Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Uria në botë sot
«Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) përllogarit se afërsisht gjysma e popullsisë në çdo komb, qoftë ky i pasur ose i varfër, vuan nga të ushqyerit e keq të një lloji a një tjetër»,—thuhet në raportin Gjendja e Botës 2000. Është përllogaritur se 1,2 miliardë njerëz në të gjithë botën po vuajnë nga të ushqyerit e pamjaftueshëm. Veç kësaj, thuhet se disa miliarda të tjerë njerëz vuajnë nga ‘urija e fshehur’, e cila u referohet atyre që duken të ushqyer në mënyrë të mjaftueshme, por që në fakt janë të dëmtuar nga një mungesë e vitaminave dhe e mineraleve thelbësore. «Sot vazhdohet me mitin se urija vjen si rezultat i sasisë së pakët të ushqimit»,—thotë Instituti Worldwatch, i cili harton raportin vjetor Gjendja e Botës. «Realiteti është se urija është produkt i vendimeve njerëzore . . . Në atë se kush është i ngrënë e kush i pangrënë, ndikon shumë më tepër fakti që njerëzit kanë një standard të kënaqshëm jetese, pozita shoqërore që ka gruaja dhe nëse qeveritë janë të përgjegjshme ndaj popullit të tyre, sesa potenciali bujqësor i një vendi.»
Vetëvrasja në Francë
«Tridhjetë për qind e të rriturve francezë kanë menduar të kryejnë vetëvrasje»,—raporton gazeta Le Monde. Nga ata që u pyetën në këtë anketë, e para lidhur me vetëvrasjen në Francë, 13 për qind thanë se e kishin bluar seriozisht në mendje vetëvrasjen, ndërsa 17 për qind të tjerë pranuan se kanë menduar në mënyrë të vagët rreth saj. Megjithatë, sipas Mishel Debu, profesor i mjekësisë ligjore, në spitalin universitar, në Saint Etiene, shifra e vërtetë është shumë më e lartë, pasi shumë priren t’i fshehin këto mendime, për shkak të ndjenjave të fajit. Shumica e atyre që u anketuan e shohin vetëvrasjen si «një akt dëshpërimi», i shkaktuar nga problemet shoqërore dhe jo nga rrethanat familjare. Çdo vit në Francë numërohen 160 000 tentativa për vetëvrasje dhe afërsisht 12 000 vdekje nga vetëvrasja.
Fe sipas shijes
Një studim nga anketuesi Xhorxh Gallup i Riu, tregon se shumica e njerëzve në Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë fenë si një «sallatë mikse». Në vend që të ndjekin «sistemet tradicionale të besimit, amerikanët [e Veriut] ‘zgjedhin me kujdes’ atë që duan të besojnë, duke përzier shpesh idetë që janë brendapërbrenda një feje ose duke bashkuar dy a më shumë fe në një sistem personal besimi»,—raporton gazeta National Post e Kanadasë. Studimi, gjithashtu, zbulon se «ka një mungesë tepër të dukshme njohurie rreth Biblës, doktrinave bazë, dhe traditave të fesë që ka një person» dhe se «shpesh besimi i pohuar është sipërfaqësor e njerëzit nuk e njohin atë që besojnë ose pse e besojnë»,—thotë gazeta. Rexhinald Bibi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Lethbrixhit, Alberta, Kanada, thotë: «Një shumicë e madhe vazhdon të identifikohet me traditat mbizotëruese katolike dhe protestante, por në mënyrë përzgjedhëse përvetëson bindje, praktika dhe shërbime profesionale të tilla, si pagëzimet, martesat dhe funeralet.»
Kafeja dhe toksinat
Sipas kërkimeve të bëra kohët e fundit, kafeja mund të heqë nga uji i rubinetit, «78 deri 90 për qind të metaleve të rënda të tretura, si plumbi dhe bakri, sepse llumi i kafesë me molekulat e pangarkuara ose të ngarkuara negativisht tërheq metalet e rënda të ngarkuara pozitivisht»,—raporton gazeta Australian. «Sa më e fortë të jetë kafeja, aq më mirë bëhet heqja»,—tha kimisti ambientalist Dr. Maik Mek-Laflën. Eksperimente të ngjashme u bënë me paketat e vogla të çajit, por, ndonëse filtron rreth një të tretën e plumbit, çaji nuk duket se ka shumë efekt mbi bakrin.
Një njeri bore në sabat?
Reshjet e mëdha të dëborës që ranë në Izrael dimrin që kaloi, bënë që hebrenjtë lokalë ortodoksë të paraqiten me disa pyetje të ndërlikuara. A lejohet të luhet me topa bore ditën e sabatit? Po një njeri bore, a mund të formohet? Sipas shërbimit informativ IsraelWire, kryerabini i mëparshëm izraelit, Mordekai Elijahu paraqitet tani me disa udhëzime për ata besimtarë që nuk janë të sigurt se çfarë lejohet dhe çfarë jo. Rabini shpjegoi se formimi i një njeriu prej bore është «punë», edhe pse vetëm
për të luajtur. Kështu që ky aktivitet klasifikohet mes kufizimeve për sabatin. Nga ana tjetër, të luash me topa bore, nuk konsiderohet si një punë, prandaj lejohet. Por ka një kusht. Të gjithë ata që marrin pjesë duhet të pranojnë të luajnë me dëshirë dhe kjo përjashton flakjen e topave të borës kalimtarëve.A prodhon truri i të rriturit qeliza të reja nervore?
