Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udhëtim në Ganë

Udhëtim në Ganë

Udhëtim në Ganë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GANË

TEKSA errësira dhe mjegulla ia lënë vendin agut të mëngjesit, ne udhëtojmë dalëngadalë nëpër rrugën e pashtruar prej 80 kilometrash që të çon në Parkun Kombëtar Moule, në Krahinën Veriore të Ganës. Në peizazhin përreth sheh kryesisht bar, kaçube dhe pemë të shkurtra. Herë pas here, ndeshim ndonjë fshat të vogël me kasolle balte të mbuluara përsipër me lëmishte.

Çfarë kontrasti kur arrijmë në Damongo, një qytet i vogël që gumëzhin nga gjallëria, me dyqane, me rrugë të shtruara dhe me trafik të rënduar! Fëmijë të veshur me uniforma bezhë e kafe po shkojnë në shkollë. Gra me rroba tërë ngjyra të ndezura mbartin gjithfarëlloj ngarkesash mbi kokë: dru zjarri, ushqime dhe enë plot me ujë. Dëgjohen boritë e makinave e të traktorëve dhe kalojnë biçikleta. Kemi edhe 20 kilometra rrugë.

Në Parkun Kombëtar Moule

Më në fund, arrijmë në park. Siç shpjegon Zakaria, shoqëruesi ynë, Rezervati Natyror Moule u krijua në vitin 1971 dhe mbulon një sipërfaqe prej 4.840 kilometrash katrorë. Në park janë regjistruar 93 lloje gjitarësh, 9 lloje amfibësh dhe 33 lloje zvarranikësh. Në to përfshihen: luanë, leopardë, hijena pulla-pulla, zibeta, elefantë, antilopa-zebër, bizonë shkurtabiqë të pyjeve, derra të egër afrikanë, antilopa të ujërave, një lloj antilope e vogël afrikane, antilopa brilakúara, mangusta, babuinë, lloj-lloj majmunësh, ferrëgjatë, krokodilë dhe gjarpërinj, mes të cilëve edhe pitonë. Veç kësaj, këtu janë parë më shumë se 300 lloje zogjsh.

Duke larguar me dorë mizat e zeza të etura për gjak, ecim përmes barit që arrin deri në gju dhe pas pak i afrohemi një tufe antilopash. Në fillim është e vështirë t’i dallosh, pasi ngjyra e tyre bëhet një me atë të mjedisit rrethues. Teksa i vëzhgojmë, edhe ato na vëzhgojnë me ngulm e, me sa duket, u ngjajmë po aq tërheqës sa na duken neve ato. Ndërkohë që bëjmë fotografi, papritmas, na tremb një turfullimë e fortë nga e djathta. Duke protestuar që i kemi cenuar jetën private, një antilopë e madhe mashkull turret drejt kaçubes që ka përpara.

Pastaj vërejmë katër elefantë gjigantë poshtë një peme të madhe. Tërheqin degët poshtë me feçka dhe përtypin gjethet e buta. U afrohemi më shumë dhe kur jemi vetëm 10 metra larg, Zakaria na nxit të bëjmë fotografi. Ai përplas qytën e pushkës, e cila nxjerr një tingull metalik që i largon elefantët nga pema dhe na jep mundësi të bëjmë fotografi edhe më të mira. Jo shumë larg, elefantët gjejnë një vend me baltë dhe e përdorin për të bërë banjë. Zakaria shpjegon se ngjyra e elefantëve ndryshon—nga e zeza e tyre natyrale në të kuqe ose në kafe—në varësi të ngjyrës që ka balta atje ku bëjnë banjë.

Ecim paksa më tej dhe syri na zë një pamje të plotë të peizazhit të parkut. Bimësia e tij përfshin akacie të bukura dhe pemë tropikale Butyrospermum parkii. Gjatë rrugës së kthimit, ndjekim po atë shteg që kanë marrë elefantët. Ata janë ende ca metra larg, por elefanti më i madh i grupit ngre veshët, merr pozicion luftimi dhe drejtohet nga ne. Do të sulmojë vallë?

Zakaria na thotë të mos shqetësohemi, por, në të njëjtën kohë, heq pushkën nga supi dhe na prin duke na larguar nga shtegu që kanë zgjedhur elefantët. Vazhdojmë të ecim, ndërkohë që shoqëruesi ynë është gati të përdorë pushkën, kurse ne aparatet fotografike. Pas pak, u kemi humbur nga sytë elefantëve.

