reale për të.»