Çfarë është cistiti intersticial?
Çfarë është cistiti intersticial?
E THËNË thjesht, cistiti është mahisje e fshikëzës së urinës. Haset më shpesh te gratë, sesa te burrat. Gjithsesi, ka shumë forma të cistitit, me një shumëllojshmëri shkaqesh.
Cilat janë disa simptoma të zakonshme? Domosdoshmëria për të urinuar shumë shpesh, si edhe dizuria—vështirësi gjatë urinimit, të tilla, si një ndjenjë e fortë djegieje. Por ç’të themi për cistitin instersticial kronik (IC)? Si është i ndryshëm ai? *
Dr. Suzana Keji, specialiste në këtë fushë, pranon: «IC-ja është shumë e vështirë të diagnostikohet dhe akoma më e vështirë të trajtohet.» Ajo shton se kjo sëmundje «mund të nënkuptojë vite të tëra vuajtjesh. IC-ja është një sëmundje jashtëzakonisht e dhembshme, afatgjatë, që të ndryshon mënyrën e jetesës, e cila mund të vazhdojë për dhjetëvjeçarë». Mjerisht, për një kohë të gjatë shumë mjekë nuk e pranonin këtë sëmundje dhe linin të kuptohej se ajo ishte e gjitha në mendjen e pacientit. Prapëseprapë, një mjek thotë se «të pranosh simptomat e pacientit duke i dhënë diagnozën e IC-së, ka shpesh vlerë terapeutike».
Në një raport thuhet se në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve që kanë IC-në është më shumë se 700.000, «një shifër 50 për qind më e lartë se ajo e raportuar më parë». Tani është kuptuar se disa burra mund të diagnostikohen me sëmundjen e prostatës kur, në të vërtetë, kanë IC-në. Sigurisht, sëmundja ndikon, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, te shumë njerëz, sidomos te të afërmit dhe te personat e tjerë që jetojnë me këta pacientë të cilët kanë thuajse vazhdimisht dhembje. Është e qartë se sëmundja e ul efektshmërinë e të sëmurëve si në shtëpi, ashtu edhe në vendin e punës. Në të vërtetë, shumë vetave u duhet ta lënë punën. Edhe marrëdhëniet seksuale mund të jenë mjaft të dhembshme për pacientin.
Meqë nuk ka ende asnjë kurë, të gjitha përpjekjet e mjekëve kanë për synim të pakësojnë simptomat e dhembshme. Cilat janë disa nga trajtimet?
Lehtësim, jo kurim
Një trajtim kryesor që rekomandon dr. Granum R. Santi, nga Shkolla e Mjekësisë së Universitetit Tafts dhe Qendra Mjekësore e Anglisë së Re, është përdorimi i antihistaminave, i antidepresantëve triciklikë ose i pentozan polisulfatit, të cilët merren nga goja. *
Disa mjekë rekomandojnë hidrozgjerimin, të përshkruar në artikullin e mëparshëm. Çdo trajtim mund të japë lehtësim për disa muaj dhe ndoshta deri në një vit. Është pastaj terapia brendafshikore (brenda fshikëzës urinare) e sulfoksid dymetilit (DMSO). DMSO-ja, e cila është miratuar nga Enti i SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet, mund t’i pakësojë simptomat për një periudhë deri në dy vjet. Megjithatë, dr. Keneth Pitersi, urolog, ka rezerva për këtë trajtim, pasi mund të shkaktojë tromboza të rënda dhe probleme të tjera.
Një trajtim i kohëve të fundit i përdorur në studime eksperimentale nga dr. Pitersi përfshin përdorimin e bacilit brendafshikor të Calmette-Guerin (BCG). «BCG-ja është një shtam i dobësuar i bakterit të tuberkulozit»,—shkruan ai. Me sa duket, vepron duke forcuar sistemin imunitar. Një provë e vërtetuar nxori në pah një reagim klinik në masën 60 për qind ndaj këtij trajtimi. Ecuria e pacientëve u ndoq për më shumë se dy vjet. Përfundimi? Dr. Pitersi thotë se 90 për qind e atyre që reaguan ndaj trajtimit «vazhduan të kishin një përmirësim të ndjeshëm klinik si në simptomat e dhembjeve, edhe në shpeshtësinë e urinimit».
Disa pacientë i qetëson përdorimi i ilaçit Elmiron. Dr. Rajmond Hurm thotë se ky ilaç «në të vërtetë ndihmon për të riplotësuar shtresën e brendshme të fshikëzës». Duhet kohë, por një pacient vërejti: ‘Me Elmironin, e kam më të lehtë ta përballoj sëmundjen e fshikëzës.’
Një trajtim tjetër në përdorim eksperimental është Cististati ose acidi hialuronik. «Ky ilaç futet drejtpërdrejt në fshikëz dhe mendohet se vepron duke zëvendësuar shtresën e brendshme të dëmtuar GAG [glukozaminoglikane] të fshikëzës. . . . Provat klinike po fillojnë të bëhen tani [1998] në SHBA. Efektshmëria në këtë kohë nuk njihet.» Ai është miratuar për t’u përdorur në Evropë, por nuk është miratuar ende në Shtetet e Bashkuara.
Beth Getsi, infermiere e kualifikuar dhe drejtuese e një grupi për mbështetjen e pacientëve me IC, shkroi: «Disa herë pacientët ngurrojnë t’i pyesin mjekët për terapitë alternative . . . , duke menduar se kjo mund të lërë të kuptohet se trajtimi tradicional që po u bëhet nuk është ai i duhuri. Sot, shumica e urologëve që trajtojnë pacientë me IC janë për përdorimin e një shumëllojshmërie terapish, duke përfshirë këtu edhe terapitë alternative, për sa kohë që këto trajtime nuk e vënë në rrezik pacientin.»
