Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Do të bënim mirë t’i shpiknim»
Profesori Anatoli P. Zilber, shef i Repartit të Reanimacionit dhe Anestezisë në Spitalin Republikan të Universitetit të Petrozavodskit në Karelia, Rusi, lavdëron Dëshmitarët e Jehovait duke thënë: «Ata nuk abuzojnë me alkoolin, nuk pinë duhan, nuk janë lakmitarë për para, nuk i shkelin premtimet e tyre, nuk bëjnë dëshmi të rreme . . . Ky s’është një sekt misterioz, por qytetarë që i binden ligjit.» Ai shton: «[Ata] janë njerëz të respektueshëm e të lumtur, që interesohen për historinë, letërsinë, artin, dhe për jetën në të gjitha aspektet e saj.» Pastaj, pasi radhit ndryshimet e dobishme që kanë sjellë Dëshmitarët në kirurgjinë pa gjak, profesori thotë: «Duke ndryshuar paksa fjalët e Volterit, mund të thoshim se nëse Dëshmitarët e Jehovait nuk do të ekzistonin, do të bënim mirë t’i shpiknim.»
Në lartësinë e modës?
Siç vërehet në The Times të Londrës, këpucët e larta ortopedike, «një element i domosdoshëm për të rinjtë e dhënë pas modës», bashkë me takat e larta janë përgjegjëse për rreth 10 000 dëmtime në vit në Britani. Stiv Tajler, zëdhënës i një instituti (British Standards Institution), thotë: «Dëmtimet më të zakonshme janë kyçe të këmbës të përndrydhura a të nxjerra vendit dhe këmbë të thyera. Por këto këpucë mund të shkaktojnë edhe probleme të shpinës, sidomos te vajzat e reja, trupi i të cilave është ende në zhvillim e sipër.» Madje, muajt e fundit në Japoni këpucët e larta ortopedike kanë çuar në vdekjen e dy grave. Në një rast, një edukatore kopshti 25-vjeçare që kishte veshur sandale me taka ortopedike 13 centimetra të larta u pengua, theu kafkën dhe vdiq. Një vajzë tjetër mbeti e vrarë kur makina në të cilën po udhëtonte goditi një shtyllë betoni, ngaqë shoferja nuk frenoi dot siç duhet për shkak të këpucëve me qafa, me taka ortopedike 15 centimetra të larta. Në përpjekje për të shmangur proceset gjyqësore, disa prodhues kanë nisur të vendosin etiketa paralajmëruese në këpucët e tyre.
Punë shtëpie për fëmijët
«Prindërit e sotëm që janë të zënë deri në grykë nuk nguten që t’i angazhojnë fëmijët e tyre për të ndihmuar në shtëpi»,—thuhet në gazetën The Toronto Star. Ndonëse punët e shtëpisë «nuk do të jenë asnjëherë një përparësi kryesore e fëmijëve», këto detyra, siç thotë Xhein Nelsen, autore e librit Positive Discipline, «ndërtojnë mbështetjen në forcat e veta dhe respektin për veten». Sipas një studimi të botuar në revistën Child, disa punë shtëpie të arsyeshme për fëmijët dy-trevjeçarë mund të përfshijnë vënien në vend të lodrave dhe vendosjen e rrobave të palara në kanistrën e caktuar për to. Fëmijët e moshës tre deri në pesë vjeç mund të shtrojnë tavolinën, të çojnë pjatat në lavapjatë dhe të mbajnë të pastër vendin ku luajnë. Ata të moshës 5 deri në 9 vjeç mund të rregullojnë krevatin e tyre, të mbledhin me krehër gjethet dhe të shkulin barërat e këqija, ndërsa 9-12-vjeçarët mund të bëjnë punë të tilla shtëpie, si: të lajnë dhe të fshijnë enët, të derdhin plehrat, të kositin barin dhe të fshijnë me fshesë korenti. Nelsen shton se «është e dobishme të caktohen afate për përfundimin e punëve».
Të rinjtë dhe krimi
Një anketë e kryer nga Scottish Executive zbulon se në Skoci 85 për qind e djemve dhe 67 për qind e vajzave të moshës 14 deri në 15 vjeç thonë se kanë kryer një krim gjatë vitit të kaluar. Në gazetën e Glasgout The Herald thuhet se nga 1000 nxënës të anketuar në gjashtë shkolla, vetëm 12 për qind thanë se nuk kishin kryer kurrë ndonjë krim. Nga krimet e pranuara, 69 për qind e djemve dhe 56 për qind e vajzave kishin dëmtuar prona. Rreth 66 për qind e djemve dhe 53 për qind e vajzave kishin vjedhur në dyqane dhe gati gjysma kishte vjedhur në shkolla. Krime të tjera përfshinin djegien e pronave dhe përdorimin e një arme për të shkaktuar dëme. Të rinjtë e kësaj grupmoshe pohuan se presioni i bashkëmoshatarëve ishte një arsye kryesore për krimet e tyre, ndërsa për ata të moshës mbi 15 vjeç, shkaku më i mundshëm ishte financimi i vesit të drogës.
