Përse burrat i keqtrajtojnë gratë?
Përse burrat i keqtrajtojnë gratë?
DISA specialistë thonë se gratë ka më shumë të ngjarë të vriten nga partnerët e tyre meshkuj sesa nga të gjithë llojet e kriminelëve të marrë së bashku. Në përpjekje për të ndalur valën e dhunës ndaj bashkëshorteve, janë bërë studime të shumta. Cilët burra i keqtrajtojnë gratë e tyre? Si ka qenë fëmijëria e këtyre burrave? A kanë qenë të dhunshëm ata gjatë shoqërimit për t’u njohur? Si reagojnë burrat e dhunshëm ndaj trajtimit mjekësor?
Një gjë që kanë mësuar specialistët është se jo të gjithë burrat e dhunshëm janë njësoj. Në njërin skaj janë burrat që e ushtrojnë dhunën me raste. Ata nuk përdorin ndonjë armë dhe nuk e kanë zakon ta keqtrajtojnë bashkëshorten. Incidentet e dhunshme janë jashtë karakterit të tyre dhe duket se nxiten nga faktorë të jashtëm. Në skajin tjetër janë burrat që kanë zhvilluar një prirje kronike të keqtrajtimit. Ata e përdorin vazhdimisht dhunën dhe kanë pak ose aspak brejtje të ndërgjegjes.
Gjithsesi, fakti që ka lloje të ndryshme burrash që ushtrojnë dhunën nuk do të thotë se disa forma keqtrajtimi nuk janë të rënda. Në të vërtetë, çdo lloj keqtrajtimi fizik mund të shkaktojë dëmtime e madje edhe vdekjen. Prandaj, fakti që një burrë e ushtron dhunën jo aq shpesh ose jo aq fort sa një tjetër, nuk e bën atë të justifikueshme. Thjesht, nuk ekziston asgjë që mund të quhet keqtrajtim «i pranueshëm». Por, cilët faktorë mund ta bëjnë një burrë që të përdorë dhunë fizike ndaj gruas për të cilën u betua se do ta donte për gjithë jetën?
Ndikimi i familjes
Një fakt që nuk të habit është se burrat që ushtrojnë dhunë fizike janë rritur për vete në familje të dhunshme. «Shumica e burrave të dhunshëm janë rritur në shtëpi që mund të quhen ‘zona lufte’»,—shkruan Majkëll Grejçi, i cili ka kaluar më shumë se dy dhjetëvjeçarë duke bërë kërkime lidhur me dhunën ndaj bashkëshorteve. «Që foshnja dhe fëmijë të vegjël ata janë rritur në mjedise të egra, ku dhuna emocionale dhe fizike ishte ‘normale’.» Sipas një specialisteje, një mashkull që rritet në mjedis të tillë, «mund ta thithë që në moshë të njomë përbuzjen që ka i ati për gratë. Djali mëson se një burrë duhet t’i ketë gjithnjë nën kontroll gratë dhe se mënyra për t’i pasur ato nën kontroll është t’i frikësojë, t’i dëmtojë dhe
t’i poshtërojë. Në të njëjtën kohë, mëson se një mënyrë e sigurt për të fituar miratimin e babait të tij është të sillet si ai».Bibla e bën të qartë se sjellja e një prindi mund të ketë ndikim domethënës te një fëmijë, qoftë për mirë, qoftë për keq. (Fjalët e urta 22:6; Kolosianëve 3:21) Sigurisht, mjedisi familjar nuk e justifikon një burrë që të jetë i dhunshëm, por mund të ndihmojë për të shpjeguar se ku u mbollën farërat e një temperamenti të dhunshëm.
Ndikimi i kulturës
Në disa vende, të rrahësh një grua shihet si një gjë e pranueshme e madje normale. «E drejta e burrit për ta rrahur ose për ta frikësuar fizikisht gruan e tij është një bindje e rrënjosur thellë në shumë shoqëri»,—thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Edhe në vendet ku kjo dhunë nuk shihet si e pranueshme, shumë individë kanë një sjellje të dhunshme. Mënyra e paarsyeshme e të menduarit të disa burrave në këtë aspekt është tronditëse. Sipas Weekly Mail and Guardian të Afrikës së Jugut, një studim i bërë në Kejptaun zbuloi se shumica e burrave që thoshin se nuk i keqtrajtojnë gratë e tyre, mendonin se ta godasësh një grua është e pranueshme dhe se një sjellje e tillë nuk përbën dhunë.
Është e qartë se një pikëpamje e tillë e shtrembëruar shpesh fillon që në fëmijëri. Për shembull, në Britani një studim tregoi se 75 për qind e djemve të moshës 11 dhe 12-vjeçare mendonin se është e pranueshme që një burrë ta godasë një grua, po qe se kjo e provokon.
