Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeni në lidhje telefonike: Si?

Jeni në lidhje telefonike: Si?

Jeni në lidhje telefonike: Si?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

NË Japoni, një vend me aq shumë telefona sa dhe njerëz, bëhen çdo ditë më shumë se 300 milionë thirrje telefonike. Japonia merr, gjithashtu, rreth një milion thirrje telefonike ndërkombëtare çdo ditë dhe bëhet pothuajse i njëjti numër thirrjesh telefonike jashtë vendit.

Ka mundësi që edhe ju të përdorni gati çdo ditë telefonin, qoftë atë të zakonshëm (linjë kabllore), qoftë atë celular. Ndërsa bota modernizohet gjithnjë e më tepër, të marrësh në telefon dikë në një kontinent tjetër është bërë një gjë e zakonshme për shumë njerëz. Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten se si lidhet telefoni juaj me atë të personit që po merrni?

Të lidhur me anë të një rrjeti telefonik

Para së gjithash telefoni juaj duhet të jetë i lidhur me një rrjet telefonik. Nëse do të ndiqnit telin që është i lidhur në një telefon të zakonshëm ai do t’ju çojë në një prizë bashkimi ose kuti bashkimi, e cila është e lidhur me instalimet në shtëpinë tuaj. * Nëse vazhdoni të ndiqni edhe më, do të shihni se ky tel është i bashkuar me një kabllo në një shtyllë elektrike ose në nëntokë tokë, që shkon në një central telefonik, në një zyrë telefonike vendase. Nga ana e vet ky central është i lidhur me një central më të madh, duke formuar në këtë mënyrë një rrjet telefonik. Kështu që kur ju merrni në telefon një mik në të njëjtin qytet, me anë të një rrjeti, formohet një lidhje që transmeton sinjale me zë ndërmjet telefonit tuaj dhe atij të mikut tuaj.

Çfarë ndodh në rastin e telefonave celularë? Si janë të lidhur ata? Edhe në këtë rast parimet mbeten të njëjta, si me telefonat e zakonshëm. Një «fill» i padukshëm që quhet radiovalë e lidh telefonin tuaj celular me një zyrë centrali të telefonave të lëvizshëm, e cila nga ana e saj është e lidhur me një rrjet telefonik. Por, ç’ndodh kur flitni me dikë që është në një kontinent tjetër?

Kabllo përmes oqeaneve

Të lidhësh me anë të kabllove dy kontinente të ndarë nga një oqean është një projekt madhështor. Kjo gjë kërkon vendosjen e një kablloje mijëra kilometra të gjatë nën det dhe kalimin e hendeqeve e të maleve nënujorë. Megjithatë, në këtë mënyrë e pati fillimin telekomunikacioni ndërkontinental. Kablloja e parë nënujore transatlantike për telefona përfundoi në vitin 1956. * Kjo kabllo lidhi Skocinë me Njufaundlendin dhe mbante 36 qarqe që përçojnë sinjale telefonike me zë. Në vitin 1964, u shtri kablloja e parë nëpër Paqësor ndërmjet Japonisë dhe Havait. Kjo kabllo përçonte 128 qarqe telefonike. Pas saj erdhën disa kabllo të tjera nënujore që lidhnin kontinente dhe ishuj.

Çfarë lloj kabllosh janë shtrirë përgjatë gjithë fundit të oqeanit për lidhjet telefonike? Në fillim përdoreshin gjerësisht kabllo koaksiale, me tel bakri si përcjellës dhe me fletë bakri ose alumini si cipë përcjellëse. Një nga kabllot e fundit koaksiale u shtri në vitin 1976 dhe kishte aftësinë për të mbajtur deri në 4.200 qarqe me zë. Megjithatë, në vitin 1980, u vunë në dispozicion kabllo me fibra optike. Kablloja e parë ndërkontinentale e këtij lloji, e vendosur në vitin 1988, ishte në gjendje të mbante njëkohësisht 40.000 biseda telefonike duke përdorur teknologjinë dixhitale. Që atëherë aftësia mbajtëse e kabllove është rritur. Disa kabllo që kalojnë oqeanin Atlantik mund të mbajnë 200 milionë qarqe telefonike.

Si janë vënë nën ujë kabllot e telekomunikacionit? Në të vërtetë, ato janë vendosur në fund të oqeanit dhe ndjekin shtratin e detit. Afër bregdetit kablloja është siguruar në një kabinë të fortë që është vendosur në një kanal i cili është gërmuar nga një automjet i komanduar në distancë. Kabina e mbron kabllon nga dëmtimi që mund të shkaktojnë spirancat ose rrjetat e peshkimit. Kështu, kur ju i telefononi mikut tuaj në një kontinent tjetër, njëra nga këto kabllo mund ta çojë zërin tuaj përtej detit të thellë.

Kabllo të padukshme lidhin bashkë vende të largëta

Megjithatë, një kabllo nënujore nuk është i vetmi mjet për të lidhur kontinentet dhe ishujt. Një «fill» i padukshëm—një radiovalë—përdoret gjithashtu gjerësisht. Kjo lloj vale, që quhet edhe mikrovalë, lidh bashkë vende të largëta për telekomunikacione ndërkombëtare. Meqë një mikrovalë udhëton në një vijë të drejtë si një rreze e ngushtë drite, ajo mund të lidhë vetëm transmetues dhe marrës që janë vendosur në një rrugë të drejtë, pa u penguar nga horizonti. Për shkak të rrumbullakësisë së sipërfaqes së tokës vendet në anën tjetër të globit nuk mund të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për të lidhur vende në largësi të tilla kërkohen satelitët e komunikimit.

