Ski në fushë të hapur: A është për ju?
Ski në fushë të hapur: A është për ju?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA
«LANGLÄUFER LEBEN LÄNGER»—«skiatorët që rrëshqasin në fushë të hapur jetojnë më gjatë». Kjo proverbë gjermane thekson dobinë që nxjerrin shumë veta nga sporti dimëror i rrëshqitjes me ski në fushë të hapur. Me të vërtetë, në shumë vende ku ka borë me bollëk në dimër, fusha shpesh përshkohet nga një rrjetë shtigjesh të hapura të bëra nga skiatorët. Në disa vende janë vendosur tabela për të shënuar largësitë midis qyteteve dhe fshatrave dhe shumë shtigje kanë dritë artificiale, me qëllim që skiatorët t’i përdorin për të udhëtuar rregullisht vajtje-ardhje nga puna në shtëpi.
E praktikuar relativisht nga pak njerëz para viteve 60 të shekullit të kaluar, rrëshqitja me ski në fushë të hapur kohët e fundit është përhapur në shumë vende në të gjithë botën. Disa kanë llogaritur që vetëm në Amerikën e Veriut katër milionë njerëz çdo vit gjejnë kënaqësi në këtë sport! Sekreti i joshjes? Kushton pak dhe është i thjeshtë. Krahasuar me kushëririn e tij më të njohur—ski alpine ose për zbritje—disa aspekte të skive në fushë të hapur janë të thjeshta. Skiatori i rrëshqitjeve për zbritje ka nevojë për veshje dhe pajisje të kushtueshme e të specializuara. Duhet të udhëtojë për në kodra ose male të ruajtura veçanërisht për ski, ku mund t’i duhet qoftë të blejë bileta të shtrenjta teleferiku, qoftë të mbajë radhë të gjata për të hipur në teleferik. Rrëshqitja tatëpjetë kërkon, gjithashtu, njëfarë forme atletike që s’e kanë të gjithë fillestarët. Rrëshqitja në fushë të hapur, nga ana tjetër, mund të praktikohet thuajse nga kushdo në çdo moshë. Të vetmet gjëra që duhen janë disa centimetra borë e sapo rënë, pak stërvitje, ski pak a shumë jo të shtrenjta, këpucët dhe shkopat e skive.
Rrëshqitja me ski në fushë të hapur mund të jetë një përvojë ngazëlluese! Skiatori mund të
shkojë pothuaj kudo që dëshiron—në fusha e livadhe, mbi liqene të ngrira, e përrenj që kanë zënë akull, në pyje të heshtura dhe lugina të mbuluara me borë. Rrëshqitja me ski në fushë të hapur mund t’i lërë vend meditimit, reflektimit e të menduarit, të cilat na japin mundësinë për të besuar në Krijuesin tonë dhe për ta falënderuar për mrekullitë e jetës. Dimri jep një karakteristikë të veçantë të krijimit të Perëndisë Jehova. Një mbulesë e ndritshme dëbore i jep peizazhit një pamje të qetë. Toka duket e freskët dhe e pastër, sikur pret të zbulohet. Të rrëshqasësh mes një pylli me pemët e ngarkuara me brymë, është diçka që të qetëson zemrën dhe mendjen. Zhurma e çjerrë e botës sonë së mekanizuar venitet dhe shpejt i vetmi tingull është ai i skive kur rrëshqasin.Nëse merr pjesë një familje ose një grup miqsh, rrëshqitja me ski në fushë të hapur kthehet në një shëtitje që i bashkon me njëri-tjetrin. Sot në shtetet evropiane veriore, disa familje udhëtojnë 20 ose 30 kilometra me tren dhe më pas e bëjnë rrugën për në shtëpi duke rrëshqitur me ski së bashku.
