Drogat: Kush i përdor?
Drogat: Kush i përdor?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT
«TË GJITHË i përdorin.» Ky pohim gjithëpërfshirës mund të bëhet për të nxitur naivët që të eksperimentojnë me drogat. Por, sipas përkufizimit për substancat që janë «droga», brenda këtyre fjalëve ka një grimë të vërtete.
Një përkufizim i termit «droga» është: «Çfarëdo substance kimike, qoftë natyrore, qoftë sintetike, që mund të përdoret për të ndryshuar perceptimin, gjendjen shpirtërore ose gjendje të tjera psikologjike.» Ky është një përshkrim i dobishëm dhe i përgjithshëm i atyre që quhen droga psikoaktive, ndonëse në të nuk përfshihen shumica e ilaçeve që përdoren për të kuruar sëmundjet.
Sipas këtij përkufizimi, pijet alkoolike janë një drogë. Rreziku fshihet në përdorimin e tyre me tepri, i cili duket se po shtohet gjithnjë e më shumë. Nga një sondazh i bërë në kolegjet dhe në universitetet e një vendi perëndimor u zbulua se «teprimi në të pirë është problemi më serioz me drogat mes studentëve». Sondazhi nxori në pah se 44 për qind e studentëve pinin me tepri pije alkoolike. *
Ashtu si pijet alkoolike, edhe duhani është ligjërisht në dispozicion, ndonëse përmban një helm të fuqishëm, nikotinën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pirja e duhanit vret rreth katër milionë njerëz në vit. Prapëseprapë, industrialistët e mëdhenj të duhanit janë njerëz të pasur dhe anëtarë të nderuar të shoqërisë. Edhe pirja e cigareve është shumë droguese, ndoshta më tepër sesa përdorimi i mjaft drogave të paligjshme.
Vitet e fundit, një numër i madh vendesh u kanë vënë fre reklamave të duhanit dhe kanë vendosur kufizime të tjera. Megjithatë, shumë
njerëz e shohin ende pirjen e duhanit si diçka të pranueshme nga ana shoqërore. Industria e filmit vazhdon ta paraqesë pirjen e duhanit si magjepsëse. Nga një sondazh i Universitetit të Kalifornisë në San-Francisko rreth filmave më fitimprurës të viteve 1991 deri në 1996, u zbulua se 80 për qind e aktorëve kryesorë luanin role të personave që pinin duhan.Ç’të themi për drogat «e sigurta»?
Pa dyshim që ilaçet u kanë sjellë dobi shumë njerëzve, por me to mund të abuzohet. Mjekët mund të japin nganjëherë shkujdesur një recetë ilaçesh ose pacientët mund t’u bëjnë presion që t’u japin recetë për ilaçe të panevojshme. Një mjek komentoi: «Mjekët jo gjithnjë ndalen shtruar me pacientin për të zbuluar shkakun e simptomave të tij. Është më e lehtë të thuash: ‘Merr këtë ilaç.’ Por problemi thelbësor nuk është zgjidhur.»
Edhe ilaçet që jepen pa recetë, si aspirina dhe paracetamoli (Tylenol, Panadol), mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore, nëse përdoren në mënyrë të gabuar. Më shumë se 2.000 njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit si pasojë e keqpërdorimit të paracetamolit.
Sipas përkufizimit të mësipërm, kafeina e çajit dhe e kafesë është, po ashtu, një drogë, edhe pse nuk ka të ngjarë që ne ta mbajmë për të tillë kur pimë filxhanin tonë të preferuar në mëngjes. Dhe do të ishte e paarsyeshme t’i shihnim pijet e pranueshme nga ana shoqërore të tilla, si çaji e kafeja, nën të njëjtin këndvështrim me drogat e forta, si heroina. Kjo do të ishte sikur të krahasonim një kotele të butë me një luan të egër. Gjithsesi, sipas disa specialistëve të shëndetësisë, nëse pihen rregullisht më shumë se pesë filxhanë kafe ose nëntë filxhanë çaji në ditë, mund të jetë e dëmshme. Veç kësaj, nëse pakësohet shumë një konsumim i madh i këtyre pijeve, mund të përjetohen simptomat e lënies së drogës, të ngjashme me simptomat e një çajpirëseje, e cila pati të vjella, dhembje të forta koke dhe ndjeshmëri të tepruar ndaj dritës.
Po përdorimi i paligjshëm i drogave?
