Pema që zgjohet herët
Pema që zgjohet herët
NË FUND të janarit ose nga fillimi i shkurtit, shumë nga faqet e kodrave me brezare të Izraelit shndërrohen në mënyrë të mahnitshme. Duke u zgjuar nga gjumi i dimrit, pemët e bajameve lulëzojnë me vrull. Meqë është një nga pemët e para që çel, zakonisht bajamja bie shumë në sy. Lulet e saj të bardha dhe rozë i japin hijeshi peizazhit dimëror duke na sjellë ndër mend fjalët e Solomonit te Predikuesi 12:5. Aty, ai krahason flokët e thinjura të moshës së thyer me ‘bajamen që lulëzon’.
Duke pasur parasysh lulëzimin e hershëm të bajames në mënyrë të përshtatshme fjala hebraike për bajame, fjalë për fjalë do të thotë «ajo që zgjohet». Kështu që ajo është përdorur në Bibël për shumë ilustrime të fuqishme. Për shembull, profeti Jeremia pa në një vegim një lastar ose një degë bajameje. Çfarë përfaqësonte ajo? «Unë vigjiloj [qëndroj zgjuar, BR] mbi fjalën time që të ketë efekt»,—i tha Jehovai. (Jeremia 1:11, 12) Sigurisht që Jehovai as nuk lodhet kurrë, as nuk fle. Por fjalët e tij theksonin dëshirën për ta çuar deri në fund veprën e tij.—Isaia 40:28.
Disa shekuj para ditëve të Jeremisë, një shkop i lulëzuar bajameje u përdor për të identifikuar se cilin kishte caktuar Jehovai si kryeprift. Për secilin përfaqësues të 12 fiseve të Izraelit u vendos një shkop para Jehovait në çadrën e mbledhjes. Mëngjesin tjetër, shkopi i bajames i Aaronit jo vetëm që kishte lulëzuar në mënyrë të mrekullueshme, por edhe prodhoi frut! Ky shkop bajameje u ruajt për ca kohë brenda arkës së besëlidhjes si një shenjë për kombin, që ata të mos murmuritnin kurrë më kundër përfaqësuesve të caktuar nga Jehovai.—Numrat 16:1-3, 10; 17:1-10; Hebrenjve 9:4.
Jehovai dëshironte që paraqitja e luleve të bukura të bajames të zbukuronte shandanin e artë shtatëkrahësh, i cili ndriçonte Vendin e Shenjtë të tabernakullit. Sipas përshkrimit të regjistruar nga Moisiu, «në njërin krah tri gota në trajtën e lules së bajames si edhe burbuqet e fletët po edhe tri gota në trajtën e lules së bajames në krahun e dytë si edhe burbuqet e fletët. Po i njëjti punim ishte i gjashtë krahëve që dilnin nga shtiza e shandanit. Në vetë shtizën e shandanit ishin katër gota në trajtën e lules së bajames po edhe burbuqet e fletët».—Eksodi 37:19, 20, DSF.
Megjithëse Bibla e përmend pak pemën e bajames, ajo e drejton vëmendjen tonë ndaj luleve të saj të bardha të bukura dhe zgjimit të saj të hershëm. Kjo pemë tërheqëse na kujton para së gjithash se Jehovai nuk do të pushojë derisa ta përmbushë qëllimin e tij.—Isaia 55: 11.