Një mënyrë tjetër trajtimi për ata që kanë dhembje kronike në pjesën e legenit është regjistrimi në një klinikë për dhembjet. Trajtimet mund të përfshijnë stimulim elektrik të nervit nëpërmjet lëkurës, i përshkruar në artikullin e mëparshëm; anestezi lokale; akupunkturë; këshillim psikologjik dhe programe të efektshme rimëkëmbjeje.
Zgjohuni! foli me dr. Pitersin, i cituar më sipër, për problemet e pacientëve të cilëve u duhet të urinojnë 40 deri në 50 herë në ditë. Ai këshilloi të përdoret një nxitës i nervit kërbishtor, i cili mund t’i pakësojë vajtjet në banjë në rreth
gjashtë në ditë. Në mënyrë që një pacient të përdorë atë që në Shtetet e Bashkuara quhet sistemi i InterStim Therapy, fiksohet në bark një aparat i vogël. Ai dërgon impulse të lehta elektrike në nervin kërbishtor, i cili kontrollon fshikëzën e urinës.Operacioni, që shihet si zgjidhja e fundit, nuk është garanci për suksesin. «Përfundimet e operacionit të fshikëzës për IC-në janë të ndryshueshme,—thotë dr. Santi.—Shumë pacientë që e heqin fshikëzën e urinës vazhdojnë të kenë dhembje të pandërprera mbi kockën pubike dhe në pjesën e legenit, madje edhe pas operacionit.» Prandaj, këshilla që japin specialistët është: mos u ngutni të bëni operacion për ta hequr fshikëzën e urinës, përveçse kur u duhet të përdorni mjetin e fundit dhe pas një shqyrtimi shumë të kujdesshëm.
Shpresat për të ardhmen
Shoqata e Cistitit Intersticial, në Rokvil, Merilend, SHBA, thotë: «Ndonëse nuk ka të ngjarë që kërkuesit të gjejnë një kurë të vetme për të ndihmuar të gjithë pacientët me IC, ka shumë mundësi që gjithnjë e më shumë pacientë të ndihmohen nëpërmjet zhvillimit të teknikave të reja diagnostikuese, mundësive të reja të trajtimit dhe ndërthurjeve të reja të trajtimeve. Pasi shkaku i IC-së (ose shkaqet) të jetë kuptuar qartë, do të jemi shumë më afër një kure (ose kurave).» Miliona pacientë me IC anembanë botës do të jenë të lumtur ta dëgjojnë këtë lajm!
[Shënimet]
^ par. 3 Një formë tjetër e IC-së është IC-ja ulceroze, e njohur edhe si sëmundja e Hunersit. Ajo përcaktohet nga njollat ose nga ulcerat që prekin të gjitha shtresat e murit të fshikëzës.
^ par. 8 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë nga trajtimet për të cilat flitet këtu. Sido që të jetë, ju rekomandojmë të këshilloheni me mjekun tuaj lidhur me çfarëdo trajtimi ose ilaçi. Zgjohuni! përpiqet ta informojë lexuesin për mundësitë mjekësore që janë në dispozicion, sipas asaj që thonë mjekët dhe punonjësit e tjerë të kësaj fushe.
[Kutia në faqen 21]
Mbështetje emocionale
Specialistët thonë se mbështetja emocionale nga familja, nga miqtë dhe nga të sëmurë të tjerë me IC e ndihmon mjaft pacientin me IC që t’i bëjë ballë sëmundjes. Gjithashtu, pacientët që mësojnë rreth problemit të tyre dhe që interesohen për trajtimin kanë prirjen të bëjnë përparim më të mirë.
[Kutia në faqen 22]
Ushqime që duhen shmangur
Edhe pse nuk ka dëshmi shkencore klinike që e lidhin dietën me IC-në, shumë mjekë dhe pacientë kanë vërejtur njëfarë lidhjeje mes tyre. Dr. Keneth Pitersi, urolog, thotë se disa pacientë janë të ndjeshëm ndaj një sërë ushqimesh dhe se çdonjëri duhet të përcaktojë cilat ushqime ia keqësojnë simptomat. Ai sugjeron që kafeina dhe alkooli të mënjanohen. Edhe domatet e agrumet duket se janë të dëmshme për pacientin me IC. Megjithatë, është e rëndësishme që pacienti të mbajë një dietë të shumëllojshme dhe të ekuilibruar mirë. Disa pacientë me IC thonë se kanë më pak shqetësime kur përdorin oriz, patate, makarona, perime, mish dhe pulë. Po ashtu, duke pirë ujë me bollëk, pacienti e hollon përmbajtjen acide të urinës dhe kështu pakëson acarimin e mureve të fshikëzës.
Më poshtë është një listë e pjesshme e ushqimeve që duhen shmangur.
Acid citrik
Açuge
Ananas
Arra, lajthi, bajame
Banane
Bathë
Bukë me maja
Bukë thekre
Çaj
Çokollatë
Djathë i staxhionuar
Djathë soje
Duhan
Fasule pllaqi
Havjar
Kajsi
Kos
Kumbulla
Luleshtrydhe
Majonezë
Mëlçi
Mish/peshk i përpunuar
Mollë
Nitrate/nitrite
Pastërma
Pije të gazuara
Pjepër
Pjeshkë
Pjeshkë pa push
Qepë
Qershigël e kuqe/lëng
Raven
Rrush
Sakarinë
Salcë për sallatë
Salcë soje
Shegë
Ushqime pikante
Ushqime pa vlera
Uthull
[Burimi]
Urologic Nursing, prill 2000, Vëllimi 20, numri 2