«Për dekada pranohej gjerësisht se njerëzit lindnin me të gjitha qelizat nervore që do të kishin në të ardhmen»,—pohon The New York Times. Edhe pse që prej 1965-s, eksperimentet e bëra me disa kafshë treguan se truri i tyre prodhonte qeliza të reja nervore, shumë neurologë besonin se kjo nuk ndodhte me njerëzit. Por, gjatë dekadës së kaluar, u grumbulluan mjaft dëshmi për të treguar se truri prodhon qeliza të reja nervore dhe se ai mund të përtërihet në mënyrë të vazhdueshme. Vitin e kaluar, kërkuesit zbuluan se në një pjesë të trurit njerëzor që është përgjegjëse për kujtesën afatshkurtër, u formuan qeliza të reja. Disa shkencëtarë tani besojnë se «truri mund ta riparojë veten gjatë gjithë kohës».
Stres akut lidhur me abuzimin në fëmijëri
«Gratë që kanë pësuar abuzim fizik ose seksual në fëmijëri, mund të vuajnë gjithë jetën nga një reagim i çekuilibruar ndaj stresit»,—raporton The Dallas Morning News. Kërkuesit në Universitetin Emʹri në Atlantë krahasuan nivelet e hormoneve që kontrollojnë stresin dhe numrin e rrahjeve të zemrës te gratë që kishin vuajtur dikur nga abuzimi me ato të grave që nuk kishin vuajtur nga diçka e tillë, ndërsa ato kryenin një punë stresuese. Gratë që kishin vuajtur nga abuzimi në fëmijëri kishin në mënyrë të dukshme nivele të larta të hormoneve që kontrollojnë stresin, si dhe një numër të shpeshtë të rrahjeve të zemrës si reagim ndaj stresit. Kërkuesit nxorën përfundimin se «mund të ketë një çrregullim të përhershëm biokimik në mënyrën se si trupat e tyre reagojnë ose kontrollojnë stresin»,—pohon kjo gazetë.
Çantat e rënda të shpinës
Një studim i Akademisë Amerikane të Kirurgëve Ortopedë, ka treguar se ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet dhembjes së shpinës e të supeve te fëmijët dhe çantave të rënda të shpinës që disa prej tyre mbajnë. Pasi i mbushin çantat e tyre me librat e shkollës, me ushqim, pije, instrumente muzikore dhe një palë ndërresa, disa fëmijë mbajnë pesha deri në 18 kg. Mjekët pediatër paralajmërojnë se fëmijët e shkollës tetëvjeçare, mund të përfundojnë me probleme serioze në shpinë, duke përfshirë dhe deformimin e shpinës, nëse mbajnë çdo ditë pesha të tilla të rënda për në shkollë. Disa specialistë u sugjerojnë drejtuesve të shkollës dhe mësuesve që pesha e çantave të shpinës që mbajnë nxënësit të mos jetë më shumë se 20 për qind e peshës së trupit të fëmijës ose që çantat e shpinës të transportohen «mbi rrota, të kenë rripa për ijët dhe madje të jenë të veshura me një shtresë të butë në pjesën që mbështetet te shpina e fëmijës»,—raporton gazeta e qytetit të Meksikos Excelsior.
Verë trishekullore e vjetër
Dy shishe verë janë zbuluar në rrënojat e një ndërtese në Londër, që ishte shkatërruar në vitin 1682, raporton The Times e Londrës. Tapa e njërës ishte prishur dhe vera brenda saj ishte kthyer në uthull, por tapa e tjetrës e mbajtur në vend nga teli dhe parafina, kishte siguruar një vulosje të përsosur. Në një seancë të veçantë kur provohet vera nga Muzeumi i Londrës, ekspertët e verës morën si mostër një sasi të vogël prej pijes shekullore, që ishte nxjerrë nga shishja me anë të një shiringe. Ata nxorën përfundimin se ka të ngjarë që të ishte një Madeira e staxhionuar dhe për shijen e saj thanë se ishte «e freskët, e butë, ngacmuese dhe me një ekuilibër të mirë të elementëve përbërës».
Lumenjtë e botës në hall të madh
«Po thahen ose janë ndotur më shumë se gjysma e lumenjve kryesorë të botës»,—raporton gazeta USA Today. Shumë kanale ujërash janë «tharë dhe ndotur në një masë të rëndë» nga përdorimi i tepërt dhe keqpërdorimi i tokës dhe i ujit, thotë Komisioni Botëror lidhur me çështjen e Ujit për shekullin e 21-të. Ndotja e këtyre burimeve natyrore po «kërcënon shëndetin dhe jetesën e njerëzve që varen prej tyre për të ujitur, për të pirë dhe për sigurimin e ujit industrial»,—thotë komisioni. Është interesante se nga 500 lumenjtë kryesorë që ka bota, dy lumenjtë «më të shëndetshëm» janë lumi Amazona në Amerikën Jugore dhe ai Kongo, në Afrikë. Arsyeja? «Që të dy kanë pak qendra industriale pranë brigjeve të tyre»,—vëren raporti.