Zakaria na shpjegon se elefantët e parkut janë mësuar me njerëz dhe se disa, madje, u afrohen atyre. Kur elefantët shihen shpesh, shoqëruesit e turistëve nisin t’u vënë emra. Njërin e quajtën Gungaçi, sepse kishte një gungë të madhe në kurriz. Një elefant tjetër e quajtën Sulmi, sepse e kishte zakon të frikësonte turistët.

Më tej, ndeshim disa babuinë. I vëzhgojmë tek koloviten nëpër pemë ose vrapojnë mbi bar. Shoqëruesi ynë na tërheq vëmendjen te një nënë babuine që mbart dy të vegjël, njërin në shpinë dhe tjetrin në gji. Janë binjakë, siç na shpjegon ai.

Vërtet, sot kemi parë jo pak kafshë të egra. Zakaria na thotë se për t’i parë ato gjatë stinës së thatë—ndërmjet prillit dhe qershorit—mjafton të presësh pranë pellgjeve me ujë, sepse kafshët vijnë në tufa të mëdha që të pinë. Na thotë edhe se duke ecur me makinë nëpër park, mund të vëresh shumë kafshë të tjera, mes të cilave edhe bizonë e luanë.

Tani është koha e drekës. Ndërkohë që po hamë, një babuin i madh zë pozicion mbi një kamionçinë të parkuar afër makinës sonë dhe ia ngul sytë me guxim drekës sime. Aty pranë kalojnë babuinë të tjerë, si edhe disa antilopa e një derr i egër afrikan dhe së fundi, në majën e një kodre ngjitur, shfaqen katër elefantë. Ndoshta kemi gjetur një mënyrë të lehtë për t’u bërë fotografi këtyre kafshëve që pozojnë.

Në sheshin e pazarit

Koha që kalojmë në Parkun Kombëtar Moule është mjaft e shkurtër, por tani bëjmë një udhëtim prej dy orësh nëpër rrugët e pashtruara që të çojnë në Sola, një qytet i vogël i banuar nga Lobi, një fis bujqish. Gratë e këtij fisi kanë zakonin e çuditshëm që t’i zgjatin buzët në mënyrë artificiale. Edhe pse në kohët tona kjo traditë dalëngadalë po shuhet, pasi te vajzat e reja po ndikon dora-dorës qytetërimi modern, shumë gra ende janë krenare për madhësinë e buzëve të tyre. Në të vërtetë, quhet fyerje t’i thuash një gruaje nga fisi Lobi se i ka buzët të shkurtra si të një burri.

Arrijmë në një fshat dhe hyjmë në sheshin e pazarit. Strehët janë bërë me degë pemësh dhe kanë çati prej kashte. Në pazar, mes gjithë afrikanëve të zinj, ndodhet një burrë i bardhë. I afrohemi dhe marrim vesh se ka ardhur kohët e fundit për të përkthyer Biblën në gjuhën e fisit Lobi. Jeton në fshatin fqinj, tamam mes njerëzve të fisit Lobi, në mënyrë që të mësojë ta flasë rrjedhshëm gjuhën e tyre. Më vjen ndër mend Robert Mofati, i cili në shekullin e 19-të ngriti një mision midis njerëzve që flitnin gjuhën tsuana në jug të Afrikës dhe përktheu Biblën në gjuhën e tyre.

Në stol, në njërën nga barakat e pazarit, është ulur një grua e moshuar lobi me buzë të zgjatura. Dy pllakëza të bardheme të drunjta, secila sa thoi i gishtit të madh, janë futur brenda një vrime në çdonjërën nga buzët. Do të më pëlqente t’i bëja një fotografi, por, sapo ngre aparatin, ajo kthehet në anën tjetër. Një nga shokët e mi shpjegon se të moshuarit e fisit Lobi kanë bindjen që shpirti i tyre mund të ndikohet për keq, nëse dikush u bën fotografi.

Gjatë rrugës së kthimit për në Sola, ku do të kalojmë natën, mendoj për mençurinë e larminë që kemi parë në krijimin e Perëndisë. Ai i projektoi me mjeshtëri qoftë kafshët, qoftë njerëzit. Është pikërisht ashtu siç thirri psalmisti: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.»—Psalmi 104:24.

[Harta në faqet 14, 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

GANË

[Figura në faqen 14]

Derr i egër afrikan

[Figura në faqen 14]

Hijenë pulla-pulla

[Figura në faqen 15]

Elefant

[Figura në faqen 15]

Hipopotamë

[Figura në faqen 15]

Tufë antilopash

[Figura në faqen 16]

Një nënë babuine që mbart dy të vegjël

[Figura në faqen 17]

Antilopë brilakuar

[Figura në faqen 17]

Sheshi i pazarit