Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka arsye për shpresë?

A ka arsye për shpresë?

A ka arsye për shpresë?

«Një problem në martesat e tensionuara është bindja e patundur se gjërat s’mund të përmirësohen. Kjo bindje e pengon ndryshimin, sepse të heq motivimin për t’u përpjekur të bësh diçka ndërtuese.»—DR. AARON T. BEK.

IMAGJINO sikur ke dhembje dhe shkon te mjeku për një kontroll. Je në ankth, dhe kjo është e kuptueshme. Në fund të fundit, mund të jetë në lojë shëndeti, e madje edhe vetë jeta jote. Por mendo sikur pas vizitës mjeku të jep lajmin e mirë se ndonëse problemi yt nuk është aspak i vogël, ai mund të kurohet. Në fakt, mjeku të thotë që nëse i përmbahesh me kujdes një programi të arsyeshëm diete dhe ushtrimesh, mund të shërohesh plotësisht. Pa dyshim që do të ndiheshe shumë i lehtësuar dhe do të ndiqje me gëzim këshillat e tij.

Krahasoje këtë situatë me çështjen që po shqyrtojmë. A po përjeton dhembje në martesë? Patjetër që në çdo martesë ka probleme dhe mosmarrëveshje. Prandaj, thjesht fakti që në marrëdhënien tuaj ka disa çaste të vështira nuk do të thotë që keni një martesë ku s’ka dashuri. Po sikur situata e dhembshme të vazhdojë me javë, muaj ose madje edhe me vite të tëra? Nëse është kështu, ke të drejtë të jesh i shqetësuar, pasi kjo s’është diçka e vogël. Në fakt, cilësia e martesës mund të ndikojë thuajse në çdo aspekt të jetës sate dhe të fëmijëve. Për shembull, mendohet se tensioni në martesë mund të jetë një faktor kryesor në probleme të tilla, si depresioni, rënia në mësime e fëmijëve dhe rendimenti i ulët në punë. Por kjo s’është e gjitha. Të krishterët e kuptojnë se marrëdhënia që kanë me bashkëshortin mund të ndikojë në vetë marrëdhënien që kanë me Perëndinë.—1 Pjetrit 3:7.

Fakti që mes teje dhe bashkëshortit ka probleme nuk do të thotë që situata është e pashpresë. Përballimi i realitetit të martesës—me një fjalë që do të ketë sfida—mund ta ndihmojë një çift të ketë pikëpamjen e duhur për problemet dhe të punojë për të gjetur zgjidhjet. Një burrë që quhet Isak thotë: «As që e kisha idenë se ishte normale që gjatë martesës niveli i lumturisë së një çifti të kishte ngritje dhe rënie. Mendoja se diçka nuk shkonte në rastin tonë.»

Edhe nëse martesa juaj është dëmtuar aq sa nuk ka më dashuri, ajo mund të shpëtohet. Kuptohet, plagët e shkaktuara nga një marrëdhënie e nderë mund të jenë të thella, sidomos nëse problemet kanë vazhduar për vite. Prapëseprapë, ka arsye të forta për shpresë. Një faktor thelbësor është motivimi. Madje edhe dy persona që kanë probleme të rënda martesore mund të bëjnë përmirësime, nëse kjo është diçka e rëndësishme për të dy. *

Prandaj, pyet veten: ‘Sa e fortë është dëshira që kam për të arritur një marrëdhënie të kënaqshme?’ A jeni të gatshëm ti dhe bashkëshorti që të bëni përpjekje për ta përmirësuar martesën? Dr. Bek, i cituar më sipër, thotë: «Shpesh kam mbetur i habitur se si mund të përmirësohet një marrëdhënie që duket në gjendje të keqe kur bashkëshortët punojnë së bashku për të korrigjuar mangësitë dhe për të përforcuar pikat e forta të martesës së tyre.» Po sikur bashkëshorti të ngurrojë të bashkohet me ty në këto përpjekje? Ose po sikur ai apo ajo të duket se nuk është i vetëdijshëm për faktin që ka një problem? A është e kotë të punosh i vetëm për ta shpëtuar martesën? Aspak! «Nëse ti bën disa ndryshime,—thotë dr. Bek,—kjo gjë mund ta nxitë edhe bashkëshortin të bëjë ndryshime. E shumë shpesh ndodh kështu.»

Mos dil me ngut në përfundimin se në rastin tuaj kjo gjë s’mund të ndodhë. Kjo mënyrë të menduari disfatiste mund të jetë kërcënimi më i madh për martesën! Njëri nga ju duhet të bëjë hapin e parë. A mund të jesh ti? Pasi të ketë marrë udhë puna, bashkëshorti mund të kuptojë se është e dobishme të punojë përkrah teje për të ndërtuar një martesë më të lumtur.

Çfarë mund të bëni, pra—qoftë individualisht, qoftë si çift—për ta shpëtuar martesën? Bibla është një ndihmëse e fuqishme për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Le ta shohim se si.

[Shënimi]

^ par. 6 Kuptohet, në disa raste ekstreme mund të ketë arsye të vlefshme që një burrë e një grua të ndahen. (1 Korintasve 7:10, 11) Veç kësaj, Bibla e lejon divorcin mbi bazën e kurvërisë. (Mateu 19:9) Të kërkojë apo jo divorcin nga një bashkëshort jobesnik është një vendim personal i bashkëshortit të pafajshëm dhe të tjerët nuk duhet t’i bëjnë presion që të vendosë në një mënyrë a në tjetrën.​—Shih librin Sekreti i lumturisë familjare, faqet 158-161, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.