Nëse një satelit është vendosur mbi ekuator, në një lartësi prej rreth 35.800 kilometrash, në atë që njihet si orbita e një sateliti artificial, koha e rrotullimit të tij rreth tokës është afërsisht 24 orë, e njëjtë me vetë kohën e rrotullimit të tokës. Prandaj, praktikisht ai mbetet mbi të njëjtin vend të tokës. Ky satelit mund të shohë një zonë e cila mbulon një të tretën e tokës. Stacionet tokësore që ndodhen në këtë zonë nga të cilat transmetohen dhe merren mikrovalët, mund të komunikojnë me satelitët. Atëherë, si mund të lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet satelitit dy vende të largëta?

Një stacion tokësor brenda zonës që mbulohet nga një satelit, i përcjell satelitit një sinjal mikrovale. Ky proces është quajtur uplink. Duke e marrë valën, një ritransmetues ose repetitor, i montuar në satelit, e ul frekuencën më poshtë dhe e ritransmeton atë, me qëllim që të mund të kapet nga një stacion tjetër tokësor. Ky proces është quajtur downlink. Në këtë mënyrë dy stacione tokësore që nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë, mund të lidhen me një fill të padukshëm me anë të një sateliti.

Sateliti i parë tregtar i komunikimit, INTELSAT 1, i njohur gjithashtu si Early Bird, u lëshua në vitin 1965. Tani, janë në veprim rreth 200 satelitë komunikimi, shumica prej të cilëve të gjeosinkronizuara, duke lidhur vende në të gjithë botën. Këta satelitë përdoren jo vetëm për telekomunikacionin ndërkombëtar, por edhe për emisionet televizive, vëzhgimin e motit dhe qëllime të tjera. Duke pasur shumë repetitorë, satelitë të tillë mund të sigurojnë qarqe me shumë kanale. Për shembull, Early Bird ishte në gjendje të transmetonte një rrjet televiziv dhe 240 lidhje telefonike të njëkohshme. Seritë INTELSAT VIII, të cilat janë duke vepruar që nga viti 1997, mund të sigurojnë njëherësh tri emisione televizive dhe një maksimum prej 112.500 qarqesh telefonike.

A mund ta dalloni?

Të gjitha këto ndryshime e kanë ulur vrullshëm çmimin e thirrjeve telefonike ndërkombëtare. Ndoshta tani jemi në gjendje për të folur më shpesh me miqtë tanë ose me anëtarët e familjes në një kontinent tjetër. Si mund ta dallojmë nëse jemi lidhur me anë të një kablloje nënujore apo me një lidhje satelitore?

Me një lidhje satelitore gjatësia e telit të padukshëm (i cili përfshin uplink dhe downlink) arrin rreth 70.000 kilometra. Kjo është afërsisht e barabartë me dyfishin e gjatësisë përreth tokës. Edhe pse mikrovalët udhëtojnë po aq shpejt sa rrezja e dritës, koha që u duhet për të mbuluar largësinë nga një stacion tokësor te një tjetër, me anë të një sateliti, është afërsisht një e katërta e sekondës. Kjo do të thotë se zëri ynë arrin te personi tjetër në një të katërtën e sekondës më vonë dhe e njëjta gjë ndodh në drejtimin e kundërt. Kështu, kemi një kohëzgjatje prej gjysmë sekonde. Duke mos qenë të mësuar me këtë vonesë në bisedat e përditshme, mund të zbulojmë se po flasim në të njëjtën kohë me personin tjetër. Nëse e kemi përjetuar këtë gjë, kjo do të thotë se ishim duke folur me anë të një lidhjeje telefonike satelitore. Megjithatë, po të marrim të njëjtin numër një herë tjetër, mund të mos kemi ndonjë vonesë kohe. Kjo mund të ndodhë pasi në këtë rast jemi lidhur nëpërmjet një kablloje nënujore me fibra optike. Zgjedhja se si të lidhemi me anën tjetër të botës bëhet në fshehtësi nga një rrjet i ndërlikuar telefonik.

Për të mirëmbajtur sistemin e ndërlikuar të rrjetit telefonik të kabllove nënujore, të stacioneve tokësore dhe të satelitëve, të cilët na sigurojnë rehatinë e komunikimit nevojitet aftësia dhe puna e shumë njerëzve. Prandaj, herën tjetër kur të marrim në telefon një mik, përse të mos mendojmë për gjithë këtë që është bërë për të na vënë në lidhje telefonike?

[Shënimet]

^ par. 6 Meqë në telat telefonikë ka vazhdimisht pak tension elektrik prej disa voltësh, i cili rritet kur bie telefoni, është me rrezik të prekim pjesën e brendshme të kutisë së bashkimit ose pjesën metalike që lidhet me të.

^ par. 9 Në vitin 1866, mespërmes Atlantikut, ndërmjet Irlandës dhe Njufaundlendit u vendos me sukses një kabllo telegrafike.

[Diagrami dhe figurat në faqet 20, 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

RADIOVALË

Uplink

Downlink

[Diagrami dhe figurat në faqet 20, 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KABLLO NËNUJORE

Telefon celular

[Figura në faqen 20]

Kabllot moderne me fibër optike mund të mbajnë 200 milionë qarqe telefonike

[Figura në faqen 21]

INTELSAT VI, mbi të cilin është duke punuar ekuipazhi i Shatëllit

[Burimi]

Foto e NASA-s

[Figura në faqen 21]

Anijet shtrijnë kabllot dhe i mirëmbajnë ato

[Burimi]

Me mirësjellje nga TyCom Ltd