Origjina
Disa mund të mendojnë se rrëshqitja me ski në fushë të hapur është diçka e re e kohëve të fundit, por nuk është aspak kështu. Në vitin 1927, në ishullin Rødøya të Norvegjisë nëpër shkëmbinj u gjetën vizatime mijëravjeçare. Një vizatim tregon një gjahtar që me sa duket ka veshur një maskë lepuri. Ai duket se po shket me një palë ski shumë të gjata. Në kohët më të fundit, në moçalishtet me torfë në Skandinavi, punëtorët zbuluan qindra ski të hershme në gjendje të shkëlqyer. Rrëshqitja më ski ishte një mënyrë kryesore udhëtimi për njerëzit e hershëm nordikë gjatë dimrave të gjatë me borë. Ishte një pjesë kaq thelbësore e mënyrës së
tyre të jetesës sa ata madje adhuronin dhe nderonin një perëndi e një perëndeshë të skive! Sot shumë qytete dhe fshatra në Norvegji dhe Suedi, mbajnë në emrat e tyre gjurmë të këtyre besimeve të shkuara pagane. Madje, vetë emri Skandinavia mund t’i referohet perëndeshës së skiatorëve, Skades.Ndërsa rrëshqitja me ski për shekuj ka qenë një pjesë e domosdoshme e jetës nordike, rrëshqitja e skive në fushë të hapur duhet të priste shekullin e 19-të që të bëhej e njohur si një sport ndërkombëtar. Në atë kohë norvegjezët përmirësuan skitë tradicionale duke u dhënë formë, duke i ngushtuar dhe duke i përsosur. Gjithashtu, zhvilluan një sistem të rripave në thembrat dhe në gishtat e këmbëve që ishin paraardhësit e sistemit lidhës modern. Në Telemark, një vend malor në Norvegjinë Jugqendrore, shpejt filloi një seri garash. Gara e parë e shënuar dhe e kronometruar e skive në fushë të hapur besohet se është bërë atje dhe fituesi ka përshkuar pesë kilometra në rreth 30 minuta. Shpejt pas kësaj, garat e skive në fushë të hapur u përhapën në shtetet evropiane veriore, por ishte një ngjarje tjetër që i bëri të njohura me pjesën tjetër të botës.
Më 1888, eksploruesi norvegjez Fritjof Nansen drejtoi një ekspeditë me ski përmes Grënlandës. Ai më pas shkroi një libër rreth përvojës së tij që në vitin 1891 u përkthye në anglisht, frëngjisht, dhe gjermanisht. Rrëfimi, që përshkruante udhëtimin e tij rraskapitës mes peizazhit të shkretë arktik, zgjoi imagjinatën e lexuesve viktorianë. Nxiti mendimet romantike për të mposhtur vendin e shkretë të egër.
Në vitet 60 të shekullit të kaluar, shëtitjet me ski si familje u filluan dhe u organizuan në një masë të madhe. Filluan të krijoheshin me të shpejtë qendra që specializonin për ski në fushë të hapur. Prodhuesit i kushtuan vëmendje dhe pajisje të reja më të mira dolën. Hyri në lojë edhe moda duke i dhënë këtij sporti një pamje elegante. Kërkesat e publikut për vende ku të bënin ski, bënë që shumë bashki të përpiqeshin fort për të përshtatur ndonjë vend të mundshëm, duke përfshirë fushat e golfit dhe parqet e qytetit.
Dobi fizike
Rrëshqitja me ski në fushë të lirë konsiderohet si një nga sportet popullore më të sigurta. Edhe pse rënia mund të sjellë ndrydhje të vogla, dëmtimet e rënda janë të rralla, dhe zakonisht ndodhin vetëm kur skiatori i fushës së hapur rrezikon në terren të thepisur e në zona të thella.
