Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
A shkruhen në kartelat mjekësore zakonet e shikimit të televizorit?
Një grup pediatërish në Spanjë këshillojnë se në kartelën mjekësore të një fëmije duhet të përfshihen zakonet e tij për të parë televizor. Sipas gazetës spanjolle Diario Médico, mjekët mendojnë se duhet të dinë se sa orë në ditë kalon një fëmijë pacient duke parë televizorin, si dhe çfarë lloj programesh sheh dhe me kë. Pse? Sepse nga një sondazh i drejtuar prej pediatërve u zbulua se shikimi i televizorit çon në një mënyrë jetese pa lëvizje, në rritjen e agresivitetit, në dëshirën për të blerë gjëra, në rënien në mësime dhe në mundësinë për t’u bërë maniak pas televizorit. «Pediatërit këshillojnë që prindërit të mos vendosin televizor në dhomën e gjumit të fëmijëve ose në një vend ku [fëmijët] mund të kontrollojnë programet,—thotë artikulli.—Veç kësaj, duhet të shmanget shikimi i televizorit në kohën e ngrënies. Gjithashtu, prindërit duhet t’i kufizojnë fëmijët që të shohin televizor më pak se dy orë në ditë, megjithëse më pak se një orë do të ishte më e pëlqyeshme.»
Rritja e popullsisë së Kinës
«Popullsia e Kinës është rritur deri në 1.260.000.000 njerëz dhe është më jetëgjatë, më e arsimuar dhe më e urbanizuar»,—thotë abcNEWS.com. Sipas Zhu Zhixini, drejtor i Zyrës Kombëtare të Statistikave, popullsia është rritur me 132.200.000 që prej vitit 1990. Përqindja e ulët e rritjes prej 1,07 për qind në vit është në sajë të politikës së kontrollit të lindjeve për të pasur një fëmijë të vetëm, që ka nisur të zbatohet që nga fundi i viteve 70 të shekullit të 20-të. Sidoqoftë, zyrtarët janë të shqetësuar, sepse studimi në vitin 1999 zbuloi se 117 meshkuj kishin lindur për çdo 100 femra, siç duket, si pasojë e abortimit të përzgjedhur. «Sociologët kanë frikë se përpjestimi i paekulibruar i lindjeve do të çojë në një numër të pakët të nuseve, në shtimin e prostitucionit dhe në rrëmbimin e në shitjen e grave për martesë»,—thotë artikulli.
«Thesar i nëndheshëm»
Kërkuesit, të udhëhequr nga hidrogjeologu brazilian Heraldo Kampos, kanë përfunduar një projekt shtatëvjeçar për të vendosur në hartë rezervuaret e nëndheshme më të mëdha të Amerikës Jugore. Shtresa ujëmbajtëse Guarani, që gjendet pjesërisht nën tokën e Brazilit, Uruguajit, Paraguait dhe Argjentinës, ka një sipërfaqe totale prej afërsisht 1,2 milion kilometrash katrorë dhe mban rreth 40.000 kilometra kub ujë. Sipas një raporti të Institutit Botëror të Mjedisit, «vëllimi i kësaj rezerve uji sot, do të mjaftonte për të furnizuar të gjithë popullsinë e Brazilit për 3.500 vjet». Në të ardhmen ky «thesar i nëndheshëm» mund të shfrytëzohet, gjithashtu, për të luftuar shkretimin e tokës dhe për shkak të temperaturës së ujit, mund të përdoret si një burim alternativ energjie. Duke shënuar në hartë shtresën ujëmbajtëse, kërkuesit shpresojnë t’i mbrojnë nga pesticidet dhe ndotja prej plehut zonat që furnizojnë me më shumë ujë këtë shtresë ujëmbajtëse.
Shtimi i kancerit të lëkurës
Sipas agjencisë së lajmeve El Pais Digital të Spanjës ka pasur një shtim shumë të madh të melanomave, tumori më i rëndë i lëkurës. Nga mesi i shekullit të 20-të, melanoma shfaqej te 1 në çdo 1.500 njerëz. Por në vitin 2000, ky numër ishte rritur në mënyrë dramatike me 1 në çdo 75 individë, kryesisht për shkak të faktit që është në modë lëkura e nxirë. Në një kongres të Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore, profesori Xh. Kirkud tha se 40 për qind e tumoreve melanoma kanë të bëjnë me faktorët gjenetikë, kurse 60 për qind që mbetet lidhen me ekspozimin e tepërt në diell. Më të prekura nga kjo janë gratë nga 23 deri 50 vjeçe. Kirkudi shpjegoi se gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, nga rrezatimi diellor mund të shkaktohen mutacione në qelizat pigmentare të lëkurës, ndonëse, kanceri mund të mos shfaqet deri shumë vjet më vonë. «Lëkura e ruan në kujtesë rrezatimin diellor që ka marrë»,—vërejti Kirkudi.