Një çështje edhe më e debatuar është përdorimi i drogave në sporte. Kjo doli në pah në Tour de France të vitit 1998, kur të nëntë çiklistët e skuadrës kryesuese u përjashtuan, sepse kishin përdorur droga që rritin efektshmërinë. Sportistët kanë sajuar mënyra të ndryshme për të mos u diktuar nga analizat për drogë. Në revistën Time thuhet se disa kanë shkuar deri në atë pikë, sa kanë bërë «‘transplantime të urinës’, që do të thotë se në fshikëzën e tyre është futur nëpërmjet një tubi urina ‘e pastër’ e dikujt tjetër, një procedurë shpesh e dhembshme».
Është për t’u përmendur pastaj edhe një numër marramendës drogash të paligjshme që përdoren «për qejf». Në to përfshihen: marihuana, ekstaza (metilendioksi-metamfetaminë ose MDMA), LSD-ja (dietilamid i acidit lizergjik), substancat nxitëse (stimulantë si kokaina dhe amfetaminat), qetësuesit dhe heroina. Nuk duhen harruar edhe substancat e ndryshme që merren duke i thithur, si tutkalli dhe benzina, që përdoren shumë mes të rinjve. Sigurisht, këto substanca që merren me thithje nuk janë të ndaluara dhe gjenden lehtë.
Përfytyrimi i përgjithshëm për një narkoman të tretur që bën injeksione në një dhomë të pistë mund të jetë mashtrues. Shumë persona të dhënë pas drogave janë ende në gjendje të punojnë në
mënyrë relativisht normale në jetën e përditshme, edhe pse vesi që kanë ndikon patjetër, në një masë të madhe a të vogël, në cilësinë e jetës së tyre. Megjithatë, nuk mund ta nënvlerësojmë anën e zymtë të tablosë së drogës. Një shkrimtar përshkruan se si disa veta që drogohen me kokainë «mund ‘të bëjnë injeksione’ shumë e shumë herë brenda një kohe të shkurtër, duke e shndërruar trupin në një lëmsh shpimesh, përgjakjesh dhe mavijosjesh».Pas një rënieje të dukshme nga fundi i viteve 80 të shekullit të 20-të, përdorimi i paligjshëm i drogave është sërish në rritje anekënd botës. Në revistën Newsweek vërehej: «Autoritetet i ka paralizuar një shtim jashtëzakonisht i madh i kontrabandës së drogës, një përdorim në rritje i drogave gati-gati të çdo lloji dhe një mungesë fondesh—si edhe të dhënash—që u duhen për të luftuar kundër tyre.» Gazeta The Star e Johanesburgut, në Afrikën e Jugut, pohonte se sipas statistikave të qeverisë, «një në katër njerëz që jetojnë në Afrikën e Jugut janë nën varësinë e alkoolit ose të drogës».
Instituti i Kërkimeve i OKB-së për Zhvillimin Shoqëror vinte në dukje se «prodhuesit dhe trafikantët e drogave . . . janë organizuar në shkallë globale dhe e kanë futur një sasi të madhe të të ardhurave të drogës në qendra financiare që u sigurojnë fshehtësi dhe fitime joshëse për investimin e tyre. . . . Tani trafikantët e drogës janë në gjendje t’i riqarkullojnë fitimet e paligjshme, duke i transferuar paratë anembanë botës në mënyrë elektronike, me fare pak kontrolle kombëtare».
Me sa duket, shumë amerikanë ka të ngjarë të prekin çdo ditë me duar kokainë, ndonëse pa e ditur. Në një artikull të revistës Discover shpjegohej se shumica e kartëmonedhave amerikane mbajnë gjurmë droge.
Realiteti është se përdorimi i drogave sot, duke përfshirë edhe drogat e paligjshme, është bërë diçka e pranueshme për shumë njerëz dhe shihet si pjesë e jetës së përditshme. Duke pasur parasysh dëmin e njohur gjerësisht që shkaktojnë qoftë drogat e paligjshme, qoftë duhani dhe alkooli, pyetja logjike është: ‘Pse abuzojnë njerëzit me to?’ Tek shqyrtojmë këtë pyetje, është me vend të meditojmë rreth pikëpamjes që kemi ne vetë për këto droga.
[Shënimi]
^ par. 5 Teprimi në të pirë u përcaktua si ‘konsumim i pesë a më shumë pijeve alkoolike rresht për burrat dhe i katër a më shumë pijeve për gratë’.
[Figura në faqen 3]
Teprimi në të pirë është një problem i madh mes studentëve
[Figura në faqen 5]
Shumë njerëz i shohin si diçka të padëmshme cigaret dhe drogat «për qejf»