Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Artikulli i shpëton jetën Vizituam një burrë me emrin Leni, i cili tha se artikulli «Denga: Ethe nga një pickim» (22 korrik 1998, anglisht) i shpëtoi jetën mbesës së tij. Ajo kishte pasur disa ditë ethe dhe i ishin bërë njolla të kuqe, por prindërit e saj nuk u merakosën shumë duke menduar se ishte fruth. Duke sjellë në mend artikullin, Leni gjeti revistën dhe rilexoi pjesën që përshkruante simptomat e dengas. Më pas u mbushi mendjen prindërve të mbesës për ta çuar atë në spital. Mjekët atje vërtetuan se ajo kishte vërtet ethet hemorragjike të dengas. Leni lavdëroi revistën Zgjohuni! që e ndihmoi për të shpëtuar mbesën e tij dhe më vonë pranoi një studim biblik në shtëpi.
H.M.L., Filipine
Sindroma Marfan Në artikullin «Përballimi i sindromës Marfan: Kur kyçet dalin nga vendi» (22 shkurt 2001, anglisht), Mishela thotë që merr çdo ditë morfinë. Si ka mundësi që një një i krishterë të përdorë një ilaç me efekt drogues?
S. D., Shtetet e Bashkuara
Do të ishte e gabuar që një i krishterë të përdorte ilaçe thjesht për emocionet e forta që ato sjellin. Sidoqoftë, një që pranon një narkotik kundër dhimbjes nën kontrollin e një mjeku, për shkak të ndonjë problemi mjekësor, si zor të quhet si një që kërkon të provojë emocione të forta. Natyrisht, edhe në rrethana të tilla, një i krishterë duhet ta peshojë mirë mundësinë për t’u bërë i varur nga ky ilaç dhe efektet e tjera anësore të dëmshme që mund të sjellë marrja e një mjekimi të tillë.—BOT.
Përvoja e Mishelës më ka inkurajuar. Edhe pse ka dhimbje të vazhdueshme, e çmoj se nuk lejon që rrethanat e saj ta ndalojnë për t’i shërbyer Jehovait me gjithë shpirt.
H. G., Guam
Mbeturinat radioaktive Mbeta e pakënaqur me artikullin tuaj «Mbeturinat radioaktive—Një çështje shqetësuese». (22 shkurt 2001, anglisht) Ju nuk duhet që në përpjekje për të nxitur pikëpamjen tuaj rreth Biblës, të përdorni taktika që përhapin frikë për të trembur njerëzit. Rreziqet duhet të paraqiten në sfondin e duhur. Për shembull, elektriciteti mund të jetë pak a shumë i sigurt, nëse tregohet kujdesje. Megjithatë, shumë njerëz vdesin çdo vit për shkak se i zë korrenti. A do të thotë kjo që të gjithë ne duhet të bëhemi tepër mosbesues e të jetojmë me frikën nga elektriciteti? E vërteta është se, të gjitha shtetet do të kenë nevojë për më shumë elektricitet në të ardhmen dhe reaktorët bërthamorë po shihen si metodat më të pastra dhe më të sigurta për ta siguruar atë. S’kemi pse të kemi frikë nga energjia bërthamore.
R. S., Kanada
Këto janë çështje të ndërlikuara dhe ne e vlerësojmë sinqeritetin e këtij lexuesi. Sidoqoftë, nuk mendojmë që artikulli ynë përdorte «taktika që përhapin frikë». Nuk bëhej asnjë përpjekje për të tmerruar lexuesit tanë. As nuk dënonim energjinë bërthamore. Në vend të saj, ne theksuam shqetësimet e drejta që kanë shumë veta për sa i përket fuqisë bërthamore, duke e drejtuar vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë si zgjidhja përfundimtare e mungesës së energjisë.—BOT.
Siguracionet Si një agjent siguracionesh, e çmova me të vërtetë serinë me titull: «Siguracionet—A keni vërtet nevojë për to?» (22 shkurt 2001, anglisht) Për shumicën e konsumatorëve siguracionet mund të jenë shumë të ngatërruara. Është e vështirë të kuptosh arsyen përse paguan për diçka, të cilën mund të mos e përdorësh kurrë. Për këtë arsye, e çmova ilustrimin tuaj në lidhje me mbajtjen e një rrote makine rezervë. Ju faleminderit për këtë informacion të shkruar mirë.
K. P., Shtetet e Bashkuara
Dalja fshehurazi Ju faleminderit për artikullin që titullohej: «Të rinjtë pyesin . . . Çfarë të keqe ka të dalësh fshehurazi nga shtëpia?» (22 shkurt 2001, anglisht) Më trishton kur vërej se sa naivë janë disa të rinj të krishterë. Një vajzë e re doli fshehurazi nga shtëpia për të shkuar në një mbrëmje dhe e përdhunuan. Asnjë nuk i erdhi në ndihmë. Ju lutem vazhdoni t’i paralajmëroni të rinjtë tanë!
Xh. N., Shtetet e Bashkuara