Erëza që erdhi nga ana tjetër e botës
Erëza që erdhi nga ana tjetër e botës
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË HUNGARI
«SA i mrekullueshëm ky mishi! Çfarë ke përdorur për ta aromatizuar?» Ky mund të jetë reagimi juaj, pasi të provoni gulashin tipik hungarez. Shija e tij e veçantë vjen nga piperi i kuq, një erëz e bërë nga speci, bimë që erdhi në Hungari nga ana tjetër e botës.
Historia e quan Amerikën e Jugut si shtëpinë më të hershme të njohur të specit. Poçet e gjetura në varret e inkasve, të cilat besohet se janë mijëravjeçare, janë të stolisura me piktura të bimës së specit. Madje, specat ishin ndër ushqimet e vendosura në varr bashkë me mumjet inkase.
Disa historianë besojnë se një mjek që lundroi për në Amerikë me Kolombin, mori me vete farëra speci kur u kthye në Spanjë në vitin 1493. Sidoqoftë, Spanja ishte vendi i parë evropian që i kultivoi gjerësisht specat. Prej aty, specat arritën në Britani dhe në Francën Jugore, ku ishin më të njohura si lule shtëpie, sesa si një aromatizues ose burim ushqimi. Më vonë, tregtarët grekë i çuan bimët e specave në vendet përreth Mesdheut dhe Detit të Zi.
Bima e specit është njohur në Hungari që nga shekulli i 16-të. Një nga emrat e saj, «spec turk», sugjeron se ajo bimë mund të ketë ardhur në këtë vend nga turqit. Sidoqoftë, sot, piperi me ngjyrë të kuqe të errët, aromatik dhe me shije të ëmbël i Hungarisë është i preferuar nga amatorët e erëzave përreth globit.
Bima e specit lulëzon në fusha të sheshta me dhe ranor të murrmë dhe që e kap shumë dielli. Bujqit fillojnë ta përgatitin dheun për të mbjellë në fund të verës, tamam pas vjeljes së vitit të mëparshëm. Disa bimë speci mbillen me farëra, të tjerat
mbillen me fidanë. Bimët e specit që përdoren si fidanë duhen mbjellë në një ambient të kontrolluar, siç mund të jetë një serrë e ajrosur mirë. Atje, bimët e vogla ujiten me kujdes, u hidhet pleh dhe pastrohen nga barërat e këqija. Para se të mbillen diku tjetër, ato i ekspozojnë gradualisht ndaj kushteve të jashtme.Pas një periudhe prej gjashtë deri në tetë javësh, është koha për t’i transferuar filizat e specave në fusha. Në Hungari, kjo ndodh gjatë ditëve të para të majit. Në këtë fazë, bimët kanë ende nevojë për kujdes të veçantë: bujqit duhet t’i ujitin, t’i spërkatin dhe t’i prashitin, nëse duan të vjelin speca të shëndetshëm.
Vjelja fillon në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit. Kur piqet, speci—në fillim i gjelbër—merr një ngjyrë të kuqe që të ndjell oreksin. Përveç rastit kur bimët piqen të gjitha në të njëjtën kohë, ato duhen vjelë me dorë në vend që të vilen me makineri. Cilado metodë vjeljeje që të përdoret, specat do të kalojnë shumë ndryshime fizike dhe kimike, para se të dalin në tryezën tuaj të ngrënies. Për shembull, pas vjeljes, speci humbet një pjesë të mirë të lagështirës, dhe niveli i sheqerit dhe i vitaminës C ulet. *
Pas vjeljes, specat duhen lënë të thahen e të piqen më tej. Një mënyrë tradicionale për të bërë këtë është duke i shkuar në vargje. Gjithsesi, sot është më e zakonshme t’i vënë specat në thasë të gjatë të bërë me material të endur lirshëm, i cili lejon të kalojë ajri. Thasët varen nëpër rafte ose në hambarë. Kur piqen plotësisht, specat mund të shkërmoqen deri sa të bëhen pluhur, duke prodhuar erëzën e shijshme të njohur nga fjala hungareze për piper: paprika.
Disa lloj piperesh mund të jenë shumë djegës, për shkak të pranisë së një agjenti kimik të quajtur kapsaicin. Ky produkt natyror, madje, është përdorur për qëllime mjekësore, si për të trajtuar vështirësitë në tretje dhe dhembjet reumatike. Sidoqoftë, shija e veçantë e piperit, qoftë djegës ose jodjegës, është vetëm një nga cilësitë e tij. Nga ana estetike, ngjyra që i shton piperi një pjate është tërheqëse për sytë. Kur shtohet në ushqimin e pulave, piperi i kuq i ka ndihmuar, madje, klloçkat që të bëjnë vezë me të verdhë më të ndezur!
A do t’ju pëlqente të provonit një gjellë të aromatizuar me piper të kuq? Përse nuk provoni recetën për gulash, të paraqitur më poshtë? Siç themi ne hungarezët: jó étvágyat!—Ju bëftë mirë!
[Shënimi]
^ par. 9 Një spec i vetëm mund të përmbajë pesë deri në gjashtë herë më shumë vitaminë C sesa një portokall ose limon.
[Kutia në faqen 11]
GULASH HUNGAREZ
1/4 kg mish gjedhi pa kocka, i prerë në kubikë
1 lugë gjelle vaj
1 qepë mesatare, e prerë
2 thelpinj të mëdhenj hudhre, të grirë
2 lugë gjelle piper i kuq i butë
2 lugë kafeje kripë
1/4 lugë kafeje fara qimnoni të fushës (nëse dëshironi)
2 patate mesatare, të lara, të qëruara dhe të prera në kubikë
1 spec i vogël i gjelbër, i pastruar nga farërat dhe i prerë në copa
2 domate të vogla, të qëruara, me farëra të hequra dhe të prera në copa
100 g makarona peta të thara, të bëra me vezë
Nxeheni vajin në një enë rrumbullake të thellë dhe shtojini qepën. Kaurdiseni derisa të zbutet. Shtini hudhrat dhe piperin e kuq, duke i përzier dhe duke i shtuar pak ujë, po të jetë e nevojshme, për të parandaluar djegien. Pastaj shtoni mishin e gjedhit dhe kripën, duke i përzier mirë. Mbulojeni enën dhe lëreni në zjarr të ngadaltë. Përziejeni herë pas here, duke shtuar ujë vetëm nëse nevojitet për të parandaluar djegien. Shtoni farat e qimnonit të fushës, nëse dëshironi. Kur mishi i gjedhit të jetë zbutur, shtoni specat, domatet dhe dy litra ujë. Jepini një valë, mbulojeni dhe lëreni në zjarr të ngadaltë për 15 minuta. Shtoni patatet dhe lërini në zjarr të ngadaltë derisa të gatuhen patatet (10 deri në 15 minuta). Hidhini kripë sipas preferencës. Shërbehet e ngrohtë me makarona peta të bëra me vezë, të cilat janë përgatitur veçmas. Receta është për katër deri në gjashtë persona.