Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse t’u lexosh me zë fëmijëve?

Pse t’u lexosh me zë fëmijëve?

Pse t’u lexosh me zë fëmijëve?

«Ajo erdhi drejt meje, u ngjit duke u zvarritur mbi prehrin tim, duke tërhequr një libër me faqet e palosura e të ndotura me . . . gjalpë kikiriku dhe më tha: . . . ‘Më ndihmo ta lexoj, babi, më ndihmo.’»—Dr. Kliford Shimëls, profesor në fushën e pedagogjisë.

FËMIJËT mësojnë shumë shpejt. Kërkimet tregojnë se te fëmijët nën moshën trevjeçare ndodh një zhvillim i shpejtë i trurit. Veprimet e përditshme të prindërve të tilla, si të lexuarit, të kënduarit dhe shfaqja e dashurisë mund të luajnë një rol vendimtar për rritjen e shëndetshme të një fëmije. Megjithatë, sipas një studimi, vetëm gjysma e prindërve që kishin fëmijë të moshës dy deri tetëvjeç u lexojnë çdo ditë fëmijëve të tyre. Mund të pyesësh veten: a ka vërtet rëndësi t’i lexoj fëmijës tim?

Të nxitësh dashurinë për leximin

Specialistët mendojnë se përgjigjja është po. «E vetmja veprimtari më e rëndësishme për të ndërtuar njohurinë e nevojshme për të pasur më pas sukses në të lexuar është t’u lexosh fëmijëve me zë. Kjo vlen veçanërisht gjatë moshës parashkollore»,—thotë raporti Becoming a Nation of Readers (Duke u bërë një komb lexuesish).

Kur dëgjojnë tregimet e lexuara nga një libër, fëmijët mësojnë që në moshë të njomë se shkronjat e faqes u përgjigjen fjalëve në gjuhën e folur. Gjithashtu, bëhen më të afërt me gjuhën e librave. «Çdo herë që i lexojmë një fëmije po i dërgojmë një mesazh ‘të këndshëm’ trurit të tij. Madje, mund ta quash këtë një reklamë, për ta bërë fëmijën që ta lidhë kënaqësinë me librat dhe materialet e shtypura»,—vëren një manual për leximin me zë. Prindërit që u ushqejnë fëmijëve këtë dashuri për librat do të zhvillojnë tek ata dëshirën jetëgjatë për të qenë lexues.

T’i ndihmosh të kuptojnë botën përreth tyre

Prindërit që u lexojnë me zë fëmijëve mund t’u japin një dhuratë të vlefshme—njohuri për njerëz, vende e sende. Me shpenzime pak a shumë të vogla ata mund të «udhëtojnë» nëpër botë, nëpërmjet faqeve të librave. Shqyrto shembullin e Antonit dyvjeçar, nëna e të cilit i ka lexuar që kur ai lindi. Ajo thotë: «Vizita e tij e parë në kopshtin zoologjik ishte një udhëtim rizbulimi.» Rizbulimi? Po, edhe pse Antoni për herë të parë po i shikonte vetë zebrat, luanët, gjirafat dhe kafshët e tjera, ai ishte njohur tashmë me këto krijesa.

Nëna e tij shpjegon më tej: «Antoni, në dy vitet e para të jetës së tij, me kënaqësi u bë i afërt me njerëz, kafshë, sende dhe ide të panumërta, e gjithë kjo nëpërmjet faqeve të librave.» Po, t’u lexosh fëmijëve me zë kur janë të vegjël mund t’ua rritë shumë kuptueshmërinë për botën në të cilën jetojnë.

Të ndërtosh një lidhje të ngushtë

Gjatë viteve kur formohet karakteri, fëmijët e vegjël zhvillojnë qëndrime që do të ndikojnë në veprimet e tyre në vitet e ardhshme. Kështu që, prindërit duhet të hedhin themelin për një lidhje të ngushtë të karakterizuar nga besimi, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi. Leximi mund të jetë i dobishëm në këtë proces.

Kur prindërit gjejnë kohë për t’i mbajtur fëmijët në krahë dhe për t’u lexuar, mesazhi që u përçojnë është i qartë: «Të dua.» Fibi, një nënë nga Kanadaja, tha për leximin që i bënte të birit, i cili tani është 8 vjeç: «Burri im dhe unë e ndiejmë se kjo ndihmoi shumë që Natani të ndihet i afërt me ne. Ai shprehet lirshëm me ne dhe shpesh na tregon se çfarë ndien. Kjo ka krijuar një lidhje të veçantë.»

Sindi e ka bërë zakon t’i lexojë vajzës së saj me zë që kur kjo ishte afro njëvjeç dhe mjaft e vëmendshme sa të ulej e të dëgjonte një ose dy minuta. A ia vlejti gjithë koha dhe përpjekjet? Sindi komenton: «Atmosfera miqësore dhe e qetë kur lexojmë së bashku është shpesh gjithçka që duhet për ta nxitur Abigeilin të na tregojë hapur për ndonjë ndodhi në shkollë ose ndonjë problem me një shoqe. Cili prind nuk do ta dëshironte me zjarr një reagim të tillë?» Sigurisht, leximi me zë mund të çojë në një lidhje të ngushtë midis prindit dhe fëmijës.

T’u ngulitësh aftësi të nevojshme për jetën

«Sot, fëmijët tanë futin në mendje kaq shumë mbeturina nga televizioni dhe nga burime të tjera, saqë kanë nevojë, më shumë se kurrë, për ca ushqim mendor. Kanë nevojë, gjithashtu, për ca mendime të qarta, mençuri dhe për njëfarë qëndrueshmërie mendore që do t’i ndihmojë të jetojnë sipas vlerave të tyre dhe ta shohin jetën në perspektivën e duhur»,—thotë libri 3 Steps to a Strong Family (Tre hapa drejt një familjeje të fortë). Prindërit kanë mundësinë më të madhe për të ushtruar një ndikim pozitiv dhe të shëndetshëm.

