Nga Olimpi në Sidnei
Nga Olimpi në Sidnei
SHUMË njerëz i konsiderojnë Lojërat Olimpike si garat më të rëndësishme sportive në botë. «Asnjë ngjarje tjetër sportive nuk tërheq kaq shumë vëmendje,—thuhet në The World Book Encyclopedia.—Disa miliona njerëz marrin pjesë në këto lojëra dhe qindra milionë të tjerë anekënd botës i ndjekin në televizor.»
Një historik i shkurtër
Lojërat Olimpike e kanë zanafillën mijëra vjet përpara. Me mendimin se sportet kënaqnin frymërat e të vdekurve, grekët e lashtë bënin festa kombëtare ku përzihej feja me sportin. Këto përfshinin Lojërat Istmike, Lojërat e Nemeut, Lojërat Olimpike dhe Lojërat Pitike. Më lart nga këto vlerësoheshin Lojërat Olimpike, pasi bëheshin për nder të Zeusit, të cilin grekët e konsideronin mbretin e perëndive.
Duket se Lojërat e hershme Olimpike përbëheshin vetëm nga një aktivitet, nga gara e vrapimit. Por me kalimin e kohës, në to u përfshinë edhe gara të tjera, si garat me karroca dhe provat e rrepta të rezistencës. Për këtë rast vërshonin vizitorë nga të katër anët. Që të garantohej siguria e tyre, hynte në fuqi një armëpushim që ndalonte luftimet për një periudhë si para, ashtu edhe pas lojërave.
Me ardhjen e Romës në fuqi, rëndësia e Lojërave Olimpike nisi të binte. Në të vërtetë, shumë romakë i shihnin sportet me njëfarë përbuzjeje. Një përjashtim ishte perandori Neron. Ai hyri në lojërat e vitit 67 të e.s. dhe fitoi në çdo garë që mori pjesë. Duket se konkurrentët e tjerë e dinin se çfarë ishte më e mira për ta! Sidoqoftë, në vitin 394 të e.s. Lojërat Olimpike u ndërprenë.
Rigjallërimi i Lojërave Olimpike
Rreth 15 shekuj më pas, ajo që zbuluan gërmimet e arkeologëve gjermanë në fushën e Olimpit të lashtë rizgjoi interesin për këto lojëra. Atëherë, baroni Pjer dë Kubertan, një francez 29-vjeçar, propozoi që të rigjallërohej ky aktivitet. E kështu, në vitin 1896 u zhvilluan në Athinë të parat Lojëra Olimpike të kohëve moderne. Që nga ai vit, me përjashtime të rralla, Lojërat Olimpike janë zhvilluar çdo katër vjet.
Sot shumë veta i presin lojërat me padurim. Këtë vit, ato do të zhvillohen në Sidnei të Australisë, nga 15 shtatori deri më 1 tetor. Do të përfshihen 28 sporte, 292 gara dhe 635 seanca, me më shumë se 10 300 sportistë pjesëmarrës.
Gjithsesi, vitet e fundit Olimpiadat janë rrethuar nga polemika. Madje, shumë veta thonë se idealet e Lojërave Olimpike janë në krizë. Një vështrim në prapaskenë do të jetë si zbulues, ashtu edhe shqetësues.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Scala/Art Resource, NY