Luftë kundër «puthjes» së vdekjes
Luftë kundër «puthjes» së vdekjes
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
Në heshtjen e natës, ndërsa jeni në gjumë të thellë, ai afrohet gjithnjë e më shumë. Nuk ju zgjon. Madje, as nuk lëvizni kur merrni «puthjen» e tij të dëmshme.
KY I HUAJ që futet tinëz natën është insekti i llojit Triatoma megista—i quajtur edhe insekti që puth—i cili jeton në Amerikën e Jugut. «Puthja» e vazhdueshme e këtij insekti mund të zgjatë deri në 15 minuta, ndërsa ai dalëngadalë ju thith gjakun. Në vetvete, «puthja» nuk ju dëmton. Por, jashtëqitjet që insekti lë në lëkurë, mund të përmbajnë një mikroorganizëm të quajtur Trypanosoma cruzi ose T. cruzi shkurtimisht. Nëse ky parazit hyn në trupin tuaj nëpërmjet syve, gojës ose ndonjë të çare, mund të shkaktojë tripanosomiazën amerikane, të njohur më mirë si sëmundja Chagas.
Në fazën akute, simptoma më e dallueshme e sëmundjes Chagas është ënjtja e syrit. Më pas mund të vijnë lodhja kronike, ethet, humbja e oreksit ose diarreja. Pastaj, pas një muaji ose dy, zakonisht simptomat zhduken, madje, edhe pa mjekim. Por ndoshta më e keqja duhet ende të vijë. Rreth 10 ose 20 vjet pas infektimit, te viktima mund të zhvillohen probleme të zemrës, duke përfshirë aritminë ose edhe pushimin e zemrës. *
Është përllogaritur se deri në 18 milionë njerëz janë të infektuar me sëmundjen Chagas dhe rreth 50 000 njerëz vdesin çdo vit prej saj. Jo të gjitha viktimat i pickon drejtpërdrejt ky insekt. Disa, për shembull, janë fëmijë të ushqyer me qumësht gjiri, të cilët e kanë marrë sëmundjen nga nëna e infektuar. Madje, një grua shtatzënë mund t’ia kalojë sëmundjen foshnjës së saj të palindur ose mund ta infektojë në momentin e lindjes. Mënyra të tjera transmetimi përfshijnë transfuzionin e gjakut ose ngrënien e ushqimit të pagatuar, të infektuar me T. cruzi. *
Çfarë po bëhet për të luftuar sëmundjen Chagas? Insekticidet kanë dalë të efektshme për të kontrolluar popullsinë e këtyre insekteve «puthës». Por, ta shpërndash këtë insekticid nëpër shtëpi nuk është e këndshme, dhe kjo gjë duhet përsëritur çdo gjashtë muaj. Universiteti
Federal i Rio-de-Zhaneiros ka propozuar një alternativë, një bojë për të lyer shtëpinë, që përmban insekticid. Produkti u provua në 4800 shtëpi. Përfundimi? Dy vjet më vonë, 80 për qind e shtëpive ishin ende pa asnjë insekt. Gjithashtu, kërkuesit kanë zbuluar se gjethet e neemit ose të cinamomos brazilian përmbajnë një substancë johelmuese të biodegradueshme (azadiraktinën), e cila jo vetëm që i kuron insektet e infektuara, por edhe i parandalon ato të shëndetshmet që të bëhen mbartës.Ndihmë për të infektuarit
A ka ndonjë shpresë për miliona njerëzit që janë infektuar me sëmundjen Chagas? Po. Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh po përpiqet të zbulojë sekretet e 10 000 gjeneve të T. cruzi. Kjo mund të bëjë të mundur të krijohen teste diagnostikuese, vaksina dhe ilaçe më të forta.
Në korrik të vitit 1997, shkencëtarët dërguan një nga proteinat kryesore të T. cruzit në hapësirën ndërplanetare, me anijen kozmike Kolumbia, që ta studionin strukturën e saj në mikrogravitet. Ky është një hap thelbësor për të krijuar ilaçe që mund të maten me strukturën e T. cruzit. Kërkimi për ilaçe të reja është i rëndësishëm, sepse, pasi sëmundja arrin fazat përfundimtare, tani për tani nuk ka asnjë mjekim të efektshëm. *
Duke kuptuar dobitë që ka mjekimi në fazat e hershme, biologia braziliane Kostanca Brito zhvilloi testin e reaksionit zinxhir të polimerazave, i cili e bën të mundur diagnostikimin brenda dy ditësh. Por, mjerisht, shumë veta as që e dinë se e kanë sëmundjen, kur kjo është në fazat e hershme.
Çelësi është parandalimi
Në përfundim, çfarë masash parandaluese mund të merrni, nëse jeni në një zonë ku ka insekte Triatoma megista?
▪ Nëse flini në një shtëpi të ndërtuar me baltë ose kashtë, përpiquni të përdorni një rrjetë për krevatin.
▪ Përdorni insekticide. Ato e ulin rrezikun e infektimit.
▪ Meremetoni të çarat dhe krisjet e mureve, sepse këto mund të jenë vende të mira ku insekti të bëjë folenë.
▪ Mbajeni shtëpinë të pastër, duke përfshirë edhe zonat pas pikturave dhe mobilieve.
▪ Herë pas here, hapini dyshekët dhe batanijet në diell.
▪ Mbani mend se kafshët (të egra dhe shtëpiake) mund të jenë mbartës.
▪ Nëse dyshoni që një insekt është Triatoma megista, dërgojeni në qendrën më të afërt shëndetësore për analizë.
[Shënimet]
^ par. 5 Simptomat mund të jenë të ndryshme dhe disa prej tyre nuk janë të veçanta për sëmundjen Chagas. Prandaj, këtu ato paraqiten thjesht si një vështrim i përgjithshëm e nuk mendohet të shërbejnë si bazë për të bërë një diagnozë. Shumë veta nuk kanë asnjë simptomë, derisa sëmundja arrin fazën kronike.
^ par. 6 Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara vëren se në disa vende rezervat e gjakut nuk kontrollohen gjithnjë për sëmundjen Chagas.
^ par. 10 Mjekët përdorin nifurtimoksin për të mjekuar T. cruzi, por shpesh ky ilaç ka efekte të rënda anësore.
[Kutia në faqen 13]
Zbulimi i sëmundjes Chagas
Në vitin 1909, Karlos Chagas, një mjek brazilian, po punonte në shtetin Minas Gerais, Brazil, ku malarja po pengonte ndërtimin e një hekurudhe. Ai vuri re se shumë pacientë kishin simptoma të ndryshme nga ato të sëmundjeve të njohura. Gjithashtu, vuri re se shtëpitë në atë rajon ishin të pushtuara nga insekte Triatoma megista, të cilat ushqehen me gjak. Kur shqyrtoi atë që përmbanin zorrët e insekteve, Chagas zbuloi një protozoar të ri. E quajti Trypanosoma cruzi, për nder të mikut të tij, shkencëtarit Osvaldo Cruz. Sëmundja e re u quajt në mënyrë të përshtatshme me emrin e Karlos Chagasit, për shkak të kërkimeve të thella që bëri, të cilat çuan në zbulimin e kësaj sëmundjeje.
[Figura në faqet 12, 13]
Banesat e fshatit shpesh mbushen me insekte «puthës»
[Burimi]
Fotografitë: PAHO/WHO/P. ALMASY