Njohja me fjali të përbëra dhe të ndërtuara mirë, të cilat gjenden në libra, mund të jetë një mjet i dobishëm për t’i mësuar një fëmije të shprehet vetë si në të folur, edhe në të shkruar. Dorëthi Batlëri, autorja e botimit Babies Need Books (Foshnjat kanë nevojë për libra), thotë: «Cilësia e mënyrës së të menduarit të një individi varet nga cilësia e gjuhës së tij. Në të vërtetë, gjuha është elementi qendror në procesin e të mësuarit dhe të inteligjencës.» Aftësia për të komunikuar mirë është çelësi për të pasur marrëdhënie të mira.

Leximi nga libra të përshtatshëm mund të përforcojë, gjithashtu, cilësi dhe vlera morale të mira. Prindërit që lexojnë dhe arsyetojnë me fëmijët, mund t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësinë për të zgjidhur problemet. Ndërsa Sindi i lexonte vajzës së saj Abigeilit, vëzhgonte me kujdes reagimin e Abigeilit ndaj rrethanave të paraqitura në tregime. «Si prindër, mund të mësojmë më shumë rreth veçorive të pakapshme të personalitetit të saj, me shpresë që ta ndihmojmë t’i shmangë mendimet e papërshtatshme që në fazë të hershme.» Në të vërtetë, të lexosh me zë bashkë me fëmijët, mund të ndikojë pozitivisht në mendjen e në zemrën e tyre.

Bëje leximin të kënaqshëm

Lexo me një ton joserioz, duke e mbajtur atmosferën çlodhëse, të thjeshtë dhe të kënaqshme. Prindërit mendjemprehtë e dinë se kur duhet ta ndalin leximin. Lina thotë: «Nganjëherë Endrju, i cili është dyvjeç, është shumë i lodhur dhe nuk rri dot në vend pa lëvizur për shumë kohë. E shkurtojmë programin e leximit për t’iu përshtatur humorit të tij. Nuk duam që Endrju të ketë ndonjë ndjenjë pakënaqësie ndaj leximit, kështu që nuk e sforcojmë më tepër sesa mund të mbajë.»

Leximi me zë përfshin shumë më tepër sesa thjesht të kthesh në tinguj atë që është e shtypur. Kupto se kur duhet ta kthesh faqen e një libri me ilustrime, që të krijosh një gjendje pritjeje. Lexoje rrjedhshëm tekstin. Intonacioni i zërit dhe theksimi i kuptimit mund ta bëjnë, gjithashtu, më të gjallë tregimin. Ngrohtësia e zërit mund të ngulitë ndjenjën e sigurisë te fëmija yt.

Dobitë janë më të mëdha kur fëmija është një pjesëmarrës aktiv. Pusho herë pas here dhe bëj pyetje që kërkojnë përgjigje me më shumë se vetëm një fjalë. Zgjeroje përgjigjen e fëmijës duke i dhënë mundësi të ndryshme.

Ji seleksionues në zgjedhjen e librave

Megjithatë, ndoshta faktori më i rëndësishëm është të zgjedhësh libra të mirë. Kjo kërkon të bësh ca kërkime. Përzgjidhi librat me kujdes dhe përdor vetëm ata që kanë një mesazh ndërtues dhe edukativ e një tregim me një mësim të mirë praktik. Shiko me kujdes kapakun, ilustrimet dhe stilin e përgjithshëm. Zgjidh libra që janë interesantë si për prindërit, ashtu edhe për fëmijët. Shpesh fëmijët do të kërkojnë t’u lexohet shumë herë me radhë i njëjti tregim.

Prindër nga e gjithë bota e kanë pëlqyer veçanërisht librin me titull Libri im i tregimeve biblike. * Ai është hartuar që prindërit ta lexojnë së bashku me fëmijët e vegjël, dhe kjo jo vetëm që mund t’i ndihmojë fëmijët të bëhen lexues të mirë, por edhe mund të nxitë interesin e tyre për Biblën.

Prindërit që u lexojnë me zë fëmijëve mund të ngulitin tek ata zakone të mira leximi, të cilat mund të sjellin fryte domethënëse gjatë jetës. Xhoana komentoi për vajzën e saj: «Jo vetëm që Xheniferi mësoi të lexonte dhe të shkruante para se të shkonte në shkollë dhe zhvilloi dashurinë për leximin, por ç’është më e rëndësishmja, ka zhvilluar dashurinë për Krijuesin tonë të Madh, Jehovain. Xheniferi ka mësuar të mbështetet në Fjalën e tij të shkruar, Biblën, për ta drejtuar në të gjitha vendimet e saj.» Vërtet, ajo që ti po e ndihmon një fëmijë të dojë, mund të jetë më e rëndësishme se ajo që po e ndihmon të mësojë.

[Shënimi]

^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

Kur t’i lexosh fëmijës

• Fillo që kur ai ose ajo është ende foshnjë.

• Lëri kohë fëmijës të zërë vend, gati për leximin.

• Lexo tregime që ju pëlqejnë të dyve.

• Lexo sa më shpesh të mundesh dhe me ndjenjë.

• Përfshi edhe fëmijën duke i bërë pyetje.

[Burimi i figurës në faqen 13]

Fotografitë janë marrë në Wildlife Conservation Society’s Bronx Zoo