Meqenëse lëvizjet e atij që bën ski në fushë të hapur janë të rregullta dhe ritmike, mund të
ndodhë rrallë përdorimi i tepërt ose dëmtimi i rëndë i kyçeve dhe i muskujve. Mjekët sportivë, shpeshherë e rekomandojnë rrëshqitjen me ski në fushë të hapur si terapi për të dëmtuarit nga çiklizmi ose vrapimi i lehtë. Është një nga veprimtaritë e pakta ku vihen në përdorim thuajse të gjitha grupet kryesore të muskujve, kështu skiatori merr një stërvitje të plotë. Zemra dhe mushkëritë përfitojnë shumë dhe skiatorët aktivë zakonisht e kanë tensionin e gjakut e rrahjet e pulsit më të ulta se të njerëzve joaktivë. Kështu ata që bëjnë ski në fushë të hapur janë konsideruar si disa nga sportistët më të shëndetshëm në botë.Kombinimi i rrezikut të ulët për dëmtime, me lëvizjet e rregullta dinamike i bën skitë në fushë të hapur gjithashtu një veprimtari ideale për të moshuarit. Në disa shtete evropiane veriore, është shumë e zakonshme të shohësh të moshuar që bëjnë ski.
Rrëshqitja me ski e bën trupin të prodhojë një nxehtësi të madhe kështu që mund të ndihesh krejt rehat në një mjedis pak a shumë të ftohtë. Edhe në ditët më të ftohta skiatorët në garë dalin zakonisht me një veshje të hollë, një e tëra, shpesh pa doreza. Ata që s’janë profesionistë sidoqoftë duhet të tregojnë mjaft kujdes që t’i ruajnë këmbët dhe duart nga të ftohtit. Amatorët me përvojë zakonisht veshin disa rroba njëra pas tjetrës duke filluar nga veshje të poshtme prej leshi ose sintetike dhe përfundojnë me veshje të sipërme të papërshkueshme nga shiu dhe era. Kjo i mundëson për të rregulluar temperaturën e trupit e për t’u ndier rehat. Ata thjesht shtojnë ose heqin ndonjë rrobë sipas nevojës. Prindërit e mençur bëjnë mirë të sigurohen që fëmijët e vegjël të jenë veshur në mënyrë të përshtatshme, pasi trupi i vogël i fëmijës ftohet shumë më shpejt se i të rriturit. Meqë ata humbin nxehtësi nga lëkura, shumë shpejt janë të prirur për të ngrirë.
Shtoni përvojat tuaja në dimër
«Po qe se jeni në gjendje të ecni, jeni në gjendje edhe të shkisni» është një thënie e zakonshme mes atyre që bëjnë ski në fushë të hapur, pasi lëvizjet e këtij sporti janë shumë të ngjashme me ecjen. Ndonëse kjo thënie është e vërtetë deri diku, shumica prej nesh do të nxirrte shumë dobi të harxhonte nja dy orë me një mësues të aftë. Qendrat për mësimin e skive ofrojnë mësime individuale ose në grup dhe, në një kohë të shkurtër, fillestarët mund të mësojnë gjërat bazë të skive për fushë të hapur—rrëshqitje në vende të rrafshëta, ngjitje me ski, manovrime gjatë zbritjes dhe natyrisht ndalimin. Pasi u tregohen këto teknika bazë, shumica e njerëzve janë të pajisur për të dalë në terren e për t’i bërë ballë atij.
«Asgjë s’i forcon muskujt dhe s’e bën trupin më të fortë dhe elastik»,—tha Fritjof Nansen më 1890 duke ju referuar rrëshqitjes me ski në fushë të hapur. Ndoshta edhe juve do t’ju pëlqente ky sport. Fare mirë ai mund t’ju shtonte emocione përvojave tuaja në dimër.
[Figurat në faqet 24, 25]
Rrëshqitja me ski në fushë të hapur kushton pak dhe mund të praktikohet nga njerëz të të gjitha moshave
[Figura në faqen 26]
Ski të hershme gjetur në Voss, Norvegji
[Burimi]
Foto: © Universitetets kulturhistoriske museer, Eirik Irgens Johnsen
[Figura në faqen 26]
Vizatim i një skiatori në një shkëmb
[Burimi]
Foto: Inge Ove Tysnes / Syv søstre forlag