Kthimi i sheqerit në plastikë
Shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve Teknologjike në Brazil zbuluan një lloj të ri bakteri të aftë për të kthyer sheqerin në plastikë. Llojet e zbuluara më parë e tretin dhe e shndërrojnë sheqerin vetëm pasi ai është zbërthyer në molekula më të vogla, por «potenciali i madh i këtij [bakteri të sapozbuluar] qëndron në aftësinë për ta kryer metabolizmin e sheqerit menjëherë»,—thotë inxhinieri Karlos Rosell. Kur ushqehen
tepër, këto baktere e përdorin sheqerin shtesë për të prodhuar grimca shumë të vogla plastike të biodegradueshme, të cilat shkencëtarët i shkëputin duke përdorur një tretës. Gazeta O Estado de S. Paulo thotë se sipas kërkuesve, «një kilogram plastikë mund të merret nga tre kilogramë sheqer».Dieta e pasur me yndyra ngathtëson mendjen
«Një dietë e pasur me yndyra mund t’ju bllokojë mendjen si dhe arteriet koronare»,—thotë revista New Scientist. Për të kuptuar pasojat që ka në tru një dietë e pasur me yndyra, kërkuesit në Kanada «ushqyen disa kavje njëmuajshe me një dietë të pasur me yndyra bimore ose shtazore derisa u bënë katërmuajshe». Njërin grup e ushqyen me një dietë me përqindje të ulët yndyre. Më pas, të dyja grupeve u dhanë detyra për të mësuar. Përfundimi? Kavjet që u ushqyen me dietat e pasura me yndyrë «dolën shumë më dobët se kavjet që kishin një dietë me pak yndyrë». Kërkuesi Gordon Uinëkër tha: «Dietat e pasura me yndyrë na e dobësojnë efektshmërinë thuajse në të gjitha anët. Bie menjëherë në sy se sa të dëmtuara janë këto kafshë.» Sipas artikullit, kërkuesit mendojnë se «yndyrat e pengojnë trurin për të thithur glukozën, siç duket duke ndërhyrë në veprimin e insulinës, e cila ndihmon për rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak».
Mjete torture në shitje
«Tregtimi i mjeteve të torturës është në rritje»,—thuhet në një artikull në gazetën gjermane Südwest Presse. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut Amnesty International, 150 kompani përreth botës mendohet të kenë hyrë në këtë tregti të tmerrshme, duke përfshirë 30 në Gjermani dhe 97 në Shtetet e Bashkuara. Artikujt e tyre përfshijnë jo vetëm zinxhirë për këmbët dhe pranga të dhëmbëzuara për gishtin e madh të dorës, por dhe pajisje elektroshoku me tension të lartë. Thuhet se një kompani në Shtetet e Bashkuara ka ofruar rripa që drejtohen me telekomandë, të cilët përçojnë në trupin e viktimës goditje elektrike deri në 50.000 volt. Këto mjete të teknologjisë së lartë parapëlqehen nga torturuesit, meqë ato vështirë se lënë gjurmë në viktimat e tyre.
Merimanga në dëborë
Në studimin e tij për merimangat-gaforre, kërkuesi gjerman Peter Jager, i Universitetit të Majncit, «ka identifikuar 50 varietete të reja të cilat rriten mirë në borën dhe akullin e Himalajave, në lartësitë deri 3.800 metra»,—thotë gazeta The Asian Age. «Edhe pse mund të jenë deri katër centimetra si madhësi, këto merimanga-gaforre gjigante nuk paraqesin asnjë rrezik për njerëzit.» Ato fshihen në të çarat e shkëmbinjve ose nën lëvoret e pemëve dhe ushqehen me insekte, të cilat i gjejnë lehtë për shkak të të dëgjuarit të tyre të ndjeshëm. Por, si ka mundësi që këto merimanga nuk ngrijnë në dimër? Në dallim nga të afërmit e tyre të klimave më të ngrohta, llojet e Himalajës janë të pajisura me një «kundërngrirës biologjik»,—thotë Jageri. «Ato mbajnë rezervë në lëngjet e trupit alkoole mjaft të përqendruara dhe kjo u jep mundësinë që të mbijetojnë në temperaturat nën zero.»
Nuhatja e sëmundjeve
Revista shkencore gjermane natur & kosmos raporton se një tub nuhatës mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve neurologjike të tilla, si sëmundja e Parkinsonit apo e Alcajmerit. Një dobësim në shqisën e të nuhaturit shfaqet hershëm në fazat e para të sëmundjes së Parkinsonit dhe është mes simptomave më të zakonshme. Falë punës së profesor Gerd Kobalit, është zhvilluar një metodë praktike për të matur nivelin e dëmtimit të shqisës së të nuhaturit te pacienti. Ndërsa simptomat më të dukshme të sëmundjes së Parkinsonit të tilla, si dridhjet dhe ngurtësia muskulare, shfaqen në një fazë të mëvonshme, keqfunksionimi në shqisën e të nuhaturit mund të diktohet muaj apo vite më parë, falë testit të sapokrijuar. Kjo u hap rrugën terapive që mund ta ngadalësojnë përparimin e kësaj sëmundjeje, sot për sot të pashërueshme.
Shpërdorim i ushqimit
«Një sasi shumë e madhe ushqimi shpërdorohet në raste dasmash apo në festa të tjera madhështore»,—thotë Mainichi Daily News e Japonisë. Një sondazh qeveritar për shpërdorimin e ushqimit zbuloi se familjarët çonin dëm mesatarisht 7,7 për qind të ushqimit të tyre, shitësit 1,1 për qind dhe restorantet hidhnin 5,1 për qind të ushqimeve të papërgatitura. Sidoqoftë, «festat e tepruara me vetëshërbim hidhnin 15,7 për qind të ushqimit të tyre» dhe pothuajse 24 për qind e ushqimit të përgatitur për bankete martesash «ose nuk konsumohej, ose flakej»,—komenton gazeta. Vetëm prodhuesit e ushqimit raportojnë «pothuajse asnjë përqindje të shpërdorimit të ushqimit».