Nxënës të padisiplinuar
Tradicionalisht, në Japoni rebelimi i adoleshentëve nuk ka qenë problem. Por tani mësuesit në mbarë Japoninë thonë se është gjithnjë e më vështirë të mbash rregull në klasë për shkak të nxënësve zevzekë e të padisiplinuar. Autoritetet metropolitane të Tokios pyetën nxënës të moshës
9, 11 dhe 14-vjeçare për të përcaktuar si ndihen ata ndaj njerëzve të tjerë. Sipas gazetës The Daily Yomiuri, 65 për qind thanë se janë të irrituar dhe u ka ardhur në majë të hundës me shokët e tyre, 60 për qind me prindërit dhe 50 për qind me mësuesit. Dyzet për qind thanë se rrallë, në mos kurrë, janë në gjendje ta mbajnë nën kontroll zemërimin. Një në pesë nxënës thotë se thyerja e gjërave është mënyra se si ai ose ajo e shfren zemërimin.«Virus misterioz»
«Një virus misterioz po infekton rezervat e gjakut anembanë botës,—thuhet në New Scientist.—Askush nuk e di nëse ky virus ‘TT’ është i dëmshëm, por ka rrezik që ai të shkaktojë sëmundje të mëlçisë.» Virusi, i quajtur TT sipas inicialeve të pacientit japonez, në gjakun e të cilit u zbulua fillimisht, është gjetur «si te dhuruesit e gjakut, ashtu edhe te pacientët me sëmundje të mëlçisë, që kanë bërë transfuzione». Në fakt, nga një studim u zbulua se virusi gjendej në çdo 8 nga 102 dhurues në Kaliforni, gjaku i ekzaminuar i të cilëve kishte rezultuar negativ për viruse, duke përfshirë edhe HIV-in dhe viruset e hepatitit B e C. Llogaritet se shkalla e infektimit është 2 për qind në Britani, 4 deri në 6 për qind në Francë, 8 deri në 10 për qind në Shtetet e Bashkuara dhe 13 për qind në Japoni. Siç thuhet në artikull, shkencëtarët «që studiojnë virusin TT përreth botës ruhen të mos shkaktojnë panik», por po përpiqen «të zbulojnë nëse virusi përbën ndonjë rrezik për shëndetin».
Qaforja e jetës
Blegtorët në disa zona të Afrikës së Jugut humbitnin çdo stinë deri në 40 për qind të të sapolindurve të bagëtive të tyre për shkak të çakejve. Kjo gjë jo vetëm që ishte dëshpëruese nga ana financiare, por çoi edhe në një shpërthim të popullatës së çakejve. Përpjekjet për t’i zhdukur çakejtë nuk patën sukses dhe, madje, qenë të dëmshme për kafshët e tjera të egra. Megjithatë, vitet e fundit është shpikur dhe është përdorur një zgjidhje e mençur. Është një qafore delesh gjysmë e ngurtë, që mund të përshtatet e të ripërdoret dhe që nuk i kufizon lëvizjet e deleve ose nuk dëmton çakallin. Ajo thjesht nuk e lejon çakallin të japë një kafshim vdekjeprurës. Sipas gazetës Natal Witness, fermerët që i kanë përdorur qaforet «kanë raportuar për një ndërprerje të menjëhershme dhe të qëndrueshme të vrasjeve nga çakalli». E meqë çakejtë janë kufizuar në dietën e tyre natyrore me insekte, brejtës e kërma, numri i tyre po bie.
Grenza zdrukthëtare
Siç thuhet në National Geographic, një lloj grenze e familjes Ichneumonidae ka një organ vezëvendosës, i cili është «i forcuar me mangan ose zink të jonizuar». Grenza e përdor këtë mjet prej metali për të shpuar në thellësi trungjet e pemëve, që të vendosë vezët mbi ose brenda trupit të larvave bartëse. «Disa mund ta shpojnë drurin deri në një thellësi shtatë centimetra e gjysmë»,—thotë Donald Kuik nga Kolegji Perandorak i Britanisë. Kur dalin nga vezët, këto grenza hanë larvat që kanë gërrmuar galeri në dru e pastaj hapin rrugën përmes pemës duke e bluar drurin me pjesët e gojës të larvave që hëngrën, të cilat janë të forcuara me minerale.
«Urgjenca e heshtur» e Indisë
«Me gjithë përmirësimet për sa i përket shëndetit dhe mirëqenies në këto pak vitet e fundit, të ushqyerit e keq mbetet një ‘urgjencë e heshtur’ në Indi»,—thuhet në The Times of India. Të ushqyerit e keq i kushton Indisë më shumë se 230 milionë dollarë për kujdes shëndetësor dhe për rënien e rendimentit në punë. Sipas artikullit, më shumë se 50 për qind e fëmijëve indianë nën moshën katërvjeçare janë të ushqyer keq, 30 për qind e foshnjave të porsalindura janë «jashtëzakonisht nën peshë» dhe 60 për qind e grave janë anemike. Një specialiste e zhvillimit social në Bankën Botërore, Mira Çetërxhi, thotë se «të ushqyerit e keq jo vetëm keqëson jetën e individëve dhe të familjeve, por edhe pakëson frytet e investimeve në arsim dhe vepron si një pengesë e madhe për përparimin social e ekonomik».
Priftërinj të palumtur?
Në gjashtë vjetët e fundit është kryer tri herë një anketë rreth imazhit të priftërinjve në shoqërinë franceze. Anketa më e fundit, siç thuhet në gazetën katolike La Croix, zbulon se 45 për qind e francezëve nuk i konsiderojnë priftërinjtë si persona të lumtur e të kënaqur. Njerëzit në përgjithësi e konsiderojnë prapëseprapë priftin si të afërt me të tjerët dhe si një person që të dëgjon. Megjithatë, në gazetë thuhet se «gjithnjë e më pak francezë e konsiderojnë atë si një njeri të nevojshëm për shoqërinë» dhe se vetëm 56 për qind e mendojnë atë si «një dëshmitar të Perëndisë në tokë». Më pak se 1 në 3 persona të publikut të përgjithshëm dhe vetëm 51 për qind e frekuentuesve të rregullt të kishës do ta inkurajonin birin e tyre ose ndonjë të afërm që të bëhej prift.