Asnjë justifikim për keqtrajtimin
Faktorët e mësipërm mund të ndihmojnë për të shpjeguar përse keqtrajtohen gratë, por Efesianëve 5:28, 29.
nuk e justifikojnë një sjellje të tillë. E thënë thjesht, për Perëndinë të rrahësh bashkëshorten është një mëkat i rëndë. Në Fjalën e tij, në Bibël, lexojmë: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse asnjeri nuk e ka urryer kurrë trupin e vet; por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.»—Shumë kohë më parë, Bibla paratha se në «ditët e fundit» të këtij sistemi, shumë do të ishin «të dhunshëm», «pa përzemërsi të natyrshme» dhe «të egër». (2 Timoteut 3:1-3, The New English Bible) Fakti që dhuna ndaj grave sot është kaq e përhapur, është thjesht një tjetër tregues se po jetojmë pikërisht në atë periudhë kohe që përcakton kjo profeci. Por, çfarë mund të bëhet për të ndihmuar viktimat e dhunës fizike? A ka ndonjë shpresë se burrat e dhunshëm mund të ndryshojnë sjelljen e tyre?
[Diçitura në faqen 5]
«Një burrë i dhunshëm që ka sulmuar gruan e tij nuk është më pak kriminel se një burrë që ka rrahur një të panjohur.»—When Men Batter Women
[Kutia në faqen 6]
Dhuna në familje—Një problem mbarëbotëror
Burrat krenarë me qëndrim të dhunshëm ndaj grave janë një problem mbarëbotëror siç tregojnë raportet e mëposhtme.
Egjipt: Një studim tremujor në Aleksandri tregoi se dhuna në familje është shkaku kryesor i dëmtimeve te gratë. Është shkaku i 27,9 për qind të vizitave të grave në qendrat shëndetësore vendase për traumat.—Résumé 5 of the Fourth World Conference on Women.
Tajlandë: Në periferinë më të madhe të Bangkokut, 50 për qind e grave të martuara rrihen rregullisht.—Pacific Insitute for Women’s Health.
Hong-Kong: «Numri i grave që thonë se janë rrahur nga partnerët e tyre është rritur me shpejtësi me më shumë se 40 për qind në vitin e kaluar.»—South China Morning Post, 21 korrik 2000.
Japoni: Numri i grave që kërkojnë strehim u rrit nga 4.843 më 1995 në 6.340 më 1998. «Afro një e treta thanë se kërkonin strehim për shkak të sjelljes së dhunshme të burrave të tyre.»—The Japan Times, 10 shtator 2000.
Britani: «Një përdhunim, rrahje ose goditje me thikë ndodh në një shtëpi diku nëpër Britani çdo gjashtë sekonda.» Sipas një raporti të Scotland Yard, «policia merr çdo ditë 1.300 telefonata nga viktimat e dhunës në familje, më shumë se 570.000 telefonata në vit. Tetëdhjetë e një për qind e këtyre viktimave janë gra, të sulmuara nga burrat».—The Times, 25 tetor 2000.
Peru: Shtatëdhjetë për qind e të gjitha krimeve të raportuara në polici kanë të bëjnë me gra që janë rrahur nga burrat e tyre.—Pacific Insitute for Women’s Health.
Rusi: «Në një vit, 14.500 gra ruse u vranë nga burrat e tyre dhe 56.400 të tjera u gjymtuan ose u dëmtuan rëndë nga sulmet në familje.»—The Guardian.
Kinë: «Është një problem i ri. Po rritet me të shpejtë, veçanërisht në zonat urbane»,—thotë profesoresha Çen Jijun, drejtoreshë e Qendrës së Familjes në Xhinglun. «Presioni nga fqinjët nuk e frenon më dhunën në familje.»—The Guardian.
Nikaragua: «Dhuna kundrejt grave në Nikaragua është duke u rritur shumë. Një studim pohonte se vetëm vitin e kaluar 52 për qind e grave nikaraguaiane vuajtën forma të dhunës në familje nga vetë burrat e tyre.»—BBC News.
[Kutia në faqen 7]
Tregues të rrezikut
Sipas një studimi të drejtuar nga Riçard J. Xhelsi në Universitetin e Roud Ajlendit, SHBA, tregues të rrezikut për keqtrajtimin fizik dhe emocional në mjedisin familjar janë si më poshtë:
1. Burri e ka ushtruar më parë dhunën në familje.
2. Është i papunë.
3. Përdor droga të paligjshme të paktën një herë në vit.
4. Kur jetonte me familjen, ai shihte babanë të godiste nënën.
5. Çifti nuk është i martuar; bashkëjetojnë.
6. Nëse është i punësuar, ka një punë me rrogë të ulët.
7. Nuk e ka mbaruar shkollën e mesme.
8. Ka moshën nga 18 deri 30 vjeç.
9. Njëri ose të dy prindërit përdorin dhunë ndaj fëmijëve në shtëpi.
10. Të ardhurat janë nën nivelin e varfërisë.
11. Burri dhe gruaja vijnë nga kultura të ndryshme.
[Figura në faqen 7]
Dhuna në shtëpi mund të ndikojë rëndë te fëmijët